Diku në një cep të dhomës së banesës sime e cila gjendet në Kodër të Diellit në Prishtinë, këtu e 20 vite më parë po bëja “përpjekje titanike” për t’i zënë valët e Radios Kosova e Lirë. Mbaj mend mirë datën 4 janar 1999, ku me radion që e kisha në banesë, e cila kishte të thyer antenën dhe i mungonte njëra derë, po përpiqesha që me bishtin e një xhezveje të cilin e kisha vendosur në vendin ku do duhej të ishte antena që tashmë nuk ekzistonte, të mos e lëshoja rastin që ta dëgjoja zërin e lirisë i cili vinte nga disa kilometra larg kryeqytet diku nga Malet e Berishës, mu në zemër të Kosovës.
Kush mund ta harrojë zërin emblematik të moderatorit të parë të kësaj radioje, z. Nusret Pllanës i cili nga Malet e Berishës na paralajmëronte: “Ju flet Kosova e lirë!”. Diku në një bashkëbisedim timin në facebook me profesorin universitar Nusret Pllana disa vite pas çlirimit të Kosovës i pata shkruar: ”Për mua liria e Kosovës fillon pikërisht më 4 janar 1999”. I thosha kështu profesorit të nderuar dhe kështu vazhdoj të mendoj edhe tash kur janë bërë plot 20 vjet që kur për herë të parë, qytetarët e robëruar të vendit kishin rastin të dëgjonin lajmet nga një radiostacion shqiptar, ekzistenca e të cilit paralajmëronte se liria e vendit nuk ishte larg.
Përveç simbolikës që kishte radioja Kosova e Lirë, në fakt ajo ishte bërë zë i fuqishëm i luftës çlirimtare që po bënin djemtë dhe vashat më të mira të kombit, dhe frymëzim që të rinjtë t’i bashkoheshin në masë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sinonim i pavarësisë së Kosovës.
Zëri kumbues i Radios Kosova e Lirë që shpërtheu për herë të parë pikërisht këtu e dy dekada më parë, e kishte mbytur zërin e ngjirur të “Hajrie Spikericës” dhe të shumë mediumeve të tjera propaganduese të regjimit kriminal të Millosheviqit të cilat e shtrembëronin të vërtetën që po ndodhte në luftën e Kosovës duke e paraqitur UÇK-në dhe luftën e shenjt të saj si terroriste.
Radio Kosova e Lirë jo njëherë ishte bërë cak i sulmeve të ashpra të ushtrisë dhe paramilitarëve serb, pra stafi i kësaj gazete i përgatiste lajmet në kushtet tejet të disfavorshme, nën fishkëllimet e pandërprera të plumbave dhe të predhave të ushtrisë dhe policisë pushtuese serbe, duke rrezikuar kështu direkt jetën e tyre vetëm e vetëm që opinioni të mbahej i informuar drejt.
Brezat që vijnë duhet të dinë dhe të kenë njohuritë e duhura për punën titanike të Radios Kosova e Lirë, ngase dikur dhe jo më larg se dy dekada më parë opinioni nuk mund të informohej me anë të internetit. Gazetarët, redaktorët, teknikët e këtij mediumi ishin aty ku vetëm një fije e hollë e ndante jetën nga vdekja.
Të flitet apo të shkruhet për Radion Kosova e Lirë, për rrethanat në të cilat lindi dhe u zhvillua ajo, nuk mjaftojnë as edhe letrat e botës. Megjithatë, në këtë vit jubilar të kësaj radioje, ne dëgjuesit pasionantë të këtij mediumi, lutemi që kjo radio ta ketë jetën e gjatë sa vet kombi ynë, ngase ajo vazhdon që edhe sot e kësaj dite të jetë mediumi më i paanshëm për sa i përket informimit të opinionit publik, ndërkaq vepra dhe heroizmi i bijve dhe bijave më të mira të kombit të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës vazhdon të përjetësohet më mirë se në çdo medium tjerë të vendit.
Gëzuar Radios Kosova e Lirë!
Gëzuar ndjekësve besnikë të saj!