RKL: Prioriteti kryesor i AUV-it, është mbrojtja e shëndetit të njerëzve. Sa po arrini ta përmbushni këtë mision?
Gjinovci: Realisht funksioni i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, është mjaft kompleks për arsye se merret me mbrojtjen dhe shëndetin publik të qytetarëve të vendit. Përveç kësaj, ajo merret edhe me mbrojtjen e shëndetit te kafshëve në nivel të vendit. Është komplekse për arsye se të dyja janë të ndërlidhura, pasi që kontrolli i gjendjes shëndetësore të kafshëve reflektohet në gjendjen e sigurisë ushqimore në nivel vendi. kështu qe masat te cilat ndërmerren po siç thash se mund te reflektohen
RKL: A i kanë parametrat e nevojshme ushqimet që i konsumojmë në tryezat tona?
Gjinovci: Është një fat i madh që AUV-i në kuadër të politikave të saj, prioritet e ka mbrojtjen dhe shëndetin publik të qytetareve të vendit, gjë e cila realizohet përmes kontrollit dhe monitorimit të prodhimeve ushqimore, si ato vendore ashtu edhe atyre të importuara. Dua të theksoj se prodhimet ushqimore që importohen plotësojnë kushtet dhe standardet e sigurisë, gjithnjë duke u bazuar në punën me përkushtim të stafit të agjencisë. Duhet të përmendet poashtu mbështetja që japin USAID-i dhe Komisioni Evropian në ngritjen e kapaciteteve dhe masave të sigurisë.
RKL: Ku kryhen këto analiza të mostrave ?
Gjinovci: Analizat e prodhimeve ushqimore kryhen edhe pranë laboratorit tonë në Agjenci, por edhe pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Prishtinë, me të cilët kemi bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë. Marrëveshje bashkëpunimi kemi edhe me Institutin Bioteknologjik në Pejë, që si fokus ka prodhimet hidro-sanitare. Janë këto tri laboratore që kontrollojnë dhe mbikëqyrin cilësinë e prodhimit, lëndës së parë e kështu me radhë.
RKL: A po kryhet me rregull vaksinimi i kafshëve me qëllim të parandalimit të sëmundjeve të ndryshme?
Gjinovci: Komisioni Evropian në vazhdimësi nga ka mbështetur, përmes ndihmës dhe projekteve të ndryshme. Gjatë këtyre viteve, janë shpërndarë mbi 2 milionë e 400 mijë vaksina, të cilat kanë ndihmuar pozitivisht në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve. Një problem është shfaqur edhe me kafshët e egra, të cilat janë jashtë monitorimit. Me këtë rast, është realizuar projekti për vaksinimin e tyre. E rëndësishme është që ky proces mbikëqyret nga ekspertët përkatës, duke pasur një pasqyrë të saktë për praninë e kafshëve të egra (si derrat e egër, dhelprat e arinjtë).
RKL: A janë të obliguar të gjithë mbajtësit e bagëtisë , të gjitha pronat blegtorale të gjitha kafshët të identifikohen me numrin unik, dhe a matrikulohen të gjitha kafshët?
Gjinovci: Realisht është obligim që të gjitha fermat të regjistrohen, por ajo çka është e rëndësishme, AUV-i e ka te rregulluar edhe monitorimin e sëmundjeve të kafshëve, me ketë rast edhe programin e vaksinimit si dhe atë të hulumtimit diagnostiko. Ato realizohen përmes aktiviteteve dhe praktikave private dhe veterinare, të cilat janë të kontraktuar nga ana e agjencisë sonë. Është obligim që kafshët të matrikulohen, të identifikohen dhe të regjistrohen. Prandaj, përmes kësaj interviste shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë fermerëve që të bëjnë regjistrimin e kafshëve me kohë dhe të kontrollojnë gjendjen e tyre shëndetësore.
RKL: Sa jeni bashkëpunues me bizneset dhe sa keni mundësi tu rrini karshi kërkesave të tyre?
Gjinovci: Ajo çka është e rëndësishme për ne si institucion, është partneriteti me operatorët e biznesit, gjithmonë duke pasur parasysh edhe me ata që merren me importin e prodhimeve ushqimore si dhe atyre që janë prodhues vendor. Industria ushqimore ka avancuar në drejtim të duhur, duke qenë konkurrente me ato të rajonit. Industria e prodhimit të qumështit, mishit dhe ajo e frutave po bëhet konkurrente, për faktin që ajo po i nënshtrohet masave të kontrollit dhe sigurisë, duke fituar besueshmërinë e konsumatorëve
RKL: Sa janë unifikuar procedurat e sistemit të menaxhimit dhe standardeve të prodhimeve ushqimore të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe a ka ende barriera të dyanshme?
Gjinovci: Ne si institucion kemi një bashkëpunim të mirë edhe me autoritetet shqiptare, veçanërisht me Autoritetin Kombëtar të Ushqimeve. Atje shpesh organizohen edhe takime te rregullta, ku diskutohet mbi problemet që mund të paraqiten. Para disa muajve kemi arritur marrëveshjen që të mos ketë barriera të panevojshme që dëmtojnë bizneset. Në këtë rast, edhe ne si institucion, kemi ofruar ndihmën tonë duke krijuar lehtësira për prodhime të Republikës së Shqipërisë, veçanërisht për ato sezonale.
RKL: Po bashkëpunimi me shtetet tjera si qëndron ?
Gjinovci: AUV ka një bashkëpunim të mirë edhe me shtetet e rajonit, sa i përket shkëmbimit të informacioneve të ndryshme, në veçanti të atyre që lidhen me fushën e sigurisë ushqimore dhe me gjendjen shëndetësore të kafshëve në përgjithësi. Janë edhe projektet të Komisionit Evropian dhe projektet e USAID-it apo edhe projekte të cilat financohen nga Banka Botërore. Është e rëndësishme që trupi diplomatik në Kosovë na mban në kontakte direkte me operatorë të ndryshëm dhe na njofton edhe për të arriturat dhe problemet të cilat mund të jenë të pranishme në vendet e tyre. Përgjithësisht, është një bashkëpunim i kënaqshëm në nivel institucional, duke pasur parasysh shkëmbimet e eksportit dhe importit.
RKL: Cili ka qenë ndikimi i projektit tuaj për repelimin e kafshëve në komunën e Malishevës?
Gjinovci: Dua t’i përshëndes, me këtë rast, qytetarët e komunës së Malishevës, të cilët e kanë mbështetur projektin, i cili ka qenë shumë i mirëpritur dhe shumë i nevojshëm. Ky vit vlen të përmendet se ka qenë një vit shumë i suksesshëm, për arsye se nuk kemi pasur asnjë rast të humbjes së jetës së ndonjë qytetari të komunës së Malishevës. Në këtë rast, përveç AUV-it ka qenë edhe Këshilli Ndërministror dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë, të cilët kanë ndihmuar në këtë drejtim. Aktivitetin të cilin e ka ushtruar AUV-i në terren ka qenë repelimi i të gjitha kafshëve në komunën e Malishevës, ku janë përfshirë 44 fshatra të komunës së Malishevës, janë përfshirë gjithsejt të gjitha fermat e komunës së Malishevës (gjedhët, delet dhe dhitë), gjë që ka ndikuar të ketë një efekt pozitiv në mbrojtjen e qytetarëve të vendit, në këtë rast mbrojtjen e shëndetit publik dhe mos-transmetimin e etheve hemorragjike. Përveç në komunën e Malishevës, ky projekt ka zhvilluar aktivitetin edhe në komunat e brezit kufitar, me komunën e Rahovecit, Therandës dhe të Klinës. Në kuadër të katër fazave të aktivitetit që është realizuar nga ana e AUV-it, gjithsejtë janë 58.853 krerë gjedhe të cilat janë repeluar, pastaj janë kafshët e imta si delet dhe dhitë. E gjithë kjo mund të konsiderohet si storie suksesi për shkak se s’kemi pasur asnjë humbje të jetëve të njerëzve. Ne si agjenci e kemi marrë obligimin tonë institucional që të kryejmë aktivitetin e repelimit. Dua të theksoj se AUV shpenzon 860 mijë euro që shkojnë tek fermerët në kuadër të programit për vaksinimin e gjedhëve. Ky është një lloj programi i Qeverisë për mbrojtjen e kafshëve, por përfshin edhe hulumtimin diagnostike të sëmundjeve të ndryshme.
RKL: Cili është bashkëpunimi i AUV-it me organizatat e ndryshme ndërkombëtare në drejtim të ngritjes së sigurisë së ushqimit dhe shëndetit të kafshëve?
Gjinovci: Ne jemi ndihmuar vazhdimisht nga Komisioni Evropian dhe USAID-i. Projektet aktuale janë tri, ndërkohë që do të shtohen edhe dy të tjera gjatë vitit të ardhshëm. Vlera e projekteve deri në vitin 2018 nga Komisioni Evropian do të jetë 15 milionë euro, kurse AUV si institucion zbatues do të jetë e gatshme për t’i plotësuar kushtet e kërkuara në MSA. Ne jemi në rrugë të mbarë për të arritur standardet evropiane, që të krijohen kushtet që prodhimet e Kosovës të eksportohen jashtë vendit. Me ndihmën e Komisionit Evropian por edhe me përkushtimin tonë do të bëjmë të mundur që vendi të eksportojë pos prodhimeve me origjinë bimore, edhe aso me origjinë shtazore. Kjo do të bëhet asisoj që do të ngritët mirëqenia e bujqve tanë, duke i stimuluar ata përmes granteve të ndryshme. E mira është që harta e prodhimeve bujqësore është duke ndryshuar në kuptimin e mbjelljes dhe kultivimit të kulturave të ndryshme.
RKL: Cila do të ishte porosia juaj për bizneset dhe konsumatorët?
Gjinovci: Porosia ime gjithherë mbetet që të konsultohen në baza profesionale për masat sanitare dhe fitosanitare. Me qëllim të avancimit dhe arritjes së standardeve, ata do të kenë asistencën e nevojshme të stafit të AUV. Ne, si Agjencion do të përpiqemi të jemi në shërbim të të gjithë operatorëve të biznesit me qëllim që të gjithëve t’u ofrohet ushqim cilësor dhe i sigurt. Synimi jonë është që të bëhet zëvendësimi i prodhimeve të importit me prodhime vendore, qoftë në industrinë e qumështit, mishit apo frutave dhe perimeve. Ne si autoritet përgjegjës asnjëherë nuk do të lejojmë që prodhimet e dyshimta të përdoren në tryezat e konsumatorëve.