Gëzuar ditën e gruas 8 Marsin!
Vetëm në socializëm gruaja shqiptare fitoi nder e dinjitet, e shkolluar, e punësuar dhe e pavarur nga burri ekonomikisht!
Lavdi e përhershme baballarëve të kombit që e çliruan gruan shqiptare nga vargonjtë e injorancës, përçmimit dhe trajtimit si një skllave shtëpiake që blihej e shitej sipas dëshirave të patriarkut të familjes!
Respekt e falenderim komunistëve shqiptarë, që në 40 vjet, përmbysën prapambetjen mesjetare të gruas shqiptare dhe e sollën atë në kohët moderne të barabartë e madje shumë më lart në disa fusha, se burrat.
Fatkeqësisht kapitalizmi na solli mbrapa këto 30 vjet…
Në një vend ku morali i vetëm është paraja e pasurimi me çdo kusht, gruaja shqiptare u shit në treg përsëri e kësaj radhe në mënyrën më çnjerëzore të mundur, për t’i mbushur xhepat hajdutëve dhe vrasësve që drejtuan Shqipërinë në qeveri dhe 400 apo 4000 e ca hajdutëve të shpurrës së tyre para-sjellëse. Këtyre kapitalistëve të rinj, të paskrupuj, që e çuan gruan shqiptare të shitej në bulevardet e botës, s’u ka hyrë ferr në këmbë, se drejtësia e plepave dhe kjo e reja (amerikane) ka frikë prej tyre.
Mallkuar qoftë kapitalizmi, bota e parasë dhe vrasësit e hajdutët që drejtuan si kapitalistë Shqipërinë, duke e zhytur në varfëri shoqërinë shqiptare e duke i skllavëruar sërish gratë*!
————–
* kanë harruar të gjithë fyshekun në pajë, po kur del Dan Hutra e sorollopi i vet i pështirë, i burrave shqiptarë e i vret në mes të ditës gratë, thjeshtë për të plotësuar tekat e tij shtazore, atëhere kujtohen për Enver Hoxhën dhe heroinat e Mirditës: Mrika Zef Loka, Marta Pjetër Tarazhi, Shkurte Sali Cara, Prenda Llesh Tarazhi.
Lavdi grave shqiptare!
—————-
1. Mrika Zef Loka lindi në Zajs të Oroshit të Mirditës më 2 dhjetor 1928.
2. Marta Pjetër Tarazhi lindi në Bukëmirë të Livadhasit të Mirditës, më 12 gusht 1925.
3. Shkurte Sali Cara lindi në Lamin e Madh të rrethit të Matit më 11 shkurt 1925.
4. Prenda Llesh Tarazhi lindi në Patin të rrethit të Matit më 12 prill 1928.
“Nga gjiri i këtij populli, të edukuar me mësimet e Partisë, dolën katër vajzat trimëresha të Mirditës, katër heroinat: Mrikë Lokja, Shkurte Cara, Marta Tarazhi dhe Prenda Tarazhi, që u ngritën në luftë kundër reaksionit, hodhën poshtë zakonet e vjetra, shkuan vullnetare për ndërtimin e hekurudhës, u kthyen përsëri pranë familjeve, kësaj radhe më të forta e më të kalitura, prandaj, si burrnesha, me mësimet e Partisë në zemër, filluan të punojnë për zbatimin e vijës së drejtë të saj. Pikërisht për këtë arsye reaksionarët i kapën, i torturuan dhe na i vranë me 25 prill 1948.. Por ato u bënë pishtarë dhe lëshuan dritë mbi gjithë Shqipërinë…”- Enver Hoxha.
Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH më 23 tetor 1967, me dekret 4331 u dha titullin secilës, me këtë motivacion:
“Është ndër gratë dhe vajzat e parë, që me fjalën e Partisë në zemër çau rrugën e së resë e të përparimit, rrugën për çlirimin e plotë të gruas nga zakonet e egra të kanunit e të fesë. Ajo luftoi me vetmohim kundër reaksionarëve dhe elementëve konservatorë, punoi në mënyrë shembullore në aksionet për ndërtimin e vendit, për ngritjen arsimore e kulturore, përvetësoi me zgjuarsi e etje mësimet e Partisë dhe u bë së bashku agjitatore, luftëtare e flaktë për emancipimin e gruas shqiptare. E kapur tradhëtisht nga bandat e armatosura të reaksionit, ajo u masakrua egërsisht, por qendroi e papërkulur dhe ballëlart.”
*Statujat e 4 heroinave të Mirditës ndodheshin ne qytetin e Rrëshenit (kryeqëndrën e Mirdites), por u shkaterruan me ardhjen e dhjetokracisë kapitaliste, që na rrënoi ekonomikisht dhe moralisht.