Intervistë me Kaltrina Gursel Sylejmanin, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sporte në komunën e Vitisë

Intervistë me Kaltrina Gursel Sylejmanin, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sporte në komunën e Vitisë

RKL: Jeni vajza e dëshmorit të kombit, Gursel Sylejmani, jeni e nderuar dhe e respektuar që keni pasur një baba qëndrestar, i cili së bashku me vëllanë e vetë, xhaxhanë Tuaj Bajramin, tërë jetën ia kushtuan çlirimit të Kosovës, vite të tëra të jetës i kaluan nëpër burgjet e Serbisë e Jugosllavisë, në kohën e pushtimit, në fund dhanë edhe gjakun e tyre për këtë liri që po e gëzojmë sot. Si e kujtoni sot babanë Tuaj të dashur?

Kaltrina G. Sylejmani: E vërtetë që kanë qenë trima e qëndrestarë, kanë qenë edhe intelektual dhe njerëz të artit, prandaj nuk mund të ketë ndonjë figure tjetër me motivuese për mua se ta. Atëbotë, kam qenë 6 vjeçare kur babi ishte shndërruar në gurë themel të shtetit tonë, dhe prej atëherë më përcjellë e njëjta përshtypje për të, si një Baba Hero imi dhe i gjithë fëmijëve të Kosovës dhe sinonim i Lirisë. Edhe sot e kujtoj ashtu!

 RKL: Jeni drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sporte në komunën e Vitisë. Si ndiheni në këtë post kur ka shumë kërkesa për projekte e pak mundësi për t i realizuar ato?

Kaltrina G. Sylejmani: Faktikisht, viti i parë i mandatit ka qenë më i vështirë në kuptimin e mbështetjes financiare të kërkesave që më janë adresuar në zyrë. Por duke qenë se Kryetari Haliti është mbi të gjitha njeri i cili e vlerëson kulturën e sportin, ka qenë mbështetësi i parë kur është kërkuar rritja e buxhetit në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Me rritjen e buxhetit nga vitit 2015, ka qenë më i lehtë realizimi i kërkesave, dhe realizimi është i kënaqshëm meqë mbështetja financiare është 100% më e lartë gjatë këtyre 2 viteve të fundit.

RKL: Cilat konsideroni se kanë qenë sfidat kryesore me të cilat është përballur Drejtoria Juaj në vitin 2016?

Kaltrina G. Sylejmani: Edhe pse kemi bërë investime si në fushën e kulturës , sportit e rinisë së bashku me partnerët tanë zhvillimor, gjendja mbetet për të dëshiruar dhe për t’u përmirësuar në kuptimin e investimeve kapitale gjatë vitit 2017, si në 2 stadiume të futbollit, në Qendrën e Kulturës “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, në Shkollën e parë Shqipe në Pozheran, që nënkupton se viti 2017 do të jetë vit i tejkalimit të këtyre sfidave.

RKL: Sa i keni plotësuar, parashikimet Tuaja në realizimin e projekteve në akord me buxhetin që ka ndarë Komuna dhe a jeni e kënaqur me rezultatin e arritur?

Kaltrina G. Sylejmani: Thënë pa modesti, duke iu referuar opinioneve të qytetarëve dhe shoqërisë civile në Komunën e Vitisë. Kultura, Rinia dhe Sporti nuk ka qenë asnjëherë më e suksesshme se këto 3 vitet e fundit, por edhe sipas raporteve tejet pozitive të Instituteve të pavarura si Instituti GAP, KDI, “Mozaiku i Kosovës” , dhe kjo është arritur me përkrahjen e zotri Halitit, Etniteteve Publike, Personelit te DKRS-së, Shoqërisë civile dhe qytetarëve të cilët janë monitoruesit dhe kritikuesit më parimor. Dhe sigurisht, jam e kënaqur me punën e përbashkët dhe progresin e DKRS-së nga vitit në vit.

RKL: Si kudo në Kosovë edhe në komunën Tuaj ka krijues, hulumtues, talent në fusha të caktuara. Sa keni arritur t’i ndihmoni ata dhe a iu drejtohen me kërkesa të caktuara, apo ndoshta ata kanë hezituar t’ iu drejtohen?

Kaltrina G. Sylejmani: Bashkëveprimi me artistë të fushave të ndryshme, është shumë i mirë dhe aktiv, siç janë aktive edhe kërkesat e shumta që vijnë nga ta. Drejtoria e Kulturës ka dyert të hapura gjithmonë për ta, pa hezitim. Sigurisht që financimi i kulturës së mirëfilltë, kërkon buxhet të lartë, por në Komunën e Vitisë, në raport me numrin e organizatave kulturore dhe artistëve individual ndihma financiare është e kënaqshme, ndërsa do të jetë edhe më e lartë gjatë vitit 2017, si rezultat i ndryshimeve në rregulloren për ndarjen e subvencioneve

RKL: faleminderit për kohën, ne të urojmë punë të mbarë dhe suksese të mëtejme.

Kaltrina G. Sylejmani: Ishte kënaqësi të jem virtualisht me Radio Kosova e Lirë, e cila kontribuoi në informimin e qytetarëve tanë edhe në kohët më të vështira, atëherë kur ky kontribut ka nënkuptuar sakrificë. Faleminderit zj.Arbana për mundësinë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …