Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: A arsyetohet ky nënshtrim total i rinisë sonë kur fajtori i gjendjes kaotike ka emër dhe mbiemër?

Kur shoku im i fëmijërisë T, më drejtohej mua dhe shokëve të tjerë të lagjes me shprehjen; Motrat!, ne të gjithë e dinim se për çfarë në fakt e kishe fjalën.

Shprehjen; Motrat, as shoku im i fëmijërisë T atëbotë, dhe as unë sot, nuk do ta përdornim për t’i dhënë ngjyrime stilistike diskursit tonë, por do ta përdornim për një dhe të vetmen arsye; për ta thënë atë që duam e mendojmë, shumë drejtpërdrejt dhe pa u mërzitur nëse i pëlqeu apo nuk i pëlqeu dikujt.

Pra, nëse për dikë ende ka ngelur e paqartë shprehja; Motrat, kujtoj që është koha tua zbërthejë edhe më këtë fjalë ‘enigmatike’. Motrat; në kontekstin që e përdorte shoku im i fëmijërisë T, dhe në kontekstin që do ta përdorim në këtë përqasje, e dimë të gjithë…

Shprehja; Motrat, me të cilën dikur na drejtohej shoku i fëmijërisë sa herë që mllefosej në ne, më kujton vitet më të mira të jetës sime. Tani kur them vitet më të mira të jetës sime dhe kur në mendje më sillen vitet ’90 të shekullit të kaluar, sikur habitem me vetën, sikur nuk i besoj asaj që them, se nitet ’90, ishin vitet më të mira të jetës sime?! Si është e mundur, sikur dua t’i them vetës kur marr guximin ta jap një konstatim të këtij lloji.

Sigurisht se t’i konsiderosh vitet ’90 si më të mirat në kontekstin kombëtar e historik në të cilin gjendej Kosova dhe populli i saj atëbotë, do duhej të konsideroheshe i marrë, njeri që ke lajthitur, thjesht si njëri që të ka ikur truri.

E po…

Të gjithë ne që jemi dëshmitarë të luftës së pamëshirshme e gjenocidoale të Serbisë kundër Kosovës, ku për pasojë u vranë e u masakruan me mijëra njerëz, u përdhunuan mijëra femra shqiptare, u dogjën po ashtu me mijëra shtëpi e vendbanime, sot sikur na duket e pabesueshme ajo që jo më larg se pak vite më parë përjetuam direkt mbi kurrizin tonë!

Sigurisht kësaj ndenjeje sikur i kontribuoi sistemi që u instalua më 1999 në Kosovën tashmë të çliruar nga pushtimi qindravjeçar serb.

Nëse Kosova u çlirua nga një armik i përbetuar siç ishte Serbia, ajo do të ripushtohej shumë shpejt, ende pa kaluar ca muaj si e lirë, nga disa grupe kriminale që u thirrën në emër  të UÇK-së, e që në fakt më së paku u takonte ta zinin në gojë këtë emër të shenjt që është sinonim i lirisë së Kosovës.

Pra këto grupe kriminale që e futën në qorrsokak vendin që nga përfundimi i luftës më 1999, sikur nuk janë ngopur ende. Ato vazhdojnë të sorollatën edhe më, mu sikurse Hijenat, për ta gëlltitur edhe ‘kockën’  e fundit që do të mund të ketë mbetur nga preja e tyre.

Pra ky ripushtim që i ndodhi Kosovës dhe popullit të saj nga këto grupe kriminale, madje ende pa marr frymë lirshëm nga pushtimi shekullor serb, vazhdon të jetë i fuqishëm edhe sot. Vetëm një vizitë në mbrëmje në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, do të mjaftonte për ta dëshmuar efektin e këtij pushtimi të ri, që po bën dy dekada jetë në Kosovën e ‘çliruar’!

Pushtimi i ri i Kosovës, po e zbraz vendin, po i imponon rinisë e saj në këtë segment mu sikurse ia imponoi eksodin regjimi i Millosheviqit në vitet ’90.  Dhe fatkeqësisht është për të të ardhur keq se si një rini e shëndoshë e fuqishme po dorëzohet çdo ditë e më shumë karshi këtyre grupacioneve kriminale që po na imponojnë; rrugët. A do duhet të dorëzohemi kaq lehtë? A do duhet t’ia dorëzojmë të ardhmen tonë Hijenave të pangopura? A do duhet që fatin tonë ta lëmë në duart e ca grupimeve kriminale, që me një organizim të vogël do t’i detyronim ta pinin edhe shurrën e vet?  Rini ku je, ku është zëri yt! A arsyetohet ky nënshtrim total i pjesës më vitale të kombit?! Njëmijë herë jo! Atëherë çfarë presim, fajtori i gjendjes sonë ka emër dhe mbiemër.

Sidoqoftë, deri në kohën kur rinia e Kosovës do të mund ta mblidhte vetën dhe t’i kundërvihej fuqishëm këtyre grupimeve kriminale që po vrasin të ardhmen dhe ëndrrat tona, nuk na mbetet tjetër vetëm se klasës politike kosovare, sistemit të drejtësisë, prokurorëve e gjyqtarëve, duke filluar nga kryeprokurori i ‘Shtetit’, Aleksandër Lumezi e poshtë, dhe të gjithë atyre që po kontribuojnë në katandisjen e vendit t’u themi hapur fjalët që duhet thenë me këtë rast, por jo vetëm ato.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …