Dëshmori Ibish Mavraj ka lindur më 1 mars të vitit 1963 në fshatin Saradran të komunës së Burimit (ish-Istog), në një familje bujare. Prindërit e tij, Dauti e Xheva rritën me ndershmëri edhe shtatë fëmijë të tjerë të lindur pas Ibishit, Abazin, Istrefin, Idrizin, Xhemailin, Ramushin, Ajmenen dhe Sofinë.
Pas kryerjes së shkollës fillore në fshat, Ibishi regjistron gjimnazin në Burim (ish-Istog). Sa ishte nxënës në gjimnaz, në Kosovë, prandaj edhe në qytezën e Burimit, në vitin 1981 zhvillohen demonstratat me kërkesën për Republikën e Kosovës. I dalluar si shumica e të rinjve të asaj gjenerate, Ibishi bie në sy të policisë jugosllave, prandaj, pak kohë më vonë arrestohet dhe maltretohet nga kjo polici.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Ibishi merret me punë të ndryshme bujqësie, derisa i shtyrë nga nevojat ekonomike, por edhe për shkak të rrethanave të përgjithshme të krijuara nga pushtuesi serb, emigron në vendet Perëndimore, përkatësisht në Belgjikë. Meqenëse nuk posedonte dokumentacion legal, ai qëndroi vite të tëra në mërgim, pa u kthyer në atdhe. Gjatë asaj periudhe, zemra e tij zhuritet nga malli për vendin, për prindërit, vëllezërit e motrat e për çdo gjë shqiptare. Ky mall i shuhet vetëm pas krijimit të rrethanave për kthimin e tij në Kosovë, për ta ndihmuar çlirimin e saj nga shtypja barbare serbe. Prandaj, pas organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit, në pranverë të vitit 1998, kthehet në vendlindje, ku gjen të gatshëm për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së edhe shumë kushërinj dhe bashkëfshatarë të tjerë. Në fshatin e tij tashmë do të formohen njësite ushtarake të mobilizuara e të komanduara nga shtabi rajonal i Ruhotit, që kontrollonte trevën e fshatrave të Lugut të Drinit.
Bashkë me kushërinjtë, Demushin e Bekimin (dëshmorë), Valdetin, Nazmiun e të tjerë, dëshmori Ibish Mavraj angazhohet në detyrat për furnizimin me armatim të njësiteve të UÇK-së dhe për vëzhgimin e terrenit të kontrolluar nga UÇK-ja. Fillimi i fushatës bombarduese të NATOs, më 24 mars 1999, u pasua me egërsinë edhe më të madhe të agresorit serb edhe në këtë trevë të Zonës Operative të Dukagjinit, prandaj popullata civile e Saradranit dhe e fshatrave përreth u detyrua të dalë nga shtëpitë e të strehohet në zona më të sigurta. Mirëpo, përpjekjet e forcave serbe të stacionuara në disa pika strategjike, si në periferi të fshatrave Lutogllavë, Terstenik, Trubuhoc, Zabllaç, Kashicë etj., për të depërtuar te popullata civile, me qëllim të masakrimit dhe të dëbimit të saj me terror nga Kosova u intensifikuan dita-ditës. Në fillim të muajit maj, këto forca ndërmorën ofansivë të pandërprerë kundër kësaj popullate dhe pozicioneve të UÇK-së. Situata e krijuar kërkonte angazhim vetëmohues të ushtarëve çlirimtarë për t’i përballuar këtij agresioni të egër, prandaj në krye të detyrës ishte edhe Ibishi.
Më 7 maj 1999, popullata e zhvendosur në luginat, fushat dhe pyjet në dy brigjet e lumit Drini i Bardhë, e ndodhur nën breshërinë e granatave serbe dhe e kërcënuar nga rreziku i hanxharit të kriminelëve serbë, nis të tundet në përpjekje për të çarë rrethimin e për t’i shpëtuar barbarizmit. Një pjesë e saj merr rugën në drejtim të Klinës për të vazhduar më tej në drejtim të Kukësit. Atë ditë në përpjekje për të mbrojtur popullatën civile, në fshatin Kashicë bien dëshmorët Demush Mavraj, kushëriri i Ibishit, Bekimi, Hamdi Çetta nga Trubuhovci dhe Luan Krasniqi nga Tersteniku. E njëjta situatë dhe të njëjtat përpjekje vazhdojnë edhe një ditë më pas, kur edhe pjesa tjetër e popullatës së mbetur u detyrua të marrë rrugën e shpërnguljes në drejtim të kufirit me Shqipërinë. Atë ditë, Ibishi bën të pamundurën për t’i bërë ballë fashizmit serb, duke bërë sakrificën sublime në mbrojtje të Kosovës. Ai plagoset rëndë në afërsi të Drinit të Bardhë ndërmjet fshatit të tij dhe Trubuhovcit. Atë ditë, në pika të ndryshme të vijës së luftimeve ranë edhe shumë luftëtarë të tjerë të lirisë të kësaj treve.
Eshtrat e trupit të dëshmorit Ibish Mavraj janë gjetur pas përfundimit të luftës në shtëpinë e djegur të axhës, Selimit. Nuk dihet se në ç’rrethana ka arritur të tërhiqet deri te kjo shtëpi, së cilës forcat serbe ia vëjnë zjarrin.
Bashkëluftëtarët dhe bashkëfshatarët e dëshmorit Ibish Mavraj, pas gjetjes së eshtrave të tij, i varrosin ata në varrezat e fshatit me nderime të merituara. Sot në lapidarin e ngritur në shenjë përjetësimi të veprës e të emrit të dëshmorit Ibish Mavraj, përkrah tij qëndrojnë krenarë edhe figurat e dëshmorëve bashkëluftëtarë, Demush e Bekim Mavraj. (N. M.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …