Intervistë me Lumnije Gashin, bija e Komandant “Plakut”

Intervistë me Lumnije Gashin, bija e Komandant “Plakut”

 RKL: Lumnije, mirë se erdhët në Radion Kosova e Lirë

Lumnije Xheladin Gashi: Faleminderit për mundësinë e kësaj interviste.

 

RKL: Babi i Juaj ka qenë personalitet i shquar i Ilegales shqiptare dhe ishte njëri nga themeluesit e celulave të para të UÇK-së, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm që nga themelimi i UÇK-së. Sa keni qenë e njohur me aktivitetin e babit Tuaj?

Lumnije Xheladin Gashi: Xheladin Gashi Komandant “Plaku” u lind në Bushat më 25 maj 1946. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, normalen në Prishtinë më 1968. Studimet i vijoi në SHLP në Shkup të cilën e mbaroi në 1973 në degën biologji-kimi. Ishte mësues në Nikaj e pastaj drejtor për të vazhduar punën arsimore pedagogjike deri në hyrjen në UÇK. Nuk ka qenë e mundur të jetë mjaft transparent me shumicën e kolegëve, për shkak se është dashtë të ruheshe prej njerëzve sepse menjëherë ishe i kontrolluar apo edhe i burgosur nga regjimi serb.

Po babi im ka qenë ideator dhe bashkëthemelues. Njerëzit si babai im kanë qenë mendimtarë të mëdhenj dhe atdhedashës të fortë. Ai nuk e ka filluar veprimtarinë vetëm kur është formuar UÇK. Gjatë kohës sa ka qenë arsimtarë i biologjisë e ka bërë punën me shumë përkushtim. E përgatiste orarin për krejt shkollën për çdo vit. Ndërkohë e bënte orarin që dita e premte të mbetej e lirë për të punuar në mënyrë ilegale për mobilizimin e njerëzve për çlirim. Ka dhënë një kontribut të madh në pajtimin e gjaqeve. Gjë që e parashihte se duhej të bëhej para se të fillonte çlirimi i atdheut. Ka qenë ndër themeluesit e parë të formimit të Ushtrisë Çlirimtare për Kosovën. Ne nuk kemi qenë në dijeni për veprimet konkrete që bënin. Ka qenë e vetëkuptueshme se ne mos të tregonim apo më mirë mos të flisnim me askënd për njerëzit që vinin te ne në çdo kohë të armatosur.

Shtëpia ime është larg kryqit të Komoranit (post bllokut të tmerrshëm të ushtrisë serbe atëherë) distancë deri në 2 km. Prandaj netët nuk ishin të lehta as për ne si familje në shtëpinë tonë kur kishim njerëz të armatosur. Tërë natën mbeteshim duke bërë roje e sidomos babai që ishte i zgjuar duke vëzhguar rreth shtëpisë. Ata djem që kanë ardhur te ne kanë pasur me kryer detyrën e vet deri në shtëpinë tonë.

Më kujtohet njëherë një natë dimri e vitit 1996 rreth orës 10 të natës, njëri nga djemtë kishte pasur me dorëzua deri te ne një automat, ai ma la në dorë automatin pa e ditur a është kush tjetër në shtëpi. Është dashtë me fshehur automatin edhe me e ruajtur gjithë natën.

Të gjithë anëtarët e familjes kanë bërë çka ka qenë e mundur për atë kohë. Pasi që u arrestua Nait Hasani, babi im ka shpëtuar prej serbëve duke mos e identifikuar për momentin kush ka qenë ai është detyruar të dal në ilegalitet të plotë.

 

RKL: Si e kujtoni sot babanë Tuaj të dashur?

Lumnije Xheladin Gashi: Babi im, ka qenë personalitet i shquar i ilegales shqiptare e cila ia ndryshoi kahen e historisë shqiptare duke u larguar ngadalë por me kujdes nga ideologjia dhe duke i ngjeshur armët duke iu bindur zakoneve iliro-shqiptare në luftën për liri. Kanë vepruar ngadalë dhe sigurt. Kjo siguri dhe që e kanë zhvilluar për gjithë ato vite veprimtarie ka qenë më e çmueshmja në histori, sepse prej saj kryesisht ka lind Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nuk kanë luftuar për ndryshim të regjimit të Beogradit por për ndryshim të kufijve.

Babin deri në 23 mars 1989, e njohin si arsimtarë patriot, simpatizues dhe pjesëmarrës i demonstrative patriotike revolucionare të vitit 1981 e tutje. Më shumë e njihnin nxënësit si “historian” se sa si biolog sepse gjithmonë jetonte në tregime për heronjtë e Drenicës, Kosovës dhe mbarë Shqipërisë. Ka qenë shef logjistikës në momentet më kritike të luftës së UÇK-së.

Më 1 shkurt të vitit 1997 dy ditë pas largimit të babait nga shtëpia, Serbët na rrethuan shtëpinë në kërkim të babit. Ata morën vëllanë Ilirin i cili ishte pjestar i UÇK-së dhe e burgosën. Pas daljes nga burgu Iliri prap vazhdoi aktivitetin çlirimtar. Babi atë kohë ka qëndruar në shtëpinë e Komandantit Adem Jasharit. Pastaj ka vazhduar në  ilegale me Mujë Krasniqin.

Me kërkesë të shtabit të UÇK-së, babi është dashtë ta lëshojë Kosovën për të vepruar në Zvicër. Në Zvicër bashkë veprimtarë kanë bërë një punë të mrekullueshme duke i bindur mërgimtarët tanë për ta ndihmuar UÇK-në, në mënyrë materiale e çdo gjë që ishte e munduar nga ana e tyre që ta mbështesin ushtrinë për luftën që tashme kishte filluar në Kosovë.

Autoritetet Zvicerane i kanë ofruar leje qëndrim të përhershëm në Zvicër. Babi i është përgjigjur ofertës me fjalët: “ Unë kam nevojë të rri vetëm deri sa ta shoh se është e nevojshme për vendin tim”. Pastaj prapë në bashkëpunim me shokët e vet e ka parë të arsyeshme që të kthehej në Shqipëri posaçërisht në Krujë, ku do të vazhdonte me organizimin e ushtarëve që vinin nga e gjithë bota për të i u bashkangjitur UÇK-së. Atje ka punuar shumë për të bërë kushte që të përgatiteshin ushtarët, ka siguruar vendstrehim, ushqim, uniforma e armatim. Atje ka qëndruar deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s, ndaj ushtrisë serbe. E gjithë familja pasi jemi kthyer në shtëpi, ajo kishte qenë e djegur. Babi e ka rinovuar shtëpinë.

 

RKL: Cilët janë bashkëluftëtarët e babait Tuaj dhe a ju vizitojnë, a mbani kontakte me ta?

Lumnije Xheladin Gashi: Pas vitit 2000, nuk ka qenë e mundur të gjente mbështetje mes shokëve të vet që të ishte i punësuar. Nuk ka punuar, nuk ka pasur të ardhura materiale,  edhe pse këtë nuk e ka shprehur me ne fëmijët e tij. Në vitin 2002 me vetiniciativë u angazhua në shoqatën “ Miqtë e TMK”, që të ju dal në ndihmë TMK-së, në problemet e atëhershme. Në bazë të këtij aktiviteti ka organizuar pushim një javor në malet e Rugovës për fëmijët e dëshmorëve. Vdiq më 21 mars 2004 në krye të detyrës për “ Miqtë e TMK-së”! Bashkëluftëtarët e babit janë shumica e politikanëve sot në pushtet.

 

 RKL: A mendoni se shoqëria dhe institucionet tona kanë bërë mjaft për familjet e dëshmorëve?

Lumnije Xheladin Gashi: Babai im ka qenë shumë i dashur e i sinqertë. Gjatë gjithë jetës së vet, shumë pak ka bërë për veten. Mendoj se shoqëria dhe institucionet nuk kanë bërë mjaft për familjet e dëshmorëve. Siç e din edhe opinioni sot familjet e dëshmorëve si dhe veteranët e vërtetë të Kosovës, me të vërtetë nuk ka ndonjë përkrahje konkrete. Babi ishte njeri i luftës së drejtë, patriot i sakrificave, ushtar dhe oficer, organizator i shkollës së Prekazit, Drenicës, Kosovës dhe gjithë Shqipërisë deri në fitore. Gjatë kohës së bombardimeve të NATO-së, mbi caqet e okupuara do të bashkëpunojë edhe më tej për mënyrat strategjike të mëtejme. Pra babi im me plotë meritë kishte gradën e Gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare.

 

 RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?

Lumnije Xheladin Gashi: Pas vdekjes së hershme të tij është shpallur “Heroi i kombit” nga ish-kryetarja, Atifete Jahjaga. Shkolla në Komoran e mori emrin “Xheladin Gashi Plaku”, njëkohësisht është vendosur edhe busti i tij, si dhe Pulla postare në emër të“Xheladin Gashi Plaku”.

 

RKL: E nderuara Lumnije, ju falënderojmë se u bëtë pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Ju urojmë nga zemra shëndet e suksese në jetë?

Lumnije Xheladin Gashi: Faleminderit Juve për mundësinë që të jem pjesë e kësaj rubrike. Ju uroj edhe më tutje suksese.

(Intervistoi: Arbanë Qeriqi-Gashi)

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …