Nuk e kam ndërmend të merrem me Blerand Stavilecin dhe deklarimin e tij sepse me to janë mbushur portalet , gazetat dhe rrjetet sociale. Nuk e di a ka qenë i suksesshëm apo jo si ministër i Bujqësisë për të prejudikuar kompetencat e tij në ministrinë e zhvillimeve ekonomike. Do të ndalem kesaj radhe në analizën e tipit të reaksionit që shkaktoi deklarata e tij se « nëse i merrni 300€/ muaj mos i bëni 7 fëmijë »
1.Reaksioni ishte i tipit epidermik, gadi në shkallë të shokut anafilaktik ( në nivelin mediatik).
Ai shpejt u krahasue me Jabllanoviqin, disa e krahasuan me Mihajlo Kertesin i cili i kishte quajtur nanat shqiptare « lavatriqe », të tjerë e krahasuan me Millosheviqin, me Ali Shukrinë,
Disa analistë e quajtën me neo maltusian, qetnik shqiptar , Blerand Kastraveci etj. etj.
2.Fjala çelës (mot clef) që u perdor për këtë shfryerje mediatike ishte fjala NANË.
Fjala NANË , për neve shqiptarët ka një konotacion të vecantë afektiv, që nuk don të thotë se ne shqiptarët i dojmë dhe respektojmë nanat më shumë se anglezët, francezët apo eskimezët…
Më kujtohet gjatë sherbimit ushtarak një ushtarë malazez më patë treguar se para se të nisej për ushtri , babai i kishte thënë, kujdes nga shqiptarët gjatë shërbimit, atyre mund t’i bësh do gjë por kurrë mos gabo me ia sha nanën. Ata mund të vrasin për këtë fjalë. Mua më erdhi të qeshë dhe të qaj njëkohësisht.
3.GJINIA:
Shumica e shkruesëve dhe komentuesëve ishin të gjinisë mashkullore dhe shumica e akuzonin se ministrin Stavileci, që e ka fyer nanën shqiptare, kurse në deklaratn e tij askund nuk lexova fjalën nanë, siç e kishte përdorur ministri Jabllanoviq.
MASHKULLI SHQIPTAR , që në europë ( nuk po flas për Afrikë apo Arabi) mund të rangohet nga të fundit për kujdesin, respektin ndaj femrës, gjatë gjithë historisë e deri më sot, qohet peshë dhe me patetizëm patriotik mbron « nanën » nga fyerja imagjinare e ministrit, duke harruar krejtësisht se nanat e tyre janë FEMRA, ndaj të cilave nuk kemi fort sjellje të livdueshme historikisht.
Pra kur është fjala për lindje të fëmijëve ( që shpeshë përdoret pezhorativ, si pjellje) aludohet vetëm për nanën shqiptare, pra në këtë rast Blerandi paska « fyer » vetem gratë !… sepse burrat në krijimin dhe lindjen e fëmiut konsiderohen ende si « farëhedhes » apo gjenitor, andaj ata nuk u ndien të fyer aspak si gjini. Por si « burra » trima dhe viril, ata dulën shpejt në mbrojtje të nanës së « përdhunuar » nga ministri.
Është për analizë ky reaksion që vetëm për dy ditë arrijti shkallën e histerisë kolektive, në kohën kur vërtetë është kah na ladrohet NANA e madhe KOSOVË nga e cila ikën rreth njeqindmijë të rinj brenda pak muajsh, sikur këta të rinj të mos ishin « pjellë » e nanave shqiptare. Reaksioni dhe veprimi ndaj këtij fenomeni ishte dhe vazdhon të jetë krejtësisht apatik dhe me zero tension.
Pra këtu eshtë një problem i madh që ju analiste, kolumnistë, ekspertë, politikanë duhet të merreni seriozisht para se të na hajë ujku e të na i ladrojnë përnime nanat siç na i ladruan gjatë luftës .
4 .NUMRI SHTATË:
Shtatë fëmijë, shtatë ditë, shtatë plagë, një motër dhe shtatë vëllezer, shtatë pranvera, etj, haset shumë të ne shqiptarët dhe popujt tjere sidomos ata ballkanik.
Filani i kishte shtatë djem, ish famlje e fortë… Pra fuqia e familjes shqiptare matej nga numri i fëmijëve mashkuj, pra shtatë djem e kurrë shtatë vajza. Ajo familje që kishte shatë vajza ishte e nemur, prinderit rrinin me kokën ulur dhe ndiheshin fajtorë… pushka a gëzimit kersiste vetëm për djem. Filanit iu shtua një pushkë thonin kur i linde një djalë.
Kjo e ka shpjegimin e vet në shoqeritë feudale dhe organizimin fisnor të shoqërise, ku patjetër synohet forcimi i familjes dhe fisit në mungesë të një rregullimi të mirëfilltë shoqëror dhe shtetëror.
Thoshin pleqtë tanë dikur se duhet të kesh shtatë fëmijë, sepse një ta merr fruthi, një ta merr shteti ( nizam, rekrut që nuk ktheheshin kurrë) një apo dy ti merr gjaku( hakmarrja) një duhet për punë të shtëpisë, nje të del haram, dhe një të fundit me të cilin do t’i kalojnë ditët e fundit të jetës.
Në kontekstin aktul, si gjithkund në botë edhe në Kosove po shkohet drejt rregullimit demografik
Jo pse është një politik e elaboruar, por është nje autorregullim. Një çift që punon si gjithkund në botë sjellë në jetë mesatarisht 3 fëmijë dhe ky konsiderohet si trend pozitv demografik, sepse nga dy prinder që nesër do të shkojnë ngelin tre pasardhes (dth . plus një).
Gjithnjë e më të pakta janë familjet e mëdha me shumë fëmijë dhe ky është një trend që nuk mund t’i ikim edhe ne, tha apo nuk tha ministri Stavileci, thjesht sepse kërkesat , nevojat për të rritur dhe edukuar fëmijët janë tjera dhe këtë e dijnë shumë mire të gjithë ata që kanë fëmijë. Bile këtu në Francë pa kurrëfarë kompleksi e thojnë të rritësh një fëmijë kushton shtrejtë (ça coute cher un enfant) edhese janë plot ndihma materiale, edukative e shëndetësore në këtë drejtim.
Fundja kjo do të jetë zgjedhje e çiftit në të cilin fatmirësisht ka filluar të dëgjohet edhe mendimi i gruas, e cila do ta ketë përkujdesjen më të mëdhe që nga lindja e deri te maturiteti i fëmijës.
Shteti i ri dhe fragjil, sikur është Kosovs, nuk ka një strategji të definuar demografike as fuqi të mjaftueshme të na ofrojë programe në rritjen dhe edukimin e fëmijëve, par barra kryesore bie mbi familjen për t’i dhënë fëmijëve edukatën themelore dhe për t’ i pregatitur ata për sfida e jetës, me shpresën se një ditë edhe ky shtet do të kthjellet dhe ngritet në këmbë.
Prandaj megjithë maladresën, joelegancën, ajo që e ka thënë Blerand Stavileci duhet të ngallë një debat krejtësisht tjetër, një debat konstruktiv rreth planifikimit të familjes si në çdo vend të botës së civilizuar, nëse vërtetë synojmë të jemi pjesëtarë të saj.
Lille 01 Mars 2015.