Instituti GAP publikoi raportin “Çfarë parasheh baza e re ligjore e pushtetit lokal në Kosovë?”. Instituti GAP përmes këtij raporti ka analizuar ndryshimet e propozuara ligjore në fushën e pushtetit lokal dhe përfitimet që do t’i mund t’i kenë komunat. Në këtë raport janë analizuar tri projektligje: Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për vetëqeverisje lokale, Projektligji për financat e pushtetit lokal, dhe Projektligji për menaxhimin e performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë.
Deri në fund të muajit korrik 2022, vetëm Projektligji për menaxhimin e performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë ka marrë miratimin e plotë në Kuvendin e Kosovës. Projektligji për vetëqeverisje lokale ka kaluar leximin e parë në Kuvend, ndërsa Projektligji për financat e pushtetit lokal nuk është miratuar ende as nga Qeveria, ndonëse për të janë përmbyllur procedurat e konsultimit publik në shtator të vitit 2021.
Me ndryshimet e propozuara në Ligjin për financat e pushtetit lokal, komunat përveç të hyrave vetanake, grantit të përgjithshëm, atij për arsim dhe shëndetësi, do t’i kenë edhe tri grante të reja, granti për projekte kapitale, grantin për shërbime sociale dhe grantin e jashtëzakonshëm. Në vazhdimësi, ministritë e ndryshme, kanë planifikuar dhe ndarë buxhet për komuna, ku është krijuar pabarazi në ndarjen e buxhetit mes komunave, siç tregojnë edhe gjetjet e raporteve të Institutit GAP. Granti për projekte kapitale në vitin e parë do të ndahet 20% e vlerës së grantit të përgjithshëm (45 milionë euro), në vitin e dytë 30% (mbi 73 milionë euro) dhe në vitin e tretë jo më pak se 40% (104 milionë euro).
Përveç këtyre granteve, në Projektligjin për menaxhimin e performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë është paraparë edhe granti i performancës komunale, vlera e të cilit do të jetë 2.5% e vlerës së grantit të përgjithshëm.
Nëse aprovohen plotësimet sipas Projektligjit për vetëqeverisje lokale, parashihen ndryshime të mëdha sa i përket rolit të nënkryetarëve të komunave, shqyrtimit administrativ të akteve, procedurave që qytetarët të inicojnë vendim ose rregullore komunale, si dhe është zgjeruar për një pikë te neni që tregon se në cilat raste kuvendi komunal shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Raportin e plotë mund ta gjeni bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar KËTU.