Lindi më 18.1.1972 në fshatin Frashnjet (dikur Kosuriq) të Lugut të Baranit, komuna e Pejës, në një familje të varfër fshatare. Prindërit Ali e Nurie Sadriaj i patën katër fëmijë, tre djem e një vajzë. Iliri ishte fëmija i parë i tyre.
Shkollën fillore e kreu në Gllogjan të Lugut të Baranit, ndërsa të mesmen e kreu në Pejë.
Në kohën e luftës në Kroaci, Ilirin e kërkon regjimi serb për ta kryer shërbimin ushtarak. Asokohe ishte vështirë t’i përgjigjeshe shërbimit ushtarak jugosllav, sepse deri atëherë pothuaj brenda dhjetë vitesh, nga armata ish-jugosllave kishin ardhur ushtarë në arkivole të masakruar në rrethana misterioze, me diagnoza të rrejshme. Në të vërtetë, ata masakroheshin e mbyteshin nga eprorët serbë që e përbënin shumicën në armatën jugosllave, të shtyrë nga urrejtja për shqiptarët dhe nga kokëfortësia e ushtarëve e motive të tjera kushediçfare. Sidomos në kohën e kërkesës së Ilirit, në fillim të viteve 90-ta, kur në Kroaci kishte filluar lufta serbo-kroate, ushtari shqiptar në hapësirën jugosllave do të bëhej mish për top. Për këtë arsye jo vetëm Iliri, me sa kishin mundësi, i iknin thirrjes për rekrutim. Ndërkaq, ata që u gjenden në armatë, kaluan në frontin antiserb.
Edhe në Kosovë Iliri përcillte ngjarjet antiserbe dhe në shumë sosh ishte inkuadruar në protesta antisllave. Për këto arsye, familja iu pat bastisur e maltretuar disa herë në stacionin policor famëkeq në Qallapek.
Siç rrëfen nëna e tij, kur Ilirin e kërkojnë ushtar në fillim të viteve ’90-ta, u detyrua të arratiset aty-këtu, sidomos të daja. Asokohe ishte kohë e tmerrshme t’i përgjigjeshe shërbimit ushtarak në Jugosllavi, kur 70% të elitës ushtarake jugosllave ishte me përkatësi serbo-malazeze, atëherë kur urrejtja ndaj shqiptarëve kishte arritur kulmin dhe ushtarët nuk e kishin të sigurt kthimin në familje pa ndonjë mundim të madh shpirtëror e fizik, shpesh vdekjeprurës, madje ndër më të tmerrshmin, siç vinin përditë ushtarë misteriozisht të masakruar, të mbyllur në arkivole. Iliri nuk i përgjigjet thirrjes dhe strehohet te tezja. Si i tillë qëndroi ilegal afër dy vite me radhë. Por me fillimin e luftës në Kosovë, inkuadrohet në Luftën çlirimtare, bashkë me dajën Shaban Haxhi Kelmendin, tani edhe ai dëshmor.
Zyrtarisht, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës inkuadrohet më 6 maj 1998 në shtabin lokal të fshati të lindjes, ku edhe e mori armën. Në fillim kishte detyrën e vëzhgimit të pozicionimit të lëvizjes së armikut, detyrë që e kreu me sukses. Por, në raste më të domosdoshme e të nevojshme, pa u hamendur, u fut edhe në ofensiva, si: në Jabllanicë, Çeskovë, Këpuz, Loxhë etj. Pas ofenzivës së ashpër të shtatorit, Iliri vazhdoi me vëzhgime e furnizime të ushtarëve: me armatim, ushqim e veshëmbathje të nevojshme.
Kontribut të çmueshëm dha në bashkëpunim me komandanitin e atëhershëm të shtabit lokal, Selim Kelmendin; me të cilin mbante lidhje të drejtpërdrejta.
Në luftë morën pjesë edhe vëllai i Ilirit, Blerimi. Luftoi në fshatin e lindjes, Baran, Loxhë, Glloxhan të Rekës, Çeskovë, Këpuz,.e prej andej në Koshare.
Ishte edhe në Malësi të Veriut për furnizim me armë e municion, megjithëse e kishte armën e dhuruar nga shtabi lokal kur u inkuadrua.
Ra dëshmor në Frashnjet, më 10 maj 1999, në rrugë prej Grabanice për në Maznik me urdhëresë të komandantit Selim Kelmendi, kur po tentonte të siguronte ushqim për UÇK-në.
Bashkëluftëtarët dhe eprorët, Ilirin e cilësojnë ushtar trim, të zellshëm, i cili me përpikmëri i kreu të gjitha obligimet e mundshme ushtarake.
Është nip i dëshmorit Shaban Haxhi Kelmendi dhe i martirëve (dajëve) të masakruar Haxhi, Demë dhe Ardian Kelmendi.
Figura e tij madhështore shkëlqen në përmendoren e vendlindjes, përkrah dëshmorëve të tjerë të vendlindjes.
Rënia e tij në shërbim të lirisë e mbarë kombit ishte një goditje e rëndë për familjen, vendlindjen, farefisin, Dukagjinin e Kosovën, por edhe krenari për mbar kombin.
Gjaku i tij e mijëra dëshmorëve të tjerë u bë gurthemel i lirisë. (Z. Gj.)