Isuf Maznikolli nga fshati Kosuriq i Pejës ka qenë luftëtar i Brigadës 135, “Agim Zeneli” të Zonës Operative të Dukagjinit.
RKL: E nderuara Kismete, bija e dëshmorit, Isuf Maznikolli, mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë.
Kismete Maznikolli: Përshëndetje të nderuar, mirë se ju gjetëm dhe ju jemi mirënjohës së çdo herë e ndani kohën për ne dhe për me të dashurit tonë.
RKL: A keni qenë dijeni të veprimtarisë atdhetare të babait Tuaj. Me kë mbante kontakte ai?
Kismete Maznikolli: Po kemi qenë në dijeni për kyçjen dhe veprimtarinë e Tij në radhët e UÇK-së nga muaji prill 1998 dhe po ashtu të babagjyshit të ndjerë (Zymerit), sepse ata bënin roje gjatë periudhës së shtabit lokal të formuar në fshatin Kosuriq/Pejë, me orare të caktuara derisa erdhi koha e shpërnguljes edhe nga fshati Kosuriq, duke u detyruar që të qëndronin nëpër male. Kontakte zakonisht kishte me gjyshin pra (Babin e Tij), më të afërmit Sali Maznikolli, Sutki Gashi, komandantin Selim Kelmendi dhe bashkëluftëtarët e tjerë më të cilët kishin vetëm një qëllim, të mbronin vendin e tyre.
RKL: Ku keni qenë ditën kur babai Juaj kishte rënë dëshmor, kush ua dha lajmin aq të dhembshëm por edhe shumë krenar për luftën e tij në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe?
Kismete Maznikolli: Gjatë luftës ne (Familja ime) kemi qëndruar vetëm brenda kufijve të Kosovës duke qëndruar nëpër fshatra të shumtë të rajoneve të ndryshëm, duke u munduar të shpëtonim asaj lufte mizore dhe kishim disa muaj që nuk i kishim parë gjithë meshkujt e familjes dhe të afërmit tonë. Pas kthimit tonë nga fshati Cërrmjan (rajoni i Gjakovës) ne u kthyem tek shtëpia jonë në fshatin Kosuriq të shoqëruar nga UÇK-ja, por gjithçka ishte e bërë shkrumb e hi, nuk kishim ku të qëndronim, por me ndihmën e UÇK-së na treguan së Babai dhe babagjyshi tashmë ishin në shtabet e UÇK-së, nëpër male dhe nuk kishim mundësi të takohemi me ata, mirëpo nga aty ne u drejtuam tek disa shtëpi të të afërmeve tonë, ku qëndruam disa ditë aty dhe për të takuar babin dhe të tjerët duhej të vepronim fshehurazi nga ushtarët serbë. Pastaj kur erdhi ofensiva e fundit nga ushtarët serbë, ne familja u detyruam të iknim prapë nga këto shtëpi të të afërmve dhe shkuam në fshatin Gllogjan, rajon i Pejës tek shtëpia e Lekë Mirditës ku i jemi mirënjohës për tërë jetën duke na i hapur dyert dhe ofruar shtëpinë e tij për të qëndruar aty derisa të përfundojë lufta dhe po këtu ishim kur morëm edhe lajmin e rënies së Babait nga babagjyshi Zymeri, me datën e 27 Majit të vitit 1999, ku na thoshte më dhimbje dhe krenari: “së brez pas brezi kemi dhënë për atdheun, ashtu si babai i tij FazIi Syla i cili u vra në vitet e dyzetat në votimet e përgjakshme në Lugun e Baranit, tani edhe i biri i tij Isuf Zymer Maznikolli ra në luftën e fundit në Kosovë.”
RKL: Cilët janë bashkëluftëtarët e babait Tuaj, a ju vizitojnë, a mbani kontakte me ta?
Kismete Maznikolli: Shumica e bashkëluftëtarëve ishin të fshatit tonë, që përbënin komandantin Selim Kelmendi, disa të afërmve dhe të shokëve të tij si: Sali Maznikolli, Sutki Gashi të cilët kanë qenë veteran po që tani janë të vdekur ku familjet e tyre e gëzojnë të drejtën e pensionit dhe vazhdimisht mbajmë kontakte dhe po ashtu i kemi çdo herë në vizita dhe krenohemi kur diskutojmë kohët e tyre duke mos e lënë asnjëherë anash luftën që përjetuam.
RKL: Ku jeni sot ju fëmijët e dëshmorit, a keni studiuar, a punoni?
Kismete Maznikolli: Familja ime përbëhet nga Nëna, vëllai dhe katër motrat. Tri motrat e mëdha (Hyrije, Shkëndije dhe Lumturie) kanë të përfunduar shkollën e mesme të ulët në pamundësinë e vazhdimit të studimeve më lartë pas lufte siç e dimë gjithë ishin ditë dhe kohë të vështira, më pas motra e katërt (Shkurta dhe unë Kismetja) kemi të përfunduar Masterin për Kontabilitet dhe Financa në Universitetin “HAXHI ZEKA”, në Pejë, dhe po ashtu kemi ndjekur një numër të madh të trajnimeve, kurse, seminare, projekte dhe praktika më shpresën për kyçjen e ndonjë pune, por deri me tani akoma jo, përveç kontributit të cilin e bëjë në Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve-Dega në Pejë nga viti 2015, e autorizuar nga kryetarja e kësaj shoqate Safete Shala, e cila çdo herë ishte ajo motivuesja jonë për veprat, punën dhe jetën. Dhe vëllai Gëzimi i cili ka të përfunduar shkollën e mesme, po ashtu edhe studimet e Teknologjisë Informative në Cisco Networking Academy, Pejë.
RKL: E nderuara Kismete, cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës pa dallim?
Kismete Maznikolli: Sa i përket kësaj pyetje nuk dua të flas edhe shumë pa dallime, pasi që gjithë e dimë si po vështirësohet çdo herë më shumë situata në Kosovë, të them të drejtën nuk është e lehtë të përballesh me njerëz të cilët nuk i janë mirënjohës gjakut të Dëshmorëve duke harruar nga çfarë kemi kaluar, mirëpo nuk dua të veçoj më shumë pasi që për Dëshmorët duhet bërë akoma më shumë, se paku ditët e tyre duhet t’i respektojnë dhe të mos i harrojnë asnjëherë e jo të përkujtohen vetëm nga familjarët e Dëshmorëve por secili që jeton në këtë Kosovë të lirë duhet të ndjehet obligues qe t’ju bashkohen gjatë përkujtimeve kështu duke bërë të respektuar ditët e Dëshmorëve, kemi aq pak humanizëm, tolerantë dhe mirëqenie në mes nesh. Thjeshtë nganjëherë nuk po mund t’i njoh aq me pak t’i kuptojë ca njerëz.
RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?
Kismete Maznikolli: Kemi pasur përkrahje çdo herë nga Qendrat e Shoqatave të Familjeve të Dëshmorëve, më mirënjohje, vizita në përkujtimet e Dëshmorëve dhe në mënyra të ndryshme më mundësi, ndërsa nga institucionet kemi përkrahjen duke e gëzuar të drejtën e pensionit si çdo familje tjetër e Dëshmorëve dhe në fëmijët kemi pasur lirime gjatë studimeve në fakultet dhe kjo ishte një përkrahje e madhe duke na mundësuar të arrijmë deri në ndjekjen e nivelit Master.
RKL: Çka ruani kujtim nga Babi Juaj ?
Kismete Maznikolli: Kemi disa fotografi dhe gjëra personale të tij të cilat i kishte me vete në atë kohë, i ruajmë me mall dhe plotë nostalgji, por edhe vet Babai ynë është një kujtim i ëmbël për ne, sepse ishte një njeri i qetë, i respektueshëm dhe shumë bujar, i jemi mirënjohës që i kemi trashëguar këto veti nga Ai. Edhe pse gjithë ne fëmijët ishim në moshë fëmijërorë nga motra e madhe katërmbëdhjetë vjeçare e deri tek vëllai me i vogël pesë vjeçar, neve asnjëherë nuk na mjaftojë dashuria e tij sepse ishte shumë kohë e shkurtër më të, prandaj çdo herë ndjehemi të mangët sepse triumfon mungesa e tij.
Kemi kujtim edhe disa nga poezitë kushtuar Babait dhe gjithë Dëshmorëve, ja disa vargje nga këto:
PA TITULL
Pse o ju miq, me thoni mua,
“Duro mikeshë e dashur, e mos vuaj.
Behu krenare nga tradita e fisit tendë,
Qe të humbisni më të dashurit, për më të madhin vend.”
Ahh…sikur të mund, të ju tregoja,
Sa vështirë e kisha, dhimbjen ta mbuloja.
Ka vite qe kjo zemra ime nuk duron,
Edhe pse pak kush, po me kupton!
Me fal o Zot, që mërzitëm e qajë.
Edi është mëkat, po mos më vë në faj.
Sa shumë do të doja të festoj edhe unë,
Qe të marrë një përqafim, qe ka kohë së më ka munguar…!
GJURMË LIRIE
Po me thoni, ku kanë mbetur?
Zërat e tyre ku janë tretur?
Vallë, sa shumë në këtë LIRI ata na mungojnë.
Qe e sakrifikuan Jetën e tyre për Kosovë.
Keni lenë gjurmë lirie, në çdo hapin tuaj
Kjo na dëshmon nga buzëqeshja në Lapidarin e juaj,
Ju ishit ata qe luftuat për Bashkimin e Shqipërisë
I keni dhënë fund luftës, duke i lëshuar frymën Lirisë.
( Poezi të recituara me rastin e shënimit të 18-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Dukagjinit dhe ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, Gllogjan, Deçan. Kismete Maznikolli.)
RKL: E nderuara Kismete, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Ju urojmë shëndet dhe suksese.
Kismete Maznikolli: Çdo herë u jemi falënderues që na ofroni mundësinë e shprehjes dhe për kontributin që bëni ju si Radio dhe që asnjëherë nuk i lëni anash përkujtimet për Dëshmorët. Çdo herë përkrahjen e gjejmë tek ju duke u munduar të na i lehtësoni dhimbjet që i kemi për me të dashuritë tonë. Faleminderit dhe ju urojmë shëndet, suksese dhe punë të lehtë.