1. Profesor, definimi i pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga ana e bashkësisë ndërkombëtare,rezulton se nuk është kaq e thjeshtë. Sipas jush, çfarë ka gabuar faktori shqiptar në Kosovë, por edhe ai në Shqipëri, në mënyrë që shqiptarët të mos lëshonin kaq shumë…?
-Krijimi i shteteve të reja kurrë nuk ka qenë një punë e thjeshtë. Pavarësisht për çfarë qëllimi bëhet, lufta është fatkeqësi, sjell vdekje, shkatërrime, dhembje, por lufta ka krijuar shtetet. Numri i shteteve të krijuara në mënyrë paqësore është tepër i vogël. Kosova e ka bërë luftën për të qenë shtet. Dhe, e ka fituar këtë luftë bashkë më forcat e NATO-s. Meqenëse KFOR-i dhe administrata e OKB-së në Kosovë janë vendosur me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për statusin e Kosovës tani vendoset në këtë Këshill, që përbëhet prej anëtarësh me interesa, ideologji dhe politika të ndryshme. Dhe, kjo lejon mundësi për ndërlikime gjatë vendosjes për çështje të ndryshme.
Punët rreth statusit të Kosovës janë ndërlikuar mbas refuzimit të Rusisë që të pajtohet me Planin e Ahtisarit.
Faktori shqiptar në Kosovë ka gabuar kur caktimin e statusit të Kosovës e ka parë dhe e ka paraqitur si një punë të lehtë e të thjeshtë.
Faktori shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri vazhdon të harrojë se, si i thonë një fjale, ta shpallësh qëllimin të sendërtuar para se të jetë bërë ai, do të thotë t’i bësh shërbim të keq qëllimit. Faktori shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, vazhdon t’i ketë fjalët e forta e punët e buta, në vend se të ngjante e kundërta: në vend që t’i kishte fjalët e buta e punët e forta. Faktori shqiptar në Kosovë ka gabuar pse grupin për bisedime e ka përbërë si grup partiak e jo si grup kombëtar dhe shtetëror. Çështja e statusit të Kosovës s’është çështje partiake po kombëtare dhe shtetërore. Ky faktor ka harruar se nuk është e rëndësishme vetëm çka thuhet, por edhe kush i thotë ato që thuhen.
2. Ndarja e Kosovës po shikohet gjithnjë e më shumë si një variant i mundshëm, edhe pse shumë nga qarqet e Kosovës, po edhe ndërkombëtarët e mohojnë herë pas here. Sa e rëndë është shkëputja e një pjese të rëndësishme për Kosovën, siç është Veriu i saj?
-Edhe para viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur çështja e Kosovës ishte bërë çështje ndërkombëtare, nga intelektualë dhe analistë të ndryshëm në ish-Jugosllavi dhe në botë flitej për ndarjen e Kosovës. Ndarja shihej si zgjidhje e përhershme, historike e çështjes së Kosovës, domethënë e konfliktit shqiptaro-serb. Kush i ka lexuar kujtimet e ambasadorit amerikan në Beograd, Cimerman, do të shohë se ndarja e Kosovës atëherë përcaktohej në përpjesëtime të papranueshme për ne. Unë, personalisht, e shihja,”ndarjen” në përpjesëtim me numrin e banorëve në Kosovë: shqiptarëve do t’u takonte aq sa janë në Kosovë, domethënë rreth 90 për qind, kurse serbëve rreth 10 për qind – aq sa ishin në Kosovë.
Sot, sa mund të gjykohet nga shkrime të ndryshme në shtypin në botë dhe në Serbi, askush nuk flet për ndarje të tillë si para luftës. Tani folja ndarje futet në thonjëza. Tani flitet për lëvizje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Analistët amerikanë “ndarjen”, në të vërtetë “lëvizjen” e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë e quajnë modifikim i kufirit. Serbëve, në njërën dhe shqiptarëve, në anën tjetër, do t’u takonte aq sa ishte përqindja e tyre në Kosovë në prag të luftës.
Sipas deklaratës së anëtarit, duket më përfaqësues të Treshes në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, Volfgang Ishinger, Grupi i Kontaktit do të pranonte çdo zgjidhje me të cilën do të pajtoheshin të dy palët e kjo domethënë edhe me “ndarjen”, lëvizjen, modifikimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Zyrtarët tanë në Prishtinë dhe në Tiranë u ngritën shumë zemrueshëm kundër idesë së “ndarjes”, lëvizjes, modifikimit të kufirit . Ç’është e vërteta, zyrtarët në Tiranë u ngritën kështu vrullshëm mbasi pritën disa ditë, dhjetë – pesëmbëdhjetë ditë, se çka do të thonë vendet e Grupit të Kontaktit. Nuk më duket politikisht e arsyeshme ngritja e tillë e pezmatuar ndaj një ideje reale a utopike, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ideja e lëvizjes së kufirit midis Kosovës dhe Serbisë është ide që shumë më tepër përfaqëson interesat e shqiptarëve sesa të serbëve. Do të mendojmë, kështu, realisht, në qoftë se nuk harrojmë se faktorët ndërkombëtarë nuk do të lejojnë që çështja e Kosovës të zgjidhet në mënyrën: të gjitha për njërën palë e asgjë për palën tjetër.
Nuk është e çuditshme, prandaj, pse zyrtarët serbë edhe më vendosmërisht se zyrtarët tanë u ngritën kundër idesë së”ndarjes” së Kosovës dhe ata ngrihen kundër kësaj ideje sepse e dinë se nuk mund të flitet më për ndarje, por për lëkundje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. E dini si e tha peshkopi i Kosovës, Artemije: “më e mirë është për serbët pavarësia e Kosovës që nuk do ta pranojmë kurrë sesa ndarja me të cilën do të pajtoheshim. Atë që nuk e pranon mund ta kthesh një ditë, kurse atë që e pranon nuk mund ta kthesh kurrë”!
Lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, që do të bazohej në përqindjen e popullsisë shqiptare, në njërën anë dhe serbe, në anën tjetër,në prag të luftës dhe që do të sillte edhe lëkundje vullnetare të kësaj popullsie, do të ishte zgjidhja përfundimtare, historike e çështjes së Kosovës. Dhe, kjo zgjidhje do të varroste përgjithmonë iluzionet e peshkopit Artemije dhe të tjerëve, shumë të tjerëve, që mendojnë si ai në Serbi, kurse do ta bënte të mundshme vetëvendosjen, domethënë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pa pengesa nga ana e faktorëve ndërkombëtarë. Për këtë arsye kundërshtimet e pezmatueshme që iu bënë idesë së “ndarjes”, domethënë të lëvizjes së kufirit midis Kosovës dhe Serbisë nga ana e disa ministrave dhe intelektualëve tanë, më duken të pamenduara mirë. Njëri nga shkrimtarët tanë deklaroi, mbasi dëgjoi si reagoi Tirana zyrtare, se ideja e ndarjes së Kosovës është ide e rrezikshme sepse – tha ai- rrezikon rajonin dhe, madje Evropën! Pse? Pse lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë do të rrezikonte rajonin dhe Evropën? Sepse, na përgjigjet ky shkrimtar, duke përsëritur klishenë zyrtare, shembullin e ndarjes së Kosovës do ta ndiqnin edhe të tjerë në rajon dhe në Evropë. Dhe, ashtu Evropës do t’i hynte flaka! E po si mund të flitet ashtu? Pse nuk mendohet pak më qetë, më racionalisht? Në qoftë se Prishtina dhe Beogradi do të pajtoheshin për lëvizje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë pse të ngrihet kush kundër pajtimit të tyre. Po të gjithë faktorët ndërkombëtarë thonë se do të ishte më së miri që të gjendet zgjidhje rreth së cilës do të pajtoheshin të dy palët. Pse do të rrezikonte rajonin dhe Evropën pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve për lëvizjen e kufirit midis Kosovës dhe Serbinë? Në qoftë se hungarezët e Rumanisë, turqit e Bullgarisë, baskët e Spanjës kanë kushte gjeografike dhe arsye etnike për të kërkuar lëvizje kufiri, por këtë nuk e pranojnë rumunët, bullgarët e spanjollët gjendja e tyre mbetet siç është sot dhe marrëveshja shqiptaro-serbe nuk ka se si t’u fusë zjarrin Rumanisë, Bullgarisë e Spanjës. Faktorët ndërkombëtarë e me ta edhe ne po themi se rasti i Kosovës është rast i veçantë, i pangjashëm me raste të tjerë. Dhe, vërtet është rast i veçantë. Pse atëherë të mos i lejohet ta tregojë këtë veçanësi edhe me të drejtën e lëvizjes së kufirit me Serbinë nëse pajtohet edhe Serbia. Domethënë, lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilën do të pajtoheshin shqiptarët dhe serbët, nuk ka se si të rrezikojë rajonin dhe Evropën, nuk ka sesi të ndezë zjarr askund përpos në kokat letrare! Apo jo.
3. Ekipi i Unitetit ka paraqitur platformën e tij, ku ka vendosur tri pika të panegociueshme: 1. asnjë diskutim për pavarësisë; 2. asnjë diskutim për integritetin territorial të Kosovës dhe 3. asnjë diskutim për shtyrjen e afatit. A është e mjaftueshme kjo platformë dhe si e gjykoni ju atë?
-Fjalë të forta. Prej fillimit të bisedimeve për statusin, Ekipi i Unitetit i ushqen qytetarët e Kosovës me deklarata për ato që nuk do të bëjë dhe për ato që nuk do të ngjasin e, pastaj, i bën ato që i ka mohuar dhe ndodhin ato që kanë thënë se nuk do të ndodhin! Ekipi i Unitetit e di, besoj, se në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 shkruan se pas një kohe do të bëhen bisedime (apo do të mbahet konferencën ndërkombëtare – nuk më kujtohet sigurt si thuhet) për statusin përfundimtar të Kosovës. Ata që shkojnë në bisedime e dinë se në bisedime mund të shfaqen mendime, ide, propozime, të hapen çështje jo vetëm nga Ti,por edhe nga Ai dhe jo vetëm nga Ti dhe Ai, por edhe nga organizuesit, mbikëqyrësit, monitorizuesit e bisedimeve. Tri çështjet për të cilat Ekipi i ynë i Unitetit thotë se nuk do të bisedojë tingëllojnë mirë, premtueshëm për ne, por ç’të bëjmë kur përfaqësuesit tonë do të pranojnë që të bisedojnë për të tria sidomos në qoftë se ashtu kërkon Treshja e Grupit të Kontaktit. E ajo mund të kërkojë. Po për çka do të bisedojnë ata nëse jo për statusin?
4. Në një deklaratë të paradokohshme, ish-Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, propozoi shkëmbimin e pjesës veriore të Mitrovicës me Luginën e Preshevës. A ju duket ky një “pazar” i arsyeshëm?
-Propozimi është interesant,gjithsesi i arsyeshëm, por, si duken punët, i pasendërtueshëm. Kush i njeh programet kombëtare serbe, veçanërisht ato të Vasa Çubrilloviqit, e di se Lugina e Preshevës konsiderohet luginë me rëndësi të madhe strategjike, që lidh Serbinë me Luginën e Vardarit. Vështirë se Serbia do ta pranonte shkëmbimin që propozon ish-kryeministri ynë i çmuar, Bajram Rexhepi. Dhe, pse më në fund, ta pranojë? Serbia mendon të mbajë edhe Luginën e Preshevës, edhe Mitrovicën Veriore, me Kolashinin dhe Zubin Potokun. Më në fund, ajo ato është duke i mbajtur! Për ta bërë Serbinë që t’i lëshojë ato duhet një luftë e re! Por, koha e luftave njëherë për njëherë ka kaluar…
5. Profesor, sipas të gjitha gjasave, Rusia nuk do të japë votën e saj në Këshillin e Sigurimit dhe gjërat do të mbeten sërish ashtu siç kanë qenë. Si mund të lëvizet, sipas mendimit tuaj, në shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe njohjen e këtij realiteti të ri në aspektin e ligjit ndërkombëtar, pra në organizatat përkatëse ndërkombëtare?
-Është ditur prej ditës së parë kur ka shfaqur mospajtim me Planin e Ahtisarit se Rusia nuk do të japë votën e saj për pavarësinë e Kosovës, qoftë edhe ashtu të mbikëqyrur dhe të ndarë përbrenda siç parashihet në atë Plan. Kush i ka përcjellë deklaratat e zyrtarëve, të numrit më të madh të zyrtarëve serbë dhe të anketave të opinionit serb për qëndrimin ndaj ardhmërisë së Kosovës, ka mundur të konstatojë se Serbia ishte në prag të pajtimit me, si thonë serbët, humbjen e Kosovës. Rusia ishte ajo që e nxiti politikën e tanishme vendosmërisht mospajtuese të Serbisë me pavarësinë e Kosovës! Rusia e nxiti rikthimin e ashpërsuar të politikës tradicionale serbomadhe ndaj Kosovës! Nuk do të duhej të harrojmë se Rusia ka nxitur kryengritjen e parë serbe më 1805 dhe të dytë më 1812, luftën kundër Turqisë në vitet 1876-1878 dhe dëbimin e shqiptarëve prej Nahijes së Nishit dhe,më në fund, luftërat ballkanike. Në ato kryengritje dhe luftëra serbe në shekullin 19 oficerët rusë ishin oficerë vullnetarë. Dhe, të gjitha këto Rusia i bënte atëherë për nevojat e veta politike dhe strategjike. Edhe tani, përkrahja që Rusia i jep Serbisë duke mos e pranuar pavarësinë e Kosovës në të vërtetë është politikë mbi të gjitha për nevojat politike dhe strategjike të vetë Rusisë. Ariu polar do të tregojë se është zgjuar.
Më pyesni si të ecet përpara? Këshilli i Sigurimit nuk krijon shtete – kjo duhet të dihet. Ne duhet ta shpallim vetë pavarësinë. Dhe, këtë duhet ta bëjë Kuvendi i ri, pra i riu, menjëherë teksa të kryhen bisedimet me Beogradin. Sa më shumë të shtyhet dita e shpalljes së pavarësisë aq më shumë mund të ndërlikohen punët.
6. Gjithashtu profesor, ka zëra, të pakët për momentin, por siç duket po shtohen, që flasin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Si i komentoni këto zëra?
-Janë zëra që flasin për diçka që do të ndodhë një ditë, sado po shtohet numri i feudalëve dhe bujkrobërve të tyre, që e kundërshtojnë deri në vetëmohim një ide të tillë. Leverditë politike, partiake, lokale e të tjera i bëjnë këta të çohen kundër një ideje që qe gati një shekull e gjysmë e ka lëvizur përpara historinë shqiptare.
7. Ndërkaq, si e shikoni ju në të ardhmen shtetin e Kosovës në marrëdhëniet me Shqipërinë, Maqedoninë (ku gati 30 % është e banuar me shqiptarë), Serbinë (ku ndodhet Lugina e Preshevës e banuar me shqiptarë) dhe Malin e Zi, ku gjithashtu jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh? Cila, sipas jush,duhet të jetë platforma e veprimit ndërshqiptar në të ardhmen për integrimin e faktorit shqiptar në rajon?
-Edhe sot po shohim se sjelljet e Shqipërisë zyrtare ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe sjelljet e Kosovës ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve të tjerë në Ballkan i përcakton politika e faktorëve ndërkombëtarë, në radhë të parë e SHBA-ve dhe e Bashkimit Evropian ndaj tyre. Po mirë. Tani, për fat, nuk po mendojmë si dikur, as me kokën e Italisë, as me kokën e Jugosllavisë, as me kokën e Bashkimit Sovjetik, as me kokën e Kinës për veten, për identitetin tonë politik në Ballkan. Tani po mendojmë me kokën e vendeve më të zhvilluara dhe demokratike: të Amerikës dhe të Evropës, sado nuk do të ishte keq që, bile, për identitetin tonë kulturor dhe politik të mendojmë pak më shumë edhe me kokat tona. Ajo që Ju quani platformë e veprimit ndërshqiptar, sipas mendimit tim, do të duhej të përbëhej prej përpjekjesh të programuara, të organizuara mirë, racionalisht, të ligjësuara, për integrimin shqiptar, për krijimin e lidhjeve sa më të zhvilluara, sa më të gjithanshme, sa më të forta kulturore, ekonomike, tregtare, turistike, politike e të tjera e kjo domethënë të krijimit të hapësirës kulturore, ekonomike dhe, pse jo , politike gjithëkombëtare. Kusht për sendërtimin e këtyre lidhjeve, të kësaj hapësire, është ndërtimi i rrugëve, në radhë të parë i rrugës Durrës – Kukës – Prizren; Prizren – Pukë – Shkodër – Ulqin; Deçan – Plavë e Guci; Guci – Vermosh – Shkodër e i rrugëve të tjera që lidhin krahinat dhe qytetet shqiptare. Me rëndësi jetike për integrimin dhe zhvillimin e gjithanshëm të shqiptarëve do të ishte ndërtimi i hekurudhës Prizren – Kukës-Tiranë-Durrës.
Ne sot, mjerisht, dëgjojmë vetje që flasin për rolin, thonë ata, kolonial të kulturës që krijohet në Tiranë ndaj kulturës së Kosovës!
Dëgjojmë vetje që do të donin të këputen lidhjet shpirtërore midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës: të këputen lidhjet që krijon gjuha e përbashkët letrare, gjuha standard! Ne sot dëgjojmë vetje që do të donin të krijohej një komb tjetër në Kosovë, i ashtuquajturi komb kosovar dhe, ashtu, shqiptarët në Ballkan të ndaheshin në dy kombe! Dëgjojmë dhe çka nuk dëgjojmë. Nuk mund të thuhet se vetjet e këtilla nuk kanë edhe ndonjë institucion pas shpinës dhe nuk mund të thuhet se vetjet e tilla nuk kanë edhe grupe politike partiake pas shpinës. Dhe, për këtë arsye nuk mund të thuhet se zërat e tillë nuk mund të ndikojnë aspak në ngadalësimin e procesit të integrimeve shqiptare . Dështimi i tyre, ndërkaq, është i pashmangshëm. Në historinë e popullit gjithmonë në fund dështojnë shprehësit e interesave të ngushta, lokale, qofshin ato politike, ideologjike, ekonomike, fetare e të tjera, me të cilat cenohen interesat e përgjithshme.
8. Cili është vlerësimi juaj për Planin e propozuar nga Presidenti Ahtisari dhe a mendoni se viti 1998 do ta gjejë Kosovën të pavarur?
-Është shkruar shumë në gazeta dhe është folur më shumë në mediat elektronike për këtë Plan. Kam shkruar edhe unë. Në situatën e përbërë rreth statusit të Kosovës, Plani i Ahtisarit paraqitet si një dhuratë për ne nga ata faktorë ndërkombëtarë që, megjithatë, synojnë zgjidhje të drejtë për Kosovën – e zgjidhje e drejtë, sado jo edhe historike, e çështjes së Kosovës konsiderohet pavarësia e Kosovës. Nuk do të duhej të mos shihnim dhe të mos thoshim se Plani i Ahtisarit e ndan Kosovën përbrenda, e bën Kosovën politikisht dhe kushtetutare – juridikisht Kosovë të dy entiteteve. Sipas Planit të Ahtisarit Kosova do të jetë protektorat i Bashkimit Evropian dhe vetëm mbasi të hiqet ky protektorat – kush e di kur – Kosova do të mund të quhet realisht e pavarur. Pra, Kosova realisht e pavarur, Kosova pa status protektorati, domethënë sovrane, do të bëhet më vonë se me 2008.
9. Profesor, sa informacion keni për zhvillimet aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri dhe si i gjykoni ato?
Zhvillimet në Shqipëri përpiqem t’i përcjell rregullisht. Të fillojmë nga zhvillimet politike. Në Shqipëri, sipas mendimit tim, sot për sot monizmi totalitar është zëvendësuar nga pluralizmi i totalitarizmave. Në Kuvendin e Shqipërisë sot për çdo gjë vendosin dy parti: vendosin herë njëra e herë tjetra ose në marrëveshje a në mosmarrëveshje njëra me tjetrën.
Kuvendi i Shqipërisë në thelb është, prandaj, një gjysmëkuvend, kurse demokracia e rrëgjuar në procedurë jo rrallë të cenuar.
Deputetët e tjerë, të partive të tjera të vogla në atë gjysmëkuvend, më së shpeshti janë të përdorur prej atyre dy partive.
Populli, sovrani i vërtetë, është plotësisht i përjashtuar nga mundësia e ndikimit në vendimarrje dhe nga mbikëqyrja e pushtetit!
E, në qoftë se demokracinë e quajmë jo vetëm procedurë, por edhe çka do të duhej të ishte – marrëdhënie mes njerëzve, humanizëm, atëherë ne mund të flasim vetëm për një minimum të demokracisë. Apo për një demokraci rurale edhe ashtu tepër të shpërdorur si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë.
Në politikën shqiptare në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë e në Maqedoni ngjet ajo që Darendorfi e quan harlisje e shpirtrave të këqij! Kush mund të presë demokraci, njerzillëk, përgjegjshmëri, drejtësi, ndërgjegje prej shpirtrave të këqij të harlisur? Askush me mend në kokë. Politika që bëjnë këta shpirtra të këqij, të harlisur, gjithnjë me disa përjashtime, është thellësisht e pamoralshme.
Të vazhdojmë me zhvillimet aktuale ekonomike. Relievin politik dhe ekonomik të Shqipërisë (dhe të Kosovës) e përcaktojnë oligarkitë partiake. Ato e kanë bërë parim politik, natyrisht të mbuluar me fraza demagogjike, gllabërimin. Këto oligarki, me ministritë e tyre, në kabinetet e tyre, dhe jashtë kabineteve të tyre, bëjnë betejat për çdo prokurim, për çdo tender, duke filluar nga çdo tualet i ri e deri te çdo kilometër rrugësh për asfaltim, për ura, për korrent, për naftë, për cigare, për telefonitë, për institucionet e arsimit, të shkencës e të kulturës, për firmat e ndryshme shtetërore, për çdo mall me akcizë dhe pa akcizë!
Këto oligarki partiake nuk kanë vetëdije për shërbim shtetëror dhe nuk kanë vetëdije elementare për drejtësi sociale, për një ndarje sadopak të drejtë të pasurive të përbashkëta, publike. Kryeministri i Shqipërisë pa pushuar bërtet kundër korrupsionit, por familjarët e tij janë gjithnjë e më të pasur, kurse Shqipëria, si u dëshmua me të dhëna nga një organizatë ndërkombëtare më 26 shtator, kampione e korrupsionit në Ballkan!
E gjithë kjo veprimtari e quajtur plaçkitje, korrupsion, nepotizëm, luks zyrtar, kontrabandë dhe trafikim është mbuluar me solidarësi klanesh dhe me shkëlqim të rrejshëm patriotik. Për herë të parë në historinë shqiptare hajdutët e pasuruar sa çel e mbyll sytë zënë vendet e para në radhët e patriotizmit!
Pjesëtarët e këtyre oligarkive i kanë mësuar do fraza për politikën, demokracinë, ekonominë, politikën rajonale me të cilat u servilizojnë disa faktorëve ndërkombëtarë, do fraza që u pëlqejnë veshëve të Amerikës e të Evropës, por duke i shqiptuar këto fraza vazhdojnë të bëjnë çdo gjë në njëmendësinë shqiptare!
Dhe, kështu do të vazhdojnë derisa shqiptarët të mos mësojnë që prej pushtetit të kërkojnë shumë më tepër sesa të mos jenë të rrahur, të burgosur, të shfrytëzuar, të çuar për punë në botë, të përbuzur – si gjithmonë deri tani.
Të kalojmë në zhvillimet aktuale shoqërore. Shoqëria shqiptare vazhdon të jetë thellësisht e ndarë. Kjo shihet si në Kuvendin e Shqipërisë ashtu edhe në ato të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe kjo shihet në debatet politike dhe intelektuale në mediat elektronike. Shoqëria shqiptare, me një përqindje të madhe të qytetarëve, vazhdon të jetë shoqëri e zhgënjyer dhe e dëshpëruar. Ikja jashtë Atdheut, gjithmonë dhe për çdo kë e dhembshme, në njërën anë dhe vetëvrasjet e vrasjet e shpeshta si kurrë përpara, në anën tjetër, janë dëshmi e kësaj.
Nuk kemi sistem vlerash. Diçka që çmohet si vlerë në një anë, përbuzet, shpallet jo vlerë a kundërvlerë në anën tjetër.
Mosdurimi, jotoleranca e ndërsjellë jo vetëm politike dhe ideologjike karakterizojnë jetën tonë! Shpifjet, gënjeshtrat, denoncimet janë mjeti i shpeshtë i shprehjes së mosdurimit dhe jotolerancës jo vetëm politike dhe ideologjike.
Të gjitha këto plus brutalitetet karakterizojnë edhe debatet midis intelektualëve.
Sjellje, veprime, paraqitje, mendime të njerëzve të shtresave të ndryshme, të privuara prej skrupujsh më të domosdoshëm, ka aq shumë saqë njeriu pushtohet prej mëdyshjes: në mos shoqëria shqiptare është shoqëri e paetikë.
Shumë nga ato që dëgjohen, shumë nga ato që shihen dhe shumë nga ato që bëhen në jetën tonë politike dhe në jetën tonë kombëtare në përgjithësi dëshmojnë se ne me njërën këmbë jemi ende në nivelin e dytë të , si e quajnë sociologët bashkëkohorë, qenies psiko-sociale e kjo domethënë në nivelin e qenies karakteristike për tribalizmin, kurse me këmbën tjetër në nivelin e tretë e kjo domethënë në nivelin e qenies psiko-sociale që e karakterizojnë egocentrizmi i skajshëm, dhuna në marrëdhëniet shoqërore, lufta darviniane për ekzistencë, korrupsioni, vjedhja dhe plaçkitja!Ky është nivel në të cilin, pra, mungojnë rendi dhe drejtësia, në të cilin nuk funksionon shteti i së drejtës. Është e qartë: gati njëqind vjet pas krijimit të shtetit, ne ende nuk kemi arritur të ndërtojmë shoqëri qytetare.
E di se nuk do ta pres ndërtimin e saj!
10. Tani Shqipëria ka një president të ri. Si e vlerësoni procesin e zgjedhjes së tij? Po figurën e z. Bamir Topi? Po punën e qeverisë “Berisha”?
-Procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të Shqipërisë më është dukur si të gjitha proceset e tjera politike në Shqipëri: i komplikuar, dhe i lënduar prej sjelljesh shpesh të padëshiruara, por, në fund, u quajt demokratik edhe prej atyre që menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit nuk e quajtën të tillë. E besoj se ndërruan gjuhë, nëse jo edhe mendje, se ashtu porositën faktorët ndërkombëtarë. Në qoftë se ka pasur një marrëveshje që kryetari i Shqipërisë të zgjidhet me bashkëmarrëveshjen, me konsensusin e dy palëve, atyre në pushtet dhe atyre në opozitë, atëherë kjo bashkëmarrëveshje u shkel. Dhe, u shkel sepse Shqipëria sot është shtet njëpartiak, natyrisht njëpartiak jo si në kohën e komunizmit, dhe jo me pasojat njëpartiake të kohës së komunizmit. Shqipëria ka sot kryetarin e shtetit, kryetaren e Kuvendit dhe kryeministrin – të gjithë të një partie. E kjo parti, Partia Demokratike e Shqipërisë, ka arritur të krijojë qeverinë në sajë të koalicionit me një varg partish të tjera të djathta apo të qendrës së djathtë. Si nuk u bë që bile njëri prej këtyre posteve t’i jepet ndonjërës nga partitë e koalicionit! Deri ku shkon partishmëria dogmatike e kryeministrit të Shqipërisë, pos këtyre tri posteve, e tregojnë edhe zgjedhjet e tanishme në zonën 31 të Tiranës.
Bëri çmos që ta kandidojë për deputet anëtarin e Partisë Demokratike në vend se të tregohej sadopak më zemërgjerë ndaj partive të koalicionit dhe të pajtohej me kandidimin e një politikani të një partie tjetër: të Dashamir Shehut.
Kryetarin e ri, Bamir Topin, megjithëse bashkëpunëtor i njeriut për të cilin nuk kam mirëkuptim – i Sali Berishës, e shikoj me një simpati kur e kur të shprehur. Është një nga përjashtimet e dëshiruara në Partinë Demokratike, që kujdeset të dallojë prej kryetarit të partisë së cilës i takon. E, dallon, para së gjithash, me sjellje dhe gjykime të matura, jokonfliktuoze, racionale, demokratike. Do t’i shërbejë mirë Shqipërisë në qoftë se u rri larg infarkteve politike të kryeministrit, në qoftë se nuk pajtohet me përpjekjen e tij për rrëgjimin e reformës së gjyqësorit në qërim të hesapeve me kryeprokuronin publik, Teodori Sollakun, në qoftë se nuk pajtohet me totalitarizmin e tij partiak, në qoftë se nuk pajtohet me politikën e tij dëmtuese ndaj studimeve shqiptare, në përgjithësi, në qoftë se ruhet prej prirjeve autoritare të kryeministrit, i cili nuk ngurron të fusë hundën staliniane edhe në punët e krijimtarisë shkencore dhe artistike. E të tjera.
Çka mendoj për punën e qeverisë “Berisha”? Berisha? Fenomen që flet për të dhe fenomen që flet edhe për ne. I vdekur politikisht dhe moralisht pas tragjedisë në të cilën e futi Shqipërinë në vitin 1997, ai u kthye ngadhënjimtar në pushtet në vitin 2005! Askund në botën demokratike një rikthim i tillë politik nuk do të mund të ngjante. Ai u rikthye dhe “i shkeli” të gjithë: intelektualët, biznesmenët, pronarët e medieve, me përjashtim të Top Chanel-it, opozitarët me përjashtim të disa prijësve opozitarë. Intelektualët e korruptuar politikisht dhe servilë alla Kadare janë bërë telallë të tij, të tjerët, të “pavarurit’ janë strukur me shpresë se ashtu të heshtur, do të shpëtojnë prej shpifjeve, denoncimeve dhe ndotjeve prej partizanëve të tij në media! Si është e mundshme kjo? Sali Berisha i bën të gjitha të mundshme: edhe të pamundshmet në botën normale,demokratike. Ai, vetëm ai, e ka kuptuar se si, me çka arrihet sigurt në pushtet në jetën tonë. Ai, vetëm ai, e ka kuptuar se kujt dhe pse ia varim ne qafën në pushtet! Ai, vetëm ai, e ka kuptuar se në jetën tonë nuk arrihet në pushtet dhe nuk mbahet pushteti pa shumëfytyrësi, pa papërgjegjshmëri, pa mashtrime, pa britmë frikësuese, pa dhunë despotike orientale! E shihni ç’bën ai në Kuvend, në të vërtetë në gjysmëkuvendin e tij në krye me zonjushën Topalli, që për nga vrazhdësia politike është bërë kopja e tij? Bërtet kryeministri në atë gjysmëkuvend, kërcënon, shantazhon, thotë të pavërteta, fyen, cenon, përdhos ndere e dinjitete! Dhe, vazhdon tutje. Shqipëria në terr në dimër dhe në verë! Kryeqyteti pa ujë në verë dhe në vjeshtë! E kryeministri vazhdon tutje i paprekur: askush nuk kërkon llogari prej tij po vetëm prej disa ministrave të tij. Hajde, thuajmani atë shtet në botë në të cilin do të mund të vazhdonte të kryeministronte njeriu politik nën qeverisjen e të cilit popullin e pllakosin një terr i tillë dhe një etje e tillë! Dhe, kriza politike njëra pas tjetrës!
Tragjikomeditë që nën mandatin e Sali Berishës po i shkaktohen Shqipërisë janë të ndryshme, por Sali Berisha vazhdon tutje si despotët në kalë të shalës. Ai, vetëm ai e ka kuptuar mirë se ne durojmë e duam në pushtet vetëm mjeshtrit e teknologjisë së agresivitetit politik! E shkollën e kësaj mjeshtërie Sali Berisha ka pasur ku ta mësojë! Ishte nxënës i shkëlqyeshëm.
11.Prej disa ditësh, në Shqipëri është hapur një debat i ri.Qeveria ka vendosur rishikimin e historisë.Sa i vlefshëm është një debat i tillë?Cili është mendimi juaj për këtë nisëm? Nëse historia duhet rishikuar, sipas jush, cila është periudha më problematike dhe më e errët e saj?
-Sa më kujtohet, kryeministri i Shqipërisë ka kërkuar, nuk e di në mbledhje të qeverisë apo para gazetarëve, jo që të rishikohet po që të rishkruhet historia e Shqipërisë. Shqiptarët e tjerë, që jetojnë jashtë Shqipërisë shtetërore, për fat, i ka lënë pa këtë dhuratë të tij. Nga shkrimet që kam lexuar për këtë kërkesë të tij dhe nga debatet televizive që kam parë për këtë kërkesë nuk më ka rënë në sy që ndonjë historian apo autor tjetër të jetë marrë me nocionin rishkrim. Ç’do të thotë nocioni rishkrim në përgjithësi? Dhe, çdo të thotë ky nocion në fjalësin e kryeministrit në veçanti? Të rishkruash diçka nuk do të thotë të rishikosh. Të rishkruash historinë e Shqipërisë nuk do të thotë të rishikosh historinë e Shqipërisë. Të rishkruash historinë e Shqipërisë do të thotë t’ia fillosh kësaj historie prej të parës, të bësh një histori që ndryshon qind për qind nga historia e derisotme. Kur Sali Berisha kërkon të rishkruhet historia e Shqipërisë ai në të vërtetë kërkon që të hidhet poshtë çdo gjë që është shkruar deri sot për këtë histori dhe të shkruhet historia siç dëshiron ai. A është e mundshme kjo? Unë them: jo. Historia e Shqipërisë sot nuk mund të rishkruhet: historia e Shqipërisë sot, në shumë pika, për shumë çështje, rrjedha, dukuri, etapa e periudha, figura, veprime, veprimtari, masa, politika, zhvillime, ngjarje mund të korrigjohet, ndryshohet, thellohet, pasurohet, por jo edhe të rishkruhet – si do të donte ai me suflerët e tij. Çdo brez e shkruan historinë e vet të popullit të cilit i takon, por e shkruan duke u mbështetur edhe në historiografinë e brezave paraardhës, duke shfrytëzuar frytet e punës së tyre, përvojën e tyre, të dhënat e tyre. Nga krahët e brezave të përparshëm, sidomos nga krahët e brezit paraardhësit, ne shohim më qartë, më thellë dhe më larg.
Historia e letërsisë shqipe, fjala vjen, e shkruar pas Luftës së Dytë Botërore, është një histori me shumë të meta në metodologji, në shikime, në interpretime, në shpjegime dhe në vlerësime. Në të, disa autorë janë mbiçmuar për arsye politike e disa, po ashtu për arsye politike dhe ideologjike, janë mohuar plotësisht. Por, megjithatë, ajo është një histori pa të cilën nuk mund të ecë sigurt përpara asnjë historian bashkëkohor i letërsisë shqipe. Në të gjejmë lëndën, datat, titujt, jetëshkrimet e shkrimtarëve, të dhënat për fatin e veprave të tyre, për lidhjet me letërsi të huaja, për lidhjet me letërsinë popullore e të dhëna të tjera që na bëjnë të mundshme të shkojmë tutje në shpjegimin historiko – letrar të letërsisë shqipe. Një historian i ndershëm, i ndërgjegjshëm i letërsisë shqipe, prandaj, nuk mund të mos u jetë mirënjohës atyre që e kanë shkruar këtë histori dhe nuk mund të mos thotë se Dhimitër Shuteriqi ishte një historian shumë i merituar i letërsisë shqipe dhe i shkrimeve shqipe. Me gjithë dallimet dhe mospajtimet metodologjike dhe ideologjike që kisha me të unë përkulem para emrit të tij dhe e quaj historian i madh i letërsisë shqipe dhe i shkrimeve shqipe. Puna e tij kërkimore shkencore më ka kursyer shumë kohë e shumë mund që do të duhej të bëja po të mos ishin studimet e tij. Të shkruash historinë e letërsisë shqipe do të thotë pashmangshëm t’i referohesh themeluesit të saj: Dhimitër Shuteriqit.
Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve para Luftës së Dytë Botërore ishte një histori e personalizuar, një histori, e shikuar nga pikëpamja shkencore, pothuaj diletante, por kjo histori e personalizuar doemos u ka hyrë në punë historianëve të pasluftës, të cilët historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve e kanë bërë shkencë: shkencë të çmuar në atdhe dhe shkencë të çmuar në Ballkan dhe në Evropë. Aleks Buda, Hasan Ceka, Ignjac Zamputi, Arben Puto, Kristo Frashëri, Skënder Anamali, Stefanaq Pollo, Ali Hadri, Ligor Mile, Kasëm Biçoku, Kristaq Prifti, Selami Pulaha, Gazmend Shpuza, Paskal Milo, Selim Islami, Muzafer Korkuti, Françesk Prendi, Neritan Ceka e të tjerë, kanë bërë punë, vërtet, të madhe historiografike. Ata na e kanë mësuar historinë. Ata na kanë bërë të vetëdijshëm për të kaluarën tonë, për trojet tona, për humbjet dhe fitoret tona, për gëzimet e pakta dhe dhembjet e shumta historike. Ata na e kanë formuar krenarinë kombëtare – historike. Në simpoziume, në konferenca dhe në kongrese ballkanologjike dhe evropiane ata e kanë përfaqësuar me dinjitet shkencor shkencën historiografike shqiptare dhe me dinjitet qytetar popullin shqiptar. Më kujtohet: historianët dhe arkeologët e popujve të Jugosllavisë, me gjithë mosdurimin politik, dhe, ndoshta, jo vetëm politik, për Shqipërinë i përmendnin me shumë nderim emrat e historianëve shqiptarë, duke shquar përgatitjet e tyre impresive, në shkrimet për tubimet shkencore në të cilat merrnin pjesë bashkë.
Të gjitha këto nuk duan të thonë, ndërkaq, se në studimet e tyre,se në historiografinë e derisotme të Shqipërisë dhe të shqiptarëve nuk ka të meta – të vogla dhe të mëdha. Historiografia shqiptare, në pjesën e saj më të madhe, ishte historiografi metodologjikisht dogmatike. Për shkaqe ideologjike dhe politike në të zotërojnë shikime të ngushta, paraqitje bardhë – zi, shpjegime dhe vlerësime anshëm subjektive. Rrjedha dhe ngjarje historike rrëgjohen në luftën e klasave! Disa figura historike glorifikohen,kurse disa të tjera përjashtohen plotësisht. Glorifikimet dhe mohimet, shikimi klasor, patosi dhe retorika ideologjikisht të ngjyrosura janë të metat, që, mjerisht, e shënojnë historiografinë tonë sidomos prej kohës së Skëndërbeut e deri sot, kurse historiografinë e periudhave më të reja aq më shumë. Kuptohet, historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve duhet të lirohen prej këtyre të metave. Dhe,ajo tani e pesëmbëdhjetë vjet është duke u liruar. Dëshmi e kësaj janë veprat kapitale Historia e popullit shqiptar e botuar më 2002 dhe Dilemat e Arbërit e Pëllumb Xhufit e botuar më 2006. Përvoja moderne evropiane metodologjike, interpretuese dhe shpjeguese e historiografisë shqiptare është gjithnjë e më e dukshme dhe gjithnjë e më frytdhënëse.
Por, kur kryeministri i Shqipërisë kërkon që të rishkruhet historia e Shqipërisë, ai nuk i ka parasysh këto të sipërtheksuarat: ai ka parasysh që një dogmë e shkuar të zëvendësohet me një dogmë tjetër. Kërkesa e tij,prandaj, është një kërkesë me prejardhje të njohur: është kërkesë staliniste. Janë të njohura kërkesat e Stalinit për rishkrimin e historisë ruse e sovjetike. Ku në botën demokratike kryeministrat u vënë kërkesa shkencëtarëve, ani shkencëtarëve të shkencave shoqërore? Hajde, mendojini kryeministrat a kryetarët Romano Prodi, Angela Merkel, Zhak Shirak, Gordon Braun, Karamanlis duke kërkuar prej historianëve që ta rishkruajnë historinë e shteteve të tyre? Jo. Kjo nuk mund të ngjajë. Që të rishkruhet historia e vendeve të tyre, e popujve të tyre i lejojnë vetes të kërkojnë sot vetëm edhe Llukashenkoja i Bjellorusisë,Kim Xhong Illi i Koresë Veriore, Berdimuhamedovi i Turkmenistanit dhe Sali Berisha ynë.
Shpëtona, Zot, prej tyre!
Ju po pyetni se cila periudhë e historisë së Shqipërisë është më problematike, më e errët, domethënë më njëanshëm e trajtuar dhe e shpjeguar?
Po të krahasojmë historiografinë tonë me historiografitë e popujve të tjerë evropianë, të shkruara, ta themi, sipas metedologjisë së zbatuar në shkollën franceze të Mark Blokut, do të themi, si u theksua edhe më parë, se historiografia jonë në përgjithësi është shumë e thjeshtësuar.
Thjeshtësimet më të mëdha, paraqitjet më subjektive, madje edhe shtrembërimet më të theksuara vërehen në periudhën midis dy luftërave botërore,sidomos të kohës së mbretërimit të Ahmet Zogut dhe në periudhën e komunizmit. Do të çuditeni,besoj, në qoftë se u thuhet se thjeshtësime, paraqitje subjektive, shtrembërime, madje, falsifikime vërehen po aq shumë edhe në një pjesë të historiografisë së këtyre 16-17 vjetëve të fundit, në të cilën historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në përgjithësi rishkruhet ashtu si ç’do të donte kryeministri i sotëm i Shqipërisë.
Shikojini historitë për shkolla të mesme! Sa shumë janë të pushtuara prej njëanshmërive, shtrembërimeve, kur e kur gënjeshtrave dhe falsifikimeve! Në njërën prej tyre kemi dy faqe himnizim për partitë politike që ishin vetëm një opozitë e gjorë ndaj regjimit të Millosheviqit,kurse vetëm dy rreshta për UÇK-në. I lexoni artikujt dhe shkrimet e tjera të ndryshme për formimin e partive dhe lëvizjet politike në Shqipërinë shtetërore e në Kosovë pas viteve nëntëdhjetë? I shikoni filmat e ndryshëm dokumentarë për ato ngjarje dhe për lëvizjen politike në Kosovë prej vitit 1981 e deri në kohën tonë? Gëlojnë nga të pavërteta. Njëanshmëri, shtrembërime, të pavërteta, fshehje të pavërtetave, falsifikime, glorifikime në njërën e mohime në anën tjetër, aq më shumë mund të vërehen në historitë e letërsive për shkollat e mesme e në libra leximi! Njëanshmëritë, thjeshtshpjegimet, shtrembërimet, të pavërtetat, në historiografinë e kohës së komunizmit bëhen brenda një sistemi metodologjik, shpjegues, vlerësues. Dhe, kanë një dinjitet intelektual.
Njëanshmëritë, shtrembërimet, të pavërtetat dhe falsifikimet që po bëhen në historiografinë shqiptare, të rishkruar sipas kërkesës së kryeministrit,janë të pasistem, janë anarkike. Mungon dinjiteti intelektual.
12. Debati për rishikimin e historisë, siç duket, do të kërkojë edhe saktësimin e Ditës së Çlirimit të Shqipërisë, 28 apo 29 Nëntor 1944…
S’e di çka mund të saktësohet në një datë tashmë të saktësuar: të saktësuar me të dhëna që sjellin sytë, veshët dhe mendja.
13. Është kthyer sërish në skenë një tjetër debat i kahershëm, ai për hapjen e dosjeve të periudhës së diktaturës.Si e gjykoni rikthimin e këtij debati 17 vjet pas rrëzimit të diktaturës në Shqipëri?
Sa dëgjoj dhe lexoj, tani në skenën politike dëgjohet edhe debati për hapjen e dosjeve për vitin 1997.Dosjet do të duhej të ishin hapur deri tani edhe për periudhën e diktaturës komuniste, edhe për periudhën e despotizmit të Sali Berishës. Pse nuk janë hapur më parë? Është pritur, ndoshta, që të bëhen pastrimet e duhura në arkiva e në dosje.E dëshmi të këtyre pastrimeve tashmë janë botuar në trajtë libri.
14. Një vit më parë, debati mbi qytetërimin evropian të shqiptarëve pati jehonë të gjerë dhe provokoi përfshirjen në të të personaliteteve të shquara të kombit shqiptar. Tani, një vit më pas, si e vlerësoni ju atë debat, protagonist i të cilit ishit edhe vetë ju?
Nuk ishte ky debat mbi qytetërimin evropian të shqiptarëve po debat mbi qytetërimin e shqiptarëve, e, ky qytetërim deri sot është një qytetërim plural: qytetërim evropian dhe oriental njëkohësisht. Shkencëtarët perëndimorë këtë pluralizëm nuk e theksojnë vetëm për qytetërimin tonë, por për qytetërimin ballkanik në përgjithësi. Ata thonë: qytetërimi evropian është më i cekti në Ballkan. Në qoftë se mund të thuhet kështu për qytetërimin e grekëve, rumunëve, kroatëve, bullgarëve, serbëve, çka mund të thuhet për qytetërimin tonë? Mund të thuhet se qytetërimi evropian te ne është shumë më i cekët se te grekët, rumunët, kroatët, bullgarët a serbët sepse e bën ashtu të cekët pikërisht përbërësi oriental. Dhe, kjo e vërtetë s’duhet të shqetësojë kë: sepse të gjitha qytetërimet janë vlera të njerëzimit.
Në debatin për identitetin tonë u bënë përpjekje që çështja e qytetërimit tonë,e kulturës sonë,e feve tona, e identitetit tonë të vihet në shërbim të politikës ditore. Metodë e vjetër staliniste: çdo gjë në shërbim të politikës! Në çdo anë politikë! Kudo politikë! Ata që letërsinë dhe shkencën i politizojnë edhe sot si dje, ata nuk mund të mos e bënin politikë edhe debatin për çështje të identitetit, i cili do të duhej të ishte vetëm intelektual dhe shkencor.
Debati tregoi se niveli i debateve tona intelektuale, si i debateve në politikë, vazhdon të jetë i paracaktuar: përkatësitë politike, partiake dhe fetare përcaktojnë, në të vërtetë cenojnë të vertetën dhe të drejtën në ato debate.
Debati tregoi se njohuritë tona për çështje të ndryshme, tema të ndryshme, dukuri të ndryshme të përgjithsme janë ende të pakta, të cekta dhe të njëanshme. E kuptueshme: për 15 vjet nuk mund të kompensohen mungesat që ka shkaktuar izolimi i ynë pothuaj njëshekullor në shkencë, në letërsi, në arte, në kulturë në përgjithësi.
Debati tregoi se jo intelektuali po paraintelektuali ynë qoftë shkrimtar,publicist e akademik e quan të ligjshme gënjeshtrën në qoftë se e sheh se është për të e dobishme.
Debati tregoi se vrazhdësia, egërsia zhvlerëson jo vetëm debatin politik, po edhe debatin tonë shkencor dhe intelektual.
Debati tregoi se gatishmëria e shumë vetjeve të klasës sonë politike dhe intelektuale për të ndërruar fytyrë orë e çast dhe për të servilizuar i paraqet të gënjeshtërta edhe gjykimet tona në shkencë e jo vetëm në politikë. Pjesëmarrës në debat u dërrmuan duke bërtitur se Evropa ka një identitet (një qytetërim, një kulturë e një fe), ndërsa për intelektualë, shkencëtarë dhe politikanë evropianë, Evropa sot përcaktohet si përmbledhje e veçantë identitetesh. Nuk ka popull evropian, por popuj të Evropës. Apo jo?
Debati pati edhe dy të mira të veçanta: e para,e ndali turrin e garave dhe propagandave fetare në radhë të parë të fesë katolike dhe fesë myslimane, që pashmangshëm do të ushtronin ndikim shpërbërës në njësinë tonë shpirtërore dhe kombëtare në përgjithësi, dhe, e dyta, i komprometoi përpjekjet e Ismail Kadaresë dhe të tjerëve si ai për t’u paraqitur çka nuk ishin në kohën e diktaturës dhe për të retushuar, në të vertetë për të ndryshuar të kaluarën ideologjike dhe politike staliniste, me çka është deformuar shumë shkenca jonë e letërsisë. U komprometua posaçërisht raciami i Ismail Kadaresë si dukuri kundërhumane, por edhe kundërkombëtare. Jo më pak u komprometua edhe poltronizmi i tij i çuar, si shkroi këto dotë një publicist në Prishtinë,deri në perfeksion: poltronizmi i tij i treguar në jetë e në vepër, që aq shumë e ka diskredituar personën e tij publike dhe cenon dinjitetin e intelektualit shqiptar.
15. Keni folur shumë për moralin intelektual. Çfarë keni parasysh me këtë?
E kam parasysh atë që e thotë aq bukur Sartri: “Intelektuali është përgjegjës ndaj së vërtetës… Në qoftë se duam ta shpëtojmë njeriun nuk na mbetet gjë më e rëndësishme sesa t’i dhurojmë atij fuqi mohuese – t’i dhurojmë atij mundësinë që t’i thotë Jo çdo gjëje që nuk është e vërtetë”. Mund të shkruash libra shkencorë dhe letrarë, mund të kesh jo një po tri fakultete; mund të jesh anëtar jo i një, po i pesë akademive shkencore, por nëse s’ke karakter të qëndrueshëm, nëse s’ke parime, nëse në vend se me kokën tënde mendon me kokat e pushtetarëve, nëse të vërtetat e të drejtat ua flijon levërdive vetjake, ti s’je intelektual po rrospihe shkencore a letrare.
16. Flitet për një zbehje të rolit të intelektualëve dhe të mendimit të tyre në të dyja anët e kufirit shqiptar. Çfarë sjell kjo,sipas jush, në zhvillimet e nxehta politike shqiptare?
Njerëzit e politikës dhe shumica e mediave kanë arritur t’i margjinalizojnë intelektualët në jetën tonë shoqërore. Dhe, intelektualët sikur janë pajtuar me këtë fat! Ata nuk e kryejnë rolin që në këtë kohë, në të cilën ende nuk janë zgjidhur as çështja jonë kombëtare,as çështja demokratike, as çështja sociale, objektivisht u takon. Njerëzit e politikës – kjo lëndë harxhuese, kanë arritur kështu ta lënë popullin shqiptar pa mendimin, pa rolin e elitës! Në vende të tjera kjo nuk ngjet. Po jap një shembull se sa vendimtar mund të jetë roli i intelektualëve në historinë e një vendi. Në Rusi, diku nga gjysma e viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kryetari Jelcin ishte në bisedime me zyrtarë japonezë për t’u dhënë atyre një ishull a disa ishuj atje afër Japonisë. Ky pazar i shqetësoi intelektualët rusë. Dhe, rreth njëzet akademikë të shquar i bënë një letër Jelcinit, në të cilën, përpos të tjerash, i thanë: ata ishuj nuk ia ke sjellë ti Rusisë dhe ata ishuj nuk mund t’ia tjetërsosh Rusisë. E qartë, zoti Jelcin? Kryetari Jelcin e kuptoi kumtin dhe e ndërpreu pazarin me zyrtarët japonezë për ishujt – fryte të imperializmit rus. Mbaj mend kur kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha, e furnizonte Serbinë me naftë edhe pse Serbia ishte vënë nën bllokadë ekonomike nga OKB-ja. Dhe, mbaj mend kur Sali Berisha thoshte se më e madhja që iu takon shqiptarëve të Kosovës është autonomia, sepse Kosova është djep i binjakëve shqiptarë dhe serbë, por nuk u gjetën intelektualë që t’ia çojnë një letër atij që të mos e furnizonte Serbinë me naftë dhe që të mos e mohonte të drejtën e shqiptarëve për pavarësi të Kosovës. As sot nuk po gjenden intelektualë, të bashkuar, që t’i thonë atij se për shkencat në përgjithësi dhe për shkencat albanologjike në veçanti dinë më shumë se ai dhe mbrojnë më përgjegjshëm se ai ato dhe interesat e kulturës shqiptare,prandaj le t’i lërë rehat e të shikojë punët që duhet të shikojë.
17. Çfarë mendoni se u mungon letrave shqipe?
Shkrimtarëve tanë, shumicës së tyre, u mungon vetëdija kritike pa të cilën letërsia edhe më tej do të vuajë prej himnizimeve më pak a më shumë folklorike. Dhe, shkrimtarëve tanë, ndoshta numrit më të madh të tyre, iu mungon njohja e letërsisë moderne, sidomos e romanit modern dhe postmodern. Për këtë arsye letërsia jonë, në një pjesë të saj të madhe, vazhdon të jetë tradicionalisht realiste e kjo domethënë më pak a më shumë anakronike.
18. Para pak kohe në Institutin Albanologjik ndodhën ngjarje që jehuan shumë në opinionin kosovar dhe në diasporë, megjithëse në mediat e Shqipërisë nuk u komentuan shumë. Çka në të vërtetë ngjau në Institut?
Si duket jo palidhje me ofensivën e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, kundër Akademisë së Shkencave dhe studimeve shqiptare në Shqipëri, në Prishtinë u bënë përpjekje për ndryshimin e qëllimit për të cilin është themeluar Instituti Albanologjik e që është: studimi i kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar jo vetëm në Kosovë po në përgjithësi. Në kundërshtim me ligjin në fuqi, në Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë u modifikua statuti i ri pa pyetur fare organet përkatëse të Institutit, siç është Këshilli Shkencor, në të cilin Institutit, pos të tjerash, i përcaktohen si qëllim edhe studimet sociologjike dhe politike – për çka tash e shumë vjet ekziston një Institut në Kosovë. Në të vërtetë, synohej që Instituti të futej në duart e një tarafi partiak shkencor dhe, mandej, të mund të përdorej për betejat e filluara tani e sa kohë për ndryshimin e gjuhës standarde apo,madje, për krijimin e gjuhës së dytë standarde dhe për krijimin e kombit të ri, kosovar, si dhe për përfitime të ndryshme vetjake. Për këto qëllime në Institut u vendosën të ashtuquajturat masa të dhunshme.
Hulumtuesit shkencorë dhe personeli administrativ i Institutit,numri më i madh i tyre, prej fillimit refuzuan pajtimin me masat e dhunshme. Por, kur në kuadrin e këtyre masave të dhunshme ndodhi thyerja e kabinetit të Ymer Jakës dhe kabinetit të Rexhep Qosjes, u kuptua plotësisht se për çka ishte fjala. Në të vërtetë, thyerja e këtyre kabineteve e demaskoi qëllimin e projektuesve të pushtimit të Institutit prej tarafit, që po arrin të bëjë mjaft uzurpime dhe shpërdorime në shkencën e në kulturën tonë. Numri më i madh i punonjësve të Institutit doli në protestë. Thyerja e kabineteve (me punëtorë të marrë në pazar të Prishtinës) ishte një vandalizëm i pashembulltë, që nuk e bëri as pushteti serb kur nxori prej Institutit punonjësit e tij disa vite para luftës. Kjo nga punonjësit e Institutit u përjetua si fyerje e rëndë ndaj Institutit dhe punës së tij shumëvjeçare. Ishte ky një veprim i çmendur, unë them i bërë pa dijen e ministrit të Arsimit, të Shkencës e të Teknologjisë, Agim Veliu, veprim që mund të ishte shumë komprometues për kulturën tonë, për liritë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë. Merreni me mend: një profesor universiteti i përdorur dhe i sakrifikuar prej tarafit në fjalë, dhe një studiues i folklorit e urdhërojnë dhe e mbikëqyrin thyerjen e kabineteve të studiuesve të letërsisë dhe të kulturës shqiptare, në të cilët punohet dyzet vjet dhe futjen e librave dhe të lëndës së arkivave të tyre në thasë najloni për t’u hedhur diku tjetër! Në atë kabinet, në të cilin punoj prej vitit 1967, kur është rithemeluar Instituti, unë i kam shkruar me stilograf dhe shumë, shumë herë në makinë të shkrimit të gjitha veprat e mia me përjashtim të dy të parave. Në atë kabinet janë shkruar Historia e letërsisë së Rilindjës në tri vëllime, monografitë për Naimin dhe Asdrenin, studimet dhe trajtesat për të gjithë shkrimtarët e vjetër, shkrimtarët midis dy luftërave botërore dhe shkrimtarët e sotëm për të cilët kam shkruar. Në atë kabinet janë shkruar të gjitha veprat e mia për çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi dhe shumë deklarata, rezoluta, protesta, përkujtesa në emër të Institutit, të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës dhe studentëve të Kosovës kundër dhunës së shtetit serb në Kosovë, të cilat u janë dërguar shtetarëve të ndryshëm botërorë dhe institucioneve botërore. Në atë kabinet janë shkruar romanet e mia dhe dramat e mia.
Për të shkruar Historinë e letërsisë së Rilindjes, monografitë për Naimin dhe Asdrenin dhe për të bërë studimet dhe trajtesat për të gjithë shkrimtarët me të cilët jam marrë është dashur të bëj shumë punë. Në atë kabinet, prandaj, ishin sistemuar detyrimisht të gjitha fotokopjet dhe filmat e botimeve të para të veprave të rilindësve, të shkrimtarëve të vjetër dhe të shumë shkrimtarëve midis dy luftërave botërore, të bëra në Tiranë, në Bukuresht, në Athinë, në Stamboll, në Sofje dhe, madje,në Konstancë. Në atë kabinet gjenden skeda dhe shënime të punës sime dyzetvjeçare; dorëshkrimet e veprave të mia; versionet e ndryshme të shkruara në makinë shkrimi të veprave të mia të ndryshme; lëndë arkivore të ndryshme: korrespodenca, artikuj të ndryshëm të shkruar për Kosovën dhe për mua në shtypin jugosllav; fotografi të shumta;mjetet me të cilat punoj: stilografë, lapsa kimikë, lapsa të zakonshëm,goma, gërshërë, syze, thjerrëza, vizorë. Dhe, rreth 1600 libra të ndryshëm. Dhe, të gjitha këto, gjithë këto vepra dhe gjithë këtë arkiv vetjak, ushtruesit e masave të dhunshme kishin vendosur që, me katër punëtorë të marrë në pazarin e Prishtinës, t’i fusin, dhe po i fusnin, në thasë najloni, qoftë edhe duke i përdhosur në dyshemenë e kabinetit, dhe duke i nxjerrë prej kabinetit! A është e mundshme të ngjajë kësi vandalizmi në Kosovë? Në Kosovën demokratike – të pasluftës? A është e mundshme që ky vandalizëm të ndodhë me dijen e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë?
Si u mor vesh kjo, reagimi mospajtues i opinionit me masat e dhunshme dhe thyerjen e kabineteve të Ymer Jakës dhe të Rexhep Qosjes ishte i fuqishëm. I paparashikueshëm për projektuesit e dhunës. U shkruan dhe u botuan shumë e shumë artikuj; u dhanë informata në radio e në televizione. Në disa ueb sajte u paraqitën shumë, shumë reagime. Në të gjitha shkrimet, informatat dhe artikujt në gazeta e në ueb sajte u shpreh pezm ndaj masave të dhunshme në Institut dhe ndaj thyerjes së kabineteve shkencore. Shumë qytetarë dhe shoqata u solidarizuan me punonjësit e Institutit dhe u shprehën të gatshëm t’i bashkohen protestës së tyre. Posaçërisht përshtypjelënëse ishin reagimet e bashkëkombasve tanë në Evropë dhe në SHBA. Reaguan parti politike, sidomos vendosmërisht reaguan Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Shumë shpejt dhe shumë vendosmërisht reagoi Qeveria e Kosovës, dhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku. E kuptueshme: luftëtari për lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj në luftë e quajti obligim moral të mbrojë liritë dhe të drejtat e qytetarëve të saj edhe tani në paqen e shpërdorur prej shpërdoruesve të saj. Kryeministri Agim Çeku kërkoi të ndërpriten masat e dhunshme në Institut dhe të largohen ushtruesit e këtyre masave. Dhe, kjo kërkesë u realizua shpejt. Reaguan ata që gjithë jetën e kaluan duke reaguar kundër të këqijave që cenuan popullin shqiptar në Kosovë dhe që u çuan në luftë për lirinë e saj. Reagimet e tyre, ishin ngushëllim i madh për punonjësit e Institutit. Falënderimi është më e pakta që iu detyrojmë.
Edhe kryesia e LDK-së, në mbledhje për të cilën nuk u dha informatë, shprehu mospajtim me sjelljen ndaj Institutit, ndaj Ymer Jakës dhe ndaj meje. Kryetari Fatmir Sejdiu dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, shprehën mospajtim me ato veprime, duke i quajtur të papranueshme dhe të dëmshme për Kosovën. Integritetin moral të dëshmuar në punën e tyre politike Agim Çeku, Fatmir Sejdiu dhe Kolë Berisha e dëshmuan edhe në rastin e Institutit. E mbrojtën Institutin prej dhunës së njerëzve, të cilët kurrë s’kanë sakrifikuar gjë për Kosovën, por po përpiqen si të zhvasin sa më shumë prej Kosovës dhe e mbrojtën politikën e Kosovës prej një komprometimi të rëndë që do t’i sillte dhuna ndaj shkencës dhe krijuesve shkencorë.
Sjelljet e dhunshme ndaj Institutit mund të bëheshin tepër komprometuese për demokracinë tonë të re në kohën kur vendoset për statusin e Kosovës. A mund të lejojnë Kombet e Bashkuara që në protektoratin e tyre, ndaj institucioneve shkencore, ndaj shkencës dhe shkencëtarëve të bëhej çka kishin bërë vetëm Inkuizicioni në Mesjetë dhe Stalini e Gebelsi në shekullin 20! Fatmirësisht këto sjellje të dhunshme u ndaluan, por kjo nuk do të thotë se projektuesit e pushtimit të Institutit do ta ndalin plotësisht avazin.Jo. Por, Kosova liridashëse, të besojmë, nxori një mësim prej atyre që ndodhën në Institutin Albanologjik dhe nuk do të lejojë më kurrë vandalizma të tillë.
Intervistoi: Urim Bajrami
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …