Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo ka lindur në vitin 1865 në Strugë të Maqedonisë së sotme dhe ka vdekur në vitin 1939 në Mexhidije të Rumanisë. Emri i tij i vërtetë ishte Ibrahim Ethem Sojliu. Ka qenë ushtarak, mjek dhe veprimtar politik dhe patriot i shquar, themelues i një gazete. Në nderim të tij gjimnazi i Strugës e mban emrin e tij. Në një pllakë mermeri në hyrje të një shtëpie dy katëshe ndodhur buzë lumit Drin, në Strugë, lexojmë : Pllaka Përkujtimore “Në këtë shtëpi më 21 mars 1865 u lind Dr. Ibrahim Murat Temo (1865-1945) veprimtar dhe personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Strugë më 20 gusht 2005”.

Autobiografia e tij përmban të dhëna e cila e çon origjinën e paraardhësve që nga periudha e Skënderbeut, pjesëmarrjen e burrave të fisit në luftime dhe rënien e tyre në beteja kundër turqve apo edhe në shërbim të ushtrisë turke, largimin e të parëve të fisit në kohën e Kara Mehmet Pashës, rreth vitit 1780, nga Gurabardh i Matit dhe vendosjen në nahijen e Strugës. Ai shkruan me shumë dashuri për nënën e tij Fatime dhe kujdesin e saj për mbarëvajtjen e familjes, për të jatin Murat efendiun i dyti ndër 15 fëmijët në familjen e Mustafa Et-hem dhe i vetmi që dinte shkrim e këndim. I ati përveç punës si tregtar i vogël (bakall), njihej nga struganët edhe si mjek popullor. Dr. Ibrahim Temo ishte djali i dytë në familjen e Murat Sojliut. Ai kishte edhe dy vëllezër, Abdullah dhe Nuri efendiun. Nga rrethi familjar dolën pjesëtarë aktivë që ndihmuan me pushkë dhe penë gjatë periudhës të Rilindjes Kombëtare Shqiptare si, i ati Murat, vëllai Abdullah me fëmijët, vëllai tjetër Nuri Sojliu i cili mori pjesë dhe firmosi në Vlorë më 28.11.1912, Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Dr. Temo e kaloi fëmijërinë e tij në Strugë, ku mori edhe mësimet e para. Ishte adoleshent, në qershor 1878, kur u formua Lidhja Shqiptare e Prizrenit me në krye Abdyl Frashërin, me të cilin do t’i lidhë një miqësi e sinqertë dhe e thellë sikundër edhe me vëllezërit e tjerë Sami e Naim Frashëri si dhe me shumë rilindas të tjerë. Komitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vepruan edhe në Strugë, Ohër, Manastir, etj.

Dr. I. Temo u largua shumë i ri nga qyteti i tij i lindjes. Fillimisht u regjistrua në vitin e parë të shkollës së mesme mjekësore të Ahirkapisë. Në mbarimin e vitit të dytë mori diplomën për të kaluar në klasën superiore të shkollës mjekësore civile, por dëshira e tij ishte të vazhdonte mjek ushtarak. Me kërkesë të tij u pranua në vitin hënor 1301, në vitin e parë të shkollës së mesme mjekësore ushtarake në Kuleli të Bosforit. Në prill 1887 ndodhet në Fakultetin e Mjekësisë të Gjylhanesë në Stamboll, ku mbaroi studimet nga fundi i 1892-it dhe pasi mbrojti tezën e disertacionit : “Mbi sëmundjen e Tërbimit” mori diplomë si Mjek Ushtarak. Në Stamboll, qendër e rilindësve tanë, Dr. Temo u njoh me shumë patriotë protagonistë të Lëvizjes Rilindëse Shqiptare. Ishte nxënës në shkollën e mesme ushtarake të Kulelisë, kur fshehtazi lexon libra të letërsisë së ndaluar dhe libra politikë. Bashkë me disa shokë të tjerë të klasës takohen me nxënësa me ide revolucionare në shkollat e mesme të Stambollit. Pas një pune tre vjeçare, Dr. I. Temo shprehet se shumë mendje u zgjuan dhe u përgatit mjedisi për një lëvizje të matur e të jashtëzakonëshme kundër qeverisjes Hamidije – Abdyl Hamidit të dytë.

Gjatë kohës që ishte student në Fakultetin Ushtarak Mjekësor të Gjylhanesë, në moshën 24 vjeç, mori nismën dhe së bashku me tre shokë të tjerë studentë, pranë barakave të kësaj shkolle, më 1 maj 1305 (13 maj 1889), Isak Sykyti një kurd nga Diyarbarkiri, Mehmed Reshidi një çekrez nga Kaukazi dhe Abdullah Xhevdeti një kurd nga Arabkiri, u betuan, shtrënguan të katërt duart dhe bënë marrëveshjen e parë. Dr. I. Temo shpalli krijimin e shoqërisë së fshehtë që shumë shpejt u njoh si shoqëria “Bashkim dhe Përparim”. Vetë Dr. I. Temo futi në këtë shoqatë deputetin e Kosovës Ibrahim Efendiun, Nexhip bej Dragën dhe deputetin e Korçës Shahin bej Kolonjën. Shokët e ngarkuan të ngrinte degë të kësaj shoqërie në Ohër. Ai erdhi në Strugë, në pushimet shkollore verore po atë vit (1889), me qëllim të krijonte në Ohër degë të shoqërisë “Bashkim dhe Përparim”. Në kujtimet e tij për formimin e kësaj shoqërie shkruan se : Në Strugë disa të rinj të zgjuar e inteligjentë i kisha futur në shoqëri. Njërin nga këta të rinj, një nga nëpunësit e financës, që shkruante bukur, Shahebedin Struganin e vura të shkruajë një letër… Por ngjarjet ndodhën ndryshe. Qamil beu, komandanti i repartit rezervist në Ohër që mendohej se do t’i ndihmonte për themelimin dhe mbarëvajtjen e kësaj shoqërie në Ohër, jo vetëm që nuk pranoi të bashkëpunonte por i tha se ai ishte kundërshtar dhe armik i Sulltanit. Në telegramin dërguar Stambollit i tregoi për veprimtarinë e Dr. Temos.

Një javë më vonë, gjatë një festimi në shkollën bullgare të Strugës, ku ishte i ftuar edhe Doktori, Komandanti i xhandarmërisë Hysein beu dhe Komandanti i xhandarmërisë i Strugës i shoqëruar nga ordinanca dhe xhandarët me kuaj marrin Dr. I. Temon, kërkojnë shtëpinë e të atit të tij, Muratit, vulosën të gjitha dokumentet e letrat që gjetën, e arrestojnë, dhe e burgosin në Ohër. Mbas dy ditësh, e nisin në Stamboll. Pas mbërritjes atje edhe pse e morën disa herë në pyetje dhe ballafaqime, për mungesë provash e liruan, dhe ai vazhdoi studimet. Aktivitetet e shoqatës në përgjithësi dhe degës së shkollës në veçanti, për të mos rënë në sy e pakësuan por nuk e ndërprenë. Mbas arratisjes nga Stambolli me “vaporin” Meteor, në 1 dhjetor 1895 u vendos në Rumani. Ai krijoi degë të shoqërisë në qendrat qytetare e fshatare të Dobruxhës. Në Mexhidije krijoi Komitetin Drejtues të shoqërisë “Bashkim dhe Përparim” që drejtohej nga vetë ai, kolonel Ali Riza Efendiu, Dervish Hima e Mustafa Rakipi. Po gjatë vitit 1896-1897 me nismën e Dr. Temos u ngritën degët e Komitetit “Bashkim dhe Përparim” në shumë qytete të Bullgarisë në Tripoli. Në Selanik në vitin 1906-1907 u shpërngul Qendra e Komitetit Qendror të partisë “Bashkim dhe Përparim”, e në 1896-ën në Strugë e Elbasan etj, ka pasur bërthama ose degë të kësaj shoqërie. Në Shqipëri vepronin Dervish Hima dhe Hamdi Ohri, etj, përmes të cilëve dega e Kostancës e drejtuar nga Temoja, mbante lidhje me Manastirin, Strugën, Elbasanin, Dibrën, Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Ohrin, Korçën, Starovën, Beratin, Janinën dhe me qendra të tjera. Pavarësisht peripecive që hoqi Dr. Temo në Strugë në verën e vitit 1889, duke u arrestuar nga agjentët e Stambollit, deri në vitin 1895, në Stamboll u arrestua edhe katër herë të tjera. Në Rumani, agjentët e Stambollit tentuan disa herë ta helmonin. Të dënuarin me burgim të përjetshëm nga Porta e lartë e Stambollit, në vitin 1908 tentuan dy herë t’a eliminonin. Ndihma e shokëve, profesioni dhe zgjuarsia e shpëtuan nga vdekja. Temo, punën për të mirën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e vazhdoi gjatë gjithë jetës së tij. Në Kostancë themeloi “Shoqërinë e Mësimit Shqip”, dhe në vitin 1908 shoqërinë “Bashkimi” ku u zgjodh nënkryetar i saj. Në Stamboll në vitin 1909 u zgjodh anëtar i kryesisë së “Komitetit Nismëtar Kombëtar”. Duke u distancuar përfundimisht nga turqit e rinj, në nëntor 1909, themeloi dhe u zgjodh kryetar i “Partisë Demokratike”. Kur ndodhej në Durrës, i dërguar nga qeveria Rumune, pranë Princ Vidit, në krye të një grupi sanitar të Kryqit të Kuq të Rumanisë, themelon së bashku me një grup patriotësh prej 22 vetash, më 28.06.1914, Lidhjen “Për Atdheun, Për Thronin”. Këshilli i Lidhjes përbëhej nga këta anëtarë : Imzot Kaçorri, Dr. I. Temo, Abdyl Ypi, Mustafa Kruja, Dr. Fahri Gjilani, Luigj Gurakuqi, Refik Toptani, Eshref Frashri, Izet Zavalani, L. Ligori, G. Jatro, Themistokli Gërmenji, Idhomeno Kosturi, Sejfi Vllamasi, Ahmet Dakli, Shefqet Dajiu, Kost Paftali, Nuri Vila, G. Cilka, Kasneci, Syrja Pojani, Hasan Frashri.

Në qeverinë e Princ Vidit, Temo ishte emëruar Drejtor i përkohshëm i shëndetësisë ku dha kontributin e tij për luftimin e malaries dhe në hartimin e një programi: Për zhvillimin e shëndetësisë në Shqipëri. Ai ishte njohës i ngjarjeve politike dhe shtëpia e tij në Rumani ishte bërë qendër veprimtarie e patriotëve shqiptarë jashtë atdheut, aty përpiloheshin, shkruheshin, nënshkruheshin, shpërndaheshin shumë letra, qarkore, thirrje, shpallje e memorandume lidhur me lëvizjen kombëtare shqiptare. Në letrën e datës 24.11.1896, që Mid’hat Frashëri i dërgon nga Konstandinopoja Dr. Temos në Bukuresht, ku e quan vëlla i kërkon që duke qënë jashtë Turqisë, të shkruante sa më shumë për shqiptarët dhe çështjen shqiptare, “Të thërrasim sa të mundim, gjer sa të na dëgjojnë Evropa e të na shpëtojë nga kjo mynxyrë.” Ibrahim Temo ka botuar artikuj kundër regjimit të sundimit të sulltanit, ka dërguar promemorie, thirrje, memorandume, etj., fuqive të shteteve të ndryshme, konferencave ndërkombëtare apo personaliteteve të kohës, për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar, ka trajtuar ngjarje të rëndësishme si Lidhja e Pejës, Kuvendi i Dibrës, Kongreset e Manastirit, Elbasanit etj., për probleme të ndryshme që lidheshin me fatin e shqiptarëve, për figura të Rilindjes, ashtu siç nuk mungojnë edhe mendimet e tij për çështje të shëndetësisë dhe të gjuhës dhe arsimit shqip për shqiptarët. Luftën për gjuhën dhe shkollën shqipe e gjejmë të pasqyruar në korrespondencën e tij me personalitete të huaja apo me atdhetarët shqiptarë, në broshura, thirrje, manifeste, memorandume, peticione, promemorie letra apo telegrame drejtuar Sulltanit, diplomacive të Fuqive të Mëdha, Komisionit të Inspektimit të Rumelisë, etj. Duke qënë anëtar i shoqërisë së Stambollit, “Shoqëria e të Shtypurit shkronja Shqip”, Dr. I. Temo mbështeti të gjithë veprimtarinë e patriotëve si dhe Kuvendët e Kongreset që vendosën për alfabetin latin për gjuhën shqipe, por në Kongresin e Parisit në 1902 të shoqërisë “Bashkim dhe Përparim” ishte i mendimit që edhe gjuha turke të shkruhej me germa latine për këtë i vunë nofkën “Latinisti”. Vetëm në Qeverinë e Ataturkut u arrit që gjuha turke të shkruhet me gërma latine. Në 1905, ai hapi në Kostancë të Rumanisë, një shkollë nate për të ndihmuar në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe ndërmjet shqiptarëve të atjeshëm.

Librat shqip të hartuara nga rilindësit tanë të cilat dërgoheshin edhe nga Dr. I. Temo, hynin në vendin tonë në rrugë dhe forma të ndryshme dhe shpërndaheshin nga atdhetarë si Dervish Hima që ishte nip i tij, Hamdi Ohri, Samiu, etj., në Strugë, në Ohër, etj. Edhe vëllai i tij Nuri, i cili kishte mbaruar shkollën e mesme financiare në Stamboll, shkonte herë pas here në Rumani jo vetëm për të takuar vëllain por të bisedonte dhe të merrte mendime për çështje politike që kishin të bënin me çështjen shqiptare dhe për veçantitë e saj në Strugë. Në këto udhëtime sillte në Strugë libra, abetare, gazeta shqip që përdoreshin në ato shkolla të fshehta që ishin hapur në shtëpinë e Muratit, të atit të Dr. I. Temo dhe në atë të Beqir Agës. Në shtator 1908 Dr. Temo ishte në Strugë. Ai hodhi në Elbasan kandidaturën për deputet të parlamentit turk. Dr. Temo kishte lidhje, bashkëpunim apo korrespondencë me figura të njohura shqiptare dhe të huaja gjatë gjithë jetës së tij si me vëllezërit dhe pjesëtarë të familjes Frashëri, Ismail Qemalin, Faik Konicën, Josif Bagërin, Jashar Erebarën, Murat dhe Refik Toptanin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Said Najdenin, Haxhi Zekën, Selman Blloshmin, Dervish Biçakun, Sotir Kolenë, Ahmet Daklin, Emin Haxhiademin, Isak Sykytiun, Abdullah Xhevdetin, Anselmo Lorechion, Karl Sus’heinin, Aleksandër Avareskun, etj. Ai u zgjodh nga Kolonia Shqiptare në Rumani për të kryesuar delegacionin e kësaj diaspore në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919 dhe 1920 në mbrojtje të të drejtave historike dhe legjitime të popullit shqiptar. Në vitin 1920 u zgjodh senator në parlamentin Rumun.

Dr. Temo erdhi në Shqipëri në vitin 1928 ku vizitoi në Tiranë, mikun e ngushtë që dergjej në shtratin e vdekjes, atdhetarin që aq shumë luftoi dhe punoi për vëllezërit e tij të një gjaku, patriotin Dervish Hima. Sot, ashtu si në jetë, në Strugë, aty ku lumi Drin nis rrugëtimin e tij nga gjoli i Ohrit, bustet e tyre qëndrojnë bukur dhe madhërishëm përkrah njëri tjetrit.

Me rastin e kësaj vizite Temo mori pjesë në një orë mësimi në shkollën Normale të Elbasanit, ku që në vitin i parë të hapjes së saj (1909) u shkolluan katër nxënës nga Struga. Ai u takua edhe me miq të tjerë të vjetër me të cilët i lidhte aktiviteti patriotik një ndër ta dhe Hilë Mosi. (Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të …