Inspektorati konfiskoi goma që përdoren në furrat e gëlqeres

 Sot është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve në Komunën e Malishevës, i udhëhequr nga Kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj. Në këtë mbledhje, drejtorët e drejtorive, kanë raportuar për aktivitetet gjatë javës së kaluar dhe planifikimet për javën në vijim. Në këtë mbledhje u bë e ditur, se gjatë javës së kaluar, inspektorët komunal, kanë konfiskuar një sasi të madhe të gomave, në njërën nga furrat për përfitimin e gëlqeres.

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit, Fadil Shala, inspektorët komunal, në bashkëpunim me organet tjera, kanë konfiskuar rreth 500 goma të vjetra, në njërën prej furrave për përfitim të gëlqeres, në fshatin Guncat. Pronarët e këtyre furrave, në shumë raste përdorin goma të vjetra, gjë e cila është e ndaluar, për shkak të ndotjes së ambientit.

Përndryshe, në mbledhjen e sotme, u tha se janë duke vazhduar me realizimin e projekteve në infrastrukturën e përgjithshme, si në shkolla, rrugë, kanalizime dhe projekte tjera, me rëndësi për banorët e Komunës së Malishevës, ndërsa shumë shpejt pritet të bëhet edhe pranimi i mbi njëzet projekteve të realizuara.

Po ashtu, u raportua edhe për situatën epidemiologjike, ku u tha se po vazhdojnë me fushatat sensibilizuese dhe vetëdijesuese kundër EHKK, pastaj repelimi i kafshëve dhe dezinsektimi selektiv i zonave endemike, dhe se situata është normale, dhe pavarësisht prej rasteve të thumbimeve nga rriqrat, nuk ka raste të infektimit.

Në këtë mbledhje, gjithashtu u tha se në shkollat e komunës së Malishevës, kanë filluar garat sportive të cilat organizohen në bashkëpunim me shoqatën e pedagogëve sportiv, pastaj kanë filluar  përgatitjet për testet e fundvitit shkollor, kurse në fushën e sportit, u tha se ekipet garuese në ligat e Kosovës, po vazhdojnë në rezultate të mira, sidomos në shah dhe hendboll.

Ndërsa drejtoria e shërbimeve publike, bëri të ditur, se janë duke vazhduar me implementimin e projektit të gjelbërimit, ku janë duke u gjelbëruar disa nga hapësirat publike.

Sot në mbledhjen e rregullt të Këshillit të drejtorëve, u prezantuan edhe dy ndryshimet në qeverinë komunale, ku drejtor i administratës, është emëruar Hajrullah Mazreku, ish drejtor për bujqësi, ndërsa drejtor për bujqësi, është emëruar Haxhi Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …