Idajet Beqiri

Idajet Beqiri: Zyrtarë të ARRSH-it u kërkuan largimin nga shtëpitë familjeve Hoxha dhe Peçi dhe jo 317 të tjerëve

Kreu i ARRSH në një reagim të tij thekson se ka një projekt që bie mbi shtëpitë e banimit të Rustem Peçit, Nexhmije Hoxhës dhe të 317 familjeve të tjera, projekt i cili qenka me një rëndësi 100 vjeçare, sepse shoqërohet me të gjithë elementet urbane. Askush, për rrjedhojë as Familjet Peçi, Hoxha etj, nuk janë për moszbatimin e projekteve me rëndësi për kryeqytetin, aq më shumë pengues të tyre. Ata janë kundër arbitraritetit dhe arrogancës së pashembullt me të cilën po operohet kundër tyre.

Plot 28 vjet më parë, kur Familja e Shefqet Peçit, megjithëse nuk ishte në “Bllok”, në shenjë të pastër hakmarrjeje primitive të regjimit famëkeq të Berishës, për t’u bërë “qejfin” kolaboracionistëve pro nazifashistë kundër këtij komandanti të lartë dhe të lavdishëm të LANÇ-it, e sollën dhunshëm te ish godina e abandonuar dhe karakatinë e Pularisë së Laprakës.

Bashkë me këtë familje sollën për t’i fyer dhe poshtëruar edhe familjet e  Nexhmije Hoxhës, Spiro Kolekës, Haki Toskës etj. Këto familje, për të mbijetuar, e rikonstruktuan modestisht këtë ndërtesë dy katëshe dhe e bënë të banueshme. Si gjithë s shqiptarët e tjerë, të cilët përfituan nga privatizimi i banesave të tyre, edhe këto familje përfituan me privatizim banesat që i përshtatën vet për banim në këtë godinë të abandonuar të pularisë.

Nëse ka një projekt rruge, zgjerim rruge apo unaze të kryeqytetit, mënyra e qasjes te këto familje dhe te të gjitha familjet e tjerë që banojnë në këto 317 ndërtimet që i zë ky projekt, sipas kreut të ARRSH, nuk duhet të jetë kaq banale dhe e papërgjegjshme, sa t’i uli përtokë autoritetin shtetit dhe institucioneve të tij. Ku është transparenca me pronarët e këtyre  banesave?! Pse nuk është zhvilluar një informim i tyre për projektin, për mënyrën e shpronësimit, të shpërblimit për sa do t’ju merret banorëve si rrjedhojë e zbatimit të këtij projekti?! Pse nuk informohen dhe sqarohen këta banorë se ku do të strehohen, si do të kompensohen etj?

Dhe pasi të kishte mbaruar kjo fazë informimi dhe transparence, duhej kaluar në vendimmarrjet përkatëse të institucionit të shtetit për çdo familje, për çfarë do t’i merret nga pronësia e paluajtshme, mbi çfarë projekti dhe vendimi qeverie, si do të veprohet për strehimin e tyre, për kompensimin në natyrë apo në vlerë leku, me çfarë referencë çmimi tregu apo jo tregu, brenda çfarë afati etj, etj.

Mirëpo, si u veprua?

Persona anonim të ARRSH-it, jo si nëpunës të shtetit, por si banditë rruge, trokitën në derën e shtëpisë së Rustem Peçit, këtij personaliteti të rëndësishëm të jetës politike dhe publike të sotme si dhe përfaqësues i një prej familjeve më të shquara dhe me kontribute të mëdha në Luftën e Dytë botërore, dhe “i përplasin në fytyrë” bashkëshortes së tij të moshuar “gjëmën” që “për 5 ditë të lirojnë gjysmën e shtëpisë sepse do prishet pasi e zë projekti”! Mbi çfarë vendimmarrje u bë kjo punë?! Kush e ka këtë projekt dhe këtë vendim?! Sa kohë më parë duhen njoftuar banorët dhe ku e si do të strehohen ata?! A kanë të drejtë ankimi në rrugë ligjore administrative dhe gjyqësore ata?!

Këta banorë, kushdoqofshin, nuk kanë nevojë për lëmoshë. Lëmosha është për njerëzit pa shpresë. Atëherë duhet të pranojmë se në këtë vend që pretendohet se ndërtohet dhe funksionojnë ligjet e demokracisë, ka vdekur shpresa. Ky opsion është i tmerrshëm të imagjinohet qoftë si realitet, qoftë si mundësi.

Prandaj le të kthehemi në terrenin konkret të Laprakës. Ja një absurditet:

A ka anë e udhë që të thuhet prej këtyre punonjësve të ARRSH se projekti kap vetëm një pjesë të vogël të ndërtesës dy katëshe, domethënë Familjes  Peçi dhe Hoxha do t’ju prishet në anën veriperëndimore vetëm një dhomë lartë e një dhomë poshtë! Po a nuk shembet e gjithë kjo ndërtesë ku janë edhe familje të tjera brenda?!

Qasja qesharake, komunikimi i dënueshëm i punonjësve të ARRSH, mënyra arrogante e sjelljes dhe e përcjelljes së këtij projekti serioz, mosrespektimi i të gjitha ligjeve, nga e drejta e informimit, te e drejta e shenjtërisë së pronës private,  e një shpërblimi të drejtë sipas ligjit dhe ekonomisë së tregut kur bëhet një shpronësim për interes publik, e deri te dhënia e mundësive ligjore për të kundërshtuar çdo vendimmarrje të kundërligjshme në rrugë administrative dhe gjyqësore, e bëjnë tepër shqetësuese situatën ndaj familjeve që preken prej këtij arbitrariteti ekstrem. Ndaj duhet të ngrihet urgjentisht institucioni i komunikimit ligjor, qytetar, njerëzor, institucional i organeve përkatëse të shtetit me të gjithë banorët që preken nga ky projekt, dhe përmes zbatimit të përpiktë të të gjitha procedurave ligjore, t’u garantohen atyre të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Ajo që është më e rënda, lidhet me faktin se përse këta “tre mosketierët” që pretenduan se ishin të ARRSH shkuan pikërisht për të komunikuar këtë “gjëmë” vetëm në familjet e Shefqet Peçit dhe Nexhmije Hoxhës dhe nuk shkuan në asnjë familje tjetër të 317 objekteve që kap për prishje projekti?! Pse pikërisht këtu bëjnë sarkazmën se “do kafshojmë me fadroma brenda 5 ditëve vetëm nga një dhomë të ndërtesës tuaj, të tjerat i mbani”?! Në emër të ligjit dhe të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut këtë gjë nuk e bëjnë! Atëherë në emër të kujt e bëjnë?! E bëjnë në emër të “dekomunistizimit” të Shqipërisë?! E bëjnë për t’u treguar “më katolik se Papa i Romës”?! Kjo mënyrë të vepruari pas 28 vjetëve të rënies së sistemit komunist, kjo mënyrë mbajtje gjallë e urrejtjes patologjike kundër kryevlerave të këtij kombi, siç është LANÇ dhe njerëzit e shquar të saj, e bëjnë vendin tonë, popullin tonë, kombin tonë një “dele të zezë” famëkeqe të Europës, u jep krahë dhe mundësi antivlerave të pengojnë, të sabotojnë e t’i demonstrojnë haptazi poshtërsitë e tyre kundër Shqipërisë, kundër orientimit qytetërues europian të saj.

 

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …