Ibrahim Skenderi: Dinjiteti i zënë pisk

Ibrahim Skenderi: Dinjiteti i zënë pisk

“Historia po na kalon nëpër duar” (B. C.)

Shekujt, vështruar në kohë dhe hapësirë na dhuruan atdhetarë që formuan zingjirin historik të rezistencës dhe të luftës për çlirim kombëtar.

Por, si çdo herë, thënë figurativisht, “Po t’mos ishte e keqja, nuk do ta dallonim të mirën”, në kundërvënie patriotëve u dalin antipatriotët.

Megjithatë, atdhetarizmi mbijetoi dhe arritëm në fundshekullin e XX. Fundshekulli që kaliti hallkën më të rëndësishme në zingjirin atdhetar të historisë kombëtare. Hallkën që do të mbetet ornamenti më i bukur në qëndismën e historisë. Hallkën që lindi guerilën më të suksesshme në historikun e luftrave çlirimtare në botë. Lindi UÇK-në! …dhe me përkrahjen ndërkombëtare të luftës së drejtë për liri, përjetuam edhe çlirimin e Kosovës nga okupatori  më barbar që njeh historia.

Fatkeqësisht këta djem e vasha të rreshtuar në radhët e UÇK-së, të cilët morën guximin dhe u futën në zjarrin e luftës kundër njërës nga katër ushtritë më të mëdha  në Europë, e që armë më të përsosur kishin kallashnikovin  praruar me idealin për liri, sot e njëzet e dy vjet gjenden në zgrip – të zënë pisk. Njësoj si në kohën e luftës, mbase me akterë të njëjtë, me ca zavendësime, në vend të milicisë serbe, me argatët e tyre nga  një mutacion i ri shqipfolës.

-Të zënë pisk nga të gjithë ata “politikanë” e “aktivistë” që në kohë lufte kishin ikur për të mbrojtur vetën dhe familjen e tyre, jo  nga armiku okupator serb , por nga UÇK-ja, se mos ua merr djemtë ushtarë ?!

-Të zënë pisk nga ata që, kur Kosova digjej e shkrumbohej, shkonin lokalitet më lokalitet, e fshat më fshat ta bindin popullin se “Ne nuk jemi me UÇK-në, ne jemi me Rugovën?!”, dhe kështu krijonin huti, bënin përqarje edhe në popullin e homogjenizuar rreth një ideali. (Këtu realisht zë fill edhe ndarja  e turpshme në “Krahu i luftës – krahu i paqes”). Për më keq, këtë qëndrim ua shprehnin edhe vëzhguesëve të OSBE-së, të cilët hulumtonin jo rastësisht opinionin,  lidhur me disponimin e popullit ndaj UÇK-së, pikërisht para se ta njihnin atë si forcë çlirimtare dhe mbështetëse  në sulmet e NATO-s kundër forcave fashiste serbe.

**

Dhe,… vitet bëjnë rrugëtimin e natyrshëm të tyre. UÇK-ja në vend se të çmohet e ruhet si vlerë kombëtare, bëhet subjekt i manipulimeve politike në baza partiake. Dihet mirëfilli se në çfardo debati, realiteti i një shoqërie gjithnjë duhet të prezantohet me të mirat e të këqijat që e përcjellin, kudo dhe kurdoherë. Por e vërteta është se UÇK-ja nuk është e njollosur e denigruar nga vetë pjesëtarët luftëtarë të saj, me ndonjë përjashtim të mundshëm.  Por, atyre megjithatë u bie një pjesë e fajit pse sot po u ndodhin këto denigrime, sepse nuk ua morën nga duart flamujt atyre që nuk kanë qenë në UÇK, por me shkathtësitë e tyre u imponuan si veteranë,  bile udhëhiqnin edhe asociacione të UÇK-së. Atyre që, pa qenë fare në luftë,  në emër të UÇK-së shfrytëzuan   donacione në fazën e emergjencës. Bënin regjistra për regjistrime në fakultete në emër të dëshmorëve e luftëtarëve të UÇK-së, duke regjistruar studentë që fare nuk kishin lidhje me pjestarët e luftës së UÇK-së, po dihet me kundërvlerë.

Ata nuk ishin UÇK-ja. Ata ishin, janë dhe do të mbeten fundërrina karakteresh, të luftës e të paqes. Ata nuk i bën të ndalën dot as titull shkencor, as titull nderi, as pelerinë besimi, as pozitë politike. Ata në çdo kohë dhe në çdo vend shfrytëzojnë rastin për përfitime personale, duke përdorur idealin si karrem për ta zënë peshkun e artë që ti plotëson të gjitha dëshirat.

Të gjitha këto bashkë me sulmet aktuale, në debate, në mjete të informimit dhe në rrjetet sociale, në këto kohë të vështira të pandemisë “Covid 19”, dhe të krizës politike qeveritare; deklaratat e të ashtuquajturve politikanë e këshilltarë, veçmas të një mutacioni politikanësh dhe orkestrimet nga soji i tyre në rrjetet sociale  për të denigruar sa më shumë rivalët politik, me përgjithësime me adresim djallëzor drejt “Krahut të luftës”,  e kanë venë në pozicionin “pisk” dinjitetin e UÇK-së. Prandaj, vetëm një reagim i guximshëm për t’i linçuar keqpërdoruesit e matrapazët që keqpërdorin emrin e UÇK-së dhe për t’i vënë para drejtësisë të gjithë ata që me qëllime të caktuara u referohen me cinizëm dosjeve serbe për gjykatën speciale  dhe raportit famëkeq të Dik Martit, paragjykojnë kriminalizime të luftëtarëve, fyejnë luftëtarët, fyejnë invalidët e luftës, fyejnë  nëna e familje dëshmorësh, dezinformojnë me shpifje e inskenime për të denigruar vlerat e shenjta të një lufte që me përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare bëri historinë, mund të shpëtohet dinjiteti i  UÇK-së.

Për këtë duhet reagim i guximshëm i intelektualëve të arsyeshëm, në të kundërtën me heshtje edhe ndërgjegjja e tyre do të mbetej një mysafir i shkret.

Më bëri përshtypje një postim në Facebook i Dr. Shemsi Bushit, këto ditë të pandemisë “Covid 19”, konkretisht për përkrahjen me performancë  ovacionesh  për Heronjtë e Kohës – për mjekët.  Ai, ndër të tjera shkruan:

“Ç’më kthyen në retrospektivë duartrokitjet e qytetarëve nga ballkonet për “heronjtë e ditëve të sotme” (mjekët e policët).

Njejtë si dikur!

Ku përmes lotëve e përqafimeve na bekonin (lexo: UÇK-në) për heroizmin e atyre ditëve…

Mirëpo, do të vijë një ditë dhe do të akuzohen po këta “heronj”, për neglizhencë , për padituri, për mospërfillje e çka jo tjetër…ngjajshëm si para 21 vjetëve me UÇK-në, kur u pritem dhe u trajtuam si çlirimtarë po nga ky popull, e për fat të keq nuk shkoi shumë gjatë dhe po kjo UÇK u akuzua për shumë gjëra të pabëra kurrë!”

Vallë, a nuk është kjo një vërejtje për përgjegjësinë tonë intelektuale për rrjedhat shoqërore e politike dhe për ndikimin tonë  për të mirë në sistemin shoqëror e politik të atdheut tonë të përvuajtur?

“Historia po na kalon nëpër duar” – shkruan Besim R. Cengu, publicist nga Tirana,  për  eksodin masiv të pranverës 1999 dhe luftën e UÇK-së,  në librin e tij “Përmasat e mbijetesës”.

Edhe sot, Historia vazhdon të na kalojë nëpër duar!

Prandaj, për ne borxhlinjtë e historisë është koha e fundit, që me argumente, me vlera artistike, letrare e publicistike, me programe shkollore, duke mbrojtur dhe afirmuar luftën heroike të UÇK-së, ta ndalim këtë uragan çmendurish. Uragan që fatkeqësisht po indokrinon antikombtarisht edhe të rinjtë që nuk e përjetuan luftën. Ata për interesa të ngusha partiake keqpërdorën të denigrojnë, përdhosin e shkatërrojnë vlera të rëndësisë historike  kombëtare!

Kujdes, Historia po na kalon nëpër duar!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …