Instituti GAP publikoi raportin, “Barazia në letër, jo në praktikë: (mos) përdorimi i të dhënave të ndara sipas gjinisë në politikbërje

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Barazia në letër, jo në praktikë: (mos) përdorimi i të dhënave të ndara sipas gjinisë në politikbërje”. Një nga përparësitë kryesore nga ndarja e të dhënave sipas gjinisë është se ato ndihmojnë në identifikimin e dallimeve strukturore mes burrave dhe grave, si dhe në evidentimin e sfidave unike me të cilat gratë përballen në vendimmarrje si dhe fusha si arsimi, punësimi, shëndetësia. Ky raport ka identifikuar hendekun dhe sfidat në zbatimin e ndarjes së të dhënave sipas gjinisë dhe përdorimin e tyre në të gjitha fazat e politikbërjes në Kosovë. Përkundër përpjekjeve për përdorimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë, ato shpesh nuk përdoren në mënyrë efektive për të ndikuar në përmirësimin e politikave publike.

 Gjetjet e këtij raporti tregojnë se disa institucione të nivelit qendror si Ministria e Drejtësisë apo ajo e Punëve të Brendshme ofrojnë më shumë të dhëna të ndara sipas gjinisë. Shembull i këtyre të dhënave janë: numri i të punësuarve në këto institucione, përfituesit e ndihmës juridike, rastet e dhunës në familje, apo numri i personave që posedojnë dokumente zyrtare dhe të dhëna rreth migrimit, mes tjerash. Ndërkohë, disa institucione, si Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria për Komunitete dhe Kthim, apo ajo e Zhvillimit Rajonal nuk publikojnë fare të dhëna të ndara sipas gjinisë. Këto dallime mes ministrive nxjerrin në pah nevojën për standardizim të raportimit gjinor në të gjitha institucionet publike.

Mungesa e të dhënave të ndara sipas gjinisë është e dukshme edhe në dokumentet buxhetore të institucioneve publike, përfshirë dokumentet përcjellëse për Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2025. Të dhënat e vetme të cilat ndahen sipas gjinisë dhe publikohen në uebfaqet e komunave janë të dhënat të cilat dërgohen me kërkesat për buxhet si pjesë e shtojcës për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGj). Kjo shtojcë është publikuar nga vetëm 32% e komunave për vitin 2024, ndërsa në nivel qendror, nuk është bërë publike nga asnjë institucion. Po ashtu, ndërmarrjet publike nuk publikojnë të dhëna gjinore, përveç pjesëmarrjes në borde dhe menaxhment. Tutje, vetëm 11% e institucioneve qeveritare në nivel qendror dhe 30.5% e institucioneve të pavarura në Kosovë publikojnë të dhëna të ndara sipas gjinisë në raportet e tyre vjetore.

Edhe pse Ligji për Barazi Gjinore parasheh ndëshkime për institucionet publike të cilat nuk mbledhin, përpunojnë dhe dorëzojnë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës  (ASK) të dhënat e ndara sipas gjinisë, deri sot nuk është evidentuar ndonjë ankesë për këtë çështje. Për më tepër, Kosova ende nuk ka një Indeks të Barazisë Gjinore sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Andaj, Instituti GAP rekomandon që institucionet publike të krijojnë, mirëmbajnë dhe publikojnë sistematikisht të dhëna të ndara sipas gjinisë, si pjesë e vlerësimeve të ndikimit gjinor për të gjitha politikat publike. Instituti GAP gjithashtu rekomandon që ASK, në bashkëpunim me institucionet tjera, të draftojë dhe publikojë Indeksin e Barazisë Gjinore. Për më shumë, të shqiptohen ndëshkime ndaj institucioneve që nuk respektojnë obligimet për mbledhjen, përpunimin dhe dorëzimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë në ASK.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon ashpër presionin e paprecedent që po ushtrohet nga qeveria mbi organet e Drejtësisë, Gjyqësorit dhe Prokurorisë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon ashpër presionin e paprecedent që po ushtrohet nga qeveria …