Ilir Sefaj: Vepër e një modeli unik tematik e ligjërimor

Ilir Sefaj: Vepër e një modeli unik tematik e ligjërimor

‘Prozë urbane’ titullohet libri më i ri me tregime i shkrimtarit e publicistit, Bajram Sefaj. Autor i sprovuar në shumë gjini e zhanre letrare, Bajram Sefaj qysh në përsiatjet e para krijuese të tij, që fillojnë këtu e dyzet vjet më parë, kur edhe e botoi librin me tregime të shkurtra ‘Tri pika’ (1980), para opinionit lexues shpërfaqet tejet i artikuluar në këtë ‘zeje’ të moçme e cila ‘nuk pensionohet kurrë’, sikundër shprehet edhe vet autori në prologun e botimit të tij fundit.

Nëse librit më të ri të këtij autori i qasemi duke u mbështetur në atë që sugjeron metoda strukturaliste e studimit të artit letrar, themi se në botimin e tij të fundit, krijuesi Bajram Sefaj, me mjaft mjeshtëri ka pleksur brendapërbrenda një libri tregimin dhe reportazhin si lloje të shprehjes letrare, duke krijuar kështu një model unik tematik e ligjërimor.

Libri hapet me tregimin sinjifikativ ‘Miza’. Është një kandërr fluturuese e cila me lëvizjet e saj në bordin e avionit jo vetëm që ngjallë kërshëri, por edhe mëri tek autori narrator. Themi mëri, ngase ky insekt për dallim nga “bashkudhëtarët” e tij nuk lodhet fare për formalitet e shumta që kërkon të udhëtarit me avion. Ajo sorollatet nga njëri te tjetri kënd i avionit, madje pa prerë biletë fare paraprakisht.

Edhe në ‘Prozë urbane’, sikurse pothuajse në tërë krijimtarinë e tij letrare e publicistike, Bajram Sefaj për asnjë çast nuk mbetet rob i stereotipive dhe metodave strikte të krijimit të artit letrat, pra arti i tij nuk kufizohet në forma të ‘ngurta’ të shprehjes letrare. Letërsia e Sefajt është letërsi e lirë.

Meqë është kështu, konsiderojmë se në prozën e tij shpërfaqen situata e personazhe jokonvencionale, të cilave autori u jep shpirt për t’u bërë pastaj të kuptueshme për të gjitha kategoritë e lexuesit.

Në krijimtarinë e tij në përgjithësi, e në veçanti në atë në prozë, krahas motiveve të tjera, ky autor trajton edhe motivin erotik!

Nuk janë të pakta pasazhet erotike që hasim në prozën e Sefajt, pasazhe këto që njërën ose në mënyrën tjetër ngjasojnëme ato të shkrimtarit të madh amerikan Çarls Bukovski. Megjithatë, përderisa Henk i Bukovskit është i involvuar direkt në afera dashurie, Nreci i Sefajt edhe pse lakmitar i papërmirësueshëm i së ‘çarës së qejfit’ më shumë shfaqet si ëndërrimtar për të mos thënë iluzionist.

Ani pse i dremitur nga mosha e jeta, i shtrirë në krevat për një seancë të radhës për masazhin që megjithatë i ndihmon në tejkalimin e dhembjeve të përditshme, protagonisti narrator i përfytyron në të gjitha pozicionet punëtoret e vyeshme e simpatike të spitalit, përderisa shtojzovallet mantelebardha vetëm se e kryejnë punën e tyre për t’i dalë në ndihmë këtij pacienti të ‘pashpresë’!

Ani pse libri titullohet ‘Prozë urbanë’ dhe në një perceptim fillestar krijohet përshtypja se temë bosht e tij mund të jetë një ambient me protagonistë e situata urbane, pjesa dërmuese e rrëfenjave të tij lidhen me një ambient tipik rural, e ngjarje që lidhen me jetën që bëhet në këto ambiente.

Në fakt, pjesa e tregimeve që lidhen me ambientin rural, për motiv kanë dukurinë e zoofilisë, motiv ky që në prozën e Sefajt trajtohet nga këndi i reminishencës ose si një rikujtuesë e njohurive që narratori i ka ruajtur nga fëmijëria.

‘Proza urbane’ e Bajram Sefajt është e ndarë në tri cikle tregimtare; ‘Tregime’, ‘Burrëri’ dhe ‘Anekdotike’, dhe ky klasifikim nuk është i rastësishëm, ngase këto cikle janë të ndërtuara sipas një porcedeu ligjërimor e tematik që mund të lexohen e kuptohen ndaras, por edhe si tërësi.

Si përfundim i kësaj përqasjeje të shkurtër, themi se, shkrimtari e publicisti Bajram Sefaj është sprovuar në lloje e kategori të ndryshme të artit letrar, dhe kujtoj se me krijimtarinë e tij ai e ka vënë në sprovë edhe lexuesin e ‘rëndomtë’, dashamir i fjalës së shkruar, por jo më pak edhe kritikën letrare, e cila për mendimin tim, me ose pavetëdije ka qëndruar ‘indiferente’ karshi veprës artistike të këtij autori.

Sidoqoftë, kjo vepër, kjo krijimtari edhe mund të ri-zbulohet një ditë, mbase edhe atëherë kur autori në fjalë do t’i takojë përjetësisë. Tekefundit, a nuk është ky fati edhe i shumë krijuesve të tjerë që njeh letërsia e përbotshme?!

Nëse jo për tjetër, ky konstatim mund të konsiderohet i përligjshëm edhe për faktin se vepra e tekste të njëjta, jo rrallë lexohen e kuptohen ndryshe nga persona të ndryshëm në kohë të ndryshme. E nëse është kështu, themi se krijimtaria letrare e publicistike e Bajram Sefajt nuk është vetëm e kohës, por edhe e kohërave!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …