Instituti GAP publikon raportin hulumtues të titulluar “Mundësitë e rrjetëzimit për bizneset e grave dhe pakicave etnike në Kosovë”,

Instituti GAP publikon raportin hulumtues të titulluar “Mundësitë e rrjetëzimit për bizneset e grave dhe pakicave etnike në Kosovë”, mbështetur nga USAID përmes Aktivitetit Zhvillimi Gjithëpërfshirës Ekonomik, të zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF). Ky publikim ofron një analizë të praktikave të rrjetëzimit të bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme në pronësi të grave dhe në pronësi të pakicave etnike në Kosovë, duke nxjerrë njohuri nga intervistat me pronaret/ët e këtyre bizneseve dhe analizat e odave ekonomike dhe shoqatave të biznesit.

Gjetjet e raportit tregojnë se shumica e bizneseve në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë e njohin rëndësinë e angazhimit në aktivitete rrjetëzimi. Megjithatë, tarifat e larta të anëtarësisë përbëjnë pengesë të theksuar. Tarifa mesatare vjetore e anëtarësisë është mesatarisht 1,233 euro në odat ekonomike dhe 368 euro në shoqatat e tjera të biznesit. Këto tarifa janë të larta për shumë biznese mikro dhe të vogla në pronësi të grave dhe në pronësi të pakicave etnike, duke i penguar ato të kenë qasje në mundësi të vlefshme rrjetëzimi. Bizneset të cilat paguajnë tarifa më të larta anëtarësie raportojnë përfitime të konsiderueshme, veçanërisht në rrjetëzim mes bizneseve.

Pavarësisht përpjekjeve të shoqatave të bizneseve për të promovuar përfshirjen gjinore, bizneset në pronësi të grave mbeten të nën-përfaqësuara në shumicën e rrjeteve të bizneseve, duke përbërë më pak se 10% të anëtarëve në odat ekonomike dhe më pak se 20% në shoqatat e tjera të biznesit.

Instituti GAP propozon subvencionimin e tarifave të anëtarësisë për bizneset në pronësi të grave dhe të pakicave etnike nga Qeveria e Kosovës, donatorët apo shoqatat e bizneseve; zbatimin e masave afirmative për t’i mbështetur këto biznese për të rritur pjesëmarrjen e tyre në shoqatat e bizneseve dhe për të siguruar mundësi më përfshirëse për rrjetëzim; si dhe organizimin e panaireve dhe ngjarjeve si takimet “Biznes-me-Biznes” (B2B) për të promovuar një mjedis biznesi më përfshirës dhe më të qëndrueshëm.

Raporti i Institutit GAP thekson nevojën për rritjen e përfaqësimit të ndërmarrësve gra dhe nga pakicat etnike brenda odave ekonomike dhe shoqatave të biznesit, pasi kjo do të kontribuonte në një ambient më të barabartë dhe gjithëpërfshirës.

Raportin e plotë mund ta gjeni bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar KËTU.

Sinqerisht,

Instituti GAP

Kontrolloni gjithashtu

Ka ndërruar jetë Lulzim Cara, babai i Heroit të Kosovës, Indrit Cara

Ka ndërruar jetë, Lulzim Cara, babai i Heroit të Kosovës, Indrit Cara. Lulzimi ishte një …