Imri Pajazit Curri u lind në vitin 1971 në Han të Elezit. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa të mesmen në Kaçanik. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai do të punojë në NT “Besa” në Han të Elezit, duke i ndihmuar familjes së tij, por krismat e pushkëve të lirisë, në Drenicë, Kaçanik e gjithkund tjetër, kishin ngacmuar edhe shpirtin e Imriut çlirimtar i cili ëndërronte uniformën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtri e cila kishte marrë guximin që me armë t’i përgjigjej pushtuesit shumëfish më të madh.
Dhuna e vazhdueshme që ushtrohej mbi popullin shqiptar nga pushtuesi serb, betejat e zhvilluara të UÇK-së gjatë vitit 1998 dhe pritja e pranverës së përgjakshme e vitit 1999, bënë që Imri Curri fillimisht të kontaktojë me pronarin e NT “Besa”, të cilit ia shfaq qëndrimin e tij se ai do të kyçet në radhët e UÇK-së, por me një kërkesë ndaj pronarit, që në vendin e tij të punës t’ia punësojë vëllain- Ylberin, pasi që as kë nuk kishte në marrëdhënie pune. Pronari i “Besës” ia plotësoi dëshirën Imriut, duke i mbetur besnik deri në vdekjen e Ylberit nga kanceri, në vitin 2011. I frymëzuar nga lufta e Drenicës dhe nga lufta në viset e tjera të Kosovës, Imriu shkoi në Shqipëri për t’iu bashkuar njësiteve të atjeshme të UÇK-së dhe për të hyrë me armatim në Kosovë. Bashkëluftëtarët e Imriut ishin: Bafti Hasallari, Nazmi Kalisi e Halit Luri. Me këta bashkëluftëtarë më 18 janar 1999, së bashku kalojnë ilegalisht kufirin dhe dalin në Maqedoni, me ndihmën e veprimtarëve kalojnë në Shkup për të kaluar të nesërmen në Dibër, ku edhe arrijnë të futen në Shqipëri. Në Tiranë ata takojnë Jahush Shkretën, Mehmet Ballazhin, Zekerija Shkretën, Menduh Bravën, Xhemil Bravën e disa të tjerë. Të nesërmen nisen për në Vlanë, ku atje takohen me bashkëluftëtarë të tjerë nga Hani i Elezit si Mehmedali Ballazhin, Avni Shitin, Vehbi Micin e të tjerë. Më 22 janar 1999 Imri Curri rreshtohet në radhët e UÇK-së, duke u pajisur me uniformën e shumëpritur.
Fillimisht si ushtar i ri bënte roje, duke zbatuar me përpikëri urdhrat e eprorëve, ku pas pak ditësh në këtë qendër stërvitore numri i ushtarëve të Hanit të Elezit arrin afër 50, ndërsa në anën tjetër në pikën luftarake të Puseve të Nikës, radhët e Batalionit të Tretë, çdo ditë shtoheshin e sidomos gjatë kësaj periudhe me rëndësi më të madhe iu dha furnizimit me armë dhe municion. Pas stërvitjeve disamuajshe në Shqipëri, së bashku me bashkëluftëtarët e tjerë fillojnë të depërtojnë në Kosovë. Gjatë thyerjes së kufirit, në Koshare, ku u zhvillua një luftë e rreptë Imri Curri mori pjesë në këtë luftë dhe ra në krye të detyrës. Luftimet aty zgjatën më shumë se 36 orë pandërprerë, gjatë këtyre luftimeve bie dëshmor Abush Loku nga fshati Kotlinë dhe shumë ushtarë të tjerë.
Imri Curri e dinte se vendlindja e tij mbrohej edhe në Koshare, sepse kur të theheshin forcat serbe në kufi, më lehtë do të shpartalloheshin edhe në Han të Elezit edhe në Kaçanik. Ai nuk do të kursejë asgjë nga mundi i tij që ky kufi i padrejtë, që pushtuesi vendosi në mes shqiptarëve, të shkatërrohej. Nëpër këto beteja ushtarët e UÇK-së arrijnë që të marrin karakollin ushtarak serb te Rrasa e Zogut dhe për shtatë ditë me radhë arrijnë që edhe më tepër të zgjerojnë atë. Forcat serbe për t’i rikthyer territoret e humbura, më 17 prill 1999 ndërmarrin një ofensivë të fuqishme dhe në këto luftime ballë për ballë me armikun bie në krye të detyrës edhe ushtari i lirisë, Imri Curri.
Duke mbrojtur kazermën në Rrasën e Zogut, në këtë luftë të lavdishme, përveç Imri Currit bie dëshmor edhe Zekri Dardhishta nga Kërbliqi i Kaçanikut, me vendbanim të përhershëm në Shkup, si dhe në këtë betejë të rëndë plagoset ushtari i lirisë, Bafti Hasallari dhe Sadik Brava, të cilët dërgohen në spitalin e qytetit të Bajram Currit për t’i përcjellur më pastaj tek spitali i Tiranës. Pas rënies heroike Imri Curri varroset me nderime ushtarake në varrezat e qytetit të Bajram Currit dhe zhvarrimin e tij e ka bërë Komanda e Brigadës së Pashtrikut.
Rivarrimi i dëshmorit Imri Curri bëhet me nderime ushtarake dhe varroset, krahas dëshmorëve të tjerë, në Varrezat e Dëshmorëve në Puset e Nikës të Hanit të Elezit, më 29 gusht 1999, ku popullata e kësaj ane më vonë ngriti një lapidar për të gjithë dëshmorët e kësaj ane. Dëshmori Imri Curri pas vetes ka lënë nënë, Xhevrijen, dy vëllezërit e tij Hazbiun dhe Ylberin, si dhe motrat Ylfeten, Nakijen, Nebahaten dhe Suzanën. Pas lufte, për dëshmorin Imri Curri, qeveria e përkohshme e Kosovës dhe SHP i UÇK-së kanë dhënë mirënjohje. Mirënjohje për kontributin e tij i ka dhënë edhe Komanda e Zonës së 6-të e TMK-së, Kuvendi Komunal i Kaçanikut, si dhe Batalioni 36 i xhenios i TMK-së, në përvjetorin e rënies së tij. Në shtypin ditor ka pasur shkrime për jetën dhe veprën e tij. Më 20 korrik të vitit 2010, Kuvendi Komunal i Hanit të Elezit merr vendim që Shtëpia e Kulturës në Han të Elezit të emërohet me emrin e tij. Vepra e tij do të jetë shembull për shumë breza se si duhet të mbrohet atdheu dhe liria, kur ajo rrezikohet. Ai u bë pjesë e historisë më të re kombëtare. (H. K. )
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …