Inspektorati Policor i Kosovës bashkë me Prokurorinë Speciale, të mbështetur edhe nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, sot në mëngjes kanë ndërmarrë një operacion, kundër zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion. Operacioni po zhvillohet në disa rajone të Kosovës, kryesisht zyrtarë të policisë kufitare, si dhe disa zyrtarë doganorë. Në këtë operacion deri tani janë arrestuar 50 të pandehur, si dhe gjithë zyrtarët policorë që ishin në ndërrim në Stacionin e Policisë Kufitare në Gjakovë. Përveç Gjakovës, operacioni është duke vazhduar edhe në rajonin e Prizrenit. Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim i më hershëm me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “Marrje e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”.
