“Roli i grave në jetësimin e shtetit të Kosovës, Aspekte sociale, kulturore dhe politike nga viti 1980 deri në ditët e sotme”, (Materiale nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, 5 maj 2023) , është botimi i radhës i Institutit të Historisë “Ali Hadri” -Prishtinë.
Pjesë nga Parathënia e librit:
“Ky libër, i cili përmban një përmbledhje të hulumtimeve dhe analizave të prezantuara gjatë kësaj konference, është një dëshmi e përkushtimit tonë për të vlerësuar dhe dokumentuar rolin e rëndësishëm që gratë kanë luajtur në historinë dhe shoqërinë tonë. Historia e Kosovës është e pasur me tregime të guximit, qëndresës dhe përkushtimit të grave që kanë luftuar për lirinë, drejtësinë dhe barazinë. Në periudhën moderne të historisë sonë është e rëndësishme mënyra sesi ne e rikujtojmë veprimtarinë e grave, e rëndësishme është edhe si e parashtrojmë punën e tyre për mbrojtjen e vendit, ku gratë kanë qenë në ballë të lëvizjeve për pavarësi dhe të drejtave të njeriut, roli i tyre ka qenë i pandashëm nga proceset historike dhe shoqërore që kanë formësuar Kosovën e sotme. Në këtë libër, do të gjeni studime që trajtojnë një gamë të gjerë temash, përfshirë kontributet e grave në luftën për pavarësi, rolin e tyre në ndërtimin e paqes dhe shoqërisë pas luftës, si dhe përpjekjet e tyre të vazhdueshme për barazi gjinore dhe të drejta të njeriut. Këto tregime janë një homazh për gratë e guximshme të Kosovës dhe një burim frymëzimi për të gjithë brezat e ardhshëm.”