Ibrahim Gani: Po vjen Mujë Krasniqi!

5 qershor 2009. Akrepat e orës shënojnë saktë orën e nisjes sonë 05.00. Tok me skulptorin e shquar Maksim Mero dhe vëllain e tij Dervishin, po nisemi drejt Kosovës. Për Maksi Meron nata e pesë majit deri në agim, ka qenë sa e lodhshme dhe po aq emocionuese. Pas një pune krijuese edhe përgjëruese, skulptori skaliti përmendoren e Mujë Halil Krasniqit, një ndër themeluesit, udhëheqësit e UÇK dhe komandant i shquar brigade në zonën e parë operative të Drenicës heroike. Një fllad i lehtë po na përkëdhel në atë mëngjes qershori me qiellin e stolisur me bandazhe resh. Makina me flamurin kombëtar mbi ballin e saj, që mbart shtatoren e heroit legjendar Mujë Krasniqi, prin në ballë në këtë udhëtim shenjtëror..

Mes nesh ka rënë një heshtje e thellë. Secili mendon sipas logjikës së vet. Por pyetja e Maksit, pothuajse shënjon mbi atë shenjë që të gjithë me sytë e mendjes kemi shenjestruar.

– Si mendon – më thotë Maksi – si do ta presin njerëzit e tij, bashkëluftëtarët, Klinja dhe Kosova përmendoren e Mujë Krasniqit?

– Ashtu siç e njohu koha, vatra amtare, bashkëluftëtarët dhe historia – bir e luftëtar i lavdishëm i Kosovës dhe i mbarë trojeve shqiptare, yll dritëplotë në altarin diellor të lirisë – i gjegjem unë.

Fundi i këtij udhëtimi të gjatë është ende larg. “Udhëtimi” Tiranë – Kosovë për heroin e luftës çlirimtare është udhëtimi i fundit. Në ato vitet e luftës heroike Mujë Krasniqi, paralel me këtë udhë, kryq e tërthor, përmes territ, borës e dimrit të acartë, madje me shumë plagë në trup e pat përshkuar disa herë. Madje edhe udhëtimi i tij i fundit, me dhjetëra e dhjetëra bij të Kosovës më 13 dhjetor 1998, nisi nga trojet e shtetit amë.

Pas disa oresh rrugëtimi hyjmë në kthesat gjarpëruese të Gomsiqes. Maksin mezi e mban timoni. Ndalon shpesh, sheh përmendoren, kujdeset që të mos lëvizë nga vendi i vendosjes fillestare, të mos gërvishtet… Ndjek me një vështrim kureshtar dhe të pandërprerë çdo lëvizje të tij. Dhe më ngjan se midis Maksit dhe përmendores nis një bisedë e përzemërt vëllazërore:

 – A u lodhe o Mujë Krasniqi? Mos të lëndoi plagët ky udhëtim i gjatë? Vëlla i dashur, më thuaj të ndaloj nëse diçka të shqetëson?

“Dëgjoj gjegjen” e Mujë Halil Krasniqit.

– Ooo… ç’po na thua, o Maksi. Nuk ndjej as lodhje dhe asnjë grimë dhembje. Veç se ti vëllai im i dashur, nxito më shpejt se po na pret Kosova, shokët e mi bashkëluftëtarë, shokët e rënë në fushat e betejave anë e kënd Kosovës. Më presin njerëzit e shtëpisë, prindërit, motrat e vëllezërit. Për të gjithë po më kall malli…! Jepi makinës o gjirokastriti kosovar Maksim Mero!

Përshkojmë me një shpejtësi ngazëllimi kilometrat e mbaruara të Rrugës së Arbrit. Kaq gjerësi, bukuri e madhështi nuk kanë njohur rrugët tona. Dhe falë kilometrave të reja arritëm më shpejt në portën e bukur e bujare të Kosovës.

Vërnicë – Klinë

 Akrepat e orës shënojnë saktë 13.10. Punonjësit e doganës së Vërnicës, me të mësuar prej nesh se po çonim në Kosovë shtatoren e Mujë Krasniqit shtangen në vend. Vetëm njëri prej tyre, një burrë shtatbukur, rendi te makina dhe mbasi i hodhi një vështrim të gjatë shtatores, tha:

– Po, ka ardhur trimi i madh Mujë Krasniqi. Unë e pashë i pari.

Tha ato fjalë dhe për një çast na ktheu shpinën. Dora e tij lëvizte drejt syrit. Siç duket ky bir i Kosovës, nuk deshi që ne të shihnim lotin e tij, lotin e derdhur për Mujë Krasniqin.

Para nesh një varg i gjatë makinash. Dallgëzojnë flamujt e kuq me shqipen dykrenare. Në ballë të këtij lumi njerëzor ecin kryetari i Komunës së Klinës, bashkëluftëtar e shok i pandarë i Mujë Krasniqit në udhën heroike të lirisë Sokol Bashota dhe babai i heroit Halil Krasniqi.

Drejt nesh ecën, burri kockëstralli Halil Krasniqi. Me kapuçin e bardhë mbi flokët e thinjura e ballin e rrudhosur, më ngjan se drejt nesh ecën një shkëmb i shkëputur nga mali i Korabit me një blanjë dëbore në pikën e tij më të lartë.

– Po vjen babai i Mujes – më thotë Maksi.

– Mirë se erdhët o vllazën! Ju faleminderit!

 Dhe papritur përgjigjen tonë, na përqafon me dashuri duke na shtrënguar dorën. Takohemi përmallshëm me Sokol Bashotën, me bij e bija të Kosovës që kanë luftuar krah për krah me Mujë Krasniqin. Në ato çaste sa përmalluese dhe po aq tronditëse, një shok i Mujës i drejtohet Halil Krasniqit.

– Bac, a do ta shohësh përmendoren e Mujës?

– Të shtrirë jo! Do ta shoh kur të ngrihet më këmbë!

Kur të ngrihet më këmbë në zemër të Klinës, të Kosovës…, në zemër të Nënës Shqipëri.

Përgjigja e Halil Krasniqit kujtesën time e nisi drejt vendlindjes, drejt Kurveleshit, më saktë në fshatin tim në Progonat, në ato ditë korriku të vitit 1943.

Në Progonat u dha mandata e parë për dëshmorin e parë të lirisë oficerin akademist, Heroin e Popullit Asim Zeneli. Ra në Grykë të Mezhgoranit, pranë pozicionit të kryetrimit kosovar Xheladin Beqiri, që Labëria dhe lufta çlirimtare e njohu me pseudonimin “Karadaku”. Në dy korrik të vitit 1943, Xheladin Beqiri u betua mbi ballin e përgjakur të Asim Zenelit. Plumbi fashist Asimin e goditi në lule të ballit. Karadaku atë betim, një vit më pas do ta vuloste me gjakun e tij në atë betejë heroike te Guri i Prerë me okupatorët gjermanë.

Atë ditë korriku, një nga burrat e Progonatit nuk i mbajti dot lotët. Babai i Asim Zenelit u tha bashkëfshatarëve.

– Vëllezër, kursejeni pikën e lotit. Hasmi italian do të na vrasë përsëri djem e vajza shqiptare. Me gjakun e bijve tonë ne do të fitojmë lirinë…

Nisemi drejt Klinës. Një kolonë e gjatë e mbuluar me dallgët e flamurit kombëtar kuq e zi. Edhe në të dy anët e xhadesë pothuajse brezarët e lulëkuqeve na shoqërojnë në çdo metër. A thua se edhe lulëkuqet e Kosovës këtë vërshim e kanë ruajtur për ta shpalosur në këtë ditë kur shtatorja e Heroit të pavdekshëm Mujë Krasniqi do të ngrihet në zemër të Klinës!?

Që në hyrje të qytetit të Klinës deri në zemër të saj, në sheshin e pagëzuar vite më parë me emrin e heroit “Mujë Krasniqi”, lumi njerëzor bëhet më dallgëplot. Të ngjan se në ato çaste të gjithë brezat e gjinitë janë shkrirë në një qenie të vetme të pushtuar nga i njëjti mendim, ndjenjë humane e krenari legjitime.

Pritet me një heshtje solemne e pika loti ngritja dhe çuarja e përmendores së Mujë Krasniqit deri në vendin e caktuar. Me dhjetëra e qindra njerëz nuk ia ndajnë vështrimin “rrugës” ajrore që po përshkon shtatorja. Dhe me t’u vendosur në vend, fëmijët e Klinës, nxënësit e shkollave të klasave të para, e para “gardë” që ka mbyllur në rrethin e vet piedestalin e heroit, ku përreth tij janë skalitur të gjithë emrat e dëshmorëve të Komunës së Klinës, shpërthen një britmë e zgjatur si një klithmë shqiponjash. Fëmijët e Klinës dhe nxënësit e viteve të klasave të para, duke kërcyer me duart e shtrira drejt përmendores së Heroit, më bëhet sikur i thonë: “Axhë Mujë, zbrit pak o burrë, duam të të përqafojmë se na ka kallur malli!”

Në ato pak minuta që të duken orë dhe cilido dëshiron të shohë sa më shpejt të ngritur në vendin e vet shtatoren e Mujë Krasniqit, syrin nuk ia ndaj skulptorit të talentuar Maksim Mero dhe Halil Krasniqit. I pari ndjek me kujdes çdo lëvizje, afrohet pranë shtatores dhe duke mbështetur lehtë pëllëmbët e veta, udhëzon vinçierin se në ç’drejtim duhet të lëvizë krahu i vinçit për të çuar përmendoren në vendin e vet. I dyti, babai i heroit, pothuajse ka ngrirë vështrimin mbi shtatoren e të birit. Asnjë pikë loti në syrin e tij. Dhe sapo përmendorja vendoset në vendin e vet, sytë e Halil Krasniqit dukshëm derdhin dritën e gëzimit, përmallimit dhe krenarisë legjitime. Urimet, përqafimet nuk kanë të sosur. Për një çast kosovari Halil Krasniqi, babai i dy dëshmorëve, Mujës dhe Aliut, ecën drejt skulptorit, birit të Gjirokastrës dhe të Kosovës, Maksim Mero. E përqafon me një dashuri e respekt që të bëjnë për vete dhe të shtyjnë në udhën e gjatë të meditimeve, mbushur mall, qëndresë e dritë lirie.

– Nder e lavdi kujtimit të Mujë Krasniqit, Aliut, gjithë dëshmorëve të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit të saj legjendar Adem Jashari – uroj Halilin duke e përqafuar me dashuri plot dëlirësi vëllazërore!

– Ju falënderoj për nderin e dashurinë që tregoni për gjithë bijtë e bijat e Kosovës që ranë për liri. Shtatorja e Mujës është një nderim për gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – më thotë Halili.

Ndërkohë kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota dhe disa ish luftëtarë të UÇK, shokë e bashkëluftëtarë të Mujë Krasniqit, mbi përmendoren e Mujës shpalosin me kujdes mbulesën e kuqe. Nesër do të bëhet përurimi i saj…

Ecin orët e vona të mbrëmjes, qytetarët e Klinës për minuta të tëra ndalojnë pranë përmendores. Fryn një fllad i lehtë. Në këtë valle flladi, palët e kuqe të mbulesës nisin të dridhen lehtë. Në ato dredhje të lehta më ngjan se malli i Klinës dhe i Kosovës për birin e vet hero dhe malli i birit për vatrën amtare kosovare, janë flatrat e vërteta që gufojnë mbulesën e kuqe derdhur mbi përmendoren e heroizmit dhe atdhedashurisë shqiptare!

 Klinë – Qabiq

6 qershor 2009. Ditëlindja e Mujë Krasniqit. Komuna e Klinës, për të nderuar e përkujtuar jetën dhe veprën e Mujës, ka vite që e ka shpallur ditëçelje të Festivalit mbarëkombëtar: “I këndojmë Lirisë”. Pas një takimi të shkurtër me kryetarin e komunës së Klinës Sokol Bashota, do të nisemi drejt fshatit Qabiq, vendlindja e Mujë Krasniqit.

Nga Klina gjer në Qabiq rruga shtrihet përmes një peizazhi të gjelbër. Madje në këtë javë të parë qershori e gjithë Kosova është mbytur në një oqean gjelbërimi.

 Gjatë gjithë rrugës sjell në kujtesë fragmente bisedash me shokë, njerëz të afërt e bashkëluftëtarë të Mujë Krasniqit.

 Gjenerali në lirim Rexhep Selimi:

Më 28 nëntor 1998, Mujë Krasniqi, Daut Haredinaj dhe unë i bëmë të njohur mbarë popullit shqiptar, Ballkanit dhe Evropës themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Asnjëherë nuk e kam parë aq të gëzuar në atë ditë të madhe. Muja përherë printe në ballë të betejave duke marrë me vete shokët e tij të kalitur në beteja dhe njerëzit e gjakut të vet.

Sokol Bashova: Mujë Krasniqin, në vargun e madh të betejave për liri, mbarë Kosova e njohu si një ndër luftëtarët e shquar dhe komandant që printe me shembullin e vet. Mujë krasniqi në çdo luftim do ta gjeje atje ku ishte rreziku më i madh dhe vendosej fati i betejës.Mujë Krasniqi është në rrënjët e lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës, është pjesë e dritës që ndriçon rrugën tonë.

Zeqir Morina: – Muja nuk ia fshehur kurrë ballin dhe gjoksin armikut. Në një rrethim të beftë brenda një shtëpie, rrufeshëm kalonte nga dritarja në dritare duke e goditur me të gjitha armët që mbante me vete. Muja u plagos disa herë dhe ne e pamë se ndonëse plagët ende nuk ishin shëruar, ai na udhëhiqte në çdo luftim.

Gjeneral – lejtnant Rexhep Selimi, komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës: – Në zjarrin e luftës çlirimtare Mujë Krasniqi u rrit nga një luftëtar i thjeshtë deri në komandant brigade në zonën e Parë Operative të Drenicës. Për shokët e tij të luftës ai ishte edhe vëlla, edhe prind. Bënte një kujdes të veçantë për të plagosurit, ndërsa pas luftimeve e marshimeve të gjata bënte kujdes duke zgjedhur vendin më të përshtatshëm që të merrnin një sy gjumë, por që të shmangnin edhe goditjen e befasishme të armikut. Komandantin hero e njeh gjithë Kosova. Pas rënies së Mujës, Brigada 113-të u pagëzua me emrin e komandantit të saj: “Brigada Mujë Krasniqi”. Emrin e tij e mbuloi me fitore të lavdishme në sa e sa beteja për çlirimin e Kosovës.

Në Qabiq në vatrën atërore të Mujë Krasniqit që në mëngjes ka nisur të shpaloset një festë e madhe. Këtu në Qabiq grupet folklorike pothuajse kanë ngritur siparin e festivalit.

Mes këngëve, melodive e curleve të çiftelive, fjalën e merr kryetari i Komunës së Klinës, Sokoli. Dhe pas urimit drejtuar banorëve të fshatit Qabiq dhe gjithë të pranishmëve në atë festë mbarëpopullore, Sokol Bashota përsëri shpalos edhe një herë rrugën e heroit Mujë Krasniqit. Atë rrugë që e ngjiti në maja të pavdekshme lirie…

Grupe artistike, rapsodë ngjiten në një skenë të thjeshtë në ballin e së cilës është vendosur fotografia e Mujë Krasniqit.

Këngë, valle luftarake, rapsodë nga Kosova, Medvegj-Bujanovc, Vlora, Gjakova, Tetova, Lezha, Kërraba e Tiranës etj, i këndojnë Kosovës sovrane, Mujë Krasniqit dhe motrave e vëllezërve të tij që ranë për liri, UÇK dhe Nënës Shqipëri.

 Bashkë këndojmë një këngë të re,

 Që po thuret tash për ne.

 Zëri më dridhet, çiftelia…

 Sa e shtrenjtë qenka liria.

Kënga e Halil Gashit pasohet nga një iso labe, një himn për jetën dhe veprën e Mujë Krasniqit. Këndojnë “Bilbilat e Labërisë”.

 35 vjet më parë

 Nënë Shehidja lindi djalë

 Këngëtar e luftëtar…

 Komandant e trim të rrallë

 Mujë Krasniqi, o djalë!

 Befas në atë mjedis të gjelbër mbuluar me flamurë e shndërruar në një festë popullore mbarëshqiptare, zotëron një heshtje solemne.

Në skenë ngjitet një djalë me një çifteli në dorë. Shkëlqim Gashi, djali i dëshmorit Beqir Gashi do të këndojë një këngë për babin e vet: Kënga amanet. Brezat e rinj të Kosovës do të ecin në udhën e ndritur të të parëve e prindërve të tyre që koha dhe historia i ka ngjitur në piedestalë lirie.

Fill pas Shkëlqimit, Mujë Krasniqi që mban emrin e xhaxhait hero, ende nuk ka mbushur dy vjet, me një tufë lulesh në duar, i shoqëruar nga vëllai i Mujës vendos tufën e luleve mbi fotografinë e xhaxhait hero. Qabiqi i përcjell larg e lart jehonën e duartrokitjeve dhe pika e lotit “vadit” barin e tij të blertë.

 Në zemër të Klinës

Jemi kthyer përsëri në Klinë. Në një nga kafenetë e saj nxjerr bllokun e shënimeve. Lexoj e rilexoj dëshmitë e shokëve bashkëluftëtarë të Mujë Krasniqit. Dhe mendja e zemra kthehen pas në rrjedhje vitesh.

13 dhjetor 1998. Mujë Krasniqi me plagë ende të pashëruara në ballë të 140 vetëve djem e vajza të Kosovës presin me padurim të sulen në fushën e betejës mbi okupatorin serb. Përballë tyre del Komandanti i Brigadës 113-të Muja:

– Vëllezër e motra, Kosova po kallet (digjet), Drenica po kallet. Shokët tonë kanë mbetur pa barot. Do të hasim në pengesa e prita, por do të dalim. Kush nuk e mban dot peshën e armatimit, kush nuk e ndjen veten mirë, le të dalë nga rreshti.

Asnjë zë. Asnjë lëvizje. Mujë Krasniqi e di mirë: lumenjtë mund të ndërrojnë udhë, majëmalet mund të thërrmohen, po bijat e bijtë e Kosovës kurrkush s’i kthen nga udha e ndritur e Lirisë.

Komandanti trim e ndal për një çast vështrimin mbi aradhën çlirimtare. Ç’mendon vallë? Po zëri i fortë i Luljeta Shalës e sjell në vete:

– Shoku komandant, nëse nuk do të mbaja peshë të barabartë me burrat kurrën e kurrës nuk do të rreshtohesha në këto radhë!

Vallë ç’ka menduar në ato çaste i fejuari i saj që ishte rreshtuar në ato radhë trimërie?

Kolona hyri në truallin kosovar në Gorozhub. Dhe ja, papritur, nga pritat e armikut komandanti legjendar tok me 37 djem e vajza Kosove, bie në fushën e lavdisë. Të tjerët, në një luftim të egër e të pabarabartë, dalin nga prita të bindur se gjaku i vëllezërve dhe motrave të tyre do të flakëronte edhe më shumë ngjyrën e kuqe të flamurit me shqiponjën dykrenare që së shpejti do të valonte i lirë e fitimtar nën qiellin e Kosovës sovrane.

Në atë pritë ra edhe Luljeta Shala me të fejuarin e saj. Trëndafilat e kuq të dëborës, ngjyer në gjakun arbëror ishin kurora më e bukur që shikonte qielli dhe malet shqiptare mbi ballin e bukur të nuses dhe dhëndrit martuar përjetësisht me Lirinë!

Pas një pushimi disa orësh në Klinë mblidhemi në qendër të saj. Sheshi “Mujë Krasniqi” ka mbledhur të gjithë brezat e gjinitë. Të shumtë janë qytetarët që kanë ardhur nga qytete të tjera të Kosovës. Edhe grupet folklorike të të gjithë trevave janë aty.

Pranë përmendores për të zbuluar shtatoren afrohen kryetari i komunës Sokol Bashota, babai i heroit Halil Krasniqi, zëvendës kryeministri Hajredin Kuçi, ministri Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtari i Mujës, Baki Gashi.

Zëvendës kryeministri Hajredin Kuçi në emër të Presidentit të Republikës së Kosovës i dorëzoi babait të Mujë Krasniqit urdhrin “Hero i Kosovës”.

Për jetën dhe bëmat e heroit folën kryetari i Komunës së Klinës Sokol Bashota dhe ministri Fatmir Limaj. Në ligjëratat e tyre edhe një herë u skalit jeta dhe vepra e Heroit Mujë Krasniqi ashtu siç e gdhendi lufta çlirimtare e Kosovës – Zgalem, sfidant i çdo stuhie, flakadan i përjetshëm lirie.

 

– Bac u kry!

Këto fjalë i dëgjon shpesh të shqiptohen shpesh pranë përmendores rreth së cilës nën mbishkrimin “DËSHMORËT E KOMBIT”, janë skalitur emrat e dëshmorëve të komunës së Klinës.

Festivali vazhdon deri në orët e vona të natës. Në një nga pushimet e shkurtra ndahemi duke u përqafuar vëllazërisht me Sokol Bashotën, Halil Krasniqin, aktorin e përgjegjësin për teatrin Ismet Krasniqin, me burra të thinjur, zonja të nderuara, me vasha e djem me fëmijët e Klinës që sa herë i marr në duar më përqafojnë si të isha gjyshi i tyre. Ndarje e përqafime plot emocione, ngrohtësi e dëlirësi vëllazërore.

Herët në mëngjes tok me Maksin e Dervishin përulemi edhe një herë para përmendores së heroit, një vepër e madhe monumentale. Një shtatore që në rrjedhje dekash e shekujsh veprën e skulptorit gjirokastrit – kosovar, siç e quajti një nga bashkëluftëtarët e Mujës, jetën dhe veprën e heroit do ta përcjellë si një mesazh të madh drite duke u kujtuar e frymëzuar shqiptarët në trevat e veta shekullore e kudo që janë për të çuar në vend amanetin e ndritur të Rilindjes sonë Kombëtare – bashkimin e trojeve shqiptare në kufijtë e vetë natyrorë e shekullorë në një shtet sovran e demokratik.

Nisemi. Befas skulptori i shquar e zemërdet bujarie ndërron drejtimin e lëvizjes.

– Ku po na shpie? – e pyes Maksin.

– Në Kosharen e Sefë Koshares . Më ke thënë se në vëllimet e tua poetike dekada më parë, midis shumë motive kosovare, ke edhe një vjershë për Sef Kosharen. Do të shohim bashkë edhe disa qytete e fshatra të Kosovës. Se kur u nisëm nga Tirana më ke thënë se për Kosovën je gjithmonë i uritur.

Dhe sosëm në Kosharë. Takohemi me Faton Sadriun. U njohëm në Klinë. Ishte një nga dëshmitarët e betejës së Reçakut. I asaj beteje shpartalluese për okupatorët që nisi herët në mëngjes. Luftëtarët e UÇK luftuan me një heroizëm të pashoq. Në atë betejë ra komandanti i brigadës Ahmet Kaciku.

Për atë disfatë të turpshme, dihet, shovinistët serbë kryen masakrën e përgjakshme që tronditi mbarë njerëzimin.

Aty u njohëm edhe me babain e dëshmorit Brahim Ademit, Tefikun. Brahimi pas çlirimit të Kosovës, u rreshtua krah vëllezërve të tij shqiptarë që luftonin kundër shovinizmit maqedonas. Ra në ballë të sulmit në një nga luftimet e përgjakshme në malin e Korabit.

– Në moshë – thotë Tefiku – në tre vëllezërit ishte më i vogli, në jetë tregoi se ishte më i madhi.

Tefik Ademi na shoqëron te lapidari i Sef Koshares e Mic Sokolit. Krah për krah. Përballë tyre varreza e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përulemi me respekt para kujtimit të tyre.

Dhe pastaj në Dukle, Malishevë, Suharekë dhe Prizren. Kosova me gëzimet e hallet e veta, can perpara. Në të dy anët e rrugëtimit syri shikon ndërtesa të porsangritura dhe në ndërtim. Shtëpi të reja banimi, mjedise për tregti, shëndetësi, arsim e profesione të ndryshme.

Dhe në çdo qendër komune, varrezat e reja të dëshmorëve secila e pagëzuar “DËSHMORËT E KOMBIT”. Një emërtim që bijat e bijtë e Shqipërisë në vatra shekullore amtare dhe kudo që janë i ve në mendime… E megjithatë vlen të pohohet me zë të lartë: Kosova, bijtë e bijat e saj të rënë në luftën çlirimtare, po i përjetëson në buste e përmendore. Po i shndërron në flakadan lirie e atdhedashurie për mbarë Kombin Shqiptar.

 Epilog

 Të faleminderit moj, Kosovë! Për jetë të jemi mirënjohës e borxhlinj për gjithçka që ke bërë e bën për mëvetësinë tënde dhe ardhmërinë e popullit dhe të kombit shqiptar – daltuar e dritësuar madhërishëm në Lidhjen e Prizrenit!

Klinë – Tiranë

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …