( Intervistë e Albert Z. Zholit me ushtaraken dhe poeteshën, Iliriana Sulkuqi)
Edhe pse ka mbi 12 vjet në Amerikë, ajo patjetër do ta vizitojë Shqiëprinë njëherë në vit. Kësaj here ka një axhendë të ngjeshur takimesh dhe aktivitetesh me dashamirës dhe personalitete të krijuesve të moshave të ndryshme.
Iliriana Sulkuqi, ka lindur në Elbasan, në qytetin e origjinës familjare. Ka kryer studimet në gjimnazin e mirënjohur “Dhaskal Todri” në Elbasan dhe më vonë ka mbaruar Shkollën e lartë të Bashkuar të Oficerëve. Ka shërbyer rreth 22 vjet në ushtri, me një dëshirë dhe përkushtim të rrallë. E dashuruar shumë me uniformën e blertë saqë edhe poezitë më të spikatura ia ka kushtuar asaj. Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve e mbaroi në vitin 1971.
Këtu e nisi edhe karrierën e saj si oficere e ushtrisë shqiptare, si komandante e kompanisë së vajzave studente në këtë shkollë. Ne të gjitha këto vite, deri në 1980, sa herë bëheshin paradat dhe aktivitete të kësaj natyre ajo ishte në krye të kuadratit të vajzave. Ka shumë mbresa dhe kujtime në këtë shkollë. Ka kaluar shumë studentë dhe studente, të cilët i kanë zgjatur jetën. Nga një profesion që s’e kishte ëndërruar, u kthye në një profesion që e pushtoi në çdo qelizë të jetës. Askush s’mund ta besojë sot që një pianiste, nga një familje artistësh mund të bëhej oficere.
Dhe bëri karrierë jo të pakët duke thyer shumë tabu. Gazetare dhe redaktore në shtypin ushtarak dhe mori gradën e lartë: Nënkolonel.
Si e gjetët Shqipërinë këtë vit?
Vjeshtë, por Shqipëria më ngjan si në pranverën e saj më të mirë. Pashë ndryshime të mëdha. Tirana është bërë si metropol amerikan. Ndryshime rrënjësore. Ndihem krenare për vendin tim. Nuk më bëhet të iki. Elbasani qytet i bukurisë dhe i këngëve të pafundme.
Si i kujton vitet e fëmijërisë në këtë qytet plot histori dhe të dashuruar me muzikën?
Ishin vite të bukura vite me shokësh dhe shoqesh, mes gëzimit të lodrave. Familja ime ishte familje artistësh dhe mua më ngjizën dashurinë për instrumentet muzikorë dhe konkretisht për pianon. Çdo mbrëmje tek ne flitej vetëm për muzikën. Ne ishim familje artistësh dhe unë e vëllai kishim kërkuar për shkollë muzike, unë për piano, vëllai për violinë në shkollën e muzikës “Qemal Stafa”, në Elbasan. Kur unë isha në klasë të tretë, vëllai ishte në klasë të parë. Kishim dy mësues pianoje që për mua mbeten idhuj, Emilie Qano dhe Kujtim Çela. Kur mbarova shkollën 8-vjeçare shkova në gjimnaz. Të gjithë thonë se vitet e gjimnazit mbeten të paharruara. Kështu është në të vërtetë kur e mendon dhe sot. Jam ulur plot dëshirë në bankat e gjimnazit të mirënjohur “Dhaskal Todri” në Elbasan, në qytetin tim, i shquar për arsim e dituri, për kulturë e qytetërim.
Çfarë kujton më shumë nga gjimnazi dhe më vonë si kaluat nga artiste për oficere? Nuk duket paksa befasuese edhe ëpr ty edhe për lëxuesin?
Gjimnazi e kishte çdo gjë të bukur. Mësimet, aktivitetet, konkurset, aksionet, mbrëmjet e pafundme të dëfrimit. Një jetë plot gjallëri. Një jetë mbushur aktivitete. Por sot pas 45 vitesh kujtoj më shumë aksionet që bënim çdo vit, si p.sh, për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë -Lushnje. Mbaj mend si sot se kur ishim në aksion në afërsi të Lushnjës ndërtohej një urë ku do të kalonte treni. Atëhere treni ishte një gjë e madhe për ne. Pikërisht në këmbët e kësaj ure të bukur, kur ende nuk ishte tharë betoni, ne si kalsë vendosëm që në shenjë kujtimi të shkruanim emrat e të gjithë nxënësve të klasës sonë. Kam merak të shkoj njëherë pasi besoj se emrat tanë do të jenë sërish aty. I kujtoj netve të vona këto aksione pasi çdo natë kishte mbrëmje vallëzimi të cilat nuk I sheh sot në asnjë .
Nuk e ndjenim lodhjen dhe pse punonim shumë. S’kishte ndonjë ushqim të mirë, por kishim një unitet dhe dashuri për njëri-tjetrin sa nuk mund ta përshkruaj. Shpesh na thoshin në aksion se duhet të ndjeheshim si në ushtri. Mbase kjo më ka ngacmuar dëshirën për jetën ushtrake. Jeta kolektive. Noshta ky mendim, kjo shtysë e këtyre aksioneve, kjo jetë e madhe kolektive, ëndrar për të qenë ndryshe solli atë që kur mbarova gjimnazin dëgjova se kishte shkollë ku përgatiteshin dhe femrat për oficere. Kështu që, dhe dëshira ime për të shkuar në këtë shkollë erdhi papritur dhe pa kujtuar, si një trokitje e beftë në zemrën time.
Nga dita që mua më lindi dëshira apo ideja që të shkoja në këtë shkollë, ishte vetëm një javë kohë. Pra, për një javë duhej të mbaronin të gjitha procedurat që unë të shkoja në shkollë, ose ndryshe digjesha për atë vit, ndoshta edhe përgjithmonë nga shkolla e lartë. Unë kisha aplikuar apo kisha konkurruar për bursë për në Liceun Artistik në Tiranë së bashku me vëllain.
Atë ditë që vendosa të shkoja për oficere kishin dalë listat për të drejtat e studimit (afishet ishin ngjitur në Pallatin e Sportit të Elbasanit). Shkova bashkë me shoqet. Vura re se ne kishim fituar të dy, unë dhe vëllai. Por sipas rregullit të asaj kohe, vetëm njëri duhej të shkonte në shkollë. Ne ishim dy motra dhe kishim një vëlla, ndaj unë vendosa që në Konservator të shkonte vëllai. Kjo ishte dita që unë mendova të shkoja oficere. Kur nuk mund të plotësoja dëshirën për pianiste doja të shkoja në një vend që të mbyllesha si murgeshë. Të kisha sa më pak kontakte me njerëzit. Pa u treguar prindërve shkoj në Degën Ushtarake të Elbasanit. Takova drejtuesit e Degës Ushtarake dhe u thashë se patjetër unë duhet të shkoja në shkollë të lartë. Ju lutem më siguroni një bursë për në shkollën për oficere. Isha e para në fis që më shkoi ndër mend emri i kësaj shkolle, se familja ime historikisht ishte familje mësuesish dhe muzikantësh. “Dhe ju lutem shtëpia ime të mos e marrë vesh fare”, iu luta drejtuesve të degës. Ata u habitën. Nuk e besonin këtë dëshirë.
U erdhi e papritur sepse ata e dinin që i bija pianos dhe që shkruaja. Këtë të fshehtë timen e bisedova vetëm me tezen time të mirë (motrën e nënës). Ajo më donte dhe e doja shumë. Ajo më kuptonte si askush tjetër.
Kur se prisja, më vjen korrieri dhe më lajmëron direkt pa e bërë prezentë në shtëpi. Pra, më kishin pranuar në Shkollën e Bashkuar, pasi kisha mbaruar shkollën 8-vjeçare për muzikë (piano) dhe gjimnazin “Dhaskal Todri”. Për fat të mirë në këtë shkollë atë vit ishin dhe dy shokë të mitë, një vajzë dhe një djalë. Këta ma lehtësuan disi peshën dhe dhimbjen për në Konservator, pasi ishin njerëz të shkëlqyer. Vëllai im sot është një violinist i talentuar dhe quhet Zeqir Sulkuqi. Unë më vonë u bëra një oficere korrekte e Forcave të Armatosura të vendit im.
Shkolla ushtarake, besojmë se kishte disiplinë, rregull, stërvitje kërkesa shërbime pafund por dhe aksione. Ju femrat kishit privilegje, çfarë veçon nga jeta studentore ushtarake?
Shkolla është ashtu si ju bëtë pyetjen. E lodhshme, plot tension, stërvitje por edhe shumë e bukur. Jeta ushtarake është jetë ushtarake. Sado dallime rregulli ishte rregull. Pra, ne jetonim në të njëjtin objekt, në të njëjtën mensë hanim, në të njëjtën fushë sportive luanim. Pra kishim të njëjtën rregullore, të njëjtën veprimtari. Edhe në stërvitjet e ndryshme që bënim, dimërore apo verore qofshin, thuajse kishim të njëjtat kërkesa, të njëjtën ngarkesë, të njëtin aramatim dhe pajisje, kryenim të njëtat lëvizje apo ngjitje. Unë kam disa fotografi nga këto stërvitje, ku ne nuk kemi bërë asnjë përjashtim nga djemtë. Por në jetën e përditshme ne ishim më të respektuara dhe ishim të përjashtuara nga disa shërbime speciale, që zakonisht i bënin studentët djem. Por këtu do veçoj si student aksionin e madh të ndërtimit të hekurudhës Përrenjas-Guri i Kuq. Ishte pjesa më e vështirë e kësaj hekurudhe. Aty punonim dhe 14 orë në ditë. Ato ditë do t’i mbaj mend deri sa të kem frymë. Nuk i bëra asnjë ditë bisht punës, dhe pse në Tiranë kisha lënë fëmijët e vegjël me burrin. Ishte një sakrificë e madhe për mua, por që asnjëherë nuk kam quajtur atë të kotë. Ne ishim brezi që na takoi të punojmë në kushte të tjera, më të vështira, por kjo nuk ka përse të na ul kokën, përkundrazi duhet të jemi krenar për gjithçka kemi bërë për atdheun dhe popullin tonë. U larguam me sukses kur pjesa më e vështirë e hekurudhës u ndërtua me sukses.
Pas shkollimit ju caktuan komanduese në Shkollën e bashkuar, pra aty ku u shkolluat. Çfarë emocionesh dhe çfarë vështirësish pate. Cilat ishin momentet më pikante të jetës si komanduese, pra tashmë si oficere karriere?
Pra tek kjo vështirësi qëndron e bukura. Kujtoj me nostalgji stërvitjet e përvitshme dimërore, në Feken. Nuk di pse, ndofta nga që ato ishin sprova të mëdha për përballimin e jetës aso kohe. Ne shkonim çdo vit me stërvitje dimërore në Feken (një rajon malor pas malit të Dajtit, afër Bizës) dhe unë isha komandante herë me vajzat dhe herë me djemtë. Po ndalem në një vit kur isha komandante kompanie me studentë djemtë. Në atë kohë bëja stazhin e partisë, pra për komuniste. Këtë nuk kam përse ta mohoj. Unë isha një grua oficere që jetoja në atë puls jete, pjesë e asaj shoqërie, e përkushtuar në punën dhe detyrën që kisha. Stazhin e partisë duhet ta bëje në detyra më të vështira. Isha komandante me baterinë e studentëve të artilerisë bregdetare.
Na njoftojnë se do të vijë për të parë fushimin ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu. Do të bënte një takim me oficerët për problemet e stërvitjes dhe probleme të tjera për mbrojtjen e atdheut. Unë me baterinë time isha shumë larg nga kampi, në stërvitje në mes të borës. Më njoftojnë se duhet të isha dhe unë në atë takim. Isha shumë larg me stërvitje, duhej një orë për të shkuar. Por përveç takimit, unë doja të qaja dhe një hallin tim me Mehmet Shehun, një hall familjar. Arsyeja ose halli im ishte shumë i thjeshtë sot, por shumë i ndërlikuar në atë kohë. Kërkoja që të ma sillnin bashkëshortin tim, Bujarin, me punë në Tiranë. Ai kishte mbaruar universitetin për arsim dhe e kishin caktuar në Gjonbabaj të Korçës, në kufi me Skraparin. Unë me fëmijë të vegjël s’mund të rrija dot vetëm. Nuk mund të përballohej jeta. Doja t’i thosha ministrit që të më transferonte edhe mua atje ku punonte burri, ose të sillnin atë në Tiranë. Të gjithë eprorëve në shkollë ua kisha thënë hallin tim, por nuk ishte zgjidhur. Të gjitha këto ia thashë Mehmet Shehut, pa ndroje dhe me guxim. Ai ka qenë shumë autoritar, por mua më dëgjoi, por vetëm kaq, nuk më premtoi gjë. Ato ditë nuk mund të harrohen. Shumë gjëra më sillen në mend, por dua të veçoj natën që morëm detyrën luftarake. Pikërisht, atë mbrëmje na thanë se duhet të zini pozicionet e detyrës luftarake të Shkollës së Bashkuar. Pozicionet luftarake të shkollës tonë ishin nga Kamza deri në Zall Herr. U nisëm menjëherë. Ngarkuam të gjithë municionin luftarak dhe armatimin. Çdo kompani kishte detyrat e veta. Rrugës, një student nga Fieri sëmuret. I jap urdhër të gjithë baterisë që të ulet dhe të pushojë dhe dy veta do të mbajnë shokun në krah. U futëm nëpër shkurre që të arrinim autokolonën. Do të zbrisnim nga Zall Herri. Aty dëgjuam disa zhurma makinash dhe dolëm të shihnim, pasi jeta e studentit ishte në rrezik. Në atë kohë isha 24 vjeçe dhe fëmijën e kisha të vogël. Aty na del Veli Llakaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, me disa oficerë. Unë kisha në krah disa pushkë të studentëve që mbanin në krah shokun e tyre të sëmurë. Veliu u habit kur na pa në atë gjendje dhe për moralin e lartë të kompanisë. Ai më njohu dhe më rrahu shpatullat. Studentin e mjekuam në ambulancën më të afërt. Mbas arritjes së detyrës luftarake u kthyem përsëri në Feken. U kthyem në bazë (qesh), si nëndetësja 105…
Në mbrëmje më thërret komandanti i shkollës, Rustem Peçi dhe më njofton se im shoq, Bujari, duhej të shkonte në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës për të marrë emërimin për punë. Kishin kaluar fare pak ditë nga takimi me Mehmet Shehun dhe siç dukej ai kishte bërë ndërhyrjen e duhur…Nga kampi çdo ditë nisej për në Tiranë makina e furnizimit dhe çonte studentë oficerë për takime me prindër apo që kishin halle. U nisa dhe unë me këtë makinë. Ndenja në fund të karrocerisë. Ishte ftohtë. Rruga kishte zënë akull. Në një vend makina desh u rrëzua. Një gomë i qëndronte në ajër. U alarmuam të gjithë. Një qime na ndante nga vdekja. Filluam të hidheshim nga makina. Ndër të parët isha unë, pasi isha në fund të karrocerisë. Hidhem dhe pas meje filluan të tjerët. Kur po hidhej një oficer, pa dashur atij i del pistoleta nga këllëfi dhe më bie mua pas koke. Rashë në tokë pa ndjenja. S’e di ç’u bë me mua. Më vonë mora vesh se më kthyen pas në spitalin e fushimit. Mjekët e shkollës të mrekullueshëm më sollën në jetë. Më vonë e mora veten dhe kur u kthyem nga kjo stërvitje çështja e punësimit në Tiranë të bashkëshortit tim ishte zgjidhur.
Por ngjarja më e hidhur ka qenë e shkurtit 1981 po në Feken e quajtur ngjarja e Fekenit.
Ajo është ngjarja më e dhimbshme që mund të kem përjetuar ndonjëherë. Më mirë të mos e kujtoj atë ditë. Dhe pse s’isha direkt, isha indirekt. Ajo ditë për mua mbetet një ndër ditët më të vështira në jetë. Ishte viti i parë që unë nuk shkoja në Feken për stërvitje dimërore. Kur mora vesh për lajmin, s’mund ta besoja. Më dukej si një ëndërr e keqe. Spitali Ushtarak u mbush me studentë të plagosur. O Zot, ç’më kanë parë sytë atë ditë! Nëna që qanin, shokë që qanin për shokët. Nëna që interesoheshin për bijtë e bijat. U bë një katrahurë, dhe lajmet e rremë përhapeshin si rrufeja. Para Spitalit Ushtarak dhe para Shkollës së Bashkuar shihje me qindra nëna apo baballarë.
Të gjithë pyesnin për fëmijët e tyre. Ishin ditët më të zeza për këtë shkollë heroinë. Unë shkoja çdo ditë tek Spitali Ushtarak dhe rrija deri vonë. Nuk dua t’i kujtoj më ato ditë. Lajmet ishin nga më të ndryshmet, nga më befasueset. O zot çfarë nuk thuhej. Humbëm 11 shokë të mrekullueshëm, pedagogë dhe studentë, për të cilët është shkruar shumë dhe emrat e tyre janë gdhendur në një memorial që ngrihet prej vitesh në hyrje të ish-Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Kujtoj me dashuri dhe veneracion komandant Dushan Shametajn, pedagogët Çlirim Pulaj, Nikollaq Bero, studentët Bilbil Pashaj, Aleko Gjoni, Qemal Lika, Besnik Shehu, Ilir Gramatiko…Të gjithë ata kanë mbetur të pavdekshëm dhe simbol i vetmohimit për të kryer detyrën si ushtarakë të atdheut tim. Pra, në atë detyrë kam shumë kujtime, pa masë. Studentët e mi kur mbaruan shkollën më takonin në rrugë, më takonin në parakalime, në festa etj. Por njëherë s’do ta harroj. Isha në Vlorë për një problem.
Rastësisht aty takova dy studentë të mi të artilerisë bregdetare. Ata kishin dalë oficerë dhe shërbenin në Sazan. Sa më panë, m’u hodhën në qafë. Unë sapo kisha mbaruar punë dhe do nisesha për Tiranë. Ish-studentët m’u lutën që të shkoja me ta në Sazan, se dhe pak do nisej anija. S’dija ç’të bëja. Kisha shumë dëshirë ta vizitoja ishullin, pasi nuk e kisha parë dhe shkelur asnjëherë. Mbas këmbënguljes së tyre pranova. U kënaqa kur anija lëvizte në atë det të qetë. Ishulli më dukej si ishulli i thesareve të piratëve. Shumë është shkruar për Sazanin, sa pena ime do dukej e vakët për një përshkrim. Kur mbërrita, shikoja me kujdes çdo gjë. Atë mbrëmje e gdhimë. Unë pashë edhe një pjesë të terrenit të Sazanit. Ai ishte kthyer në beton dhe çelik.
Iliriana dhe krijimtaria letrare e saj
Nuk e kuptoj jetën pa letërsinë. Në shtëpi kam libra pafund ashtu siç kam dhe dorëshkrime pa fund. Kam krijuar që në vegjëli dhe mundohem që penën të mos e heq kurrë nga dora. Poezia për mua është jeta ime e dytë, madje më e bukur, më e gjatë dhe që do më shoqërojë deri në frymën e fundit. Jeta ime pa poezinë nuk do të kishte kuptim. Por për këtë dhe për jetën tjetër që kam vite që bëj në emigracion, në Greqi dhe tashmë në SHBA, ndofta duhet ta lëmë të hapur. Janë aktivitete pafund. Duke e lidhur krijimtarinë edhe me profesionin si oficere them em bidje që disa nga poezitë e mia më të mira janë për ushtrinë. Konkretisht me një poezi, ose me një strofë të poezisë “Oficeret”, të cilën e ruaj si një ndër gjërat më të bukura dhe më të shtrenjta, dua të përshëndes të gjitha ish-oficeret të të gjitha kohërave që I dhanë aq shumë ushtrisë shqiptare: Jemi ndodhur shumë herë të vetme, Mes malesh, supet kallo nga pushkët, Por asnjëherë frikën nuk ua ndjemë netëve, Çdo frikë u rri larg ushtarakëve Kam botuar në shumë gazeta dhe revista të kohës, duke u bërë ndoshta ndër të parat femra ushtarake të lidhura me krijimtarinë letrare dhe përçuese e ideve të tyre.
Kam botuar shumë libra me poezi dhe jam fituese e disa çmimeve në shkallë vendi. Disa nga vëllimet e mia janë: “Më kërkojnë sytë e nënës”, “Të jesh grua”, “Do të jetoj”, “Trokit dhe zgjo”, “Kush ma vrau Ofelinë”, “Shihemi me sy”, “Pulëbardhë në det’të zi”, “Më kërkon falje”, “Poezi” etj. Dritëro Agolli për Iliriana Sulkuqin: Poete e veçantë, mikja ime e mirë, e vjetër dhe e re, artistja e rrallë që ka mposhtur vdekjen, me nëntë plagë në trup, si Gjergj Elez Alia…