A do të jetë miniera Trepça arsyeja për eskalime të reja në Kosovë në mes shqiptarëve dhe serbëve?
Kurti: Nuk mendoj se mund të flitet për eskalim të situatës në mes shqiptarëve dhe serbëve, por për paradigmën e qasjes fashiste së Serbisë ndaj Kosovës në veçanti dhe shqiptarëve në përgjithësi. Politika hegjemoniste e Serbisë, e cila shpërfaqet edhe nëpërmjet Trepçës, mbetet problemi kryesor për paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Serbia e sotme e ish bashkëpunëtorëve të Millosheviqit dhe Sheshelit në vend se të kërkojë falje për masakrat ndaj shqiptarëve, ajo edhe më tutje po vazhdon me politikat e saj fashiste ndaj Kosovës; duke dëshmuar kështu se ajo nuk ka ndryshuar që nga koha e Nikola Pashiqit. E paqja pa antifashizëm është spostim i luftës për “ditë më të mira”.
Si e komentoni vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e ligjit rreth minierës së Trepçës?
Kurti: Ideja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shndërrimin e Trepçës në ndërmarrje publike nuk po reflekton në esencë ndonjë plan të qartë, se si “Trepça” të jetë aset i rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe industrial. Sot “Trepçën”,e projektojnë sikur ajo rrezikohet nga privatizimi në të ardhmen nga qeveria. Vetëvendosje angazhohet që përveç ndërrimit të statusit të saj në ndërmarrje publike duhet të bëhet edhe një ligj i veçantë për “Trepçën”, që do ta bënte këtë ndërmarrje të paprivatizueshme dhe ku do të ndalohej koncesionimi i saj. “Trepça” duhet të jetë një ndërmarrje publike e interesit strategjik e kombëtar, e lidhur me Kuvendin, ku vendimet për Trepçën duhen të merren me 2/3 e deputetëve dhe jo me shumicë të thjeshtë. Trepçës nuk i duhet një ligj që e lë në duart e Qeverisë për ta copëtuar e për ta bërë atë publike, pak para se të shitet e për ta shitur.
A është ky presion nga ana e Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare?
Kurti: Përderisa Serbia përsërit pretendimet e saja për Trepçën për arsye politike dhe ekonomike, sigurisht se janë edhe disa segmente ndërkombëtare që kanë interesa të caktuara për Trepçën dhe rreth Trepçës. Po të njëjtat qarqe të cilat e kanë shkatërruar dhe eksploatuar Trepçën gjatë njëzetvjeçarit të fundit, përpiqen sot që ta pengojnë kthimin e Trepçës në duart e popullit të Kosovës. Por, sigurisht se përgjegjësia kryesore bie mbi supet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila në bazë të marrëveshjes së koalicionit të dy partive politike qeverisëse shqiptare me Listën ‘Srpska’ të Beogradit, të gjitha ndërmarrjet shoqërore në hapësirat ku jetojnë serbët që duan t’i shndërrojnë në ndërmarrje publike duhet ta marrin pëlqimin e komunave me shumicë serbe, që nënkupton realisht pëlqimin e Beogradit.
Pra, Beogradi dëshiron ta copëtojë Trepçën dhe t’ia nënshtrojë përfundimisht atë pushteteve të tanishme komunale në veriun e Kosovës, që do të thotë: Serbisë. Por, ekonomia jonë nuk është çështje për të cilën mund të vendosë Beogradi. Trepça është pasuri e Republikës së Kosovës dhe e tillë do të mbetet. Është çështje ekzistenciale për popullin e Kosovës, çështje lirie.
Përse nuk keni hyrë në qeverinë e Kosovës dhe si e vlerësoni punën e saj?
Kurti: Bashkëqeverisja me PDK-në e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit do të kishte nënkuptuar ripërtëritje të regjimit të vjetër me një Qeveri të re, ku do të legjitimoheshin dhe ku do të vazhdonin privatizimet neoliberale, pazaret e dëmshme me Serbinë dhe aferat korruptive dhe kriminale të qeveritarëve të deritanishëm. Duke e synuar ndryshim rrënjësor politik, Vetëvendosje ka qenë inicuesja e ndërtimit të një blloku pesëmujor antiqeveritar, që e krijoi shumicën parlamentare pas zgjedhjeve të 8 qershorit, por që u pamundësua ta marrë pushtetin, nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, Presidentes dhe institucioneve të tjera të kapura nga PDK-ja si parti-shtet. Qëllimi jonë nuk ishte vetëm ndryshimi i qeverisë së Hashim Thaçit, por edhe ndryshimi i kursit politik të Republikës së Kosovës, që kulmoi me marrëveshjen e 10 shtatorit për një kurs të ri të shtetit për Republikë e pavarur, me prioritet ekonominë, barazinë, drejtësinë, luftimin e krimit të organizuar, sovranitetin; por që Isa Mustafa e zëvendësoi me marrëveshjen e 9 dhjetorit për kursin e vjetër që e lë Kosovën pa Republikë.
A do të jetë Isa më i mirë se Thaçi?
Kurti: Isa Mustafa nuk mund të jetë më i mirë se Thaçi, mbase ai edhe do të jetë edhe më joefikas për ndonjë punë të mirë të mundshme. Ai është krejtësisht i varur nga Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiqi që janë dy kryeministrat e tjerë të kësaj qeverie. Pafuqia e tij vërehet edhe tani, kur nuk po mund ta shkarkojë ministrin e tij nga Lista Srpska që i cilësoi si egërsira nënat e të pagjeturve shqiptarë në Gjakovë. Qeveria Mustafa, Thaçi, Vuçiq do ta bëjë Kosovën në aspektin politik jofunksionale si Bosnja e pasluftës, ndërsa në aspektin ekonomik të mjerë si Amerika Latine në çerekun e fundit të shekullit të kaluar. Por mbetem optimist, sepse vërtetë Qeveria ka shumë numra, por është e dobët. Ndërkaq, opozita i ka të pamjaftueshëm numrat por, është e fuqishme, e prirë nga subjekti ynë Lëvizja Vetëvendosje.
Një numër i madh i shqiptarëve nga Kosova kanë shkuar në luftime në Siri, ndërsa zyrtari kryesor i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar mundësinë e sulmeve terroriste nga ata që kthehen? A frikësoheni nga sulmet terroriste në Kosovë?
Kurti: Nuk është e pamundur që Kosova të bëhet shënjestër e sulmeve terroriste. Ne jemi kundër shkuarjes së shqiptarëve në luftërat e huaja, i dënojmë ekstremistët, radikalizmin fetar i cili në njërën anë merr jetë të rinjsh dhe në anën tjetër shpërqendron vëmendjen nga problemet socio-ekonomike. Nëse shikoni sot hartën e botës, luftëra ka aty ku ka resurse. Në Kosovë nuk është e rastësishme që Mitrovica është e ndarë, sepse aty është Trepça. Por, nga ana tjetër, duhet pasur kujdes që mos të rrëshqasim në doktrinat e përplasjes së qytetërimeve, apo të klisheve të tjera neoliberale.
A jeni besimtar ose sekularist? Juve ju krahasojnë me Che Gevarën?
Kurti: Nuk mund të them se jam besimtar i devotshëm. Unë jam qytetar i Republikës. Nuk mendoj se mund të krahasohem me Che Gevarën, por sigurisht se disa njerëz mund të tërheqin paralele duke u motivuar nga simbolizimi im me rezistencën, aktivizimin dhe profilin e Lëvizjes Vetëvendosje.
A besoni se Serbia do ta njohë Kosovën dhe si e shihni të ardhmen e Kosovës?
Kurti: Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës si një Republikë të pavarur dhe sovrane. Ata në Serbi që e njohin si të tillë janë në margjina të shoqërisë serbe. Serbia dominuese politike do të mund ta njihte Kosovën vetëm kur do ta shndërronte përfundimisht në një Bosnje të dytë. Të ardhmen e Kosovës e shoh si shtet sovran, të bashkuar pastaj me Republikën e Shqipërisë, si rezultat i një referendumi popullor.