Ilir Muharremi: Me rastin e vdekjes së artistit me famë boterore, Omer Kaleshi

Ajo që më bënë të kontaktojë me pikturat e krijuesit Omer kaleshi është ngjyra, ideja, koncepti dhe mesazhi. Kokat, një emër kuptimplotë ngaqë çdo gjë rrjedh nga kokat, vërtitet, shërbehet gjithnjë nën ndihmën e kokës. A thua vallë pse janë këto koka, pa veshë, enigmatike, melankolike, të heshtura, pa zhurmë, pa zë, ngaqë janë ngopur me zhurmë dhe nuk duan asgjë të dëgjojnë. Gjenialiteti, qëndron mu në kryqëzimin e realizmit dhe idesë, të një lëvizje të ngjyrës, kufizimit të figuracionit dhe psikologjisë ballkanike, duke identifikuar popujt, por jo psikologjitë, apo duke i unifikuar mendimet, që çojnë në një globalizim efektiv , egocentrik, kalamendës, me plotë shpresë, magmë poetike, që kërkon pjekuri për perceptim dhe konkretizim. Ky është Kaleshi, i sinqertë, si një fëmijë që shpreh tërë realitetin objektiv dhe subjektiv. Ne pranojmë, dëgjojmë, ngacmohemi, prekemi nga arti i tij, por e vërteta vërtitet rreth të gjitha kokave që na vështrojnë me sy të padefinuar, si duket, krijuesi gjymtojë shpirtin Eskilian tragjik dhe e shndërroj në një qetësi absolute që bredh në mes galaksisë enigmatike. Kokat e piktorit Omer Kaleshi, zbrazën nga një kokë qiellore e një universi dhe galaktike që shtrydhet nga ngjyrat e ngrohta, por edhe neutrale, e që vërshohen dhe aterojnë mbi hapësirën e pëlhurës. Pse janë këto koka?! Çfarë përmbajtje kanë në thelb? Mos vallë shpalosin forcën morale dhe historike, apo meloditë antike, ose tragjeditë e Sofokliut? Gjymtimi i tyre, të krijuar në treshe sikurse apostujt e Jezu Krishtit ku në mesin e tyre mungon Juda, paraqesin realitetin Ballkanik. Gjërat që i shohim janë po ato që ekzistojnë brenda nesh. S’ka asnjë realitet jashtë asaj që kemi brenda vetes.

Portretet nuk jetojnë jashtë nesh, por përbrenda dhe rrokullisin realitetin e botës së dukshëm dhe të pa dukshme, aspak nuk duhet të jemi  kundër kërkimeve të thelluara dhe të përparuara, që puqen mbi egon tonë. Arti shpesh provon atë që është thelbësore brenda nesh dhe që nuk lidhet me bot tyren të jashtme. I ngjanë rrezatimeve të brendshme që projektohen jashtë, kështu që nuk ka rëndësi të madhe objektive nëse i ndërtojmë në formën e miteve, kënaqësive, zotave, dervishëve, të humburve, të gjykuarve, jo udhëheqësve, kjo është mimika dhe pantomima e heshtur e kokave të Kaleshit. Ato  kanë kujt t’i binden, kanë një e pavarësi artistike të bindjes, pavarësia e tyre nuk i nënshtrohet ligjeve objektive, por subjektive, dhe bindja e tyre i bindet ligjeve të unit. Arti i tyre është shpirt i gjakut, dhe krijohet nga diçka e prekshme dhe nuk na qon në abstraksion, por ateron në rrënjët e realizmit shpirtëror dhe përkthimit ideor të ndjenjës.  Kokat nuk buzëqeshin rrezikshëm, por si engjëjt vështrojnë mbi mishërimin ballkanik kohor, të një globalizmi postmodern. Gjëja më qetësuese dhe pajtuese është bukuria e tyre e artit, dhe të gjithë jemi të dhënë pas kësaj dukurie, arrijmë të harrojmë vetveten, dhe mbi të gjitha dhimbjen përvëluese të  një bote artistike.

 

Lumturia kthehet tek vetëdija e një uni të dhimbjes, kokat shpërthejnë nga paqja, por të kapluar nga një trishtim, dhe qielli i tyre vezullues është si një luginë e humbur e errët që ndodhet vetëm në hapësirë dy dimensionale të figuracionit. Tingujt nuk janë belbëzues, e as gjestet nuk janë të reja, ngaqë ju ka ardhur në maje të hundës, sepse gjuha e së shkuarës, përpëlitet mbi sy të pa definuar dhe shprehë një melodi vallëzuese me kapelë të mbrapshtë ballkanike të një kulture të vjetër. Ne luajmë muzikën tonë me monedha mbi kapele, dhe është moraliste dhe intelektuale. Çdo rrugë krijohet në mes hapësirës së madhe dhe të çon tek arti i qetë i një nevoje dhe lëvizje që sjell siguri artistike, dhe të sjellë ndërmend, ashtu si ylli dritën, idenë e rregullit, harmonisë, orientimit të një kaosi pa peshë dhe gravitet. Ne ballkanasit nuk jemi shumë të zotë të depërtojmë në misterin e bashkësisë, aftësia jonë bazohet në aftësinë për të vlerësuar subjektivisht, duke pohuar gjithnjë s’ka art, por artin krijuesi Kaleshi e bashkon dhe e krijon në bashkësisë, jo në individualitet figurativ, por individualiteti , vetmia e Nietzches, dominon prapa syve të tij, të cilat dhurohen pa definim dhe kuptim.  Dhe për fund,  shpirti i piktori Kaleshi është fisnik ngaqë i bindet së vërtetesës subjektive dhe krijon rregull në parregullsi galaktike.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …