IFC-ja dhe Qeveria Zvicerane 2.3 milionë dollarë ndihmë MTI-së të përmirësojë mjedisin e biznesit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani ka nënshkruam marrëveshje me IFC-Qeveria Zvicerane në vlerë prej 2.3 milionë dollarësh për ndihmë në përmirësimin e mjedisit të biznesit përmes reformimit të sistemit të inspektimeve të biznesit dhe duke thjeshtëzuar procedurat administrative. Ministri Hasani ka thënë se kjo ndihmë është shumë e rëndësishme, sepse do t’i shërbejë Kosovës në përmirësimin e mjedisit biznesor. “Për ne është shumë e rëndësishme kjo marrëveshje, sepse prek disa fusha që MTI-ja i ka prioritet, e në veçanti fushën e të bërit biznes, që MTI-ja është udhëheqëse e taks forcës. Fushë tjetër është edhe tërheqja e investimeve të huaja, që tashmë është jetësuar Ligji për Investime Strategjike dhe jemi në proces të hartimit të një strategjie sa i përket investimeve direkte”, ka thënë Hasani. Ministri theksoi se ndihma e IFC dhe Qeverisë Zvicerane do të ndikojnë në reformimin e inspektimeve të biznesit. “Pjesë tjetër e këtij projekti është edhe reformat inspektuese, sepse ne kemi kaluar koncept dokumentin që mendohet të bëhet një reformim komplet i inspektoratit, për arsye se sot në nivel të vendit kemi 42 inspektorate ku mendohet të reduktohen në 15 sosh”, ka thënë ministri Hasani. Sipas Hasanit, 2.3 milionë dollarë do të shërbejnë që Kosova t’i fitojë përvojat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të vazhdohen reformat. “Besoj se kjo ndihmë që po i jepet Kosovës do t’i kem përvojat më të mira si ato të Bashkimit Evropian dhe do të shërbejë për koordinim të plotë ne mes inspektorateve lokale dhe qendrore. Vlen të theksohet se kjo ndihmë në vlerë prej 2.3 milionë dollarësh është kredi pa kthim dhe për këtë dua ta falënderoj shumë Qeverinë Zvicerani që po na ndihmon në politikat tona që t’i shtyjmë proceset përpara dhe të krijojmë një vend atraktiv për investitorët e huaj”, ka thënë Hasani. Ndërsa Thomas Lubeck, menaxher rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore ka thënë se synimi i tyre është përmirësimi i klimës së investimeve në Kosovë. “Ne do të punojmë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për reformën rregullator, duke ndihmuar në rritjen e transparencës dhe tërheqjes së investimeve në Kosovë për të nxitur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punë”, ka thënë Lubeck. Qeveria Zvicerane ka kontribuar me 2.3 milionë dollarë amerikanë në Projektin më të gjerë të Klimës së Investimeve, që do të zbatohet deri në vitin 2020. Projekti është në përputhje me Objektivat e Strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën 2017-2020 për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për bizneset dhe për të rritur investimet.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …