Kryetari ​Thaçi

Intervista e kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçit për gazetën, “Danas”

Të dy presidentët, të Kosovës dhe të Serbisë, javët e fundit kanë filluar të flasin për një demarkacion apo korrigjim të kufirit. Të dy ju keni theksuar se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë e dhimbshme. Megjithatë, opinioni di fare pak për progresin në dialogun tuaj në Bruksel apo madje edhe për kornizën e ndonjë marrëveshjeje të tillë. A mund të na tregoni më shumë për pritjet që keni për marrëveshjen përfundimtare?

Thaçi: Kosova tashmë është një fituese morale dhe politike, sepse njerëzit tanë janë të lirë. Ata jetojnë në një shtet të lirë, të njohur nga pjesa dërrmuese e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Por, ne tani duhet të lëvizim me shpejtësi drejt anëtarësimit tonë në BE, NATO dhe në OKB. Dialogu me Serbinë, bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi janë kushte thelbësore për ta jetësuar këtë qëllim. Nuk po zhvilloj bisedime me Beogradin për shkak të ndonjë nostalgjie. Nuk vuaj nga Jugonostalgjia siç vuajnë disa. As nuk bisedoj me Beogradin se më pëlqen të shpenzoj kohë në korridoret e Brukselit, duke ngrënë sanduiçe të ftohtë deri në orët e vona të mbrëmjes. Jo – por bisedoj me Vuçiqin dhe jam i etur të gjej një zgjidhje, sepse dua ta shoh Kosovën tonë në NATO dhe BE, sa më parë. Do të jem shumë i sinqertë, nuk mendoj se do të anëtarësohemi në këto mekanizma derisa të mos kemi kufi të pazgjidhur mes dy shteteve. Ne duhet të arrijmë një pajtim të plotë për demarkacionin e kufirit, që të mos lejojmë që disa çështje të hapura të shndërrohen në çështje konflikti në të ardhmen. Synimi im nuk është ndonjë ndarje etnike, e as krijim i një “Republika Srpska” të dytë në territorin tonë. Zoti na ruajt! Qëllimi im është vendosja e kufirit prej rreth 400 kilometra, e ky proces kërkon zgjidhje kreative, të cilat do të sigurojnë paqen sot dhe në të ardhmen.

Kohët e fundit se doni t’u ndihmoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i bashkohen Kosovës si pjesë e këtij dialogu? Pse të hapet kjo çështje tani? A mendoni se Beogradi do të lejojë që të japë territor pa marrë diçka substanciale në këmbim?

Thaçi: Lugina e Preshevës, njerëzit e këtyre tri komunave qysh më 1992 kanë shprehur qëllimet e tyre politike. Është e qartë se çdo demarkim i kufirit mes dy shteteve do të ketë rëndësi për këto familje dhe këta qytetarë. Interesat e tyre duhet të respektohen dhe të merren parasysh. Një thënie e vjetër thotë se nëse ka vullnet ka edhe zgjidhje. Besoj se nëse ka vullnet nga lidershipi në Kosovë dhe ai në Serbi për të gjetur zgjidhje kreative, do të gjejmë një mënyrë për t’i akomoduar njerëzit në këto rajone kufitare që të ndihen të qetë, të sigurt dhe me të ardhme ekonomike dhe politike të sigurt. Si serbët në pjesën veriore të Kosovës ashtu edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës më së shumti janë të preokupuar me vendet e punës dhe ekonominë. Kush do të investojë në shtetet tona nëse kemi çështje të hapura të zgjatura për dekada të tëra? Si do t’i parandalojmë të rinjtë t anë të largohen nëse duhet të përballen me diskriminim apo frikë çdo 10 apo 20 vjet?

 A po bisedoni ju dhe Vuçiq me duart tuaja mbi harta, me koordinata të fshatrave dhe kufijve si në Dejton, apo çfarë procesi po ndodh tani?

Thaçi: Pa asnjë dyshim, gjëja e fundit në mendjen time është Dejtoni. Kam shpallur pavarësinë e Kosovës si një republikë sovrane, laike dhe qytetare. Ajo do të mbetet qytetare. Hartat nuk do të përcaktojnë fatin e njerëzve. Njerëzit do të përcaktojnë fatin e hartave. Unë mendoj vetëm për hartat evropiane. Ish-Jugosllavia është shpërbërë dhe janë shtatë shtete që u krijuan nga ky proces i përgjakshëm i cili nisi vetëm në Beograd – kur njerëzit atje filluan të merreshin me harta dhe memorandume. Ky obsesion me harta ka sjellë kaos dhe gjenocid. Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë marrëveshje evropiane. Ajo do të mbështetet nga Brukseli dhe Uashingtoni. Dhe do të finalizohet me një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të KB-së, duke i hapur kështu perspektivë evropiane. Ose do të jetë një zgjidhje evropiane me mbështetjen e BE-së dhe SHBA -së ose nuk do të ketë marrëveshje.

 

Çfarë do të ndodhë nëse nuk do të ketë marrëveshje? Shumë njerëz si në Serbi, por edhe në Kosovë, janë shprehur se është më mirë të mbahet status quo-ja? A do të ketë dhunë?

Thaçi: Status quo-ja mund të shkaktojë telashe në planin afatgjatë. Kriminelët, populistët, nacionalistët, “palët e treta” nga jashtë rajonit tonë – të gjitha ata po synojnë të mbajnë status quo-në për të vazhduar me “operacionet” e tyre dhe për ta minuar Evropën, NATO-n dhe mbarë establishmentin perëndimor. Ballkani sot është i sigurt, madje kemi shënuar progres të caktuar, si marrëveshja fantastike mes Greqisë dhe Maqedonisë, si dhe pranimi i Malit të Zi në NATO; por ne duhet t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura dypalëshe. Sot nuk kam frikë nga dhuna. Jam i shqetësuar për propagandën e Beogradit, sipas së cilës një lloj plani po përgatitet nga policia apo ushtria e Kosovës për të hyrë në luftë. Kjo është marrëzi dhe e rrezikshme. Policia e Kosovës dhe ushtria e Kosovës trajnohen nga NATO, nga BE-ja dhe u përmbahen vlerave euro-atlantike. Por nëse nuk i rregullojmë marrëdhëniet tani, atëherë po humbim mundësinë që një apo dy breza të tjerë të kenë jetë normale. Pse ta shtyjmë zgjidhjen nëse të dyja palët janë gati të mbyllin kapitullin e dhimbshëm të së kaluarës? Pse t’i lëmë fëmijët tanë pengje të ëndrrave mitike, historike? Është e qarte se Kosova dhe Serbia janë dy shtete. Por është gjithashtu e qartë se ata janë fqinj që duhet të bisedojnë dhe t’i zgjidhin çështjet e hapura.

 

A e mbështesin BE-ja dhe SHBA-të qëndrimin tuaj? Ka sinjale të përziera që vijnë nga kryeqytetet e BE-së. Londra dhe Berlini po tregohen të zëshme ndaj ndryshimeve të kufirit. Uashingtoni po qëndron i heshtur. Moska po vëzhgon me vëmendje.

Thaçi: Në dialogun që po e zhvillojmë në Bruksel aty gjithmonë ka përfaqësues të qeverisë së SHBA-së, në të gjitha fazat e dialogut, prandaj BE-ja dhe SHBA-të mbështesin një marrëveshje të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka asnjë dyshim për këtë. Mund të them se kemi pasur një mungesë fokusi – sidomos nga Brukseli – por bota është një gjendje të vështirë dhe po bëhet gjithnjë më e vështirë. Nuk kam iluzione siç kanë disa njerëz, të cilët mendojnë se ne jemi qendra e botës dhe se secili duhet të dëgjojë dëshirat dhe kërkesat tona. Jo, ne kemi një dritare shumë të ngushtë të mundësisë dhe shumë pak hapësirë manovrimi në kryeqytetet e mëdha për t’u marrë me Kosovën dhe Serbinë. Pra, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi, derisa ka kohë dhe vullnet, që bashkë me aleatët tanë ta mbyllim marrëveshjen dhe ta mbështesim marrëveshjen përfundimtare.

Çfarë do të ndodhë me serbët e jugut në Kosovë nëse do të ketë korrigjim të kufirit? Njerëz të shumtë druajnë nga eksodi, si në rastin e “Oluja”-s, në Kroaci?

Thaçi: Kjo është një propagandë e orkestruar. Askush nuk do t’i prekë serbët në jug, veri, perëndim apo në lindje të Kosovës. Kishte propagandë edhe kur shpallëm pavarësinë, më 2008, se serbët do të largohen me traktorët e tyre, por nuk e bënë këtë. Ata qëndruan në Kosovë dhe madje morën pjesë në krijimin e institucioneve të Kosovës, policisë, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese. Sot, serbët janë të integruar dhe nuk shoh ndonjë arsye për njerëzit në Shtërpcë ose Graçanicë apo kudo që të kenë frikë nga e ardhmja e tyre në Kosovë. Një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do t’u ndihmojë atyre, sepse do të ulë kërcënimet e nacionalistëve dhe ekstremistëve nga komuniteti i tyre serb që varen mbi kokat e tyre. Përfitoj nga kjo intervistë që sërish t’u bëj ftesë të gjithë serbëve, të gjitha komuniteteve jo-shumicë që të sigurohen se shteti i tyre është Kosova dhe se ata kanë një të ardhme të sigurt në këtë vend.

A do t’i marrë Kisha Ortodokse Serbe të njëjtat garanci?

Thaçi: Kisha Ortodokse Serbe është një kategori kushtetuese në Kosovë dhe gëzon mbrojtje kushtetuese. Fatkeqësisht, atë nganjëherë e politizojnë komunitete të organizuara fetare në Kosovë, meqë disa peshkopë, veçanërisht nga jashtë Kosovës, dërgojnë mesazhe shumë të mjera. Unë asnjëherë nuk u përgjigjem këtyre deklaratave, sepse nuk dua të vendos pozitën e klerit serb në Kosovë në një pejsazh politik. Përpiqem që t’i mbrojë ata nga vetja e tyre. Jam shumë krenar për shumëllojshmërinë e trashëgimisë në Kosovë dhe kam promovuar dialogun ndërfetar si një komponent thelbësor të pajtimit. Prizreni, Deçani, Rahoveci janë vende të bukura turistike edhe për shkak të larmisë së pasur etnike – shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë. Komunitetet kryesore në Kosovë, të tilla si myslimanët, ortodoksët, katolikët, hebrenjtë, sufijntë – ata ishin këtu gjatë kohës së Perandorisë Osmane, gjatë pushtimit serb, gjatë diktaturës jugosllave dhe ata do të jenë këtu edhe në të ardhmen.

Analistët në Kosovë thonë se jo vetëm me komunitetin serb keni probleme për ta shtyrë përpara marrëveshjen përfundimtare. Shumica e partive opozitare nuk e mbështesin dialogun tuaj me Vuçiqin.

Thaçi: Kosova është demokraci e vërtetë. Nuk kam “armë” për të kontrolluar opinionin publik dhe shpresoj se asnjë kryetar nuk do të ketë “armë” të tilla për të kontrolluar mediat, shërbimin e inteligjencës, ushtrinë, Kuvendin, siç i kanë disa në rajon. Kushtetuta e Kosovës kërkon nga Presidenti të përfaqësojë Kosovën jashtë dhe brenda vendit, prandaj unë jam i mandatuar nga vullneti i qytetarëve për të gjetur një zgjidhje me Serbinë. Unë gjithashtu do të ri-kërkoj vullnetin e qytetarëve për të konfirmuar marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe njohjen reciproke, duke organizuar një referendum. Ka zëra të shumtë në Prishtinë përkitazi me atë se si duhet Kosova të veprojë me Serbinë, por i refuzoj thirrjet për shtyrjen e marrëveshjes ose shantazhimin e komunitetit ndërkombëtar. Ide të tilla janë të rrezikshme. Kam gjithashtu përvojë personale kur partitë e Kosovës gjithmonà « janë bashkuar në kohë nevoje, qoftë në Rambuje, qoftë në Vjenë apo gjetiu. Prandaj, jam i bindur se sërish do të bëhemi bashkë në fund për ta mbyllur këtë kapitull të dhimbshëm, që të mund ta vendosin flamurin para ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

A mendoni se Rusia do të mbështesë korrigjimin e kufirit?

Thaçi: Kam zhvilluar një bisedë të shkurtër me kryeministrin rus, Medvedev dhe ndjek me kujdes deklaratat ruse. Mendoj se Rusia ishte e qartë se ata do të mbështesin një marrëveshje për të cilën bien dakord të dyja palët. Ata vazhdimisht pohojnë se nuk do të jenë “më serbë se vetë serbët”. Rusia gjithmonë ka qenë pjesë e Grupit të Kontaktit dhe ka ndihmuar për gjetjen e propozimeve nga Rambujeja dhe Planin e Ahtisaarit. Kosova nuk ka asnjë problem me Rusinë dhe është mirënjohëse që Federata Ruse në mënyre kreative ua mundësojë sportistëve tanë të vizitojnë Rusinë për ngjarjet sportive ndërkombëtare. Sportistja jonë, Majlinda Kelmendi, fitoi medaljen e artë në xhudo dhe presidenti Putin mundësoi që flamuri i Kosovës të ngrihet lartë, pak vite më parë. Mendoj se kjo simbolikë e bashkëpunimit në sport, ekonomi dhe kulturë është shumë e rëndësishme. Izolimi i Kosovës në të ardhmen do të thotë izolim i Serbisë dhe i mbarë rajonit. Jam i sigurt se kjo nuk është agjenda e Moskës.

Ju nuk jeni të shqetësuar për ndërhyrjen dhe ndikimin rus në media?

Thaçi: Nuk shqetësohem për ndërhyrjen ruse në Kosovë, sepse 92% e qytetarëve tanë e mbështesin BE-në dhe SHBA-në, por ne i mbajmë marrëdhëniet e mira me të gjithë. Kosova është republikë shumë e vogël me nevoja dhe ambicie modeste për të pretenduar se ka një rol të madh midis fuqive të mëdha.

Çfarë po ndodh me Asociacionin dhe marrëveshjet e deritashme? Pse nuk po zbatohen?

Thaçi: Kjo është një çështje tjetër që mbetet e hapur dhe përbën një arsye për të arritur drejt një zgjidhjeje përfundimtare sa më shpejt të jetë e mundur. Ne patëm një marrëveshje për rrjetet e energjisë, dhe Serbia për vite me radhë po vazhdon të refuzojë zbatimin e saj. Kjo po i shkakton Kosovës probleme dhe humbje reale financiare. Kemi pasur një marrëveshje për Asociacionin, ka pasur shumë vonesa dhe njerëzit nuk e dinë këtë, por shumë vonesa janë shkaktuar pikërisht nga Beogradi. Shpeshherë kur donim ta bënim një hap përpara drejt hartimit të statutit, që gjërat të lëvizin, pati ngurrim nga disa qarqe në Beograd që donin që ky Asociacion të mbetej si një pengesë. Nuk dua të them gjithçka këtu në gazeta, por Brukseli dhe Uashingtoni janë të vetëdijshëm për arsyen e vonesave dhe për gatishmërinë tonë për t’i kapërcyer ato. Pa dyshim, për sa kohë që respektohet Marrëveshja e Brukselit, dhe kjo marrëveshje mbështetet në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Kosovës, Asociacioni do të themelohet për t’i avancuar të drejtat dhe përgjegjësitë komunale.

Disa medie në Beograd pohojnë se Presidenti Vuçiq kohët e fundit ka kërcënuar se do të tërhiqet nga politika nëse qytetarët serbë nuk do ta mbështesin marrëveshjen e tij me ju. A do ta bëni të njëjtën gjë?

Thaçi: Thënë të drejtën, unë tashmë jam tërhequr nga politika ditore dhe nga shumë çështje të qeverisjes. Jam zgjedhur President me shumicën më të madhe të mundshme dhe tani kam përgjegjësi para Kushtetutës dhe qytetarëve të Kosovës për të kryer mandatin tim. Kam parë disa sondazhe nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara sipas të cilave kosovarët besojnë se presidenca duhet të udhëheqë bisedimet me Serbinë, prandaj mbetëm i bindur se ende kam misionin tim të tretë për të përmbushur – Kosovën në NATO dhe BE. Ne kurrë nuk kemi qenë më afër këtij qëllimi, por ende duhet të tregojmë durim dhe të punojmë së bashku për ta siguruar vendin tonë në familjen evropiane të kombeve. Besoj se e njëjta gjë vlen edhe për Serbinë dhe Vuçiqin.

Kryetari i Serbisë ka thënë se do të ngulmojë për çështjen e pronës serbe në Kosovë në fazën e radhës së dialogut në Bruksel. Çfarë mendoni për këtë nismë?

Thaçi: Çështja e pronës është e rëndësishme për të gjithë. Për shembull, ekziston një vëllim i madh i dokumenteve për pensionet e Kosovës, të cilat Serbia i ka vjedhur më 1999, dhe ekzistojnë më shumë se një milion faqe të dëshmive të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës të cilat vërtetojnë se shteti serb, policia dhe ushtria serbe qëllimisht i kanë shkatërruar pronat e qindra mijëra kosovarëve. Besoj se kur ta hapim këtë kapitull Beogradi do të jetë i pari që do të dëshirojë që ta mbyllim të njëjtin kapitull sa më parë. Por, nuk mund t’i mbyllim sytë para kërkesave legjitime të njerëzve për drejtësi dhe për pronat e tyre. Kjo është në përputhje me vlerat që duam t’i përqafojmë në BE.

 A ka të reja për themelimin e ushtrisë së Kosovës?

Thaçi: Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë ekziston, ato trajnohet nga NATO, kanë hierarki dhe strukturë. Procesi i transformimit të FSK-së në një forcë adekuate, bashkëkohore, dinamike dhe shumetnike është një proces që nuk mund të ndalet. Ky proces tashmë ka filluar dhe nuk mund të ndalet. Shpresojmë se kjo do të ndodhë me ndryshime Kushtetuese, por ekzistojnë disa formula të cilat mund të përdoren për jetësimin e këtij qëllimi. Askush nuk mund të vendos veto dhe pres që djemtë dhe vajzat tona në formë t’u kontribuojnë misioneve të NATO-s gjithandej botës, por ftoj edhe autoritetet në Serbi që të mos ushtrojnë trysni mbi serbët e Kosovës të cilët sinqerisht duan të jenë ushtarë të Kosovës. Këtë e kanë vërtetuar të gjitha partnerët tanë strategjikë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …