Ditë më parë komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn vizitoi Kosovën ku kërkoi heqjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Gjatë kësaj vizite ai foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave dhe theksoi se ky proces do të shtyhet deri në vitin 2020. Por, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, mendon se Bashkimi Evropian duhet t’i realizojë premtimet dhe t’i sigurojë Kosovës lëvizje të lirë pa viza pasi vendi ynë i ka përmbushur të gjitha kriteret. Sholtes thotë se i kupton edhe reagimet e institucioneve kosovare për shkak të bllokadave të fundit por shton se është dashur të përdoren masa më pak radikale. Sipas tij, e vetmja mënyrë për të gjetur stabilitet në rajon është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Sholtes ka theksuar se Këshilli i Evropës dhe BE duhet të mendojë thellë se çfarë do të thotë shtyrja e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe çfarë pasoja mund të ketë pas saj. Për shkak të mosliberalizimit të vizave dje Kuvendi ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të opozitës. Kjo e fundit po e kërkon edhe dorëheqjen e qeverisë Haradinaj për shkak të mospërmbushjes së premtimeve të dhëna.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …