Instituti GAP publikoi raportin: Reformimi i Skemës së Ndihmës Sociale

Sot, Instituti GAP publikoi raportin “Reformimi i Skemës së Ndihmës Sociale” ku janë analizuar problemet aktuale me Skemën e Ndihmës Sociale (SNS), historiku i përpjekjeve për reformimin e kësaj skeme, marrëveshja financiare në mes të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe Bankës Botërore (BB), si dhe lëshimet në vlerësimin e ndikimit financiar.

Kriza shëndetësore e shkaktuar nga pandemia Covid-19 dhe rritja e çmimeve të konsumit ka bërë që niveli i varfërisë të rritet viteve të fundit në Kosovë. Problemet në SNS ishin shfaqur shumë kohë para pandemisë, si: vlera mujore e ndihmës sociale nuk është përshtatur me çmimet ashtu siç parashihet me ligj; shumat e kompensimit mujor janë më të ulëta edhe se kufiri i varfërisë; sistemi i mbrojtjes sociale karakterizohet me mospërputhje dhe pabarazi në mes të skemave në aspektin e mjaftueshmërisë së përfitimeve materiale. Bazuar në këtë, Qeveria e Kosovës kërkoi nga BB kredi për reformën e ndihmës sociale e cila përfshinë mbështetje financiare nga BB prej 47 milionë euro, e dhënë në formë të kredisë me interes të ulët dhe me afat kthimi prej 30 vitesh. Sipas përllogaritjeve, deri në vitin 2051, Kosova duhet t’i kthejë 8.8 milionë euro interes, apo gjithsej 55.8 milionë euro.

Përmes këtij projekti, BB mbështet Qeverinë e Kosovës për (a) reformimin e Skemës së Ndihmës Sociale; (b) investime në sistemin e ndarjes të ndihmës sociale; dhe (c) rritjen e shumës së ndihmës sociale për të zbutur efektet e pandemisë Covid-19. Mirëpo, kredia përfshin edhe transfere sociale (rreth 43 milionë euro) tek familjet përfituese dhe ky fakt ka bërë që ratifikimi i marrëveshjes të dështojë dy herë në Kuvendin e Kosovës.

Instituti GAP vlerëson se marrja e 47 milionë eurove kredi për të paguar një pjesë të transfereve për familjet që janë pjesë e Skemës është e panevojshme financiarisht dhe mund të shërbejë si precedent jo i mirë edhe në të ardhmen. Andaj, Instituti GAP rekomandon që Qeveria të heq dorë nga insistimi për të ratifikuar marrëveshjen e kredisë me BB, ose ta ndryshojë atë duke marr kredi dhe ekspertizë vetëm për asistencë teknike që lidhet direkt me reformën dhe jo transfere sociale. Në të kundërtën, kjo mund të shndërrohet në praktikë të dëmshme në të ardhmen, duke marrë parasysh presionet buxhetore si pasojë e rritjes së buxhetit për skemat sociale dhe kërkesat për rritjen e pagave.

Raportin e plotë mund ta gjeni të bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar këtu.

Kontrolloni gjithashtu

Arrestohet një i dyshuar për dhënie ryshfeti

Më 8 nëntor 2024, zyrtarët e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë,  gjatë një …