Ibrahim Muharrem Oruçi (25.8.1968 - 15.4.1999)

Ibrahim Muharrem Oruçi (25.8.1968 – 15.4.1999)

Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kushtrimit për liri iu përgjigj edhe Ibrahim Oruçi.
Ibrahim Oruçi, i njohur me emrin e luftës “Hushi”, ka lindur më 25 gusht të vitit 1968 në fshatin Bresalc të Gjilanit. Në fshatin e lindjes e ka kryer shkollën fillore dhe dy vjet të shkollës së mesme, të cilën e ka mbaruar në Gjilan.
Ibrahimi rrjedh nga një familje punëtore. Babai i tij, Muharremi, qysh herët kishte marrë rrugën e mërgimit. për t’ia lënë së shoqes, Mejremes, përkujdesin për fëmijët.
Që si fëmijë, Ibrahimi ishte dalluar me sjellje shoqërore dhe edukatë të mirë. I ndikuar nga fryma e edukatës kombëtare, në moshën 16-vjeçare, me një grup shokësh kishte krijuar bashkimin ilegal me emrin Rinia, i cili në nëntor të vitit 1984 kryen aksionin e parë kundër regjimit jugosllav, duke shkruar në muret e shkollës së fshatit e në asfaltin e rrugës Gjilan-Prishtinë, parullën për Kosovën republikë.
Pas grevës së minatorëve të “Trepçës”, protestave gjithëpopullore, në fund të viteve ’80, te Ibrahimi ishte thelluar ndjenja e urrejtjes kundër pushtuesit serb dhe ishte kristalizuar bindja se lufta për çlirim nuk kishte alternativë, pa marrë parasysh mjetet dhe metodat.
Në vitet ’90, Ibrahimi kishte shfaqur interesimin e tij edhe për organizimin ushtarak të luftës për çlirim, me ç’rast kishte siguruar edhe armatim. Duke qenë i angazhuar në këtë drejtim, në vitin 1996, ai merr lidhjen me strukturat e organizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas shpërthimit të luftës në Drenicë, në pranverë të vitit 1998, Ibrahimi së bashku me disa shokë shkon në Republikën e Shqipërisë për t’u furnizuar me armatim. Burgosja e dy bashkëveprimtarëve të tij, Abdullah Tahiri dhe Ahmet Demiri, në verën e këtij viti, ishte një goditje e rëndë edhe për Ibrahimin. Tashmë ishte e qartë se edhe ai mund të ishte nën përcjelljen e policisë serbe. Megjithatë, ai vazhdon aktivitetin e tij për organizimin e njësiteve të UÇK-së edhe në zonën e Karadakut, derisa kur, më 15 tetor 1998, arrestohet edhe vetë Ibrahimi. Pas gjashtë muaj baraburgimi, dënohet me dy vjet e 6 muaj burg, por lirohet për t’u mbrojtur nga jashtë.
Pas daljes nga burgu, Ibrahimi i rivendos së shpejti kontaktet me komandën e Zonës Operative të Karadakut, e cila tashmë kishte marrë formën e organizuar.
Më 1 prill të vitit 1999, Ibrahim Oruçi merr automatikun e tij dhe shkon në pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Malësi të Zhegocit, në Brigadën 153 të Gollakut. Kjo ngjarje kishte qenë një gëzim i madh për të, sepse lufta dhe fitorja e saj po hynte në fazën e saj përfundimtare.
Më 15 prill të këtij viti, forcat e pushtuesit kishin ndërmarrë një ofensivë të rreptë në Malësinë e Zhegocit. Në vijat e frontit të rezistencës, krahas çlirimtarëve të tjerë ishte pozicionuar edhe Ibrahim Oruçi. Me trimërinë, guximin dhe moralin e tij të lartë, në këtë betejë ai dëshmohet si një strateg i vërtetë i luftës. Luftimet zgjatën për katër ditë rresht. Ibrahimi me bashkëluftëtarët kishte qenë në mbrojtje të tri linjave të njësisë kur luftimet kishin filluar në një distancë të afërt. Në tërheqje e sipër, pas zbrapsjes së armikut, njësiti i prirë nga Ibrahim Oruçi bie në pritë afër Lagjes së Bullajve. Në këtë ballafaqim, zhvillohet një luftë e rreptë në mes të forcave serbe dhe njësitit të UÇK-së. Aty në altarin e atdheut, përveç Ibrahimit, bien edhe Bahtir Jahiri, Gazmend Maroca dhe Musli Imeri dhe plagosen dy pjesëtarë të tjerë të njësitit.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, trupi i Ibrahimit dhe i shokëve të tij janë varrosur në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Gjilan.
Në shenjë nderimi të veprës së tij, sot shkolla e fshatit të tij, Bresalc, mban emrin Ibrahim Oruçi. Lapidari i ngritur në oborrin e kësaj shkolle rrezaton frymëzim për brezat e rinj.
Bashkëshortja e Ibrahimit, Imranja, një stërmbesë e Idriz Seferit, sot përkujdeset dhe i rrit dy frytet e dashurisë me Ibrahim Oruçin, Albulenën dhe Indritin. Ata do ta gëzojnë lirinë, por edhe do të jenë krenarë për babanë e tyre dëshmor.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …