Drejtori i Institutit të Historisë, Prof. assoc. dr. Sabit Syla ka nxjerrë në dritë dokumente, të ruajtura në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë. Këto dokumente publikohen në 35-vjetorin e demonstratave të Marsit dhe Prillit të vitit 1981, të cilat patën jehonë sidomos në Republikën Popullore të Shqipërisë, e cila nga regjimi i RSFJ-së ishte akuzuar se qëndronte prapa demonstratave në Kosovë e më gjerë dhe kërkesave të shqiptarëve që jetonin nën pushtimin e RSFJ-së. Nga këto dokumente vërehen segmentet e shumta të hulumtimeve e studimimev të rrethanave e zhvillimeve të përgjithshme të vitit 1981. Nga ky angazhim i jashtëzakonshëm i Shtetit dhe institucioneve të Mbrojtjes kuptojnë se Republika e Shqipërisë kishte përcjellë me shumë vëmendje të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe kishte siguruar të dhëna sekrete nga të gjitha burimet e mundshme.
MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE
Drejtoria e Zbulimit
Tiranë, më 18. 4. 1981
INFORMACION
MBI GJENDJEN E FORCAVE USHTARAKE, PARA DHE PAS NGJARJEVE NË KOSOVË
- Sipas të dhënave të zbulimit, përpara ngjarjeve, në Kosovë dislokoheshin: Grupi i 52 – të Operativ me shtab në Prishtinë në vartësi të armatës së 2- të në Nish. Në përbërje të tij hynin: 2 Brigada Këmbësorie (e 15 – ta në Prishtinë dhe Brigada e Këmbësorisë Malore në Pejë); 1 Regjiment i Këmbësorisë autonom në Prishtinë; 3 Batalione të ndjekjes.
- Sipas të dhënave del se gjatë zhvillimit të ngjarjeve, në Kosovë kanë ardhur edhe këto forca: 2 Brigada tankiste (Nr. 211 e 243 ardhur përkatësisht nga Nishi dhe Shkupi); 1 Brigadë e Motorizuar (Nr. 592); 1 Regjiment Parashutist (Nr. 2); 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke (Nr.102); 1 Regjiment Kufitar (Nr. 20).
- Tani sqarohet më mirë se në vend të Grupit 52 Operativ vepron Korpusi 52 me shtab në Prishtinë, në vartësi të Armatës 2- të, në Nish, në përbërje të të cilit hyjnë: 5 Brigada (2 tankiste, 1 këmbësorie, 1 këmbësorie morale dhe 1 e motorizuar); 1Regjiment Këmbësorie, autonom; Regjiment Parashutist; 1 Regjiment i Artilerisë kundërtanke; 1 Regjiment Kufitar; 3 batalione të ndjekjes .
Në Prishtinë (Golesh) ka qenë dhe është e dislokuar edhe një Brigadë Ajrore, në vartësi të Korpusit të I- rë Ajror në Nish. Problemin e kemi në ndjekje për saktësim e verifikim të mëtejshëm .
DREJTORI I DREJTORISË SË ZBULIMIT
MEHMET MUSAJ
****
MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE
SHTABI I PËRGJITHSHËM
Tiranë, më 24. 4. 1981
INFORMACION
Mbi ngjarjet në Kosovë
Sipas burimeve sekrete jugosllave rezultojnë këto të dhëna:
- Mbi përhapjen e pjesëmarrjen në demonstrata.
Më datën 1, 2, 3, 4 prill, në Kosovë u zhvilluan demonstrata të mëdha. Demonstratat përfshinë 14 komuna (nga 22 që ka Kosova), kryesisht: Prishtinën, Mitrovicën, Podujevën, Ferizajn, Vuҫiternin, Pejën, Deçanin, Kamenicën, Suharekën, Istogun, Lipjanin, Vitinë etj.
Pjesëmarrësit kanë qenë kryesisht nxënës e studentë, ndërsa në Mitrovicë, më 3 prill, u përleshen me forcat e policisë rreth 3000-3500 punëtorë të fabrikës së Elektrolizës të Xingut, të fabrikës së Akumulatorëve etj. Në Vuҫiternë demonstruesit sulmuan shkollën e Milicisë dhe u përleshen me forcat e policisë. Bëhet fjalë për karakterin e ashpër të demonstratave dhe për gjakderdhje.
Demonstruesit hodhën parullën “Duam republikën me hir ose me pahir”.
- Mbi masat e marra nga udhëheqja jugosllave.
Më datën 22 mars, rezulton se komanda ushtarake jugosllave intensifikoj masat e gatishmërisë në sistemin e radiokomunikimt midis forcave ushtarake të Armatës 2- të në Nish me njësit e dislokuara në Prishtinë, ndërsa më 26 mars kaluan në gatishmëri të plotë luftarake forcat ushtarake në Kosovë, të Armatës 2- të në Nish dhe disa njësi të Armatës 3-të në Shkup. Menjëherë u dërguan në Kosovë, forcat e policisë e milicisë nga republika e Serbisë, kryesisht nga Beogradi, Nishi dhe Sadi.
Më datën 1 prill u shpall gjendje e jashtëzakonshme në gjithë territorin e Kosovës ku u përfshinë këto masa kryesore:
– komandat e njësive e të reparteve të dislokuara në Kosovë dolën në vëndkomanda, për drejtimin e veprimeve luftarake dhe në ҫdo njësi e repart u krijuan grupe operative për ndjekjen e situatës së krijuar:
– grupi 52- të operativ me qendër në Prishtinë, mbante lidhje direkte me Sekretariatin Federativ të Mbrojtjes dhe me komandën e Armatës 2- të në Nish, kurse sistemi i radiokomunikimit i Armatës 2- të në Nish dhe i disa njësive të Armatës 3- të në Shkup kaloi në përgjim të vazhdueshëm;
– u ndërprenë lidhjet telefonike të Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë dhe u ndalua qarkullimi i automjeteve në të gjithë territorin, duke lejuar vetëm lëvizjet e mjeteve të ushtrisë, policisë e milicisë, dhe këto të kontrolluara.
Me datën 1 prill, mendohet te kenë ardhur në rajonet e veprimeve luftarake forcat e përforcimit nga thellësia (të dhëna të sakta nuk disponohen).
- Mbi riorganizimin e forcave ushtarake në Kosovë.
Më datën 6. 4. 1981 vërtetohet se në Kosovë dislokoheshin këto forca ushtarake: 2 Brigada Këmbësorie, 2 Brigada Tankiste, 1 Brigadë e Këmbësorisë së Motorizuar, 1 Regjiment Këmbësorie, 1 Regjimenti Parashutist, 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke, 1 Regjiment Kufitar dhe 3 batalione të ndjekjes. Nga këto erdhën në përforcim: 2 brigada tankiste (Nr. 211 e 243), përkatësisht nga Nishi e Shkupi; 1 Brigadë e Këmbësorisë së Motorizuar (Nr. 592); 1 Regjiment Parashutist (Nr. 2); 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke (Nr. 102) dhe 1 Regjiment Kufitar (Nr. 20). (Shih skemën bashkangjitur). Me këto forca u krijua Korpusi 52- të në Prishtinë në përbërje të Armatës 2- të në Nish. Në dorë të komandës të Korpusit 52- të është mbajtur një forcë e transportueshme me helikopter, me përbërje deri batalion, për ta përdorur në ato rajone ku nuk janë dislokuar forca të mjaftueshme të ushtrisë. Këto forca, nga sasia janë të barabarta me forcat e një armate (si të republikave të tjera).
Forcat pjesëmarrëse, të ushtrisë e të policisë, ndërmorën veprime konkrete në bazë të operacionit “Akacija – 81” (Aksioni – 81”, analiza e të cilit u bë më 8. 4. 1981 në komandën e Korpusit 52- të në Prishtinë, me pjesëmarrjen e komandanteve e zëvendësve për punë politike të të gjitha njësive. Për zbatimin e operacionit nuk disponohen hollësi, por nga sa dimë deri tani rezulton se:
– forcat e këmbësorisë realizuan rrethimin e qyteteve e të qendrave të tjera të banuara;
– helikopterët u përdoren për transportimin e shpejt të trupave nga një rajon ne tjetrin ku situata paraqitej më e rrezikshme. Në të njëjtën kohë helikopterët gjeten përdorim për lëvizjen e kuadrove kryesorë të ushtrisë brenda territorit të Kosovës. Mendojmë që regjimenti parashutist është sjellë me helikopterë (meqenëse në rajonin e Mitrovicës u ulen forcat e një batalioni me helikopter).
– forca të ushtrisë e të kufirit përforcuan postat e pikat kufitare, sidomos në drejtim të Qafë Morinës, Qafë Prushit (Tropojë) dhe Morinës (Kukës). Komanda e Armatës 2- të në Nish dhe Sekretari i Mbrojtjes gjatë ngjarjeve në Kosovë, interesoheshin posaçërisht mbi gjendjen në kufirin me vendin tonë.
Konkluzion:
- Demonstratat e fundit në Kosovë përfshinë mbi 2/3 e territorit (rreth 14 komuna nga 22 që ka Kosovë).
- Forcat ushtarake të dislokuara aktualisht në Kosovë, për nga sasia janë të barabarta me forcat e një forcat e një armate (të republikave të tjera), që shënon një rritje në masën 3 herë nga koha para fillimit të demonstratave.
Duke u nisur nga situata e shqetësimit shumë i madh i udhëheqjes jugosllave, mendojmë se këto forca do të qëndrojnë në Kosovë përgjithmonë ose për një periudhë shumë të gjatë.
- Forcat ushtarake të përforcimit, u tërhoqën nga Armata e 2 – të dhe e 3- të, përkatësisht në Nish e Shkup, që mbrojnë drejtimet më të rëndësishme (sipas tyre) nga rreziku bullgar dhe i Traktatit të Varshaves.
Duke u nisur nga situata duhet pritur edhe ridislokim forcash ushtarake në federatë, por sidomos në Armatën e 2- të në Nish dhe Armatën e 3- të në Shkup.
Në skemën shpjeguese paraqitet dislokimi aktual i forcave ushtarake në Kosovë, i cili kërkon verifikim të mëtejshëm.
SHEFI I SHTABIT TË PERGJITHSHEM TË USHTRISË
VELI LLAKAJ