Idajet Beqiri: Çfarë thoshte Shefqet Peçi për Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon...
Shefqet Peci komandant i Brigadës së 5, Baba Faja Martaneshi dhe Hysni Kapo

Idajet Beqiri: Çfarë thoshte Shefqet Peçi për Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon…

“Dëgjo mor bir,-më tha,- unë jam enverist. E kam takuar për herë të parë Enverin në Kongresin e Përmetit. Me shkresa, me urdhra, me shkrime e kisha njohur qysh kur e filluam LANÇ-in e në vazhdim. Por në 24 maj 1944 e kam takuar për herë të parë fizikisht. Ai më foli me dashuri, me shumë respekt dhe më vlerësoi shumë si komandant i Brigadës së Pestë që isha. Qysh atë ditë bëra një betim në vetvete, që do t’i qëndroja besnik dhe nuk e kam thyer besën, e as që do t’a thyej. Nuk mundet t’i mohohet Enverit roli udhëheqës në LANÇ, bashkimi i popullit për luftë. U bëmë ushtri e madhe, me batalione, me brigada, me divizione, me korparmata. Ishin 70 mijë partizanë dhe partizane që bënë luftën antifashiste. Është numër shumë i madh për një popullsi më pak se një milion njerëz sa ishim në atë kohë. Ishte mençuri e madhe antifashizmi ynë, nuk u bëmë me murtajën, por u bashkuam me qytetërimin.

Pastaj edhe pas çlirimit bëmë revolucion kudo, revolucion në arsim, revolucion në shëndetësi, revolucion në kulturë, në bujqësi, në energjikë, në naftë, në industri, në miniera, në ushtri, në transport. Paralufta, lufta dhe pas lufta e dytë botërore Shqipërinë e gjeti vendin e varfërisë ekstreme, të analfabetizmit dhe injorancës, vendin e errësirës. Moçale, këneta, vobektësi, morra dhe mushkonja gjakpirëse kudo. Ndaj këta sahanlëpirësit e sotëm që janë pinjollë të tradhtarëve e bashkëpunëtorëve të fashizmit, por edhe ish-komunistë maskarenj që thonë nuk është bërë asgjë janë bukë shkelur, nuk kanë as sy të shikojnë, as veshë të dëgjojnë, por janë të prishur nga mëndtë. Mendojnë se me nihilizmin e tyre u mbuluaka dielli me shoshë!

Hysniu ka faj për Sali Berishën

Por nuk na kanë dashur këta përtej kufijve, të rrethuar kemi qenë, të rrethuar kemi mbetur. Serbët dhe grekët historikisht kanë dashur të na bëjnë varrin! Ne ua vumë kufirin te thana, por ata sot po na e bëjnë varrin, se ne jemi të liqtë e vetes. Ai mallakastrioti yt dhe udhëheqësi im i madh në luftë dhe më pas, Mehmet Shehu, e përdorte gjithnjë një fjalë të madhe që kishte nxjerrë urtësia popullore: “O balo të hengërt tënja, e ke të keqen brënda!” Gjithmonë nga brenda na ka ardhur e keqja. Sot jetojmë ditë të këqija, janë ngritur këmbët dhe po i bien kokës. E hu-ha sa kohë kishin “larot” e brendshëm dhe të jashtëm që punonin e vepronin për të ardhur kjo skëterrë fashiste që përjetojmë sot…

Ky fashisti Berisha është zgjedhur me dorë prej serbëve. Nuk erdhi ashtu kot në krye ky. Nuk e di, por pak faj i vë edhe Hysniut. Saliu u mundua dhe nuk la gur pa lëvizur të hynte te Enveri. E madje ju bë “rrodhe” me servilizmin e tij edhe Liljanës, nuses së Sokolit. Donte me çdo kusht të futej mjek te Enveri. Por Enveri ngarkoi me detyrë Nexhmijen e cila e verifikoi me hollësi dhe nxori që Saliu ishte i poshtri i botës. Ai nuk qasej në “Bllok” me ato të dhëna biografike që i erdhën nga Tropoja. Ai ishte për ta mbytur në lumin e Drinit, jo për mjek! Ndaj Nexhmija nuk lejoi që Saliu t’i futej Enverit nga dritarja. Ndërsa Hysniu e futi nga dera! Nuk e di pse e bëri këtë gabim Hysniu! Por Hysni Kapon e kam plagë, iku kur duhej më shumë. Të themi ç’të duam ne, Partia, qeveria, shteti, vendi ishin në duart e tre kryesorëve: Enver-Mehmet-Hysni. Iku Hysniu, do ikte Mehmeti, do bëhej katrahurë Shqipëria. Hysniu ishte burrë e kaluar burrit, i urtë, i sjellshëm, gojëmjaltë, zemërzjarrtë, shumë i ditur, punëtor i madh. Ai ishte ekuilibri, ai na mbante të gjithëve të lidhur me njëri-tjetrin dhe me Enverin. Këta doktorat i kam patur inat unë, nuk i afroja kollaj. Nuk e di, por mjekët na bënë hatanë. Edhe Enverin mjekët e vdiqën.

Iku Hysniu? Filluan të ikin të gjitha. Ramizi është burrë shumë i mirë, i zgjuar, por …Ramizi është “hallvë e ftohtë”! Do burra shteti, nuk është kollaj. Nuk më harrohet Plenumi i Komitetit Qëndror kur u dënua Kadri Hazbiu. E kam patur në Brigadë Kadriun. Trim i madh, dhelpër e zgjuar, ministër i Brendshëm kapacitet. Kur po i numëronin gabimet dhe fajet që kishte bërë, ai tha: “Më thoni ç’të doni e bëni ç’të doni me mua. Iku shoku Hysni? Nuk ka më kush t’i dijë të vërtetat siç i dinte ai… Nuk kam me kë të flas këtu dhe nuk ka kush të më dëgjojë dhe të më kuptojë në ato që do them, e për ato që kam bërë. Dhe pse i kam bërë…”

U sollëm keq me Mehmetin…

Ti më pyet për Mehmet Shehun! Unë nuk kam variant tjetër, veç atij që thotë Enveri, sepse t’a përsëris, jam enverist unë. Por një gjë di të them, Mehmet Shehu ishte i papërsëritshëm. E kam njohur shumë mirë në luftë dhe deri sa iku nga kjo jetë. Ai nuk kishte gradë tjetër, veç gradës “gjeneral”. Ai ishte gjeneral në ushtri, gjeneral në kulturë, gjeneral në arsim, gjeneral në ekonomi, në financa, në industri, në energjetikë, në shëndetësi… Nuk kishte gradë tjetër për Mehmet Shehun, veç gradës “gjeneral” në çdo fushë dhe në çdo aspekt të jetës. U sollëm keq me Mehmetin. Po të ishte Hysniu gjallë, nuk do të ishte prekur Mehmeti. Jo vetëm se ne të gjithë e dinim që ata duheshin si vëllezër, por ishin edhe të përgjegjshëm se të dy ishin krahët më të fuqishëm të Enverit. Ku duronte Mehmeti t’i thoshin ato fjalë dhe t’i bënin ato kritika ata të rinjtë që erdhën në Byronë Politike në vitin 1976 dhe 1981! Ku Mehmet Shehu e ku ata…!

U tha dhe çfarë nuk u tha për Mehmet Shehun. U tha që ishte edhe agjent i CIA-s. Madje në Plenumin e Komitetit Qëndror na u paraqit edhe një dokument ku delte që Mehmeti kishte pranuar të ishte bashkëpunëtor i CIA-s amerikane. E tha Enveri këtë gjë, dhe unë i besoj Enverit. Por një gjë e them me bindje, dhe askush nuk mund t’i lëvizë as majin e thoit, Mehmet Shehu mund të ishte agjent i amerikanëve apo nuk e di se çfarë, por me karakterin që kishte Mehmet Shehu, me burrërinë e tij, me besnikërinë ndaj atdheut dhe popullit, me zgjuarësinë e tij, me cilësitë që kishte, me gjithë atë kontribut që kishte dhënë, ai nuk do të bënte çfarë do t’i thoshte CIA, por CIA do të bënte çfarë do t’i thoshte Mehmet Shehu. Nuk kishte burrë dhe forcë ta tjetërsonte Mehmet Shehun nga mbrojtja e interesave kombëtare, nga e mira e popullit shqiptar, të atdheut dhe të gjakut të të rënëve për lirinë e këtij vendi. Ai ishte një burrë shteti i madh, trim dhe i guximshëm. Nuk ia bënte tërr syri para asgjëje…

Mehmet Shehu gjatë luftës antifashiste Mehmeti ishte bërë legjendë e gjallë. Unë e kam patur gjithmonë epror, sepse ai që kur nisi lufta ishte sekretar organizativ i qarkorit të Vlorës. Një kohë u bëmë kolegë, sepse komandant i Brigadës së Parë ai, komandant i Brigadës së 5-të unë. Por më pas ai u bë shumë më i madh, deri komandant korparmate. Të gjithëve na bënte përshtypje sepse ai luftonte në këmbë, madje thoshin se atë nuk e zë plumbi! Mirëpo kur erdhi një herë si i deleguar nga Divizioni në Brigadën time, krahas të tjerave edhe për të zëvendësuar komisarin e Brigadës Hysni Kapo, i cili u bë komisar korparmate, përmes një fjalimi të zjarrtë, konciz, me fjalë të zgjedhura, ai argumentoi se përse komandanti duhet të luftonte duke qenë jo vetëm në krye, por edhe në këmbë. Nëse ushtarët e shohin komandantin të fshihet në llogore, pas pemëve apo pas ferrave, nëse ul kokën, ata dekurajohen, nuk e kanë guximin, trimërinë, vrullin dhe entuziazmin në maksimum. Rrinë si të trembur dhe nuk japin maksimumin. Ndërsa kur komandanti lufton në këmbë, dhe kalon nga njëri partizan te tjetri, në këmbë, i bënë ata trima me fletë dhe të papërmbajtshëm…

( Gazeta Dita, pjesë nga intervista e Idajet Beqirit me Shefqet Peçin)

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …