Ilir Muharremi

Ilir Muharremi: Artisti, delja e zezë e revoltuar

Te ne në Kosovë populli jeton në heshtje me impulsin e revoltës, duron të papranueshmen me plot urdhëra të ri: tepricen, përtejmen, shtypjen, të tëra këto murrosen përballë durimit të lodhur historik brenda një kufiri pas të cilit askush ende nuk është ngritur me atë se “Tashmë u bë e tepërt, po e teproni”. Populli është masë, kope që vrapon pas tingujve të ziles, por artisti është ai delja e zezë që veçohet  brenda turmës. Artisti në emër të popullit shtrinë të drejtën e përbashkët andej kufirit siç thotë Albert Camus i del përballë një tjetër e drejtë dhe e kufizon atë. Andaj, revolta e artistit mbështetet në ndjenjën e refuzimit dhe të çdo lloj ndërhyrje të padeshirueshme që i kanoset popullit dhe individit.

 

E drejta e artistit është e arsyeshme me atë siç ishte rasti i fundit arrestimi i krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Gjykata speciale, derisa në gjithë botën veteranët çmohen dhe gëzojnë benificione të shumta nga shteti. Te ne veteranët arrestohen e kriminelët e vërtetë hedhin vallen në liri. Në këtë “Demokraci”, gjithkujt po i jepet e drejta të hedh pluhur mbi UÇK-në. Askush nga shteti nuk po e mbron UÇK-në.

Artisti duhe të revoltohet edhe ndaj papunsisë që po i ndodh popullit që varet nga shteti e shteti fare pak bën për ta. Artisti me kokëfortësi duhet të revoltohet ndaj ligjeve të shtrembëruara e të lakuara sipas dëshirave të të fortëve. Artisti asgjë të keqe nuk shfaq, përveç veprës që i kundërvihet rendit shtypës një farë e drejte për të mos qenë i shtypur më populli dhe ai. Populli te ne heshtë i zhytur në dëshpërim, duron çdo padrejtësi që i bëhet në mjekësi (spitale), krijim të vendit të punës, puntorët në sektorin privat ndjehen si skllav ndaj pronarit, pra bossit i cili me vete mban “kamxhikun” dhe i ndëshkon sa herë ja do qejfi. Deri tash artisti është individ i cili shikohet si delja e zezë, por ka fuqinë e shfaqjes së veprës në përmasa globale. Heshtjes i erdh fundi dhe gjendja e artistit është e pranueshme edhe pse do të gjykohet si shumë e padrejtë. Nëse edhe artisti përdorë heshtjen si populli, kjo tregon se nuk gjykohet dhe as nuk dëshirohet asgjë, në fakt vdesim pa dëshiruar asgjë. Sa më shumë dëshpërim, aq më i fortë bëhet gjykimi i drejtë që do të kërkoj gjithçka që i nevojitet këtij populli.

Pse e vendos artistin përballë turmës revoltuese dhe i jap më shumë hapësirë për të qenë në frontin e parë? Arti sot nuk është më primitiv siç bënte në kohërat e vjetra duke e lartësuar stilizmin. Arti më nuk është vetëm pikturë ku vlersohet tema, ngjyra, lëvizja e brushës, kompozicioni, ritmi, subjekti dhe veçantia. Skulptura greke qëndron ende e bukur përballë nesh, por bukuria tashmë ka filluar të harxhohet. Pikturat e renesancës italiane, arti kinez qëndrojnë të vetmuara të bukura për ne, kjo tashmë më s’ka shumë rëndësi, procesi i ri i sotëm i artit me ndërhyrjen e intelektualëve dhe kritikëve të artit ka filluar me akuzën ndaj artit të vjetër si të rrejshëm brenda inteligjencës së tyre, heshtja po zhduket, arti po bëhet i zhurmshëm, po futet në politikë, ekonomi, juridik, po i bën pyetje për të marr përgjigje, ose po e loz rolin e rregullatorit për shijen e popullit.

A ka arti fuqi të jetoj mbi refuzimin total të padrejtësisë që po na bëhet? Artisti është njeri dhe në mendimin e tij i lejon vetes ta publikojë padrejtësinë totale duke kërkuar drejtësi totale të cilën vetëm ai e propozon. Nga çfarë e propozon? Nga referencat universale të përshtatshmërisë pozitive të të jetuarit mirë dhe drejtë. Duke lozur rolin e matësit së peshorës. Në një farë forme arti i sotëm refuzon bukurinë duke u pajtuar me realen, të cilën mjeshtrit e vjetër e bënin të kundërtën.

Arti i sotëm, është art i revoltës, dhe artisti po bëhet si delja e zezë. Nëse mendojmë thellë për artin e sotëm, saktësisht do të bindemi që “Artisti delja e zezë e revoltuar”, ka për qëllim afirmimin e një vlere të mirëfilltë të re e cila prapë ikën në zhvillimin e përhershëm, por që ai teton prapë ta rrëmbejë. Normal nuk përjashtoj edhe stilin individual të artisti mbi këtë zhvillim të ri bashkëkohor. Artistit të sotëm i mbetet performanca me trupin, mendjen dhe zhurmën e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …