Parlamenti po shushurin, nëpër mikrofona e tableta, instagrame e tuiter, në feisbuk e ku di unë për një nismë të fuqishme, për një furtunë në vjeshtën e parë të këtij viti, për të vendosur me çdo kusht dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare me ligj!
Pak fjalë për “pacientët” e sëmurë nga alergjia antikomuniste
Alergjia antikomuniste është një sëmundje e hershme e lindur në Francë dhe e zhvilluar në përmasa të rënda në Amerikën e kaosit konkurrencial,e shfrytëzimit të paimagjinuar të njeriut nga njeriu, vend i demokracisë së gënjeshtërt dhe lirisë së pa kufi të të drejtave të gjallesave. Banorët e truallit shqiptar të ndarë në gjashtë shtete e morën virusin e kësaj sëmundjeje nga anglezët, amerikanët dhe fqinjët tanë jugorë qysh në vitet e para të pas Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Tani, pas asfiksimit të sistemit ekonomiko-shoqëror të socializmit që e sollën presionet e të huajve, tradhtia e gjithkundshme e ish-udhëheqjeve të 16 shteteve të kampit socialist, kthetrat e gënjeshtrës dhe dhëmbët e vjedhjes, në vendin tonë kjo sëmundje ka marrë përmasa të çuditshme. Vuajnë prej saj jo vetëm nipërit, mbesat dhe të tjerë pasardhës të krerëve kolaboracionistë të viteve 1939-1945, të krerëve ballistë, legalistë, fashistë, monarkistë etj. që iu lëpinin këmbët pushtuesve, por e vuajnë keqas këtë kolerë psikologjike edhe jo pak bij, bija, mbesa e nipër të komunistëve që ishin ndër të parët në luftë për çlirim nga nazifashizmi dhe në ndërtimin e socializmit. Kjo sepse siç thotë populli”nga trëndafili lind edhe ferra” dhe “ka shumë njerëz që gënjehen edhe nga hija e vet”. Shembujt janë të shumtë që nga fshati më i thellë deri te kryeqyteti, nga ish-ndërmarrja komunale deri te kryeministria e presidenca e sotme.
Në stolin e pacientëve të kësaj sëmundjeje janë ulur dhe ulërasin, njerëz të thjeshtë dhe ‘të ndërlikuar’, me dhe pa poste a ofiqe, me apo pa grada “shkencore”, jashtë dhe brenda kupolës politike antishqiptare, , dhe gjithsekush manifeston simptomat individuale por gjithnjë tepër të rënda. Kuptohet këta të fundit, që e heqin veten udhëheqësa, deputetë dhe protoprofetë, janë më të rrezikshmit. Na e solli në shteg këtë lloj shkrimi një rast deputeti, që ngjit e zbret pameritueshëm -sepse është nip i një krimineli të popullit shqiptar- ,shkallinat e mermerta të parlamentit dhe ka muaj e ditë që ulëret hidhur për dekomunistizimin e gjithë shqiptarëve.
Akoma kur nuk ka mbushur moshën gjysmë shekulli; “i shkëlqyer në mësime” në fakultet në vitet 1997, kur tek ne bëhej luftë e jo shkollë; gjyqtar(?!); avokat dhe “pronar i një studioje me reputacion”; ministër drejtësie për 22 muaj në atë kohë kur drejtonte qeverinë krimineli Sali Berisha dhe bëhej fjalë vetëm për padrejtësi;deputet prej disa vitesh dhe anëtar i partisë demokratike që në fillim të jetës së tij partiake,tani kryetar në detyrë i një lloj pakice partiake që dikush e quan demokratike. Ky është personazhi që quhet Enkelejd Alibeaj, i futur në politikën shqiptare nga krahu demek i djathtë me objektiva shumë të largëta. Këto ditë ky soj politikani, në krye të jë kori deputetësh shërbëtorë të ustait dhe parasë, kërkon dhe synon që me ligj të arrihet “Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare!” Ai duket që nuk ka dy pará mend që të kuptojë ç’është koncepti “shoqëri njerëzore” e dashka të dekomunistizojë atë duke nisur nga Shqipëria. Ai s’e ka haberin asfare për idealin dhe aktivitetin njerëzor komunist !?
“Magjistër” me rezultate të ‘shkëlqyera’, para 21 viteve; ka qenë zyrtarisht edhe nja tre-katër herë nëpër Europë si në Bullgari, Poloni, Itali, Austri. Jep leksione, i thënçin, për të drejtën kushtetuese po se ku nuk dihet.Ka drejtuar edhe një departament antikorrupsion(!?)në partinë e tij. “Personalitet me kontribute dhe vlera unike për demokratët dhe të gjithë vendin” e ka cilësuar i pavleri,tashmë i tulatur në ndonjë vrimë miu, Lulzim Basha. Në ‘duelin’ e paradokohshëm Lulzim-Sali doli ky fitimtar, sipas asaj fjalës ” kur zihen dy, fiton i treti”; por me ujkun plak nuk e ha dot se ai të vret ditën e të qan po ditën, ashtu siç ka bërë më shumë të tjerë më parë e siç përgatit tani skenare antishqiptare të pambarimta.
Dhe, Enkelejdi deputet më kartuç në dorë e me kollare, me tërë këto ‘fitore’, duke fluturuar, me ato atribute që i vihen nëpër jetëshkrime, duke qenë nip i Isa Toskës, kriminelit shqiptar të damkosur si i tillë nga historia,tani i është futur ‘me gjoks ‘ punës që të dekomunistizojë plotësisht shoqërinë shqiptare!
Nuk dua aspak të ringjall konflikte tashmë të kaluara qysh para tetëdhjetë viteve dhe të deklaruara të atilla që hyjnë në fjalorin “mos e ngacmo më tepër se bie erë”. Por realiteti duhet thënë që të njihet e të gjykohet nga ata që kanë mend, për rrugën më të drejtë që duhet të ecim si shoqëri, si komb, si shtet;rrugë ligjore dhe rrugë shpirtërore, njerëzore. Janë të shumtë,si ky Enkeleidi ynë deputet, që mendon se komunizmi do të ndalohet dhe vritet me ligje, të cilat parlamenti ynë i nxjerr simite nga furra me ngjyrë europiane dhe shije amerikane.
Pazari i gushtit 2022 : “Më jep votën për dekomunistizimin, që të të jap votën për heqjen e ish-sigurimsave…”
Natyrisht ideologjia e komunizmit është tepër larg nga dijet dhe hijet e këtij lloj deputeti dhe tërë të tjerëve të këtij kallëpi. Komunizmi “nuk është letër që vjen me postë”, siç thosh një komunist i vrarë në vitin 1967, por është luftë vigane shekullore e mbarë popujve të planetit kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të njeriut nga njeriu. Është aspiratë shpirtërore e patjetërsueshme dhe bashkudhëtare e njeriut që ka vetëdije. Është pjesë e ndërgjegjes shoqërore që ekziston brez pas brezi dhe nuk zgjat sa jeta e një njeriu. Ajo, si aspiratë, si doktrinë, si ideologji si simbol i më të mirës njerëzore është shoqëruese e jetëve të njerëzve pavarësisht se bubrruan në shekullin 18-të, që u revoltuan në shekullin e 19-të apo vegjetuan të përulur në shekullin e 22-të, ase u revoltuan përsëri dhe e përmbysën qoftë edhe me luftë kibernetike apo atomike shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, në shekullin 25.
Ashtu siç u poqën kushtet komplekse ekonomiko-shoqërore për të zëvendësuar rendin feudal para afër 600 vjetëve, ashtu, dialektikisht, do apo s’do Enkelejdi ynë dhe bufonët e tjerë si ai, do të ndodhë edhe me sistemin e sotëm të dekompozuar kapitalist që ka qelbur tërë globin. Ky sistem do të përmbyset, e përsëris, përmbyset e jo riparohet apo përmirësohet, dhe do të vendoset sistemi ekonomik e shoqëror komunist, që do të kalojë nëpër shkallëzime shumë të vështira deri në perfeksionimin e tij, shumë të largët nga këtu ku jemi sot. Do të vijojë,për të mos u ndalur në ecurinë dialektike të ekzistencës nëpërmjet luftës së të kundërtave. E vërteta e hidhur por e plotë është që popujve u ka shkuar thika në palcë nga shtypja, shfrytëzimi, gënjeshtra, hipokrizia, mashtrimi dhe dhuna e mbuluar me maskën e të drejtave të njeriut. Jo vetëm krerët e politikës kriminale të djathtë, që i inspirojnë këto lloj ligjesh absurde, herë në heshtje, herë në brendinë e thënieve glorifikuese të të huajve për “politikanin e madh shqiptar të sotëm”, herë me miratim gjysmak të fjalëve të thëna e të pathëna, herë me anashkalim indiferent ndaj këtyre synimeve neofashiste dhe shpesh me shpërfilljen e aseteve njerëzore kombëtare. Madje dikush e quan ‘folklor’ , “antikitet” dhe etapë të tejkaluar, kur i flitet për rolin historik vendimtar të komunistëve shqiptarë në arritjen e fitores në Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe renditjen e vendit tonë ne anën më të drejtë të historisë. Janë edhe jo pak deputetë, aktorë politikë të pafytyrë, të tjerë që thonë se duhet të mbështetet pasardhësi i kriminelit për miratimin e ligjit që mbron kriminelët dhe ‘ndalon idetë komuniste’!? Madje këto ditë po vlon në media pazarllëku i ndotur ” më jep votën për dekomunistizim që të të jap votën për të hequr ata të sigurimit të shtetit nga qeverisja”.
T’u çjerrim maskën deputetëve dhe politikanëve antikombëtarë
Se si punojnë deputetët tanë e di Kryesia, Kryetarja dhe Byroja. Nga media kemi parë, dëgjuar e lexuar se vetëm z.Erion Braçe ka treguar, qarë e mbështetur hallet e pasosura të fshatarëve shqiptarë bujq e blegtorë. Ka propozuar edhe rrugët e zgjidhjes. Para ca vitesh doli edhe një tjetër që premtoi por… harroi sakaq. Deputetët qirindezës nëpër vdekje të befta- janë hipokritët më të pa besueshëm. Vështirë është të gjesh pesë deputetë që kanë arritur të njohin , të paktën, rrugën për në rajonin që mbulojnë në kilometra katrore dhe ca më pak shqetësimet dhe nevojat e votuesve të tyre. Se si punojnë ministrat e di vetë kryetari që shkarkon e ngarkon kë të dojë e kur ta gjykojë ata pranë tij. Se në fund të fundit, kryetari është i pari i gjithë katundit!
Zaten njeriu si individ,( këtu hyjnë edhe deputetët e ministrat paçka se u duket vetja mal dhe janë afër moçal), është i vockël para historisë dhe ecurisë kohore të zhvillimit shoqëror. Ndaj është pragmatist dhe thotë më mirë të fitoj e të bëhem i pasur brenda një nate me çdo mjet se sa të ecij me rregulla e ligje që më kufizojnë liritë që dua unë dhe që më kafshojnë mollën e dëshirave. Njeriu është tokësor ndaj kërkon qielloren. Është zvarranik, ecën përdhe, ndaj kërkon të fluturojë. Është krejt i përkohshëm ndaj kërkon , edhe pse më kot,përjetësinë. (Në kllapa duhet thënë se përjetësinë ta jep historia bazuar në veprat e mira që ke kryer në dobi të shoqërisë dhe askush tjetër). Detyra jonë është që të hedhim sadopak dritë mbi të vërtetën komuniste, këtë “fantazmë” që kapitalizmi e shikon si varrmihësin e vet.Thjeshtë: sepse i rrëmben pronën private dhe synon jetesën e barabartë, në vëllazëri e liri- dhe fjala liri vetëm në kuptimin: disiplinë. Kurse kapitali këtë fjalë, lirinë, e ka lustruar aq shumë sa e ka bërë fertele, kaos, katastrofë. Njerëzit aktualë të politikës sonë të sëmurë nga antikomunizmi janë mediokër, servilë, krejt të paaftë për drejtim kombëtar, të korruptuar kokë e këmbë dhe, në mos më tepër, të futur e të mirëpaguar nga shtetet e mëdha për të shkërmoqur e demoralizuar sa më shumë shoqërinë shqiptare që ende qëndron e fortë në kombësinë dhe traditën e saj historike. Ndaj të tillët duhen demaskuar pa mëshirë , me kurajo dhe me guxim. Aktualisht jemi rreshtuar si shtet në ato vende me rend shoqëror ku nuk sundon virtyti por vesi, jo ndershmëria, por mashtrimi dhe hipokrizia ndaj nuk duhet asesi të shkojmë drejt vyshkjes së çdo lloj ideali njerëzor. Nuk mund të pranohet kurrësesi që të dominojë ndërgjegjen e një populli teket e një apo dy politikanëve gangsterë e të paskrupullt!
Një zëdhënëse e këtij Alibeajsi, profesoreshë me gjasme, para ca kohësh bënte tellallin, poshtë e lartë.Një tjetër guxon të fyejë në bisedë televizive dhe profesorë të njohur të historisë, që nuk kanë bërë kompromise. Dikush më tutje hargaliset duke deklaruar solemnisht : “Ajo që Partia Demokratike kërkon është pikërisht dekomunistizimi. Është një proces që ka vijuar që në fillimet e vitit ’90. Kjo është nismë që do të përfshirë një grup të gjerë. Mendojmë që është momenti i duhur për të manifestuar një dekomunistizim të plotë. Është një grup që do të ngrihet. Do të jemi në konsulta me profesionistë. Janë një sërë institucionesh që do të bashkërendojnë për një paketë efikase.”A thua se janë duke e përmbysur botën!Pandehin këta, se do të ngjallen përsëri kolaboracionistët, kriminelët, ballistë, zogistë, neofashistë dhe do të fitojnë pushtet të plotë. Koha e tyre ka perënduar qysh më 1944. Në ditët e vapta të këtij dymuajshi volli vrer dhe klithi hidhur përsëri edhe vetë deputeti Alibeaj, duke kërkuar mbështetje në parlament për të realizuar ëndrrën e tij të dekomunistizimit të të gjithë shqiptarëve! Zaten qeni leh hidhur kur është shtrëngueshëm i lidhur prej qafe, me zinxhirin e pronarit. Një i tillë me litar në qafë është edhe E.Alibeaj me shokë. Ata e gjejnë vendprehjen e tyre në parlament sepse aty miratohen të gjitha llojet e gatimeve të hidhura e të helmëta kundër shqiptarëve që nga shitja e copave të atdheut të propozuara nga krerët qeveritarë për këto 32 vjet, deri tek xhepmbushja me vjedhje të hapura ditën më diell të pasurive të vendit tonë dhe të gjakut të popullit, veprime këto që mund të evitohen me politika më të guximshme dhe të prirura nga dashuria për Shqipërinë e jo për sunduesit e huaj.
Të ruajmë kombin dhe truallin shqiptar
Të gjithë duhet ta dimë mirë se lepuri fle gjetkë! Më tej kufijve tanë dhe brenda radhëve tona, është puna agresive e nëndheshme shumë vjeçare e pandërprerë dhe tashmë e sofistikuar e shfrytëzuesve amerikanë ndaj komunizmit në tërësi e veçanërisht në Shqipëri. Amerika,(në shumë aspekte edhe Europa plakë e stërlodhur prej luksit, refugjatërisë, makutërisë së manjakëve të mafjes e masonerisë dhe kërcënimit real serioz të Rusisë), nuk janë aspak të kënaqur me arritjet e luftës kundër komunizmit. Më shkoqitur: atyre iu intereson që kohezioni kombëtar shqiptar të shkërmoqet sa më shumë. Mjerani deputeti Enkelejd Alibeaj, me tërë ato nivele “shkencore” sa poshtë ka rënë,që arrin të besojë se do të dekomunistizojë shoqërinë shqiptare!?