Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk po zmbrapset nga ideja e tij për “korrigjim të kufijve” me Serbinë, pavarësisht se një gjë të tillë e kanë kundërshtuar tashmë edhe shumë shtete mike të Kosovës, duke përfshirë edhe Gjermaninë. Thaçi nuk heziton të reagojë ashpër kundër kujtdo që e kundërshton prekjen e kufijve. Madje para dy dite Thaçi pati një përplasje me deputetin gjerman nga partia e kancelares Angela Merkel, Peter Beyer, i cili ia bëri të qartë presidentit Hashim Thaçi qëndrimin e Berlinit kundër ndryshimit të kufijve. Beyer ka thënë se kjo ide është e rrezikshme dhe se Thaçi e di mirë qëndrimin e Gjermanisë. Mirëpo këtë deklaratë Thaçi e ka injoruar duke thënë se, “unë jam presidenti dhe unë vendosi”. Ndërkohë deputetë të Kuvendit të Kosovës thonë se insistimi antikushtetues i Thaçit për korrigjimin e kufirit i ka dëmtuar përpjekjet e Kosovës për dy dekada për të ndërtuar një shtet ku qytetarët e të gjitha komuniteteve ndihen të sigurt për të ardhmen e tyre. Ndërsa njohës të çështjeve politike të vendit konsiderojnë që nëse Thaçi vazhdon me këtë arrogancë ndaj miqve ndërkombëtarë Kosova rrezikon që të humbë edhe përkrahjen e tyre.
Kontrolloni gjithashtu
Ali Ahmeti uron 22 nëntorin: Deri dje e avansonim, sot duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka uruar të gjithë shqiptarët për …