Kryetari i Referendumit të 1-2 marsit 1992 në Kosovën Lindore, Ibrahim Kadriu, i është drejtuar kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, me një videomesazh publik. Kadriu ka thënë se ribashkimi i Kosovës Lindore me Kosovën është jetik dhe imperativ jetësor. “Këtë e kanë dëshmuar edhe dëshmorët që kanë ra në të gjitha luftërat, por këtë e ka dëshmuar edhe popullata e kësaj treve të Kosovës Lindore, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë për ribashkim me Kosovën në referendum”, ka thënë Kadriu. Sipas tij, shqiptarët e kësaj treve gjithmonë kanë menduar dhe vepruar edhe luftën, sakrificën e gjakun për ribashkim me Kosovën. “Thaçi me të drejtë kërkon korrigjimin e kufirit, sepse padrejtësisht na kanë nda, na kanë shkëput prej tërësisë territoriale të Kosovës. Prandaj, pse edhe të mos i bashkohet kur na kanë copëtuar pa dëshirën tonë. Kjo është një. E dyta, tash janë rrethanat dhe momenti kur Kryetari i Kosovës bën maksimumin”, ka thënë ai.