Infektologët në vend thonë se ndonëse ka filluar vaksinimi masiv, ende mbetet numër shumë i vogël i të vaksinuarve. Megjithëkëtë ata paralajmërojnë një valë të re gjatë muajve shtator e tetor, por që intensiteti i infeksionit do të jetë shumë më i ulët se ky që po mbetet pas. Ndonëse po cilësohet nga ekspertë shëndetësorë që vaksina kundër Covid-19 është vonuar në vendin tonë, ata po bëjnë thirrje për vaksinim, kurdo që t’iu jepet mundësia. Infektologu Ilir Tolaj në një bisedë për Radio Kosovën, tha se shembulli i Anglisë me variantin Delta të Koronavirusit, po tregon që po infektohen vetëm ata që nuk janë vaksinuar dhe ata që nuk e kanë kaluar infeksionin me Covid-19. Sipas infektologut Tolaj, tashmë në Kosovë mbi 60 për qind e qytetarëve, e kanë kaluar infeksionin me Covid 19. Tolaj nuk e përjashton mundësinë e një vale të re të koronavirusit pas pushimeve verore, por që ai parasheh të jetë i intensitetit shumë më të ulët. Ndryshe, imunizimi masiv ka nisur më 14 qershor.
