Mbaj mend datën 8 Mars 2005. Këtë datë nuk do ta harrojë asnjëherë. 8 Marsi është një datë e rëndësishme për të gjithë njerëzit e globit. Është pra, festa e Nënës, e gruas!
Mirëpo 8 Marsi 2005, për mua dhe pjesën dërrmuese të shqiptarëve, fatkeqësisht simbolizon një datë të trishtë.
Pikërisht në këtë datë, atëherë kur askush nuk e priste Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi publikoi aktakuzën për krime lufte nda ish komandantit të UÇK-së, për Zonën e Dukagjinit, kryeministrit në detyrë të asaj kohe, Ramush Haradinaj.
Kjo aktakuzë që u gatua në kuzhinat e Beogradit e që fatkeqësisht e ‘gëlltiti’ edhe drejtësia ndërkombëtare, saktësisht Gjykata e Hagës, na bëri të ndjeheshim keq të gjithëve.
Sidoqoftë dihet veprimi burrëror e prej lideri të vërtetë i Ramush Haradinajt, në atë kohë. Edhe pse gjithçka ishte e montuar, ai nuk hezitoi ta ndërpresë punën tij si kryeministër i vendit, për ta dëshmuar pafajësinë e tij dhe për t’i kontribuar kështu paqes e stabilitet në Kosovë.
Vitet ikën. Dhe drejtësia triumfoi!
Ramush Haradinaj u shpall dy herë i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë.
Mbaj mend vendimin për lirimin nga aktakuza të Ramush Haradinajt për të dytën herë. Kjo kishte ndodhur më 29 nëntor 2012. “Gjykata ju shpall të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës” shqiptoi fjalët e tij gjyqtari Tribunalit të Hagës, dhe kjo po ndodhte me rastin e rigjykimit të tij. Rast sui generis në botën e drejtësisë.
Ditën në fjalë isha në punë në një lokal ku punoja si kamerier (lokal në të cilin ende vazhdoj të punoj) dhe me të dëgjuar fjalët e gjyqtarit të rastit, në sallën e lokalit e hodha një petardë (mjet i vogël shpërthyes) në shenjë gëzimi që më në fund kjo odisejadë e vënies në vend të drejtësisë kishte një happy end.
Thënë të drejtën fillimisht mendova se ndokush nga mysafirët që ishin prezent në lokal do të reagonte për veprimin tim, meqë ishte veprim krejtësisht i befasishëm. Jo, ngjau e kundërta. Të gjithë mysafirët që ishin prezent thuajse me një ritëm të njëjtë i duartrokitën veprimit tim. Kjo situatë që u krijua më bëri të ndjehesha mirë atë ditë. Aq më tepër kur kjo po ndodhte si rezultat i lirimit të gjeneralit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, emri i të cilit është sinonim i lirisë së Kosovës.
*****
Kanë kaluar disa vite nga e gjithë kjo, dhe dikujt vazhdon t’i pengojë liria e Ramush Haradinajt. Liria e njeriut që ishte i gatshëm gjithnjë të sakrifikohej për lirinë e vendit dhe popullit të tij. (Ta themi më këtë rast se Ramush Haradinaj mund të rangohet me të gjithë ata që kanë fituar çmimin Nobel për Paqe, dhe besoj që një gjë e tillë shumë lehtë do të mund të ndodhë edhe formalisht).
Sidoqoftë, sot ne qytetarët e Kosovës, familja e tij dhe vete lideri i AAK-së, po përjetojmë momente makthi, dhe kjo ndodh krejt padrejtësisht.
Ramushi po vazhdon të mbahet që disa muaj ‘peng’ nga autoritetet franceze të drejtësisë. Dhe kjo po ndodh si pasojë e një fletarrestimi të lëshuar nga regjimi atëherë e sot, kriminal i Beogradit. Kësaj i thonë non sens. Njeriu që për dy herë radhazi dëshmoi pafajësinë e tij në Gjykatën e Hagës, detyrohet që mbi supet e tij ta përjetojë edhe njëherë një padrejtësi të kësaj natyre. Vërtet e pakapshme.
Franca, ky shtet që megjithatë ka kontribuar për paqen në Kosovë bën një veprim kaq antidemokratik..
Franca e kulturës edhe e artit e demokracisë e e barazisë, tash e sa muaj me pa të drejtë e ka ndaluar Heroin tim, Ramush Haradinajn.
Francë, liroje Heroin tim. Nëse ai është kriminel edhe unë jam kriminel. Nëse ai është kriminel edhe populli liridashës i Kosovës është i tillë. Nëse ai është kriminel edhe nëna jone e madhe, nëna e njerëzimit, Nënë Tereza do duhej të ishte një kriminele. Francë, për Serbinë çdo gjë që frymon shqip ka të bëjë me krimin e kriminelët. Francë, liroje Heroin tim.