Iljasa Salihu

Iljasa Salihu: Lëvizjet për paralizim të shoqërisë

Lëvizjet feministe, që tashmë po shihen se nuk e kanë dertin e të drejtave të grave, dalëngadalë po e tregojnë fytyrën e tyre të trishtuar jo, por trishtuese. Përpos thithjes së ndonjë fondi të jashtëm, ato duke marrë përkrahjen edhe prej ndonjë moderatori të debateve, të cilët duhet të jenë moderatorë dhe jo palë në debat, qofshin ato femra apo ata meshkuj, po tregojnë se në të vërtetë janë kundër burrave dhe jo për të drejtat e tyre, ani pse disa dhe disi mundohen ta fshehin këtë realitet. Mundohen ta arsyetojnë të paarsyeshmen. Me çdo kusht mundohen t’ia ndërrojnë vendin natyrshmërisë ndaj mos u habisni nëse nesër logjika e tyre kërkon që sytë duhet t’i zhvendosim në gjoks dhe hundën në kërthizë, ngaqë koka u duhet për ta lëruar dhe mbjellur me botoks! Në vend se të përpiqen së bashku me burrat për të drejtat e tyre të përbashkëta, ato tashmë duan dhe përpiqen t’ia shkatërrojnë çdo autoritet burrit, duke e zhveshur tërësisht të gjorin, zhveshje kjo që do t’i kushtojë shumë shtrenjtë edhe grave. Në sajë të kësaj logjike të mykur, tani këto do ta akuzojnë edhe luftën çlirimtare se pse shumë më shumë kishim burra nëpër fronte se sa gra dhe pse gratë merreshin me familjen, fëmijët dhe me përgatitjen e ushqimit për luftëtarët!

Nuk them se çdo traditë duhet ta mbajmë me fanatizëm, ngaqë përditësimin e kemi të nevojshëm, po ashtu se trajtimi në baza gjinore nuk është për t’u kritikuar, por në emër të disa mendimeve të përçudnuara, nuk mund assesi t’ia shkërmoqim autoritetin burrit ose babës dhe se çdo traditë të deritanishme duhet ta hedhim në koshin e plehrave. Assesi këtë nuk duhet ta lejojmë, ngaqë nesër gjithçka mund të jemi, pos këta që duhet të jemi.

Tani, nëse disa burra e kanë keqpërdorur pozitën e tyre, nuk mund t’i hipim në qafë çdo burri e ta lëmë pa kokërr dinjiteti e autoriteti, veç pse disave duhet t’ia arsyetojmë fondet e jashme dhe t’ia bëjmë qejfin atyre që në emër të këtyre lëvizjeve, as që mendojnë as të martohen e ta shohin praktikisht se si funksionon koncepti i familjes. Këto po punojnë që burri dhe gruaja të mos jenë më plotësuese, por zëvendësuese, pra mund të lindin po deshën, por këtë mund ta bëjnë pa një burrë që e njohin dhe përgjithësisht ta sjellin një fëmijë pa një baba të njohur për fëmijën, që nuk ka besim a shkencë që mund ta arsyetojë këtë torturë mendore dhe shpirtërore ndaj fëmijëve. Ngatërrojnë qëllimisht se të qenit jetim ka dallim të madh me faktin e të lindurit si rrjedhojë e spermës së deponuar në mitrën e nënës e cila krejt panevojshëm dhe shumë dëmshëm ka dalur kundër një rendi ekzistues që është dëshmuar se funksionon si është më së miri. Tjetër gjë janë problemet shëndetësore, që kjo frymë e pa frymë dëshiron ta barazojë dhe banalizojë me vendimin në sajë të vullnetit të lirë. Këto sikur na thonë se meqë dikush mund të jetojë pa njërën këmbë, pse vallë edhe ne të tjerët që kemi këmbë të mos e këpusim njërën këmbë! Këto harrojnë se nëse thonjtë të pengojnë, është mirë të shkurtohen thonjtë dhe jo gishti!

Kësodore, çdo njeri me mundësitë e veta duhet t’i kundërshtojë këto lëvizje paralizuese, sepse qëllimi i tyre është që fillimisht ta fitojnë debatin shoqëror që pastaj zbatimin dhe imponimin e përçudnimeve ta bëjnë lehtësisht. Familja e ngushtë është e përbërë prej babait, nënës dhe fëmijëve. Kjo është aksiomë dhe pikë. Le të kërkojmë dhe të zbulojmë gjëra që nuk i kemi, kurse na mjafton një kokë, për dy koka nuk kemi nevojë, ngaqë një është e mjaftueshme për të funksionuar jeta. Po ashtu le t’i zbulojmë të mirat e Zotit, në vend që të përpiqemi t’i gjejmë gabime Zotit, sepse natyrshëm do të jemi të sfiduar dhe thellë të turpëruar.  (Epoka e Re)

 

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …