Intervista e “Albanian Post” me dr. Marko Attila Hoare, profesor në Universitetin e Sarajevës

Në një intervistë për Albanian Post, analisti i çështjeve ballkanike, studiuesi dhe historiani britanik, Marko Attila Hoare,   konsideron se përpjekjet e Prokurorisë Speciale për të shpallur Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së një “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale” mund të dështojnë. Por  nuk do të ishte diçka e paimagjinueshme edhe nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi shpallen fajtorë, ngase shtetet perëndimore po tërhiqen  nga politika progresive, duke infektuar edhe punën e Gjykatës Speciale. Gjyqi dhe verdikti i tij ka të ngjarë të ofrojë disa informacione të rëndësishme historike nëse dhe në çfarë mase udhëheqja e UÇK-së ishte e përfshirë në krime lufte. Është e arsyeshme të shtrohet pyetja,  nëse është e përshtatshme që një gjykatë me staf ndërkombëtar me bazë në një vend të huaj të gjykojë shqiptarët e Kosovës, dhe vetëm ata, për luftën e tyre nacional-çlirimtare të zhvilluar në kontekstin e një gjenocidi kundër tyre. Sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, historiani britanik, Marko Attila Hoare, deklaron se përveç shprehjes së dukshme të skepticizmit rreth zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit do t’i sigurojë Serbisë një bazë për të kërkuar diçka më shumë në Kosovë, pasi realisht udhëheqja në Serbi po mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Z.Attilla Disa analistë kanë argumentuar se situata aktuale politike në Kosovë dhe në Serbi nuk është e favorshme për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme. Çfarë vlerësimi keni ju për zhvillimet e fundit në dialog? A mendoni se Marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit është një hap në drejtimin e duhur?

-Dr. Marko Attila Hoare: Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit nuk është një hap në drejtimin e duhur. Perëndimi është kthyer në politikën e gjysmës së parë të viteve 1990, e cila synonte zbutjen e Serbisë, si gjoja shteti më i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, në kurriz të fqinjëve më të dobët. Marrëveshja mund të duket e arsyeshme në letër, por është mjaft e mjegullt për sa i përket angazhimit dhe zbatimit që do të sigurojë një bazë për Serbinë për të kërkuar masa të mëtejshme në dëm të Kosovës, masa që do t’i mbështesin BE-ja dhe SHBA-ja, ndërsa në praktikë ato aspekte të marrëveshjes nuk do të respektohen sepse nuk dëshiron Serbia. Për shembull, Serbia votoi muajin e kaluar kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe përfaqësuesit e BE-së ngurruan për ta dënuar atë për këtë shkelje të marrëveshjes. Ndërkohë, marrëveshja parashikon një bazë për realizimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila do t’i shërbejë qëllimit të Serbisë për të minuar sovranitetin e Kosovës sic e minon sovranitetin Republika Srpska në Bosnje-Hercegovinë. Politika perëndimore nuk është më ajo që ishte pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ishte shumë më proaktive në ndjekje të progresit në Ballkan. As [Aleksandër] Vuçiç nuk është një reformator relativisht i prirur nga Perëndimi, ekuivalent me Zoran Gjingjiç-in apo Boris Tadiç-in. Si në aspektin e politikës perëndimore ashtu edhe të udhëheqjes së Serbisë, sot ndodhemi në një një pozitë shumë më të errët.

 Çfarë duhet të bëjnë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar që të gjitha marrëveshjet të zbatohen me të vërtetë? Çfarë mendoni se duhet të ndodhë për të krijuar kushtet për normalizimin e suksesshëm të marrëdhënieve Kosovë-Serbi?

-Dr. Marko Attila Hoare: Marrëdhëniet nuk do të normalizohen për sa kohë që Serbia mbetet e përkushtuar në minimin dhe zhdukjen e pavarësisë së Kosovës, gjë që do mund të jetë e parashikueshme në të ardhmen. Në këto rrethana, përpjekja drejt normalizimit mbi bazën e lëshimeve të ndërsjella është një detyrë e marrë. BE-ja, SHBA-të dhe Britania e Madhe duhet të punojnë në forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe të heqin dorë nga këmbëngulja për të realizuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ata gjithashtu duhet të punojnë për të rivendosur funksionalitetin shtetëror të Bosnje-Hercegovinës dhe të neutralizojnë Republikën Srpska. Më pas, presioni duhet të vendoset mbi Serbinë që të braktisë irredentizmin dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi, duke përfshirë fundin e ndërhyrjes së saj në punët e tyre të brendshme dhe fillimin e ushtrimit të sovranitetit të tyre.

Ndonjëherë, të krijohet përshtypja se demokracia po këmbehet me një lloj autoritarizmi të butë për hir të stabilitetit. A shihni ju ndonjë shenjë të një ndryshimi eventual të politikës perëndimore ndaj Kosovës dhe Serbisë?

Dr. Marko Attila Hoare: Perëndimi e ka respektuar politikën e zbutjes ndaj Serbisë në kurriz të fqinjëve të saj, të cilën e ndoqi në gjysmën e parë të viteve 1990. Kjo politikë rezultoi në dështim dhe turp atëherë dhe ka të ngjarë të ndodhë e njëjta përsëri. Shtysa më e mundshme për ndryshim do të jetë nëse dhe kur Serbia do të gabojë duke kërkuar shumë (overplays its hand), siç bëri në 1995 me masakrën e Srebrenicës dhe në vitin 1999 me refuzimin e Marrëveshjes së Rambujesë.

Qëllimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe thuhet se është të përfaqësojë interesat kolektive të serbëve etnikë. Në mesin e shqiptarëve është përhapur frika se ky do të bëhet një satelit i Serbisë brenda Kosovës. Si duhet parë ky mekanizëm? A po kërkon Serbia autonomi territoriale në veri të Kosovës – diçka më shumë sesa që garanton Kushtetuta e Kosovës për pakicën serbe?

Dr. Marko Attila Hoare: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet parë si një mjet i Serbisë për destabilizimin e Kosovës, sipas modelit të Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë dhe ish-Republikës Serbe të Krajinës në Kroaci. Çështja nuk është se çfarë duket si një kompromis i drejtë në letër, por se si Serbia do ta përdorë një entitet të tillë në praktikë. Në praktikë, Serbia mbetet e përkushtuar ndaj politikës nacionaliste të rimarrjes së Kosovës dhe çdo autonomi institucionale për serbët në Kosovë do të ndërtohet në atë mënyrë derisa të bëhet një shtet serb-irredentist brenda një shteti, i cili do të përdoret për të përmbysur tërë Kosovën ose, ndoshta, copëtimin e saj.

Të flasim pak për gjyqin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Historianët dhe njohësit e drejtësisë tranzicionale, gjithashtu edhe mediat perëndimore si The Guardian dhe The New York Times kanë vlerësuar se Dhomat e Specializura në Hagë po e rishkruajnë historinë e Kosovës. Si e vlerësoni ju këtë gjyq?

Dr. Marko Attila Hoare: Pretendimi i prokurorisë se lufta e UÇK-së përbënte një “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale” – nëse vërtetohet – do të ndryshonte ndjeshëm perceptimin publik për luftën e Kosovës dhe do të delegjitimonte luftën nacional-çlirimtare të UÇK-së. Megjithatë, dënimi nuk është i paparashikueshëm; prokuroria e ICTY-së dështoi në rastin e ngjashëm kundër të dyshuarve kroatë për Operacionin Stuhia. Në fund të fundit, kur të gjitha procedurat e apelit në gjyqet e mëparshme ndërkombëtare ose hibride të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi u shteruan, me disa vërejtje të vogla, askush nuk mund të thoshte se është dënuar gabimisht dhe se krimet kanë ndodhur gabimisht, kështu që ka arsye për të besuar se prokuroria mund të dështojë. Gjyqi dhe verdikti i tij ka të ngjarë të ofrojë disa informacione të rëndësishme historike nëse dhe në çfarë mase udhëheqja e UÇK-së ishte e përfshirë në krime lufte. Është e arsyeshme të shtrohet pyetja nëse është e përshtatshme që një gjykatë me staf ndërkombëtar me bazë në një vend të huaj të gjykojë shqiptarët e Kosovës, dhe vetëm ata, për luftën e tyre nacional-çlirimtare të zhvilluar në kontekstin e një gjenocidi kundër tyre. Do të ishte e paimagjinueshme sot që të krijohej një gjykatë ndërkombëtare ose hibride për të ndjekur penalisht ukrainasit për luftën me Rusinë, kështu që pse të jetë ndryshe për Kosovën?

Mendoni se UÇK-ja, në kontekstin e luftërave jugosllave (1991-2001), ishte guerilja më e suksesshme në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, e cila rezultoi në krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës?

Dr. Marko Attila Hoare: Sigurisht që ishte e suksesshme dhe ndoshta, pothuajse aq e suksesshme sa mund të kishte qenë, duke pasur parasysh epërsinë dërrmuese ushtarake të armikut serb dhe pamëshirshmërinë e këtij armiku në përpjekjen për të fituar luftën përmes sulmeve ndaj civilëve. Se sa mund të krahasohet me lëvizjet e tjera të suksesshme guerile si Fronti Patriotik i Ruandës ose Fronti Çlirimtar i Popullit Eritreas është ndoshta një pyetje shumë e madhe për t’u trajtuar këtu.

Nëse UÇK-ja shpallet “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, do të thotë kjo se NATO-ja ka ndërhyrë për të ndihmuar një ndërmarrje të tillë kriminale? Ambasadori i SHBA-ve në Beograd, Christopher Hill, i ka kërkuar falje popullit serb në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s. A po synon Perëndimi të minojë suksesin e vet duke ndryshuar narrativën historike?

Dr. Marko Attila Hoare: Në të vërtetë, kjo do të thotë se NATO-ja në vazhdimësi do të shihej fajtore që ndihmoi një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale dhe ne të gjithë duhet të shqetësohemi për këtë mundësi. Perëndimi nuk është një mendje e vetme që ndjek një politikë të vetme koherente; Institucionet që janë pjesë e “Perëndimit” mund të ndjekin logjikën e tyre institucionale të brendshme, për të prodhuar rezultate që nuk priten nga udhëheqësit apo politikëbërësit kryesorë perëndimorë. Por ne po jetojmë në një kohë kur Perëndimi po zmbrapset nga politika progresive që ndoqi në fillim të këtij shekulli, drejt diçkaje më afër stilit të fillim-viteve 1990 dhe politikës konservatore-realiste, dhe në këtë frymë, ne duhet të shqetësohemi për infektimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ballkani ka qenë në qendër të konkurrencës së fuqive të mëdha për shekuj. Rusia ka luajtur prej kohësh një rol udhëheqës, duke mbështetur aleatët e saj sllavë të krishterë dhe ortodoksë në Serbi dhe gjetkë në rajon. Nga çfarë rrezikohet realisht ky rajon?

Dr. Marko Attila Hoare: Ajo që është në rrezik është e një rëndësie të jashtëzakonshme: nëse rajoni, dhe rrjedhimisht Evropa, do të vazhdojë të evoluojë në drejtimin e një familjeje shtetesh-kombe sovrane, liberal-demokratike të bashkuara në organet ndërkombëtare që mbështesin vlerat liberale-demokratike, apo nëse vlerat autoritare dhe regjimet nacionaliste/populiste – sipas modelit të [Vladimir] Putin-it, [Rexhep Taip] Erdogan-it dhe [Viktor] Orban-it – do të bëhen dominuese, në kurriz të shteteve më të cenueshme si Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që Perëndimi duhet të mbrojë këto shtete, siç duhet të mbrojë Ukrainën. Dhe, është gjithashtu e rëndësishme për kosovarët dhe popujt e tjerë të kërcënuar që të mos mbështeten në Perëndim, por të jenë të përgatitur për të mbrojtur veten në rast se Perëndimi dështon përsëri.

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie

Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie: – …