Ibrahim Hamza: Bajram Paci (Demaliaj) (10 qershor 1920 - 24 maj 2001)

Ibrahim Hamza: Bajram Paci (Demaliaj) (10 qershor 1920 – 24 maj 2001)

Bajram Paci është drejtuesi i pushtetit më jetëgjatë në Krahinën e Bytyçit. Ai ka qenë shumë i njohur nga populli i kësaj zone dhe një ndër më të njohurit edhe për të gjithë rrethin e Tropojës. Për rreth 30 vjet ka drejtuar struktura të ndryshme të pushtetit. Në vitet e para pas çlirimit ka patur funksione të rëndësishme në shkallë rrethi, anëtar i Komitetit Ekzekutiv, zëvendës kryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe shef i Seksionit të Bujqësisë. Më pas ka qenë kryetar i lokalitetit të Pacit, kur ka ekzistuar kjo strukturë. Me krijimin e këshillave popullore të fshatrave të bashkuara është zgjedhur kryetar i këshillit të bashkuar të Pacit. Bajrami, ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në jetën politike në zonë, sepse për shumë vite ka qenë i zgjedhur anëtar i byrosë së Komitetit të Partisë  të rrethit të Tropojës.

Koha që punoi Bajrami ka patur të mira e të këqija, ka patur arritje dhe dështime. Brezi i kuadrove që i përket Bajrami, të cilët e drejtuan krahinën e Bytyçit në vitet e para pas çlirimit dhe disa vite me pas, u ndesh me një prapambetje të madhe të trashëguar nga e kaluara dhe luftuan për ta kapërcyer atë. Bie fjala, në rast se sot ka një numër të madh specialistësh të lartë nga kjo krahinë, fillesat e kësaj janë te puna e këtyre njerëzve që drejtuan në atë periudhë. Vetë, në kohën e fëmijërisë dhe të rinisë së herëshme të tyre, nuk patën mundësi të arsimohen në keto nivele, jo për faj të tyre se nuk u mungonte zgjuarsia dhe vullneti, por sepse mungonte shkolla. Megjithatë, ata punuan që brezave të tjerë që vinin t’u krijoheshin mundësitë për shkollim.

Në ato vite në arsim u bë një përmbysje e madhe. Filloi thuajse nga një analfabetizëm i plotë. Gradualisht u arrit në përfshirjen e të gjithë moshës shkollore në kryerjen e arsimit tetëvjeçar. Dhe me pas, në përfshirjen në arsimin e mesëm të rreth 80% të nxënësve që mbaronin arsimin 8-vjeçar në të gjithë zonën. U ndërtuan shkolla fillore thuajse ne çdo fshat, 4 ndërtesa për shkolla 8-vjeçare .Vetëm në Pac, për këto vite, u bënë tri ndërtesa shkollash, në fillim me dy klasa mësimi, më vonë me tetë klasa mësimi e më në fund me 12 klasa mësimi, godina dy katëshe që është sot shkolla e mesme.

Në shërbim të kulturës u ndërtua Pallati i Kulturës me sallë shfaqjesh, bibliotekë, librari dhe qendër e zërit. Arritje të mëdha pati edhe në shëndetësi. Nga asnjë lloj shërbimi shëndetësor të trashëguar, u ndërtua një rrjet i tërë që kujdesej për shëndetin e popullit. Në Pac u ndërtua spitali, ku kishte disa shërbime dhe ku kanë punuar mjekë të rinj, të sapodalë nga shkolla, që sot janë të njohur. Në çdo fshat u ngritën qendra shëndetësore, ku kishte infermiere dhe mami. U shtua kujdesi për nënën dhe fëmijën.

Shumë mund të thuhet edhe për sektorët e tjerë. Në bujqësi, u fut e gjithë toka arë nën ujë, nëpërmjet ndërtimit të rezervuarëve: dy në Zherkë dhe nga një  në Vlad, në Rodogosh, në Visoçë e në Letaj. U ngrit stacioni i pompave në Çorraj. U hapën dhe u shtruan me pllaka qindra kilometra kanale ujitëse, u bë drenazhimi e gëlqerizimi i fushës së Pacit dhe të Zogaje. Në kuadrin e elektrifikmit të të gjithë vendit edhe në zonën e Bytyçit u krye elektrifikimi i çdo shtëpie. Arritje pati në përgjithësi ne emancipimin e të gjithë shoqërise dhe në veçanti të grave, duke u rritur pjesëmarrja e tyre në jetën politike dhe ekonomike, arsimore dhe kulturore. U zhduk dhe u harrua gjakmarrja.

Njerëzit që i kishte zgjedhur populli në këshillat popullore të Krahinës dhe të fshatrave, ndër më kryesoret Bajrami, janë marrë me vite nga afër me rritjen e nivelit te jetesës së banoreve. Ishin ata që luftuan për higjenizimin e çdo shtëpie, për lyerjen e tyre me gëlqere e për dizinfektime të ndryshme. U bë një punë e madhe për të larguar bagëtitë nga banesat, duke bërë ngrehina jashtë vend banimit. U punua për të pajisur dhe shtuar në çdo shtëpi orendi shtëpiake, shtroi e mbuloi, për të shtuar enët e guzhinës dhe për të ngrënë çdo pjesëtar i familjes në vehte, etj. E gjithë kjo çoi në zhdukjen e shumë sëmundjeve  dhe në zhdukjen e parazitëve që bënin kërdinë në çdo familje. Këto në ditët tona nuk përfytyrohen, sepse janë të kaluara, por ky ka qenë realiteti i asaj kohe që po flasim.

Transformimet dhe zhvillimet e kësaj periudhe  në Krahinën e Bytyçit janë në rradhë të parë vepër e punës së palodhur të popullit të çdo fshati të Bytyçit. Kanë  pjesë edhe stukturat drejtuese të kohës në rreth dhe më gjerë. Por këtu ka merita të padiskutushme dhe ndihmesën e vet edhe Bajram Paci, si drejtues kryesor i pushtetit në keto vite. Asgjë nga këto nuk është bërë pa u marrë drejtpërsëdrejti dhe konkretisht Bajrami dhe drejtuesit e tjerë të kohës të Krahinës.

Bajrami ka qenë nga lagja Demaliaj e fshatit të Pacit. Të gjithë banorët e fshatrave të zonës e njihnin atë dhe familjen e tij dhe shumë prej tyre lidheshin nga afër edhe nga ana familjare. Bashkëmoshatarët e tij e thërrisnin në emrin e babait, Bajram Haxhia, sepse ne nuk e kemi patur si zakon për t’i përdorur mbiemrat, siç po flasim për rastin e Bajramit, që ishte Demaliaj. Kjo ndodhte, sepse duke qenë shumë të afërt, në kontakt të përditshëm dhe që nga fëmijëria, përdorimi i mbiemrit sikur e largonte. Me kalimin e viteve, njerëz që nuk e njihnin familjarisht, por njihej për punët dhe funksionet që mbante, filluan  ta thërrasin Bajram Paci.Thirrja me këtë mbiemër lidhej me përfaqësimin e fuqishëm të Zonës në vendet e tjera.

Ata që kanë punuar me Bajramin dhe kanë patur rastin ta njohin nga afër, por edhe shumë banorë të zonës e vlerëesojnë si njeri punëtor dhe të palodhur. Ai ka njohur nga afër çdo familje. Ka patur marrëdhënie dhe sjelljet korrekte me popullin. Është shquar si shumë komunikues me njerëzit dhe njeri i fjalës. Brenda atyre mundësive që lejonte sistemi, u ka zgjidhur shumë probleme njerëzve. Bajrami me gjithë familjen e tij kanë qenë mikpritës dhe në shtëpinë e tyre kanë pritë e përcjellë me bujari shumë shokë e miq.

Unë nuk kam punuar me Bajramin, por e kam njohur nga afër nëpërmjet shumë kontakteve. Kur punoja në shkollën 8-vjeçare të Pacit, për një kohë  isha i zgjedhur kryetar i organizatës të bashkimeve profesionale. Në këtë organizatë bënin pjesë mësuesit e shkollës së Pacit, punonjësit e lokalitetit, punonjësit e shëndetësisë, të tregtisë e të shërbimeve. Bajrami aty ishte anëtar i saj, si të gjithë të tjerët. Pjesa më e madhe e këtyre punonjësve e vazhdonin shkollën pa shkëputje nga puna, ose shkollën e mbremjes, siç quhej atëherë. Në këto mbledhje, në shumicën e tyre, analizonim mbarvajtjen e kësaj shkolle, meqënëse aty ishin edhe mësuesit edhe nxënësit. Bajrami ishte aktiv, diskutonte dhe bënte kritika për ata që mungonin ndonjëherë apo nuk kishin rezultaste të mira në mësime. Ndihmonte dhe u krijonte kushte e mundësi për të ardhur rregullisht në shkollë.

Më vonë, në vitet 1968-1969 unë kryeja detyrën e drejtorit të shkollës 8-vjeçare të Pacit dhe në të njëjtën kohë isha edhe drejtor zone për arsimin. Drejtori i zonës ishte një stukturë e re e ngritur në atë kohë dhe detyra më e rëndësishme ishte kualifikimi i mësuesve të zonës, për arsye se të gjithë mësuesit ishin shumë të rinj në moshë dhe pa përvojë në mësimdhënie. Në shkallë zone, një ditë në çdo muaj, organizonim punë kualifikuese dhe   mësime të hapura në një nga shkollat 8-vjeçare, në Pac, Zogaj, Kam apo Berishë, ku mblidheshun të gjithë mësuesit. Bajrami i ndiqte këto mbledhje, vinte here pas here dhe shtronte probleme dhe shqetësime që kishin dalë nga organizatat e Partisë, nga pushteti lokal dhe prindërit. Edhe mësuesit shtronin shqetësimet e tyre. Ndër më të rëndësishmet ishte zbatimi rigoroz i detyrimit shkollor dhe moslënia e asnjë nxënësi që t’i shmangej shkollës. Për këtë të gjitha këshillat popullore të fshatrave nuk bënin asnjë lëshim dhe ne nuk kishim asnjë nxënës që të braktiste shkollën.

Atë vit shefi i seksionit të arsimit të rrethit ishte Mehmet Ymeri. Në rakordim me të, Mehmeti na dërgoi të drejta studimi për të gjithë nxënësit që mbaronin shkollën 8-vjeçare, për t’i dërguar në shkolla të mesme jashtë zone sepse në Pac në atë kohë nuk kishte shkollë të mesme. Aprovimi i tyre bëhej në lokalitet. Me mësuesit e shkollës u bë ndarja e të drejtave të studimit, sipas kërkesave dhe prirjeve të nxënësve. Në një mbledhje të këshillit të lokalitetit, që e drejtonte Bajrami, u aprovuan të gjitha të drejtat e studimit, siç i paraqiti shkolla. U bë vërejtje vetëm për një vajzë, që ishte planifikuar të dërgohej në shkollën pedagogjike në Shkodër për mësuese. Ne, në këtë shkollë  kishim planifikuar vajza, sepse në atë kohë mësuese vendase në të gjithë zonën ishte vetëm një. Mirpo ajo kishte vështirësi në të folur dhe u diskutua se mos do të kishin vështirësi nxënësit për ta kuptuar. Në përfundim të diskutimeve edhe ajo shkoi në shkollën siç ishte planifikuar dhe më vonë e mbaroi atë dhe punoi mësuese.

Bajrami ishte kuadër i dalë nga lufta. E gjithë familja e tij  ka qenë baza shumë e rëndësishme e luftës LANÇ. Në vitin 1939 bashkë me vëllezërit, Hasanin, Hysenin, nënën dhe motrën u internuan në Kavajë, nga fashistët iltalianë. Vëllai i tij, Hysen Haxhia është Dëshmor i Atdheut. Vëllai tjetër, Shaban Haxhia ka qenë komisar dhe komandanti çetës “Bajram Curri”, komandant i Batalionit “Bajram Curri”, delegat në Konferencën e Bujanit dhe komandant i Brigadës së Shtatë Kosovare. Edhe vet Bajrami ka qenë aktiv gjatë  gjithë kohës së luftës.

Sistemi shoqëror, në të cilin punoi Bajrami pati edhe probleme të shumta   dhe nuk i qëndroi kohës. Ato, në rradhë të parë, lidhen me zhvillimet e jashtme, por ka dhe shumë shkaqe të brendëshme. Ndër gabimet e brendëshme të mëdha ishin, shoqërizimi i plotë i pronës dhe centralizimi e planifikimi i ekonomisë, lufta e klasave dhe izolimi nga bota. Mungesa e konkurencës ngadalësoi ritmet e zhvillimit të ekonomise dhe ndikoi në uljen e të ardhurave. Pas lufte, në fillimet e sistemit, pati arritje të shpejta e të mëdha, duke patur parasysh se filloi gjithçka gati nga niveli zero. Por pasojat e gabimeve u ndien pas viteve 1980, ku vendi gradualisht pati një regres dhe rënie ekomomike, për pasojë u përfshi nga një krizë totale. Këto gabime lidheshin në rradhë të parë  me vijën politike që ndiqte udhëheqja e Partisë.

Kjo periudhë është pjesë e historisë. Është e pakuptimtë që për këtë  kohë të mos flitet, të mbahet heshtje, të anashkalohet ose vetëm të shahet. Për këtë kërkohet analizë objektive, të thuhen të vërtetat me gjakftohtësi siç kanë qenë, pa inate dhe mllefe, duke qenë realist. Zhvillimet e kohës, si atëherë edhe sot, e rëndësishme është të thuhen ashtu, siç janë, sepse kështu i shërbehet më mirë edhe të ardhmes. Qëndrimet artificiale e të pa sakta janë të dëmshme dhe shtrojnë themele të dobëta për shoqërinë.

Kuadrot, të cilët kanë drejtuar Krahinën e Bytyçit në çdo periudhë, ndër të cilët edhe Bajram Paci me kohën më të gjatë, duhet të vlerësohen në mënyre realiste, të plotë e te gjithaneshme, në përputhje me rrethanat dhe kushtet kur kanë punuar.Të merren parasysh kufizimet që kishte vetë sistemi dhe brenda këtyre kufizimeve çfarë bënë të mirë dhe arritjet që patën në shërbim të popullit e çfarë bënë keq dhe a mund të vepronin ndryshe. Por atyre u duhet  hequr përgjegjësia, që ishin pjesë  e  regjimit monist totalitar, jashtë të cilit nuk mund të dilnin e të vepronin, sepse do të kishin pasoja të rënda për vehte, familjet dhe të afërmit e tyre. Kjo mënyrë analize shkencore është e domosdoshme dhe tregon kulturë.

           Edhe në këndvështrimin e zakoneve të popullit të kësaj krahine, të cilat e diferencojnë nga të tjerët për urtësi, burrëri, besë e bujari, ky qëndrim i lartëson traditat e mira. Në ndryshim nga shumë të tjerë, populli i zonës së Bytyçit edhe gjatë tranzicionit politik i tregoi vlerat e tij të veçanta. Ai gjatë kësaj periudhe u shqua për kulturë e tolerancë. Nuk u ngatërruan zhvillimet e përgjithëshme të shoqërisë, me marrëdhëniet e sjelljen me njëri-tjetrin dhe ruajtjen e traditave të mira. Kjo bëri që të mos krijoheshin probleme të cilat e shoqëruan tranzicionin  e tejzgjatur politik në vendin tonë.

(Autori i shkrimit, Ibrahim Hamza ka qenë nënkryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1982-1991.)

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …