Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit 1964. Ai ishte pinjoll i një familje atdhetare, pasardhës i trungut të Tushë Selmanit, bashkëluftëtar i Azem Galicës, i njohur për trimëri në gjithë Drenicën, po ashtu i vrarë në luftë me serbët, madje pseudonimin gjatë luftës, me shumë krenari, Ilmiu e ka mbajtur “Tusha”.
Prindërit Sadri dhe Shemsie Aliu, lindën, edukuan dhe rriten shtatë fëmijë: Ilmiun, Avniun, Shehrijen, Afrimin, Sadatin, Resmijen dhe Bujarin. Meqë Ilmiu ishte fëmija i parë i prindërve, ai u dallua dhe u veçua çdoherë për zgjuarsi, urti dhe mbi të gjitha ishte punëtor.
Kontaktet e para me ilegalen patriotike, ai i kishte në fillim të viteve të 90-ta. Bashkëveprimtari i tij i parë ishte vetë dëshmori i kombit dhe bashkëvendësi i tij, Zaim Bajrami, i cili po ashtu gjatë luftës çlirimtare ka dhënën një kontribut të jashtëzakonshëm, si anëtar i organizatës së atëhershme Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar. I frymëzuar nga ideali i lirisë, Ilmiu ishte rreshtuar me shumë vendosmëri në këtë organizatë politiko-ushtarake, ku qëllim kryesor kishte krijimin një ushtrie shqiptare në Kosovë, e cila do t’i dilte në mbrojtje popullit të robëruar e që më vonë kulmoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Aktivitetit të tij atdhetar, shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë dhe në pabesi e arrestojnë dhe e burgosin në vitin 1996, me akuzën për veprimtari atdhetare dhe armëmbajtje pa leje. Atë e mbajnë në burgun e Smrekovnicës për tre muaj dhe më pas e lirojnë. Gjatë kësaj kohe, ai është keqtrajtuar brutalisht në burg, por asnjë fjalë e vetme nuk është nxjerrë nga ai për shokët e ilegales. Pas lirimit, Ilmiu menjëherë e vazhdon veprimtarinë atdhetare, por tani me intensitet më të shtuar, sepse lufta ishte gati të fillonte.
Ilmiu ishte pjesëmarrës dhe krah i të pathyeshmit, gjeneralit, Abedin Rexha- Sandokanit, në betejën e parë të njohur në mes të UÇK-së dhe forcave policore serbe në fshatin, Vajnik. Ishte pjesëmarrës i betejës së parë triumfuese, që paralajmëronte fitoren e gjithë luftës çlirimtare. Ai ishte vendosur në pikën e fshatit, Izbicë, pjesë e Batalionit të Tretë të Brigadës 112 “Arben Haliti“, të cilën e komandonte profesor, Anvi Aliu.
Bashkëluftëtarët e tij më të afërt kanë qenë Zaim Bajrami, Ajet Beqiri, Enver Bajra, Afrim Behrami, Xhevdet Dobrani, Ismet Osmani, që të gjithë të rënë në altarin e lirisë. Ilmiu ka marrë pjesë edhe në betejën e 18 majit 1998, në Kodër të Flamurit, në fshatin Çitak, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e drejtuar nga Sandokani, i ka shkaktuar humbje të madhe forcave serbe, pastaj në betejën e Belicës, Llaushës dhe të Jashanicës.
Ndërsa, vera e atij viti, Ilmiun e gjen në Shqipëri, ku kishte shkuar me shumë bashkëluftëtarë për t’u stërvitur për luftime më të ashpra dhe për t’u furnizuar me armë, sepse ndjehej dukshëm nevoja për më shumë municion në radhët e trimave të Drenicës. Por, me t’u kthyer në Kosovë, në malet e Pashtrikut, ata hasin në prit të forcave serbe, por zgjuarsia, trimëria e bënë të vetën. Ata e qajnë rrethin pa u plagosur asnjëri prej tyre, por njëkohësisht duke i shkaktuar humbje të madhe forcave armike. Për angazhimin e jashtëzakonshëm në radhët e luftëtarëve, ai ishte graduar në radhët e Policisë Ushtarake të UÇK-së, ku mund të sistemoheshin vetëm më të dalluarit dhe më të disiplinuarit.
Ai ra dëshmor, për të mos vdekur kurrë, më 5 nëntor të vitit 1998, në fshatin Jashanicë, në ditën kur në luftimet me forcat serbe, ra dëshmor edhe luftëtari Sejdi Shala nga Kopiliqi. Ndërsa, Ilmiu me disa bashkëluftëtarë ishin nisur sikur vetëtima për t’iu dalë në ndihmë bashkëluftëtarëve që po bënin rezistencë në Jashanicë, dhe nga pas, nga breshëria e plumbave të armikut, bie në altarin e lirisë lulëtari, Ilmi Aliu, si dhe marrin plagë lirie luftëtarët Naser Aliu nga Izbica dhe Naser Haliti nga Ozdrimi, të cilët me gjithë plagët që u kullonin gjak, në veturën e tyre të bërë shosh nga plumbat e armikut, arrijnë ta tërheqin trupin e Ilmiut deri në Turiçec, duke mos e lënë as të vdekur në dorën e armikut.
Varrimi i tij u bë të nesërmen, më 6 nëntor në vendlindjen e tij. ”Si të mos ishin krenarë familjarët e Ilmiut, që atë ditë po e përcillnin në pavdekësi birin e tyre, për të cilin, me kolonën e pafund të të ushtarëve bashkëluftëtarë nga Drenica, me kolonën e pafund të njerëzve që kishin ardhur për ta nderuar rënien heroike të Ilmiut, nuk i ndali as rrebeshi i shiut që binte pa pushuar e që përzier me lotët e të pranishmëve, teksa e mbante fjalimin lamtumirës komandanti i Batalionit Avni Aliu. Hakmarrja vërehej në sytë e të gjithë bashkëluftëtarëve. Skuadra e nderit bëhej gati për të shtëna që njëherësh ishin edhe të shtëna kushtrimi për vazhdimin e luftës deri në fitore dhe për ta goditur thellë robërinë shekullore”, thotë ndër të tjera, profesor Agim Çelaj në një shkrim të botuar në revistën “Shkëndijat e Drenicës”, kryeredaktor i së cilës ishte profesor, Xhavit Aliu.
Në ditën e rënies, pushkën e tij e mori babi i tij, Sadriu, i cili e vazhdoi luftën e nisur nga Ilmiu deri në çlirimin përfundimtar të vendit. Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, pas vetes ka lënë bashkëshorten, Ajmanen dhe fëmijët Mimozën, Begën, Shqipdonin, Hajrijen, Edonën dhe Eronën. Ai ka qenë i qetë, i afërt dhe me shpirt liridashës. Pasioni i tij ka qenë sporti. Familja Aliu, pas luftës, ka marrë mirënjohje nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Shtabi i Përgjigjëm i UÇK-së, Komisioni Qeveritar dhe Komuna e Skenderajt. Ndërsa, në shënim të ditëve të Epopesë së UÇK-së, në vitin 2017, kryetari i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi e ka dekoruar dëshmorin e kombit, Ilmi Aliun, me Urdhrin “Hero i Kombit”. Familja i ka ngritur një lapidar në vendin e rënies në Jashanicë, ndërsa emri i tij është i shkruar edhe në pllakën e të gjithë të rënëve në Kompleksin Memorial në Izbicë. Si shenjë kujtimi, familja e tij e ruan uniformën ushtarake dhe armën e tij, me të cilën ra duke luftuar. (L.D.)