Ibrahim Shala

Ibrahim Shala: Në një vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të hershëm të lëvizjës atdhetare ilegale Hysen Gega

Tash një vit me 28 korrik 2021 në moshën 71 vjeçare u nda nga jeta të patrioti dhe veprimtari i hershëm i Lëvizjes Atdhetare Ilegale Hysen Gega.

Kush ishte Hysen Gega?

Hysen Gega ka lindur  në vitin 1950 në fshatin Sallagrazhdë të Therandës/Suharekës.

Ai lindi në një familje të varfër fshatare  që jeta e detyroi që në rini të hershme të merret me punë të ndryshme. Me të lëshuar shtat e me tu pjekur pak si moshë,  mori rrugën e kurbetit për Beograd.  Më vonë kurë u hap rruga shkoi  në kurbet në Gjermaninë Perëndimore.

Hysen Gega duke qenë i  edukuar në frymë atdhetare që nga fëmijëria ai shpejtë atje gjeti bashkëmendimtarët e vet. Ai e filloi aktivitetin e organizuar politik si punëtorë në Gjermani ku u  njoh me  patriot dhe veprimtarë të tjerë. Nga ku edhe fillon puna e tij e organizuar si veprimtari patriotike për   avancimin e pozitës së shqiptarëve në ish RSFJ e që si shkallë e parë ishte arritja e statusit të Republikë së Kosovës dhe barazimi i saj me  republikat tjera të Federatës.

Në fillim ai bashkëveproi me Riza Salihun që ishte  drejtues i Grupit Komunist në perëndim dhe që nxirrte si organ  propagandues fletushkën Zëri i Kosovës, më pastaj ai do të  bashkëveproj me Frontin e Kuq, që drejtohej nga Ibrahim Kelmendi dhe nxirret si organ propagandues gazetën Bashkimi.

Si etapë historike e Lëvizjes së përgjithshme kombëtare bëhet fjalë për fillimet e organizimit të pas viti 1975, pas arrestimit dhe gjykimit të tretë të Adem Demaçit me shumë shokë dhe bashkëveprimtarë të tij.

 

Fillimet e veprimtarisë atdhetare në Kosovë të Hysen Gegës.

Në vitin 1978 ai vjen në Suharekë dhe banë kontaktet e para me njerëz aktivist dhe rini shkollore që ishin në fillimet e aktiviteteve të themelimit të organizatave ilegale atdhetar dhe fillon bashkëpunimin e ngushtë me ta. Ai gjatë verës së vitit 1978 dhe 1979 do të njihte dhe kontaktonte shumë aktivistë të rijnë të këtyre organizatave, që më vonë do të jenë  prijës të aktivitetit  të organizuar politik atdhetarë dhe të luftës çlirimtare. Në këtë kohë ai ishte furnizuesi kryesor me literaturë politike atdhetare që vinte nga Shqipëria përmes perendimit. Ai ishte edhe frymëzuesi i veprimeve konkrete të aksioneve të kohës si, shkrimi parullave me përmbajtje anti jugosllave dhe anti titiste, dhe parullave me kërkesat për liri dhe bashkim kombëtarë. Këtu vlen të përmendet djegia e emrit “Tito” i shkruar  nga bima  me shemshira në oborrin e spitalit të Prizrenit dhe shkrimi i parullave antijugosllave në muret a spitalit.                                                                                                                     Ai nuk ndodhej në Kosovë në valën e arrestimeve të nëntorit të vitit 1979. Ai vazhdonte aktivitetin e tij organizativ në Gjermani, por tash krahas veprimtarëve të mëhershëm ju ishte bashkuar nga Kosova edhe ideologu i Lëvizjes Kombëtare heroi kombit Jusuf Gërvalla, me të cilin u bënë bashkëpunëtorë të ngushtë dhe të pandarë.

 

Arrestimi i Hysen Gegës me 31 dhjetor 1980.

Në fund të vitit 1980 Hysen Gega  kishte ardhur me detyrë organizative në Kosovë, por u arrestuat me 31 dhjetor 1980. Pas një faze të tmerrshme torturuese të hetuesisë u dënua me burg të gjatë nga të cilat i mbajti 10 vite.  Ideologu i Lëvizjes Atdhetare Kombëtare Jusuf Gërvalla me rastin e arrestimit të Hysen Gegës shkroi një shkrim përkushtues dhe frymëzues për të dhe veprimtarët e kohës me titull:  “Kështu na ‘uron’ UDB-ja vitin e Ri”. /“Lajmëtari i lirisë”, Nr. 1, Edicioni  janar – shkurt,  1981/.

Ashtu si tregojnë të gjithë ata shokë që patën rastin të jenë me të nëpër burgjet jugosllave e përshkruajnë me një fjalë, për njeriun e fortë dhe të qëndrueshëm në burg mund të thuash; i fortë dhe i qëndrueshëm vetëm si Hysen Gega.

Pjesën e burgut hetues  e vuajti në Prizren, pastaj në Burgun Qendror në Beograd (CZ) dhe në burgun (Kapedomin) e Nishit.  Atje ai njohu dhe zgjeroi shumë rrethin e shokëve, që secili prej tyre ka një pjesë historie për të treguar të kohës që kanë kaluar bashkë. Atij dhe shumë shokëve të tjerë nuk ju dha mundësia të ishin pjesëmarrës të Pranverës së Madhe Shqiptare të viti 1981, ata këto ngjarje të mëdha frymëzuese i përjetuan nga qelitë burgjeve.

 

Dalja nga burgu

Hysen Gega doli nga burgu me 18 prill 1990, pas 10 vjetëve të mbajtjes së dënimit. Një javë para vdekjes së  Fadil Vatës, edhe të një patrioti e revolucionari të madh nga Sallagrazhda e vogël. Ishin ditët kurë ne shokët e idealit dhe organizimit po prisnim kthimin e trupit të pajetë nga Zvicra, të bashkëveprimtarit të orëve të para të veprimtarisë atdhetare dhe bashkëpunëtorit shumë të afërt të Bacës Hysen, birin e madh të Kosovës, heroin e kombit Fadil Vata. Ato ditë Sallagrazhda ishte mbushur me veprimtarë të lëvizjes ilegale atdhetare dhe vizitorë të shumtë nga të gjitha viset shqiptare, që vinin për të shprehur ngushëllime dhe për tu solidarizuar me shokët dhe familjen.  Hysen Gega në këtë kohë mbante dy të pame, një priste shokët që shkonin për ta takuar pas daljes nga burgu dhe bashkë me ta vinte te e pamja për Fadil Vatën.

 

Tranzicioni politik

Në proceset e tranzicionit politik, Hysen Gega  krahas aktivitetit në Lëvizjen Popullore të Kosovës, po ashtu ishte pjesëtarë aktiv i veprimtarisë legale në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që atëherë perceptohej nga ish të burgosurit politik jo si parti politike, por si një lëvizje legale e masave të gjera popullore. Ai edhe këtu e dha kontributin e tij të çmuar si  njeri përafrues, si njeri i tolerancës politike, ku mbi të gjitha mbretëronte interesi kombëtar dhe lëvizja e gjërave përpara në çfarëdo mënyre.

Arrestimi i dytë                                                                                                                                 Për shkak të veprimtarisë politike atdhetare ai përsëri arrestohet me 3 gusht 1993, përsëri kalon nëpër kalvarin e torturave të policisë së Serbisë. Kohën e hetuesisë e kalon në burgun e Prizrenit  e pastaj pjesën tjetër e kalon në burgun e Dubravës në Istog, ku do të takon edhe shumë shok tjerë, e ndër ta po e veçojmë dijetarin, shkencëtarin dhe ideologun e politikës atdhetare profesor Ukshin Hotin, i cili që më parë kishte qenë për vizitë te  stani i Hysen Gegës  te Guri i Dellocit.

Pas përfundimit të burgut me 1 mars 1996 del edhe më i fortë, vazhdon veprimtarinë politike atdhetare deri në aktivizimin në radhët e UÇK-së, ku do të jetë një luftëtarë aktiv deri në ditën e çlirimit. Ai arrit ti bashkojë dy anët e litarit kohor, që nga fillimet  e hershme të  organizimit ilegal e deri te çlirimi i Kosovës, të jetë vetë pjesëmarrës aktiv dhe ti gëzohet çlirimit, lirisë, shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe themelimit të institucioneve shtetërore edhe pse shumë shokë nuk ishin më të gjallë,  por ata tash ishin vet themeli i shtetit, ata ishin heronj dhe dëshmorë në altarin e lirisë.

 

Pas lufta në Kosovën e lirë

Pas lufte ai nuk pati ndonjë punësim dhe aktivitet në organet shtetërore, ai bënte një jetë të qetë në harmoni me natyrën në bjeshkën e bukur të Dellocit, ku ishte mikpritës i madh i të gjithë bashkëveprimtarëve, bashkëluftëtarëve, miqve dhe dashamirëve që merrnin mundimin dhe ta vizitonin, e vetëm ata mund të flasin për mikpritjen e madhe tradicionale shqiptare të Hysen Gegës. Ai kurë mori një “kompensim” në para nga shteti për vitet e burgut politik, përsëri ishte i veçantë, zemra e tij bujare dhe dëshira e madhe për të forcuar Ushtrinë e Kosovës si shtyllën kryesore të shtetësisë, dhe për këtë qëllim në vitin 2015 i dhurojë FSK-së dhjetëmijë (10.000)  euro donacion. Ky shembull fletë vet për qëndrimin karshi shteti të qytetarit patriot, që nuk u bazua në atë se çka bëri shteti për të, por ai po vazhdonte të bënte për shtetin. Sigurisht se shteti ynë i ri ka nevojë për një filozofi të tillë të qasjes, për një patriotizëm që ka për objektiv forcimin e shtetit e jo të individëve, grupeve apo partive politike.

Jemi të gjithë dëshmitarë se nga ai nuk kemi dëgjuar asnjë herë ankesa, por ka rrezatuar fjalë besimi dhe miradije për çdo punë të mirë që është bërë në të mirë Kosovës dhe shqiptarisë. Ai kurrë nuk pati problem me askënd për çështje personale, ai ishte modest deri aty sa edhe për jetën e vet nuk fliste me rrahje gjoksi dhe në vetën e parë njëjës, por vetëm në shumës, NE, për shkak të modestisë i shmangej përgjigjes me fjalët, për këtë çështje mund të flasin më shumë shokët që kanë qenë me mua të pranishëm. Kjo është thjeshtësia e një njeriu të madh, e një shqiptari të madh dhe patriot në çdo etapë të jetës së tij. Përkundër që nuk kishte shkollë të lartë të kryer, e as gradë shkencore, ai kishte lexuar shumë libra letërsie, historie, libra politik dhe shkencorë. Në shkencën si dije dhe mundësi praktike  Hysen Gega kishte një besim të pa tundur, të bazuar në analizën e  argumentimit logjik, matematik dhe praktik. Në planin personal këtë më së miri e ilustron fakti kur në moshën mbi të 60-tat, filloi të mësoi fluturimin me paragllaj për kundër përvojave jo të mira të fillimit. Në planin e përgjithshëm kombëtar ai kishte besim të patundur në qasjen se, gjërat e verifikuar  shkencërisht,  do të jepnin rezultate edhe në zgjidhjen e problemeve  konkrete me të cilat po ballafaqoheshin shqiptarët.  Në muajt qershor – korrik të vitit 2021 sëmundja e shkaktuar nga virusi i pandemisë COVID-19 kishte përparuar shumë. Hysen Gega  ndërroi jetë me 28 korrik 2021 në moshën 71 vjeçare, ishte një vdekje e paralajmëruar.   Por ai këtë ditë nuk e kishte pritur në panik  e pasiv, por me stoicizëm dhe besim në ligjet shkencore të nënës natyrë dhe universit.

Amaneti                                                                                                                                 

Dhe për ketë pohim fletë më së miri amaneti i tij i përmbledhur në këto fjalë: “Dy gjëra po ua lë amanet shokëve dhe familjes: varrimin të ma bëjnë me ceremoni kombëtare dhe ditën e varrimit të lëshohet muzikë, sipas mundësisë Ndue Shytin ose Fatmir Makollin me çifteli. Këngë të Ilir Shaqirit, qofshin ato këngë dashurie apo patriotike. Sipas mundësisë me një këngë të Haxhi Maqellarës: Unë jam Zot në këtë tokë. PS. Edhe një amanet: Nëse kufoma ime i’u hyn në përdorim, (për ndonjë eksperiment apo për diç tjetër) mjekëve, le ta përdorin atë pa i’u penguar kush. Kam dëshirë që edhe për së vdekuri (sadopak) t’i ndihmoj popullit.” Nga amaneti i tij konkludojmë  se si për  besim jetësor pati, Tokën, Qiellin, Atdheun, identitetin kombëtarë, traditën dhe kulturën kombëtare.

Shokët dhe familja i bënë një varrim të dinjitetshëm, ku kishin ardhur për ti dhënë lamtumirën e fundit shumë patriot dhe veprimtarë nga të gjitha trojet shqiptare, njerëz të politikës, të luftës e sakrificës dhe funksionar shteti. Ishe një varrim krejtësisht me rend dhe përmbajtje kombëtare, ashtu siç e kishte kërkuar ai, ashtu siç e meritojnë njerëzit e mëdhenj të shqiptarisë dhe vetë identiteti kombëtar i  popullit shqiptarë.

Të nderuar pjesëmarrës, Jemi të vetëdijshëm se me një takim dhe me 2-3 referate  nuk mund të shterojmë  shkrimet për jetën dhe veprimtarinë e Hysen Gegën, kur dihet  se për të gjallë të tij, ai ishte personazh romanësh,  temë e librave me kujtime dhe i intervistuar shumë herë.  Sigurisht se vitet në vijim do të  mundësojnë grumbullimin dhe publikim e materialit tërësor për biografinë e Hysen Gegës.

Lavdi jetës dhe veprës së Hysen Gegës. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit. Çoftë i përjetshëm kujtim për të.

 

Ibrahim Shala,                                                      Therandë, 28 korrik 2022

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …