Intervista me Ministrin e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi

RKL: Për fillim të intervistës, a mund të na thoni cilat janë disa nga të arriturat e ministrisë që ju drejtoni?

 Kuçi: Faleminderit për mundësinë. Më duhet të them që synimi ynë në Ministrinë e Drejtësisë ka qenë që të ndërtojmë një strukturë të drejtësisë në Kosovë dhe të ndërtojmë disa standarde mbi të cilat do të mund të funksionojë drejtësia në Kosovë. E them me kënaqësi që kemi arritur të krijojmë ligje bazike për vendin tonë, duke filluar që nga kodi penal, ligji për detyrimet, pastaj ligji që kemi bërë për krimin e organizuar dhe korrupsionin që është fjala për konflikt interesi për prejardhjen e pasurisë, ligji për financimin e partive politike dhe jemi në përgatitje të ligjit që quhet anti-mafi apo ligji për sekuestrimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu kemi arritur të bëjmë një marrëveshje me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë që ka filluar tashmë, ndërtimin e burgut për siguri të lartë dhe Qendrën për mbrojtjen e viktimave. Të gjitha këto janë donacione të Bashkësisë ndërkombëtare me një kontribut edhe nga Qeveria e Kosovës. Kemi arritur edhe marrëveshje të shumta me faktorët ndërkombëtarë dhe është ndërtuar një mundësi në fillimin e noterisë, ndërmjetësimit dhe arbitrazhit. Është një varg punësh që po bëjmë. Natyrisht, kemi filluar reforma të thella në sistemin e drejtësisë, kemi mbështetur këshillin gjyqësor dhe prokurorial. Drejtësia në Kosovë tani nuk është tabu temë. Ne kemi arritur transparencën në shkallën më të lartë të duhur, por ka edhe shumë punë për të bërë. Është një fillim i mirë i mbarë, por drejtësia asnjëherë nuk është arritur deri në fund, kështu të paktën mendoj unë. Por, beteja për drejtësinë nuk është ndalur kurrë. Unë besoj se secili prej nesh duhet ta fitojë guximin dhe betejën me drejtësi.

RKL: Duke ditur që Ministria e Drejtësisë një kohë të gjatë ka qenë shënjestër e kritikave për mos-kryerje të punëve, zvarritje të obligimeve, me cilat sfida jeni ballafaquar më shumë në këtë drejtim?

 Kuçi: Më lejoni të them që në fillim se në raportin e progresit të këtij viti në asnjë vend nuk përmendet asnjë pikë që ka mbetur pa plotësuar Ministria e Drejtësisë. Përkundrazi, konstatohet që Ministria e Drejtësisë ka arritur progres të dukshëm. Ndoshta është kjo një kënaqësi dhe nëse krahasohet me vitin 2010 janë shumë punë që janë bërë. Kjo nuk më bën të jem i stër-kënaqur nëse me lejohet ta them por më bën të motivohem më shumë që në vitin 2012 të jemi me më shumë të arritura. Sfidat janë të shumta. Sfida më e madhe për mua është perceptimi për drejtësinë, dhe në këtë vend perceptimi për drejtësinë i ka dy probleme. E para ka të bëjë me  perceptimin për të kaluarën, kur sistemi i drejtësisë nuk i ka mbrojtur qytetarët por i ka dënuar, dhe e dyta, tanimë për një sistem jo shumë funksional e pak edhe të inkriminuar, që unë nuk besoj se është krejt ashtu. Ne e dimë që ka njerëz të ndershëm dhe profesional sikur që nuk i mbyllim sytë para veprimeve korruptive apo të tjera. Ta fitojmë besimin në drejtësi, ta ndërtojmë drejtësinë dhe njerëzit t’i besojnë zhvillimeve që bëhen përmes drejtësisë! Kjo është sfida kryesore dhe po punojmë shumë në këtë drejtim.

RKL: Cilat janë detyrat me prioritet që parashihni t’i realizoni në të ardhmen?

 Kuçi: Unë jam shumë i bindur që do ta rrumbullakësojmë reformën në sistemin gjyqësor në kuptimin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, plotësimin e numrit, krijimin e kushteve adekuate për ata, në mënyrë që ata të mos kenë asnjë kërkesë përballë Qeverisë për funksionimin  e tyre normal. Sfida tjetër është të ndërtojmë ligje të mira. Kur them ligje të mira, Kosova ka mbaruar fazën që ka pasur nevojë vetëm të ketë ligje, tani ka nevojë vetëm për ligje të mira, dhe ligje të mira janë ato që janë funksionale dhe që janë në përputhje me integrimet e Unionit Evropian. Dhe sfide tjetër është gjithsesi ndërtimi i arkitekturës, fillimi i noterisë, ndërmjetësimi, plotësimi i të gjitha segmenteve anekënd vendit, por do të punoj shumë në një projekt që e kam në mendjen time që është llogaridhënia dhe pavarësia e gjyqësorit. Ata janë të pavarur në punën e tyre, por do të jenë llogaridhënës për punën që bëhet jo përballë Qeverisë por përballë qytetarëve të Republikës. Unë besoj që këto punë do të bëhen dhe partneriteti me ndërkombëtarët patjetër do të jetë gjithsesi një prej segmenteve. Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca në gjyqësor dhe as në prokurori, por kemi obligim t’i ndërtojmë politikat dhe t’u japim mbështetje të plotë për funksionimin e tyre.

 

RKL: Në kuadër të Ministrisë punon edhe Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë. Sa është punuar në këtë drejtim dhe cilat punë ju presin në të ardhmen?

Kuçi: Ka qenë një ide edhe më e hershme që, edhe në kohën sa kam qenë vetëm zëvendëskryeministër e kam dërguar me shkrim Ministrisë së Drejtësisë këtë kërkesë. Një prej vendimeve të mia të para është ky. Kosova ka pasur nevojë për një Institut për hulumtimin e krimeve të luftës. Kosova ka nevojë që ta dëshmojë në kuptimin juridik, faktik, historik, sociologjik e kështu me radhë të gjithë ato që kanë ndodhur në Kosovë nga viti 90-99, edhe më herët, por në veçanti në këtë periudhë. Dhe ka nevojë që të kemi një përgatitje, do të thosha juridike e adekuate që në momentin kur të krijohen mundësitë për të ngritur padi kundër Serbisë për krimet e luftës, ne t’i kemi dokumentet e përgatitura. Ky institut është themeluar me vendimin e Qeverisë, kam emëruar anëtarë të institutit, mendoj persona me renome në fushën e studimeve të tilla. Do t’i ketë aktivitetet e veta botuese dhe hulumtuese, mbledhëse e faktmbledhëse dhe kanë mbështetjen time të plotë. Natyrisht, pres angazhimin edhe të njerëzve të tjerë, të departamenteve në veçanti, në mënyrë që të rrumbullakësojmë një punë me dëshmi të së kaluarës. Populli shqiptar nuk ka nevojë ta modifikojë historinë, nuk ka nevojë ta glorifikojë, vetëm ashtu siç ka qenë është e mjaftueshme për të treguar vuajtjet, sakrificat dhe heroizmin tonë.

RKL: Përveç angazhimeve në Ministrinë e Drejtësisë, ju vazhdoni të jeni aktiv edhe në pozitën e zëvendëskryeministrit të Kosovës. Cilat prej këtyre dy detyrave ju merr më shumë kohë?

 Kuçi: Puna e zëvendëskryeministrit më merr më shumë kohë, natyrisht me prioritet është puna e menaxhimit në veçanti kur është fjala për fushën e rendit dhe ligjit në këtë qeveri por edhe koordinimin e punëve të tjera. Fizikisht më shumë qëndrojë në Ministrinë e Drejtësisë. Arsyeja e parë është që të njihem me problemet dhe prezenca fizike ndikon pozitivisht në stafin përreth. E bëj një balancë midis këtyre të dyjave, por të dyjat i ndihmojnë njëra tjetrës. Në këtë drejtim, jam jashtëzakonisht i lumtur për punën që bëj, nuk jam i kënaqur mund të punoj edhe më shumë unë dhe stafi im. Ka shumë punë që janë bërë por kanë mbetur edhe shumë të tjera për t’u bërë. Çdo mëngjes zgjohem dhe them çka ka mbetur dhe e shoh që çdo ditë ka shumë e shumë punë që duhet të bëjmë.

3 nëntor 2011

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …