Kosova Lindore, apo siç po e quajnë në fjalorin politik, “Lugina e Preshevës”, gjendet para udhëkryqeve të mëdha, por jo edhe të pazgjidhshme. Problemi etnik i shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është i madh dhe po rritet për çdo ditë. Ky problem nuk është vetëm i shqiptarëve të Luginës, i Serbisë dhe i shqiptarëve në përgjithësi, por është problem me përmasa ndërkombëtare. Lugina e Preshevës ka tri komuna me një hapësirë gjeografike me mbi 1200 km katror dhe mbi 80 000 banorë shqiptarë. Në vitin 1948, Presheva, Bujanovci e Medvegja ishin pjesë përbërëse e Kosovës, por që iu bashkangjitën me dhunë Serbisë. Me luginën e Preshevës fillon kontinuiteti i shtrirjes së territoreve shqiptare deri në Prevezë. Nga historia kemi mësuar se nga katër Sanxhaqet e hershme të Kosovës u formua Vilajeti i Kosovës (1877-1912) me seli në Prishtinë (1877-1880) e më vonë në Shkup 1880-1912. Vilajeti i Kosovës ndahej në Sanxhakun e Prishtinës, Shkupit, Jani Pazarit (Pazarit të ri), Nishit, Pirotit (Jeshilkoj), Prizrenit, Dibrës, Pejës, Sjenicës, dheTashlixhës (Plevla), territore këto të banuara me shqiptarë qe dymijë e më shumë vjet. Këto territore edhe sot e kësaj dite janë të populluara me populate autoktone shqiptare. Përbërja etnike në këtë pjesë filloj të ndryshonte nga viti 1877-1880, ku ushtria serbo-malazeze i shpërngulën me dhunë e terror ushtarak rreth 160 mijë shqiptarë. Kështu u spastruan etnikisht 640 vendbanime shqiptare nga rrethi i Nishit, Prokuples, Leskovcit, Vranjës, Kurshumlisë e vendeve tjera të cilat ishin të banuara me shqiptarë autokton diku, qind për qind, në disa vende 70% e në shumë pak territore të kësaj pjese popullata shqiptare e përbënte 50%. Dyndjes dhe terrorit të vazhdueshëm serb popullata e Luginës së Preshevës i kishte shpëtuar deri në vitin 2001, ku dhuna, persekutimet e shtypja e pushtuesit serb i kishte kaluar të gjitha caqet e shfrenimit dhe keqpërdorimit ndaj popullatës shqiptare të Luginës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës për ta përballuar shtypjen dhe persekutimet e përditshme të pushtetit serb, organizuan UÇPMB-në dhe i shpallën luftë.
Lufta e UÇPMB-së me Serbinë mori fund me nënshkrimin e një deklarate, më 21 maj 2001, në Konçul, por nuk kanë përfunduar përpjekjet për ta finalizuar statusin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, dhe garantimin e të drejtave të tyre atje për të jetuar të lirë në trojet e veta. Është e ditur publike se pas marrëveshjes së Konçulit, problemet kanë kaluar nga rrafshi konfliktual në rrafshin politik dhe ato do të vazhdojnë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Qeveria e Serbisë në asnjë rast nuk është pajtuar me zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit, as me realitetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilët kanë luftuar e do të luftojnë për t’i fituar të drejtat e veta dhe statusin e Krahinës së pavarur.
Pas përfundimit të luftës çlirimtare me Serbinë 1999-2001, në Luginën e Preshevës, problemi i shqiptarëve që jetojnë në atë pjesë, u ngrit në instancat më të larta ndërkombëtare. Shumë probleme u trajtuan në KS të OKB-së. Por edhe aleanca veriatlantike e NATO-s, bëri që të investojnë në zgjidhjen e problemeve të kësaj pjese. Serbia në shenjë hakmarrje, pas përfundimit të luftës mes UÇPMB-së, policisë dhe ushtrisë serbe, burgosi qindra çlirimtarë edhe pse ishin amnistuar zyrtarisht, i dëboj me dhunë e presion policor dhe ushtarak nga trojet veta, mbi 35000 shqiptarë autokton, shumica prej të cilëve jetojnë në Kosovë e në vise tjera shqiptare si në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri etj, duke pritur ditën e kthimit në trojet e veta. Prandaj, nëse dikush mendon për të bërë kompromise me Serbinë dhe shkëmbime territoresh, shqiptarët e kanë hisen deri në Nishë në Vranjë e Leskovc.
Në Luginë duhet zgjidhur kriza politike e cila është thelluar dhe po merr dimenzione të përmasave të një krize rajonale. Duke e marrë parasysh situatën alarmante të krijuar në Luginën e Preshevës, kërkoj nga spektri politik i të gjitha partive politike që janë të angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi, që ta përfshijnë edhe statusin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sepse pa zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe zgjidhjen e statusit të tyre nuk do të ketë paqe të qëndrueshme në rajon. Shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, janë shtresa e qytetarëve më e diskriminuar e persekutuar dhe e anashkaluar në hapsirat e ish-Jugosllavisë, por edhe në tërë Ballkanin. Në disa raste janë ndërruar emrat e qyteteve e fshatrave të Sanxhakut të Nishit, ku kanë qenë dhe janë të banuara me shqiptarë, project ky që ka filluar në vitin 1878 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Shqiptarët e Luginës nuk kanë të drejtë në përdorimin e flamurit dhe të gjuhës amtare në institucione. Shumica e qytetarëve janë shpërngulur me dhunë nga trojet e veta e kanë të kufizuar apo cenuar lëvizjen e lirë. Bllokimi i teksteve shkollore dhe mohimi i gjuhës shqipe janë cenim i madh i të drejtave elementare për jetë, prandaj kërkoj që të drejtat e tyre të jenë të njëjta me ato që serbët i gëzojnë në Kosovë. Atyre po u dëmtohen dhe grabiten pasuritë, vetëm e vetëm që ta pengojnë kthimin e tyre në atdhe. Serbia nuk e ka fshehur urrejtjen patollogjike ndaj shqiptarëve dhe atë e shfaqë për çdo ditë.
Nëse çështja shqiptare në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë nuk zgjidhet, do të ketë pasoja në të ardhmen. Ç’është më keq, kjo pjesë është lënë në harresë edhe nga Bashkësia ndërkombëtare, prandaj është e domosdoshme që të monitorohet situata atje dhe të përcjellet gjendja e krijuar për të mësuar për së afërmi se në çfarë presioni e dhune sistematike jeton popullata jonë.
Njëkohësisht e përkrah deklaratën politike të lidershipit të shqiptarëve të tri komunave në Luginën e Preshevës, por nuk pajtohem që Shqiptarët e Luginës së Preshevës të krahasohen me serbët e Veriut të Mitrovicës, sepse problemi i Mitrovicës së veriut është krijuar në vitin 2001, artificialisht nga bandat dhe klanet mafioze serbe të dirigjuara nga shërbimet sekrete serbe e të ndihmuara edhe nga ato ushtarake ku kanë bërë spastrim etnik. Qeveria Haradinaj duhet të bëjë urgjentisht një platformë politike dhe të vendosë kontakte të vazhdueshme me liderët e partive politike në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Në anën tjetër diplomacia shqiptare duhet të konsultohet dhe të kordinohet urgjentisht me faktorin ndërkombëtar, për ta shpëtuar situatën që të mos eskaloj, sepse Sanxhaku dheVojvodina janë duke i pritur sinjalet nga Lugina e Preshevës për t’u bashkangjitur në valle për t’i kërkuar të drejtat elementare të cilat i’u kanë mohuar nga Qeveria e Serbisë. Lidhur me këtë, më herët qytetarët e Luginës së Preshevës dhe ata të Sanxhakut kishin bërë një Referendum për t’u bashkuar me Kosovën, sepse bashkimi i Sanxhakut dhe Luginës së Preshevës me Kosovën është vullnet politik i popullit.
Ndarjet janë evidente, sikurse edhe bashkimet territoriale, madje në disa raste janë të domosdoshme. Serbia e di por edhe bota e qytetëruar se shumicën e territoreve që i ka Serbia nën administrim, janë pjesë të okupuara me dhunë, siç është rasti me Sanxhakun, Luginën e Preshevës dheVojvodinën. Është e natyrshme që njerëzit e një culture të njëjtë siç janë shqiptarët, të kërkojnë statusin e pavarur e të mos jetojnë me serbët që shfaqin urrejtje gjenetike dhe patologjike për ditë për shqiptarët e asaj pjese por edhe për shqiptarët në përgjithësi. Shteti i Kosovës, si shtet multietnik, me 90% shqiptarë, e konsideron pakicën serbe me vetëm 5% si shtetformuese, atëherë pse Serbia e diskriminon aq shumë elementin shqiptar që jeton në Serbi, i cili është autokton dhe ka popullsi shumë më shumë se sa serbët që jetojnë në Kosovë. Serbet e mbështesin komunitetin serb në Mal tëZi, Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Bosnjë, Slloveni, Kosovën Lindore e në të gjitha pjesët ku egziston, madje në të gjitha këto vende ka status të veçantë. Pse të mos e kenë edhe shqiptarët një status të tillë në Luginën e Preshevës, madje ata janë popull autokton dhe janë në tokën e vet, nuk janë kolonizatorë si serbët. Nëse Qeveria e Serbisë i respekton të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, krijon paqe e stabilitet në rajon, nëse kjo nuk ndodhë, rritet pasiguria dhe keqsohen marrëdhënjet ndërnjerëzore. Edhe sot e kësaj dite nuk është bërë çmilitarizimi i komunave kufitare me Maqedoninë dhe Kosovën. Forcat e xhandarmërisë, sidomos në Preshevë, që është në kufirin me Maqedoninë dhe Kosovën lëvizin sikur të ishte gjendje e jashtëzakonshme. Xhandarmëria dhe ushtria serbe shpeshherë provokojnë popullatën e fshatrave të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës, duke krijuar ekscese të natyrave konfliktuoze, e që mund të shpërthejnë në konflikt të përmasave më të gjëra. Duhet të ndalen menjëherë këto provokime. Loja me varre është loja me historinë e këtij vendi, është lojë me gjak që ndjellë luftë e gjakderdhje të reja. Edhe Millosheviqi e ka filluar ngjitjen në politikë përmes varreve duke i shetitur eshtrat e Car Llazarit nëpër ish republikat e Jugosllavisë. Kjo lojë i kushtoj popujve të ish-Jugosllavisë mbi 130 mijë njerëz të vrarë në luftëra.
Mos harroni se kjo pjesë e atdheut ka mbetur një vend i harruar, skajshmërisht i izoluar, nën presion të vazhdueshëm të Qeverisë së Serbisë. Aty nuk respektohen të drejtat e njeriut, e në shumicën e rasteve as e drejta për jetë. Serbia nuk i njeh dokumentet e Kosovës me të cilat janë paisur qytetarët e Luginës pas dëbimit të tyre nga trojet e veta. Problemi me tabela të veturave atyre u nxjerr kokëqarje për ditë. Shumica e liderëve të Kosovës nuk kanë siguri për të shkuar në Preshevë, pasi që kjo pjesë konsiderohet edhe më tutje e Serbisë. Arsimi dhe shëndetësia janë në kolaps. Që nga viti 1981 nuk ka libra shqip në Preshevë. Mbi 11 mijë nxënës mësojnë pa tekste mësimore që nga ajo kohë, në kushte e jetë primitive. Kurse, Serbia për serbët që jetojnë në Kosovë i ndan 50 milion euro. Jeta atje është e vështirësuar së tepërmi. Prandaj është e domosdoshme që ne ta kthejmë vëmëndjen kah Kosova Lindore. Kërkoj që të mobilizohet menjëherë lidershipi shqiptar që ta ndihmoj popullatën shqiptare që jeton atje. Deri në zgjidhjen e çështjes së tyre, e cila domosdoshmërisht duhet që të futet në bisedimet Kosovë-Serbi, t’u sigurohen kushtet për t’u kthyer në trojet e veta. Për ta shpëtuar atë pjesë shqiptare që jeton në Luginë, kërkohet uniteti i lidershipit shqiptar. Kam besim që kjo do të ndodhë.
(Autori, Hysni Gucati, është kryetar i OVL të UÇK-së)