Ilir Meta

Ilir Meta i ndodhur para dëshmive për korrupsion ka filluar të paralajmërojë trazira si ato të vitit 1997

Dalja në dritë e dosjes 978, ku dëshmohet se kryetari i Shqipërisë Ilir Meta i kërkonte 200 mijë euro Kastriot Ismailajt për t’i përdorur në fushatën zgjedhore, duket se i ka rënë si “bombë” në kokë. Po ashtu dhe bllokimi i vizës nga Amerika për Petrit Vasilin dhe afrimi i SPAK-ut, kanë detyruar Metën për  të braktisur rolin e kryetarit dhe ka treguar se është në krah të opozitës, ndërsa ai e tregoi qartë se në këtë betejë nuk është vetëm përballë qeverisë, por është dhe kundër amerikanëve dhe kundër reformës në drejtësi. Meta shfrytëzoi dje konferencën për sigurinë, për të nxjerrë gjithë mllefin kundër ndërkombëtarëve dhe reformës, por duke treguar se tash ka filluar të frikësohet  seriozisht. Po ashtu, mediet në Austri i përmenden  aferën 700 mijë euro, në pazarin e vitit 2009. Ndërkohë, kanë dalë në dritë detaje se si ai dyshohet se ka blerë zgjedhjet e atij viti. Dje ai sulmoi hapur reformën në drejtësi, ndërsa nuk kurseu dhe misionin Euralius. Po ashtu ai sfidoi të gjithë ambasadorët, duke thënë se reforma ka dështuar.

Pas akuzave ndaj ndërkombëtarëve dhe reformës në drejtësi, Meta kërcënoi hapur Ramën se nëse vijon reforma në drejtësi dhe mbahen zgjedhjet pa opozitën, do rikthehen plumbat e kallashëve të vitit 1997.

Gazetari,  Artan Hoxha ishte  ai që deklaroi se gjatë përgjimeve që prokuroria i kishte bërë Ismailajt, ka rezultuar që Meta i ka dërguar një SMS, ku kërkon 200 mijë euro. Por gazeta ka bërë një sërë kërkimesh, duke zbuluar detajet e plota mbi këtë dosje dhe se çfarë ka ndodhur realisht me të. Kastriot Ismailaj, njihet si personi që boshatisi arkën e CEZ përmes kompanisë DIA, e cila merrej me mbledhjen e borxheve. Por para kësaj, në vitin 2008 nisi një hetim ndaj tij për pastrim parash dhe në maj të 2008 u vendos në përgjim nga prokuroria, përgjime që zgjatën deri në qershor 2009, pra gati një vit. Kastriot Ismailaj është hetuar nga Prokuroria e Tiranës në cilësinë e administratorit të kompanisë “Adriatic Development Corporation”. Prokuroria dyshonte se Kastriot Ismailaj kishte kryer në një bankë të nivelit të dytë disa transferta në mbërritje në shumën prej 4.5 milionë USD dhe 800 mijë euro. Këto para ishin dërguar nga shoqëria “Hassans…” në Gjibraltar. Paratë e dërguara në emër të shoqërisë “Adriatic Development Corporation” ishin transferuar në dalje në shumën prej rreth 3 milionë euro. Transferimi ishte bërë duke e copëzuar në dalje këtë shumë, ku përfitues ishin kompani dhe shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Përshkrimet në këto transferta konsistonin në: pagesa për studime vizibiliteti në projekte minierash, për shërbime ligjore, për shpenzime zyre, për konsulentë etj. Duke qenë se nuk rezultonte të ishte depozituar ndonjë dokumentacion justifikues si kontrata ose marrëveshje që e lidhin shoqërinë e Ismailajt me shoqëri të tjera ose persona ku janë transferuar paratë, kishte dyshime se bëhej fjalë për pastrim parash. Ndërkohë, në dosjen e prokurorisë ishte edhe një dokument që mban datën 28 qershor 2009. Ishte një procesverbal mbi transkriptimin e bisedave të numrit të telefonit të disponuar nga Kastriot Ismailaj. Gjykata e Tiranës kishte miratuar kërkesat e prokurorisë për përgjimin e numrave të tij. Në këtë dokument ishte edhe një SMS e datës 22 qershor 2009 në orën 05.27.21 pasdite e dërguar nga numri 0682031701 në numrin 0682009693 të Kastriot Ismailajt me tekst: “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”. Mësohet se numri që përfundon me 701 ka qenë në përdorim të kreut të LSI-së, Ilir Metës.

Pushimi i dyshimtë i hetimeve

Përveç faktit që dyshohet se Meta ka përdorur paratë e Ismailajt në fushatë, është prokuroria ajo që ka kryer veprime të dyshimta, duke nxjerrë të larë presidentin. Por çfarë ka ndodhur realisht? Rezulton se pas SMS së Metës ndaj Ismailajt, përgjimet pas pak kohësh janë ndërprerë dhe po ashtu janë pushuar hetimet. Edhe pse Ismailaj ishte përgjuar për një vit dhe ka pasur shumë informacione ndaj tij, prokuroria pushoi menjëherë hetimet, me argumentimin se nuk provohej akuza e pastrimit të parave. Pushimi i hetimeve u bë sapo Meta firmosi koalicionin me Berishën dhe erdhi në pushtet në 2009. Pas pushimit të hetimeve, u asgjësuan dhjetra CD me bisedat dhe SMS të Kastriot Ismailajt, si dhe u fshinë përgjimet nga serveri i përgjimeve. Por procesverbalet mbetën në duart e Ismailajt dhe disa individëve, të cilat tregojnë të vërtetën e asaj që fshehu prokuroria. Fakti që përgjimet u ndërprenë dhe dosja u pushua pak pas SMS së Metës, ngre mjaft pikëpyetje. Ajo që tregon se prokuroria ka vepruar në mënyrë mjaft të dyshimtë është se në vitin 2015 prokuroria rihapi hetimet po për të njëjtën çështje dhe vijoi hetimet duke bërë që sot Ismailaj të jetë pas hekurave. Por e bukura është se pavarësisht rihapjes së hetimit, përgjimet nuk mund të përdoreshin më si provë. Edhe pse si dosje ajo ekzistonte, ajo ishte e pavlefshme në gjyq. Por prokuroria edhe pa ato përgjime e mbylli dosjen dhe e dërgoi në gjykatë, duke e akuzuar Ismailajn për pastrim parash. Ajo që e vesh akoma më tepër me dyshim situatën është se në vitin 2009 Meta kaloi në koalicion me PD. Dhe sapo ndodhi kjo, për çudi u pushuan hetimet ndaj Ismailajt. Por në 2015 kur u rihapën hetimet, Meta ishte në koalicion me Ramën dhe në të njëjtin vit marrëdhëniet mes tij dhe Berishës ishin shumë të tensionuara. Në krye të organit të akuzës ishte dhe Adriatik Llalla. Pyetja që shtrohet është: Pse në 2015 prokuroria arrit të gjejë prova dhe ta çojë dosjen në gjykatë, ndërsa në 2009 jo? Dyshimet janë se hetimet janë pushuar për të mos i hapur telash zv/kryeministrit të asaj kohe.

Kliti Topalli ( Gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Pleurat Sejdiu: Për katër pesë vjet rreth mbi 550 ekipe mjekësore janë larguar prej Kosovës

Pleurat Sejdiu: Kosova ende pa një sistem shëndetësor funksional për shkak të moszbatimit të ligjeve

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka shprehur shqetësimin për mungesën e …