Kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur për idenë e homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi, për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës e Serbisë. Ai ka deklaruar se “vija e kuqe” për ndërkombëtarët “është dhe mbetet stabiliteti dhe siguria e Kosovës”. Duke iu referuar qëndrimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se “ndodhemi para një shansi që nuk duhet humbur”, Meta theksoi se qëndrimi i tij është në sinkron me atë të Qeverisë, dhe se për këtë ka pasur edhe një takim me kryediplomatin Ditmir Bushati. “Kam thënë që në rastin më të mirë është humbje kohe, dhe në rastin më të keq rrezikon hapjen e kutisë së Pandorës. Dhe kjo nuk është diçka e rëndë po të flasim për çështjen e kufijve në Ballkan sepse dihet se nga i kanë ardhur fatkeqësitë Ballkanit historikisht, por edhe jo më shumë se para 20 e ca vitesh.
Pra, në rastin aktual duhet të kemi parasysh që Presidenti Thaçi nuk ka folur asnjëherë për ndarje të Kosovës apo për shkëmbime territoriale. Ai ka ngritur çështjen e korrigjimit të kufijve, si një term i ri, i cili nënkupton, sipas tij, mundësinë e ribashkimit të Kosovës Lindore me Kosovën, por pa cenuar tërësinë territoriale të shtetit të Kosovës. Kështu që në këtë drejtim besoj se qëndrimi im ka qenë tërësisht i përgjegjshëm, i përmbajtur dhe koherent, me gjithë politikën që Shqipëria ka ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve në mbështejte të pavarësisë së Kosovës, të njohjes së Kosovës, por edhe të mbështetjes së dialogut Serbi-Kosovë. Unë kam theksuar gjithmonë se ky dialog nisi për të njohur këtë realitet të ri dhe për të pajtuar këto dy realitete, pra Serbinë me shtetin e ri të Kosovës dhe jo si një mënyrë për të devijuar nga ky realitet dhe për të shkuar drejt të panohurës, që do të thotë ndryshimi i kufijve apo shkëmbime territoriale. Mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë ndryshuar politikën e tyre për rajonin, pra si politikë që synon fuqizimin e stabilitetit dhe të sigurisë në këtë rajon, aq më tepër kur kemi tashmë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, kur kemi përpjekjet e tyre për të mbështetur marrëveshjen e Maqedonisë me Greqinë që do të anëtarësonte shumë shpejt edhe Maqedoninë në NATO”, ka thënë Meta.