Imer Shala u lind me 2 shtator të vitit 1971 në fshatin Çikatovë e Re, e komunës së Drenasit. Për shkaqe ekzistenciale, familja e tij shumë anëtarësh, në vitin 1976 nga Çikatova vendoset në fshatin Miradi e Epërme të Fushë Kosovës. Imeri Shkollën fillore e kreu më fshatin Miradi. Për shkak të një zënke me pasoja, që Imeri dhe familja e tij pati me një serb vendor, edhe pse i mitur u arrestua dhe më pas u dënua pesë vjet burg, i akuzuar se ka bërë përpjekje për shpërnguljen e dhunshme të serbit nga Kosova.
Në vend se të kryente shkollën e mesme sikur bashkëmoshatarët e tij, Imer Shala qysh i ri do të kalitet nëpër burgjet e pushtuesit, duke parë për së afërmi dhe duke përjetuar mbi kurriz dhunën që regjimi okupator ushtronte kundër shqiptarëve liridashës.
Pas lirimit nga burgu, për shkak të qëndrimit të tij të pathyeshëm dhe akuzave që i kishte bërë serbi Nikola Kesiq, Imer Shala, në vitin 1996 sërish arrestohet dhe dënohet edhe një vit e 7 muaj burg. Pas daljes nga burgu, së bashku me vëllain binjak, Xhaferin, shkojnë në Gostivar të ish – RJ të Maqedonisë, me qëllim për të zënë punë dhe për t’u larguar një kohë, meqë ishte në shënjestër të policisë serbe.
Imeri dhe Xhaferi atje kryejnë punë të ndryshme fizike rreth tri vjet. Në fillim të vitit 1998, Imer Shala së bashku me vëllain, Xhaferin kthehen nga Maqedonia në Kosovë. Sapo kthehet fillon të hulumtojë rrethanat, për të vënë kontakte me luftëtarët e lirisë. Në pranverë të po atij viti, inkuadrohet në radhët e UÇK-së, ndërsa në korrik të viti 1998, së bashku me qindra bashkëluftëtarë shkon në Shqipëri për të marrë armatim dhe municion. Në Shqipëri ka qëndruar për një kohë të shkurtër. Gjatë kthimit nga Shqipëria, Imer Shala me bashkëluftëtarë bien në pritë të forcave serbe, të cilat kontrollonin kufirin që e ndante Kosovën me Shqipërinë. Pas tërheqjes së Imerit dhe të disa luftëtarëve nga vendi ku ishin zhvilluar luftimet, forcat serbe depërtojnë në vendin e luftimeve dhe mes tjerash gjejnë edhe letërnjoftimin e Imerit. Ata e publikojnë lajmin për vrasjen e Imer Shalës, duke konstatuar se Imer Shala me shumë luftëtarë të tjerë, ishte vrarë në kufi. Imeri asokohe kthehet sërish në Shqipëri dhe pa vonuar sërish hyn në Kosovë. Në qershor të vitit 1998 sistemohet në Shtabin lokal të Kleçkës. Duke qenë se luftëtarët e lirisë kishin zënë pozicionet në Llapushnik dhe në Caralevë, Imer Shala me disa luftëtarë, bëjnë tutje drejt pikave të reja ku po zgjerohej me shpejtësi lufta për çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe.
Në korrik të vitit 1998, Imer Shala sistemohet në pikën ushtarake të fshatit Fushticë e Ulët. Më 23 dhe 24 korrik mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në Fushticë, ndërsa më 25 dhe 26 korrik ishte në mesin e luftëtarëve të cilët për dy ditë rresht luftuan për ta mbrojtur Grykën e Llapushnikut. Pas rënies së Grykës së Llapushnikut, Imer Shala sistemohet në pikën ushtarake të Tërpezës, e cila qe bërë fortesë e pathyeshme për depërtimin e forcave serbe në Rrafshnaltën e Drenicës.
Me rastin e zgjerimit të radhëve në Zonën e Llapit dhe të Shalës, Imeri me disa bashkëluftëtarë që kishin fituar përvojë nëpër frontet e luftës, depërton edhe në ato zona luftarake.
Në shkurt të vitit 1999, Imer Shala kthehet sërish në Drenicë dhe inkuadrohet në radhët e Brigadës 111 “Adem Jashari”, të Zonës Operative të Drenicës. Asokohe caktohet në radhët e njësive speciale “Tigrat e Zinj”, të cilët i komandonte luftëtari i përkushtuar i lirisë, Besim Mala, i mbiquajtur komandant Murrizi. Në muajt shkurt mars prill, Imer Shala merr pjesë në luftimet që u zhvilluan në Likoc, Abri, Baicë, Domanek, Tërdec e shumë fshatra të tjera të Drenicës Qendrore.
Gjatë kohës së luftës Imeri njohu shumë bashkëluftëtarë. Në mesin e tyre ishin: Shoku i tij i më i ngushtë Afrim Shala, i plagosur në luftë, Milaim Shala, po ashtu i plagosur gjatë luftës, Blerim Sahiti, Ilir Sahiti, invalid i luftës, pa këmbë. Në kohën kur u plagos Lutfi Breznica në Baicë të Elshanit, ishte së bashku me Imer Shalën. Në fillim të prillit të vitit 1999, së bashku me shumë luftëtarë të tjerë vihen në mbrojtje të pozicioneve të Abrisë së Drenicës, nga ku ishte evakuar popullata civile.
Më 6 prill 1999, forcat ushtarake dhe policore serbe kishin ndërrnarrë një ofensivë në shkallë të zgjeruar, në relacion: Makermal, Likoc në drejtim të fshatrave Abri e Ulët dhe Abri e Epërme. Gjatë tërë ditës zhvillohen luftime të pandërprera. Atë ditë edhe pas shumë përpjekjeve, forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Abri.
Të nesërmen më 7 prill, forcat ushtarake e policore serbe avansojnë në hyrje të fshatit Abri. Mbështetur në burimet e publikuara asokohe, serbët kanë pësuar humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë lufte. Atë ditë forcat serbe arrijnë të pozicionohen në lagjen Xhemajlaj të Abrisë. Për të mos lejuar depërtimin e mëtejmë të forcave serbe Xhevat Demaku, Imer Shala e shumë luftëtarë të tjerë rrethojnë forcat policore serbe, të cilat kishin hyrë në shtëpinë e Hajdar Xhemajlit. Xhevati, kishte parë trupat e serbëve të shtrirë për dhe. Kishte menduar se ishin të vrarë. Njëri nga ata, i cili ishte plagosur merr në shënjestër dhe e godet Xhevat Demakun, i cili bie në altarin e lirisë. Imer Shala, bie në përpjekje për ta tërhequr trupin e bashkëluftëtarit Xhevat Shala. Atë ditë, derisa luftimet po zhvilloheshin fyt për fyt, plagosën rëndë edhe: Besim Vrellaku, Driton Rama, Xheladin Xhemajli e të tjerë.
Duke qenë se tërheqja rrezikonte jetën e shumë ushtarëve, komandant Jahir Demaku, vëllai i Xhevat Demakut, urdhëron ushtarët të tërhiqen. Ndërkohë pasi serbët marrin të vrarët e të plagosurit dhe tërhiqen nga ai vend, edhe bashkëluftëtarët arrijnë të tërheqin trupat e Imer Shalës, e të Xhevat Demakut. Bashkëluftëtarët e tyre i varrosin me nderime në fshatin Abri e Epërme.
Pas luftës dhe përzënies së forcave okupatore serbe nga Kosova, familja e Imer Shalës mori mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga instanca të tjera organizative. Në shkollën fillore të fshatit Miradi e Epërme është ngritur një lapidar për dëshmorin e kombit Imer Shala, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi çlirimit të Kosovës.
Imeri nuk ka qenë i martuar. Ai ka lënë nënën, Hasime Haxhaj Nga Abria, babanë, Sadikun, vëllezërit: Hysniun, Elmiun, Fehmiun, Xhaferin, si dhe motrat: Sevdien e Shefkien. Në FushëKosovë një rruge i është dhënë emri i dëshmorit Imer Shala. (A. Q.)