Intervistë me Çlirimtare Rrahmanin bijën e heroit të kombit, Agron Rrahmani

Intervistë me Çlirimtare Rrahmanin bijën e heroit të kombit, Agron Rrahmani

Tani Hero i Kosovës, Agron Rrahmani ishte pjesëtar i njësiteve të para  radhëve çlirimtare që vepronin në  Llap, Prishtinë e gjetiu. Duke i vlerësuar aftësitë e tij organizative dhe interesimin e në fushën ushtarake, Agroni u emërua komandant i njësitit gueril, “Rexhep Mala”, njësitit të parë në kryeqytet, të formuar nga Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Ai ka rënë heroikisht më 12 maj të vitit 1998, në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë, në një përballje për ta çarë rrethimin e forcave policore të regjimit të Milosheviqit.

RKL: Çlirimtare  e nderuar mirë se vini në Radion Kosova e Lirë

Çlirimtare Agron Rrahmani: Faleminderit.

RKL: Kush ju ka pagëzuar me këtë emër shumë domethënës?

 Çlirimtare Rrahmani: Emri im është mbi të gjitha, rezultat i rrethanave të kohës të luftës për çlirim, i  aspiratave tona si komb për çlirim dhe sigurisht qe me këtë emër janë pajtuar e gjithë familja.

RKL: Sot është përvjetori i 19-të kur babai Juaj ka rënë heroikisht në altarin e atdheut, si ndiheni nëpër përvjetorët e kujtimeve për babanë?

Çlirimtare Agron Rrahmani: Përvjetorët kalojnë me radhë dhe unë çdo herë e më shumë e kuptoj rendësinë e asaj që dikur u bë këtu, rëndësinë e luftës që bëri babai im me bashkëluftëtarët e tij. Dhe për çdo ditë ndihem krenare për të.

 RKL: Na tregoni për  familjen, shkollimin, studimet Tuaja, rrethin ku jetoni?

Çlirimtare Agron Rrahmani: Jetoj në Prishtine dhe studioj po këtu në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Teknik dega Inxhinieri e Ambientit. Jam rritur me nënën time, me gjyshërit dhe familjaret tjerë me të cilët jetojmë bashkërisht.

RKL: A mendoni se shoqëria dhe institucionet kanë bërë mjaft për familjet e dëshmorëve, në rastin konkret për ju dhe familjen Tuaj?

Çlirimtare Agron Rrahmani: As që diskutohet! Institucionet e këtij vendi janë akoma larg për të qenë në atë nivel. Është bërë shumë mund, janë bërë sa e sa  sakrifica për t’i themeluar ato institucione. Por po shihet se   duhet bërë edhe shumë më tepër për t’i bërë, në mënyrë që këto institucione  që ato të jenë në nivel e të funksionojnë si duhet.

RKL: A ju vizitojnë shokët e babait, si ndiheni kur jeni në mesin e tyre?

Çlirimtare Agron Rrahmani: Ndihem mire natyrisht. Na takojnë dhe i takojmë si familje.

RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt, letër apo shkrim të Tij?

Çlirimtare Agron Rrahmani: Janë të shumta veprat e tij. Ato do të ruhen gjithmonë në kujtesën e secilit prej nesh. Personalisht me inspirojnë punimet artistike të tij.

RKL: E nderuara Çlirimtare Ju falënderojmë se u bëtë  pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Ju urojmë nga zemra shëndet e suksese në jetë.

Çlirimtare Agron Rrahmani:  Ju falënderoj që më dhatë mundësinë!

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …